E marte, 19.03.2024, 05:52 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Hysni Curri, zëri që thërret prehjen në Atdhe

E enjte, 02.05.2013, 05:01 PM


Hysni Curri, zëri që thërret prehjen në Atdhe

...e meriton dheun e Kosovës... ndërgjegjja  thërret. Gjurmët e heroit tani po zhdukën gradualisht dhe kjo nuk do duhej lejuar... do del dikush të ndihmon në kthimin e tij në dheun e Kosovës. Lapidari i Currëve le të shndritë në zemër të Atdheut.

Ekskluzive nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Gjendja  e rëndë në atdheun e pushtuar detyroj shumë figura historike që të largoheshin në vende tjera me shpresën e riorganizimit të qëndresës për liri, Këtë fat e patën figurat kryesore që udhëhoqën rezistencën kombëtare drejt  shpalljes    pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.    Ky fat e përcolli kryetarin e qeverisë së parë të Shqipërisë ,Ismail Qemali, nënkryetarin e saj, Dom Nikollë Kaçorrin, komandantin e ideatorin e rezistencës kombëtare, Hasan Prishtinën, Ministrin e Qeverisë së Parë, Luigj Gurakqi dhe shumë komandant e luftëtarë që nuk u pajtuan me gjendjen e rëndë të kombit të copëtuar e të robëruar nga shtetet fqinj. Njëri nga ata ishte edhe krahu i djathtë i Plakut të Maleve, Hysni Curri.

Familja Curri ishte e njohur në trevat shqiptare për luftën kundër pushtuesve të huaj në përpjekjet për bashkimin kombëtar. Trungu kryesor i kësaj familje madhore ishte Plaku i Maleve –Bajram Curri, i cili tërë jetën e kaloi me pushkë në dorë derisa u vra nga forcat e Ahmet Zogut në Shpellën e Dragobisë. Ai kishte tre nipa bashkëluftëtarë besnik të cilët populli i quajti Krahët e Bajram Currit: Asllan Curri, Abdullah Curri dhe Hysni Curri. Vepra e tyre, sipas disa historianëve mbeti e pa njohur sa duhet dhe  nën hijen e xhaxhait të tyre Bajram Currit. Nga ana tjetër ata vdiqën që të tre të rinj.

Në gazetën “Vëllazënija” që ishte organ i Shoqatës “Dija” me seli në Vjenë, datë  3 prill 1918 gjejmë artikullin nga autori me inicial “M” ku i kushtohet vdekjes së Abdullah bej Curri me titull “Vdekja e Abdullah Bej Currit në Gjakovë”.  Më 28 fruer në mbrëmje u përhap lajmi i zi i të ndrruamit jetë t’atdhetarit të flakët Abdudllah Bej Currit...”   Shkrimi përshkruan jetën e shkurtër e tij ku do veçonim shënimin, se, ai qysh në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare u dallua si luftëtar i shquar. “...për moshën që kishte e habiti gjithkënd  për trimëri të madhe ë tregoj..”  Ai mori pjesë krah për krah me ungjin e tij Bajram Currin që ishte bërë synonim i rezistencës gjithë shqiptare, veçan në pjesën veriore të Shqipërisë. U dallua në luftërat në Orosh, Mat, Shkodër, Velë “ Jetoi së bashku me ungjin e tij Bajram Curri në Gjakovë e Prizren, kurse në Shkupi kishte mbaruar shkollimin. Ai vdiq në Gjakovë në moshën 23 vjeçare me 28 shkurt të vitit 1918.

Nipi tjetër i Plakut të Maleve ishte Asllan Curri. Sipas gazetë La Feeration Balkanique” e datës 30 prill të vitit 1925, Ahmet Zogu e ka ndër mend të shfaros familjen Curri. Me ndihmën e  hijes së tij të zezë Cena Beg Kryeziu, burgoset Asllan Curri dhe vritet bashkë me dy shokë në përcjellje prej Krumës për në Shkodër nga mercenarët e Zogut nën pretekstin “deshi me ik” si kamuflazhe e fshehjes së krimit.

Hysni Curri, nipi i tretë i Bajram Currit, ishte i njohur si luftëtar i vendosur i cili krahas Currëve tjerë. Sipas gazetës “La Federation Balkanique”” e numrit 18-19- të Hisni Curri ishte komandant i ushtrisë shqiptare në Qafën e Prushit në luftën e fundit të ushtrisë shqiptare kundër ushtrisë turke me 7 gusht 1912 pas së cilës  ushtria shqiptare marshoi në Shkup ku e edhe ngritët flamuri kombëtar që me 12 gusht të vitit 1912, duke i pri  ngritjes së flamurit në Vlorë.

Gjatë kohës kur Austro-Hungaria kishte vendos pushtet në pjesë të Shqipërisë ai ishte njeri autoritet krahas figurave tjera që konsideroheshin paria e vendit. Ishte pjesë e delegacionit shqiptarë në vizitë Austrisë më 16 prill 1917. Delegacioni ishte në përbërje të gjerë prej 33 vetash.  Përveç të tjerëve kishte edhe figura historike që lidhën me ngjarje që pasuan më vonë  në Vjenë. Në përbërje të delegacionit jenë edhe figura me qëndrime kontroverse të tyre rreth rrjedhave  brenda kombëtare dhe territorit shqiptar.  Aty ishin edhe Dom Nikollë Kaçorri, si përfaqësues i  arqipeshkëvisë së Durrësit,   Hysni Curri, përfaqësues i Krasniqes. Hasan Prishtina, përfaqësues i Kosovës dhe Ahmet Bej Zogollia (Ahmet Zogu, përfaqësues i rrethit të Matit. Dom Nikollë Kaçorri, nënkryetari i parë Qeverisë së parë të Shqipërisë, i cili do vjen në Austri për shërim nga sëmundja e rëndë dhe vdes me 29 maj 1917 në sanatoriumin Würth të Vjenës.  Eshtrat e tij u bartën në Shqipëri 94 vjet më vonë (janar 2011v).

Major Hysni Curri  ishte aktiv në kryengritjen kundër padrejtësive që u ishin bërë tokave shqiptare. Kosova e robëruar përjetonte çdo ditë masakra nga forcat pushtuese serbe, qeveria shqiptare ndiqte kudo kundërshtarët e saj politik dhe nuk i pengonte as forcat serbe të cilat edhe në territorin shqiptar i ndiqnin figurat patriotike. Ministria e Brendshme e Shqipërisë do pajtohet, me vendimin e saj 9 janar 1923 “N’asht se rebelet futen në zon neutrale, keni leje me i ndjek edhe atje”. Kjo vlente edhe për ndjekjen e Hysni Currit dhe Currëve tjerë të cilët përbënin qendrën e qëndresës kombëtare. Në këto rrethana të vështira veprimi, në Shkodër themelohet “Mbrojtja Kombëtar e Kosovë” që në fakt ishte vazhdim i veprimtarisë së “Komitetit të Fshehtë”.  Kryetar i saj ishte Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), kurse nënkryetar i saj ishte zgjedhur Hysni Curri. Lëvizja për liri e tri bajraqeve të udhëhequra nga Bajram Curri, Hasan Prishtin dhe Hysni Curri gjenden në një situatë të rënduar nga koordinimi i veprimeve armiqësore të qeverive fqinjë dhe qeverisë shqiptare e cila krerët e lëvizjes çlirimtare i dënon me vdekje, bile disa nga ata për të tretën herë, siç ishte rasti me Hasan Prishtinën.  Represioni i qeverisë zogiste ndaj përkrahësve të figurave kombëtare që synonin lirinë, bëri që përkohësisht të shtyhen aksionet dhe nga vendi largohen disa nga krerët kryesor.

Me shpresën e ringjalljes së aktiviteteve organizative e politike në vendet ku kishte veprimtarë shqiptarë, më 27 gusht 1923 një grup prej 27 veprimtarësh udhëtuan nga Shengjini për në Itali dhe prej andej në Austri.  Bashkë me ta edhe Hasan Prishtina dhe Hysni Curri. Atyre u ishte premtuar edhe përkrahje në armatim nga Austro-Hungaria. Me 2 nëntor 1923 Hasan Prishtina i shkruan Bajram Currit mes tjerash: “Kam marrë premtime për njëzetmijë pushkë dhe 12 topa”. Në Romë dhe në Vjenë kishte refugjatë shqiptarë politik me të cilët do akordohen aksionet për mbrojtjen e trevave shqiptare nga shfarosja që u kërcënohej. Derisa Zogu vriste figurat patriotike dhe ndiqte përkrahësit e tyre, pushtuesit serb në Kosovë kryenin shfarosje masive të shqiptarëve. Vritet Avni Rrustemi, fati i të cilit fatkeqësisht do ta kenë edhe shumë figura tjera historike.

Në “La Federation Balkanique” po të njëjtit numër shkro ...Vdiq Hysni Curri”, krahu i djathtë i të Madhit Bajram Curri.” I dëbuem nga Kosova prej ushtarëve të Pashiqit, e i dëbuem nga Shqipnija që quhet e “Lirë”, prap prej mercenarëvet të komanduar prej agentit të tij, prej Zogollit të Matës” Tuberkulozi ishte sëmundje e rëndomtë tek luftëtarët shqiptarë të asaj kohe të cilët jetën e tyre e kalonin të vështirë në male me pushkë në dorë. Kjo gazetë vjenezë e cilëson Hysni Currin si “fytyrat më me zë të lëvizjeve tona kombëtare, një nga patriotët më të vlershëm të Kosovës.” Numri tjetër i kësaj gazete (nr.42) shkruan: Hysni Curri vdiq këtu, larg Atdheut e vatrës një nga ata që dijti të shkrij jetë, pasuri, fëmijë, fis, miq e gjithshka për një ide fisnike.” Jeta e Hysniut në Vjenë ishte jetë aktive. Ai u gjend pranë veprimtarëve që u gjendën në Vjenë duke veçuar këtu Hasan Prishtinën. Ai pati kontakte edhe me figura vendore vjenezë, mes tyre ishte z.Herber Urbani, me të dhe familjen e të cilit kishte miqësi të ngushtë Hasan Prishtina dhe guaja e tij Igballe Prishtina. Ata ruajtën kujtime shumë të mira për Hysniun nga kontaktet që kishin me te. Pikëtakimi i tyre ishte klubi shqiptarë i asaj kohe i vendosur në Becirkun e tetë, rr.Josefstedärstraße. Hysniu banonte në Pansionin për të ardhur aty afër  klubit në rrugën Langeggase 49 , ku edhe vdiq.  Ai u varrosë në Varrezat Qendrore të Vjenës “Zentralfriedhof” me nderime të larta ku marren pjesë personalitet të njohura austriake, përfaqësues të disa organizatave nga vendet ballkanike, figura shqiptare nga radhët e emigrantëve shqiptarë në Vjenë e Austri.

... e meriton dheun e Kosovës

Pas një periudhe kohore të gjatë qëndrimi në mungesë interesimi nga të afërmit apo bashkëkombësit, vendvarrimi jepet nga autoritet për varrimin e të tjerëve, kështu tani mbi varrin e Hysni Currit janë të varrosur dy persona.  Gjurmët e heroit tani po zhdukën gradualisht dhe kjo nuk do duhej lejuar në radhë të parë nga ne mërgimtarët në Austri. Në Vjenë ishte i varrosur edhe Dom Nikollë Kaçorri, eshtrat e të cilit u bartën para dy vjetëve dhe tani prehet në tokën e tij. Ky ishte një gjest sa human aq edhe patriotik i ndërmarrë nga familja, Misioni Katolik Shqiptar dhe veprimtari shkodran z.Pjetër Logoreci.

Çka do bëhet tani me eshtrat e  heroit Hysni Curri, do tretën më tutje në dheun e huaj apo do del dikush dhe të ndihmon në kthimin e tij në dheun e Kosovës. Tani Kosova është e lirë, aty është edhe gjaku i Hysni Currit dhe Currëve tjerë të njohur për të cilën dhanë çdo gjë nga vetja, pasurinë, familjet, kullat, jetën.

Në këto rrethana shpresojmë të ngadhënjejë si gjithnjë veprimi patriotik i njeriut tonë dhe amaneti i prehjes në dheun e vendlindjes t’i plotësohet  heroit të kombit Hysni Curri, E meriton. Liria e Kosovës e ndjenë. Lapidari i Currëve le të shndritë në zemër të Atdheut.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora