E enjte, 28.03.2024, 06:18 PM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: ''Katundi që shihet, kallauz nuk do!''

E diele, 11.05.2008, 04:05 PM


Adnan Abrashi
“KATUNDI QË SHIHET, KALLAUZ NUK DO !”

Nga Adnan Abrashi

“Katundi që shihet kallauz nuk do” – thotë populli. Disa nisma të gabuara të prijësve të këtij “katundi, i kanë vërejtur me kohë mjaftë qytetar të saj të urtë, por, për shkaqe të organizimit të tyre të pa mjaftueshëm, dhe ngufatjes së hapësirës mediale të mundësisë së shprehjes publike, kjo kategori e vetëdijesuar shoqërore, dukej se ishte jo aq prezente në masë me tentativat e saja paralajmëruese. Por, dita-ditës,  nën ndikimin e rrethanave të caktuara dhe gabimeve në veprim, marketing-qeveria e jonë aktuale, apo sikur ata dëshirojnë ta quajnë veten, “transparent-qeveria”, vazhdimisht po e zbeh suksesin e vet në drejtim të bindjes së popullit se “në Kosovën ton si shtet të lirë dhe sovran, të gjitha punët po na ecin mirë”.
Dyshimi jonë i parë, nisi që në ditën e 17 shkurtit, ku, në atë Kuvendin solemn, përveç miratimit të Deklaratës për Pavarësinë, u bë edhe “aprovimi” i flamurit të ri të Shtetit të Kosovës. Nëse e kujtojmë atë ngjarje famëmadhe, kur deputetët tanë të ngritur në këmbë duartrokisnin me emocione, ne si vrojtues para ekraneve televizive, nuk dinim se, a po bëhet kjo përkrahje për Deklaratën e posa lexuar të shpalljes s Pavarësisë, apo, për një “copë mëndafshi”që befas u paraqit duke defiluar në sallën e Parlamentit të Kosovës. “Ja, ky ka me qenë flamuri i shtetit tonë të ri të Republikës së Kosovës”, u dëgjua njoftimi i kryeparlamentarit tonë.
Kot ne atëbotë prisnim tre propozime të Komisionit të Konkursit  për përzgjedhjen e flamurit, dhe votimin e deputetëve për njërën prej tyre??!
Ky flamur, zyrtarisht u promovua , por, sa realisht ai do të pranohet nga populli, mbetet të shihet. Shenjat e para nuk janë aq optimiste.
Në këtë arenë teatrale në të cilën është shndërruar Parlamenti ynë, në mënyrë të njëjtë, kaluan edhe disa akte normative. As pa i parë me sy ato, e lere më lexuar dhe studiuar me vëmendje nga deputetët, aty u aprovuan dhjeta ligje që ishin të inspiruar dhe të shkruara sipas skenarit “ahtisarian” dhe konsideroheshin si baza themelor të legjislativit të shtetit tonë të ardhshëm të Kosovës së pavarur, demokratike, multietnike, dhe MULTISOVRANE.
Fatkeqësisht, kjo maskaradë nuk mbeti vetëm me kaq!
Parlamenti i Kosovës, edhe më tej vazhdoi të jetë arenë shfaqjesh të inskenuara. Me stil të njëjtë imponues, u paraqit së fundi shfaqja e realizuar dhe e inskenuar mirë me procedurën e aprovimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Skenari i kësaj pjese teatrale qe shumë i thjeshtë dhe përbëhej vetëm nga disa fjalë: “qohu në këmbë”, “gatitu”, duartrokitje... dhe... urime... Me sa pamë, po atë ditë, disa deputet “statista” i kishin ngatërruar lëvizjet  e parapara të ulje-ngritjes dhe nuk u quan në këmbë. Edhe pse vepruan ashtu, kjo mënyra e  “linjës së heshtur” të reagimit të tyre, assesi nuk ju jep elemente bindëse për krekosjet e mëvonshme publike  që i bëjnë, se gjoja ata nuk ishin pjesë e këtij aktrimi. 
Pas kalimit të gjitha këtyre idileve euforike, dukej sikur masa popullore filloj të zgjohet nga presioni psikologjik i ndenjësi së këtij imponimi “racional” shqisor, dhe nisi të tregoj tendencat e vënies në veprim të funksionimit të natyrshëm të arsyes vetjake, e cila, në fakt, gjithmonë ka ekzistuar, por, ishte dhunshëm e ndrydhur në brendësinë tonë.
Aktualisht, reagimi vetëm deklarativ dhe jo edhe veprues kundër mbajtjes së Zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë në Kosovë, më 9 maj në Prishtinë, i shtyri disa “kalama” të “rebeluar” të lëvizjes “VETËVENDOSJE, që të organizojnë një protestë gjithëpopullore, ku  në shenjë revolte, oborret e “pallateve sunduese mbretërore”  simbolikisht i mbushin me mbeturina , ndërsa muret e sarajeve të tyre i “përmu...”  me ujërat të zeza të kanalizimit. Kuptohet, të gjitha këto, prodhime vendore, sigurisht!
Këta të rijnë, sikur atë ditë, deshën t’i porosisin tutorët e tyre : “Oooo...baballarë tanë! Ne nuk jemi më fëmijë sikur po na konsideroni ende! Po rritemi! “NUSEN” që na keni imponuar pa dashuri për martesë, nuk na doli ashtu sikur na premtuat - “e virgjër”. Në fakt, ajo, nuk ishte nuse për një burrë (sovrane dhe i pavarur) por ishte një “lavire” për shumë burra dhe dashnorë (me disa sovranitete). Dihet! Kur të martojnë baballarët  “me të lypme” dhe pa dashuri, nëse nusja nuk të del “e virgjër” ajo kthehet te baba. Kjo kurrsesi nuk është një çështje e moralit arkaik, por ndëshkim për shkeljen e  kontratës përmes premtimit të rrejshëm nga “miku”, a po!??
Duke ndej  këtë kohë si zakonisht në lokalin tim të preferuar të lagjes, isha i zhytur në mendime dhe andralla. Mbi tavolinë kisha të gjitha ekzemplarët e gazetave tona ditore, me cigaren të ndezur dhe filxhanin e kafesë së preferuar espresso pranë. Qetësinë e meditimit dhe hulumtimit tim informativ rreth komenteve gazetareske të protestës së djeshme të lëvizjes “VETËVENDOSJE”, e prishi ardhja e mikut tim gjerman, që këto ditë qëndronte për një vizitë në Kosovë, dhe dje, nga kurioziteti, edhe ai kishte marrë pjesë në këto protesta. Takimin në këtë vend e kishim të paracaktuar. U përshëndetem. Menjëherë ai ia filloi së pari bisedës, me komentin e tij  rreth ngjarjes se djeshme:
- Ashtu sikur bënë këta të VETËVENDOSJES në Prishtinë, të kishte ndodhur diçka e njëjtë te ne në Gjermani, sigurisht mbi 2000 vetë ishin burgosur aty për aty!!
- Ka mundësi! – i thash. Por, a di ti të më thuash se çka do të kishte ndodhur në Gjermani, sikur në territorin e saj sovran, pa marrë leje nga qeveria e juaj,  të kishte tentuar, ta zëmë, Franca, t’i organizoj zgjedhjet e veta qendrore dhe lokale?
- Hmmm...nuk di! Nuk di! – u zë në skrips miku im.- Dakord...pajtohem! Duhet shikuar edhe shkaqet dhe jo vetëm pasojat...
Nga lajmet e gazetave që i kisha lexuar atë ditë në lidhje me këtë ngjarje, më së shumti më pëlqeu dhe më la përshtypje reagimi i z. Hajredin Kuçit, i bërë në emër të Qeverisë:
“Është e drejtë demokratike që të protestohet dhe çdo gjë mbahet në kuadër të rendit dhe ligjit ...Për mbeturinat në oborrin e Qeverisë do të kujdeset kompania për pastrim...”
Sa bukur, z. zëdhënës, apo, zëvendëskryeministër i Qeverisë! Ashtu duhet reagua. Por, athua, a do ta merret dikush seriozisht në Qeveri me porosinë metaforike dhe mjaftë domethënëse të kësaj performance nga protesta...??!
Ajo ishte TOP-LAJM më sensacional në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara të gjithë botës...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora