E hene, 23.09.2019, 04:32 AM (GMT+1)

Editorial » Saro

Vangjush Saro: Përgjigje për një shkrim konfuz dhe të errët

E merkure, 01.05.2013, 09:05 PM


Përgjigje për një shkrim konfuz dhe të errët

(Përndryshe: Bisedë me kolegun Kolec Traboini)

Nga Vangjush Saro

Këto ditë, botova te “Zemra Shqiptare” shkrimin me titull “Geg i zemëruem, tosk i fyer”, ku polemizoja me ty në lidhje me një analizë për probleme të standardit të gjuhës. Në praktikën time të punës, ka qenë gjithnjë dublimi i botimit, zakonisht te gazeta “Telegraf” në Shqipëri. Kështu ndodhi edhe me shkrimin e mësipërm. Nëse kjo përbën shkelje a ndonjë lëndim për ty, unë të kërkoj ndjesë në mënyrë publike. Po ashtu, nëse në atë shkrim, pa dashur mund të kem keqinterpretuar ndonjë nga mendimet e tua, apo kam lënë përshtypjen se nuk e dua (ti thua e urren) gegnishten a s’di çfarë tjetër, përsëri kërkoj ndjesë. Të siguroj se nuk është asfare e vërtetë. Natyrisht që ashtu si shumica e krijuesve shqiptarë, jam i mendimit se vlerat e padiskutueshme të gegnishtes duhet të jenë pjesë e gjuhës kombëtare. Une vetë i adhuroj bilbilët e gegnishtes, Mjedën, Fishtën, Migjenin, madje i citoj shpesh; një pjesë e shkrimeve janë këtu, kushdo mund ta verifikojë këtë.  Ajo që kam sugjeruar është që të mos i imponohemi apo t’i diktojmë kujt ç’duhet të bëjë. Dhe t’iu lëmë më shumë hapësirë ekspertëve.

Gjithsesi, për të mos krijuar keqkuptime të mëtejshme me një koleg, unë iu përgjigja shënimit tënd në “Zemra Shqiptare”. Unë lypa ndjesë për çka duhej; kërkova edhe prej teje të ishe më i përmbajtur. Ti nuk besove - dhe ende jo, me sa u pa - se unë nuk e kisha asgjë me të keqe. Kështu, u ktheve me një shkrim tepër agresiv, të shkruar (pothuaj) me urrejtje, duke shkelur me këmbë edhe atë pak njohje që kemi pasur. Unë nuk arrij të kuptoj çfarë të trazoi kaq shumë, sa të vërvitesh mbi një koleg me tërbim, a thua çfarë të ka bërë...Rishkruan biografinë e të tjerëve, sikur të ishim ende në atë kohën e dreqit. Përdor ironira, bën aludime, gjoja humore...

Unë do të flas drejtpërsëdrejti me ty, pa të tilla mjete, paçka se ato janë pjesë e profesionit tim. Ti tregon për profesorate me të cilët nuk kam asnjë lidhje dhe përpiqesh të më vësh në pozita qesharake, sikur dikush a shumëkush më ka nxjerrë të flas dhe gjëra të tilla të paqena. Unë përfaqësoj veten time dhe di ta bëj këtë, të mos ketë dyshim askush. Nuk kam qenë asnjëherë nëpër klane, i urrej ato. (Merre mbrapsht argumentin.) Ti shpreh habinë se si e kam gjetur shkrimin, ai ishte vetëm te blogu yt, etj. etj. Mendoj se nuk duhet t’i konfuzojmë lexuesit dhe kolegët me supozime dhe teprime për “grupe armiqësore”. Askush nuk ka rëmuar në blogun tënd. Unë e lexova atë shkrim te “Zemra Shqiptare”; m’u duk pak i ngutur, e thashë këtë, kjo ishte e gjitha. Çfarë ka këtu për t’u mërzitur kaq shumë!

Ti premton se do të më përgjigjesh sipas rregullave të gazetarisë. Pastaj fillon e shpif. Ne këtu nuk jemi te klubi i fshatit dhe as kemi pirë; kemi një staturë të caktuar, kemi vënë firmën mbi libra dhe mbi dhjetra artikuj, nuk na bie të flasim në erë. Paskam luftuar kundër fesë kur qenkesha në gjimnaz(!) A je i marrë Kolec, a si? Duhet të dish se në vitin 1967, unë s’kam qenë në gjimnaz, por në klasë të 7-të ose të 8-të, nëse më lejohet ta di më mirë se ti. Nuk di ç’ka ndodhur në vende të tjera, në Korçë, me sa kam mësuar më vonë, prishja e disa kishave nuk iu besua fëmijëve, e kanë bërë punonjës të Komunales. (Pra, merre mbrapsht edhe këtë.)

Flet për rregullat e gazetarisë dhe nga ana tjetër padit: iu paskam shkuar pas kostallarëve(!) Kur kemi qenë bashkëstudentë, thua. Unë kam mbaruar Histori-Filologji, degën Gjuhë-Letërsi, ti Gazetari; kemi qenë në fakultete të ndryshme, nuk na ka lidhur pothuaj asgjë. Në vitin ‘75, kur mbarova fakultetin, “Hosteni” donte të më punësonte, por ngase e kisha “mirë” me kostallarët, më degdisën në Gramsh. 12 vjet, me gjithë familje. Ndërsa ti gjete Kinostudion; redaksia e filmit dokumentar. Edhe ai më i padituri e di se çka ishin filmat dokumentarë të asaj kohe. Megjithatë unë s’kam ndër mend të bëj insinuata, për këtë gjë dhe për të tjera...Njeriu diku do punonte. Por mos më trego mua pinjollët e komunizmit. (Mbrapsht edhe këtë.)

Mat shpatullat e mia, thua që s’mbajtkan shumë...Nuk e di ti këtë dhe as të ka besuar kush të merresh me këso detyra. Ç’njeri je që përdor kaq shumë inat e vrer për një polemikë? E zbret atë te këmbët, duke folur gjoja me humor për groshë Korçe e ku di ç’marrëzira të tjera. Nëse unë bëra një shkrim dhe përpiqesha të argumentoja disa kundërshti ndaj një analizës tënde, përse duhet ta përcjellësh këtë gjë me kaq shumë britma e aludime, sikur unë s’qenkam i denjë të vij në këtë bisedë e në këtë temë(!) Pse kështu? Apo jam pa shkollë, s’e njoh gjuhën fare, s’kam botuar ndonjëherë ndonjë shkrim, as libra, kam dalë kështu...naiv dhe i dobët përpara teje, që të zhduk(!) me një të qëlluar plot pezm.

Përdorkam greqizma...Ka njerëz fanatikë e të fiksuar që mendojnë se po të jesh nga Korça, ke patjetër lidhje me Greqinë. Nuk dua të besoj se je një asi. Në dhjetra artikuj të botuar në “Alternativa SD”, “Republika”, “Sindikalisti”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Shqip”, “Metropol”, “Telegraf”, si dhe në një sërë portale të njohura, një prej gjërave pozitive që (më) kanë vënë në dukje të  tjerët, është gjuha. Po ja që nuk të pëlqen ty; të ka vrarë veshin fjala paravoli. Dhe këtu mbahesh fort, se s’ka ku tjetër, për të prodhuar gjithë atë titull me të mjerë dhe me mjeranë, pa parë njëherë se mos e ke mjerimin brenda vetes. Mua nuk më armiqëson dot me gegët dhe me gegnishten, harroje.

Ti shkruan pa kurrfarë respekti, Kolec. Nuk kam pse të fshihem, edhe unë nuk e kam ndjekur krijimtarinë tënde dhe nuk e njoh atë. Por unë nuk të paragjykoj, nuk është në natyrën time të qëlloj të tjerët si të mundem. Përdor diku në fund një frazë të mbushur plot cinizëm, për një vend në botën shqiptare, duke i futur nga pas edhe një Hosana. Nuk më impresionon dot as me këtë gjyle të fundit, sepse (për fat të mirë) nuk është në dorën tënde, të kem apo jo, një vend në botën shqiptare. Le ta gjejnë lexuesit dhe kolegët çfarë ka pas gjithë kësaj sherrnaje.

Gjatë gjithë jetës, gjatë gjithë karrierës sime letrare e publicistike, nuk mbaj mend të ketë pasur dikush për mua kaq shumë mëri e mllef dhe ta ketë derdhur atë kaq harbutërisht. Nuk e di pse e bëre këtë.

Gjithsesi, unë të uroj shëndet, krijimtari të mbarë dhe më shumë vetëpërmbajtje.



(Vota: 19 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT