E enjte, 25.04.2024, 09:16 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Donnie Brasco, një agjent i FBI-së në Cosa Nostra

E diele, 11.05.2008, 03:05 PM


Joseph Dominick Pistone, ish-agjenti i FBI-së që për gjashtë vjet veproi i infiltruar, si Donald Brasco, në familjen mafioze "Bonanno" dhe familjen "Colombo", dy nga pesë familjet mafioze në Shtetin New York

Nga Redin Hafizi - RD

Të gjithë dashamirësit e kinemasë e kujtojnë filmin "Donnie Brasco" ku përveç historisë intriguese në një shkallë shumë të lartë është edhe niveli i aktorëve dhe s'ka se si të ndodhë ndryshe kur në rolin e agjentit të FBI-së, të famshmit Joseph Dominik Pistone, luan i mirënjohuri Johnny Depp, në rolin e Benjamin "Lefty" Ruggerio, luan i papërsëritshmi Al Pacino dhe në rolin e kreut të grupit Dominik, "Sonny Black" Napolitano pa asnjë diskutim është zgjedhur Michael Madsen. Dhe ky ishte filmi që përjetësoi jo vetëm një lojë fantastike të një grupi jashtëzakonisht të talentuar aktorësh, por në të njëjtën kohë i dha pavdeksinë historisë së një agjenti të FBI-së që me guxim pranoi të infiltrohej në rangjet më të larta të një prej familjeve më të fuqishme mafioze të qytetit New York në atë kohë dhe jo vetëm kaq, por është një rast shumë i rrallë që ky agjent ende është në jetë dhe veprimtari aktive.

Si shpërblim nga FBI për punën që ai bëri mori një çek 500 dollarë amerikanë, ndërkohë që mafia vuri një çmim prej 500 000 dollarësh amerikanë për këdo që do të ekzekutonte Pistonen. Megjithatë ai tha: "Si një agjent i infiltruar nuk mund të presësh ndonjë gjë të veçantë. Vetëm bëj detyrën".

Joseph Dominick Pistone, i cili njihet si Donnie Brasco, ka lindur në vitin 1939 dhe ka qenë një ish-agjent i FBI-së që pranoi të infiltronte në gjirin e familjes mafioze Bonanno, duke krijuar lidhje jo shumë të forta edhe në familjen tjetër Colombo, të dyja familje të mafies njujorkeze. Vetë Pistone e ka pranuar se, ai mund të bëhej anëtar me të drejta të plota (të vetmit njerëz që mund të arrijnë shkallë të larta në hierarkinë e Cosa Nostra dhe që historikisht në shumicën e rasteve kërkohet që të kesh 100% prejardhje italiane) për familjen Bonanno, nëse do të kishte vrarë kapon Phillip Giacone në Dhjetor 1981, por një aksion i tillë u anullua.

Pistone ka bërë betimin e Agjentit Special të FBI-së në vitin 1969, shtatë vjet para se të pranonte të infiltrohej.

Ai ka lindur në Erie, Pennsylvania dhe u rrit në Sandy Hill, pjesë e qytetit Paterson në New Jersey. Pistone u diplomua në Kolegjin Shtetëror të Patersonit (tani Universiteti William Paterson) në vitin 1965 për antropologji. Pasi punoi një vit si mësues në Shkollën Paterson me numër 10, ai punoi në Zyrën e Informimit Naval. Ai u bë agjent special i FBI-së në vitin 1969 dhe ngjashmëria në emra nuk do të thotë se ai ka lidhje me bosin e familjes mafioze Colombo, Joseph (Joe Baldy) Pistone.

Pasi shërbeu në role të ndryshme në, FBI gjithandej në SHBA, Pistone u transferua në New York në vitin 1974 i emëruar në skuadrën kundër rrëmbyesve të kamionëve. Aftësia që ai kishte për të drejtuar kamionë të mëdhenj deri me 18 rrota dhe gjithashtu buldozerë, bënë që ai të përzgjidhej për infiltrimin e parë të tij në një bandë që vidhte këto lloj mjetesh dhe të tjera. Ndihma e tij përmes informatave të mbledhura në gjirin e organizatës sollën arrestimet e mbi 30 personave vetëm në bregun lindor të SHBA në Shkurt 1976 dhe u përshkrua në atë kohë si një prej shkatërrimit më dobiprurës të një prej rrjeteve më të mëdha të hajdutëve, që ishte kryer ndonjëherë në ato përmasa në SHBA.

Joe Pistone shndërrohet në Donnie Brasco

Ai vërtet ishte një person inteligjent dhe shumë i përgatitur, por në fund të fundit ishte origjina e tij siçiliane që ndikoi më shumë në përzgjedhjen e tij si agjent i infiltruar nëpër grupet e mafies italo-amerikane. Ai fliste rrjedhshëm gjuhën italiane dhe nga që ishte rritur në Paterson, New Jersey, ai kishte njohje me mafiozë të ndryshëm dhe për këtë arsye, siç edhe ai ka deklaruar, kurrë nuk i dilnin djersë nën presion dhe e njihte mirë kodin mafioz të sjelljes dhe sistemit.

Operacionit iu dha emri i koduar "Diell-Mollë". Në të njëjtën kohë Joe po investigonte një prej krerërve të familjes mafioze Bonanno, Bob Delaney dhe në të njëjtën kohë po studionte gjithë skenën e krimit të organizuar në New Jersey. Gjatë këtij studimi, ai pati shpesh bashkëpunim me anëtarë të grupeve kriminale që kërkonin të dilnin jashtë presionit të sindikatave, të cilat gjatë asaj kohë drejtoheshin nga grupe të fuqishme të krimit të organizuar dhe në atë kohë të dy këto krahë të mafies mund të kalonin përmes njërit prej krerëve të familjes Colombo, Nicholas Forlano. Në këtë kohë, askush nuk e dinte se Pistone ishte duke investiguar si i infiltruar. Pas një pune intensive të tij dhe oficerëve të tjerë në FBI, Donald Brasco u përzgjodh si pseudonimi i tij dhe në Shtator 1976 ai u hodh plotësisht në aktivitet.

Pistone ka deklaruar se qëllimi fillestar nuk ishte penetrimi në mafia, por fokusimi në një grup njerëzish që tregtonin mallrat e vjedhura prej rrëmbimit të kamionëve të shumtë që po ndodhte në New York në atë kohë. Në të njëjtën kohë, operacioni i infiltrimit ishte planifikuar që të zgjaste vetëm 6 muaj dhe jo 6 vjet. Por çfarë ndodhi?

Pistone krijoi një lidhje shumë të ngushtë me disa prej krerëve të familjes Bonanno, si Dominick "Sonny Black" Napolitano, Michael Sabella, Anthony Mirra dhe në të njëjtën kohë ai kishte si tutor në rrugën e ngjitjes në Mafie, një prej anëtarëve Benjamin "Lefty Guns" Ruggiero. Kjo ishte arsyeja që, pa e ditur se Pistone ishte agjent i FBI-së, tutori i tij i dha atij shumë informata, të cilat ai kurrë nuk mund t'i merrte edhe nëse do të ishte lidhur me anëtarë me të drejta të plota, të cilët zakonisht nuk flasin me vartësit për aktivitetet e grupimeve të tjera të familjes.

Provat e mbledhura nga Pistone sollën ngritjen e 200 akuzave dhe dënimin e mbi 100 anëtarëve të Mafies. Operacioni i Pistones u mbyll pas gjashtë vjetëve kur Napolitano urdhëroi Pistonen të vriste Anthony Indelicato, i cili më parë i ishte shmangur një takimi ku mbetën të vrarë babai i Anthony, Alphonse Indelicato, Philip "Philly Lucky" Giaccone dhe Dominick "Big Trin" Trinchera. Megjithatë, Pistone kurrë nuk dëshmoi se kishte marrë pjesë apo kishte lidhje me vrasjen e të treve, por dëshmia e tij bëri që bosi i familjes Bonanno, Joe Massino vetë, të akuzohej për këto vrasje.

FBI

Dy ditë më vonë, agjentë të FBI-së informojnë Napolitanon dhe Ruggieron se bashkëpunëtori i tyre për një kohë të gjatë ishte në fakt një agjent i FBI-së. Menjëherë pas saj, Napolitano u ekzekutua, sepse lejoi një agjent të FBI-së që të infiltronte në familje. Ruggiero ishte në listë për t'u ekzekutuar, por u arrestua nga FBI më parë me qëllim që të parandalonin vrasjen e tij. Pas vrasjes së Napolitanos, Mafia vuri $500 000 kontratë për ekzekutimin e Pistones, por kontrata u anulua pas bisedimeve mes FBI-së dhe familjes Bonanno, ku u kërcënua me një shkatërrim të paprecedent të familjes mafioze në rast se Pistone do të prekej. Sipas disa informatave bëhet e ditur se kontrata u hoq, pas këtyre bisedimeve. Bosi i familjes Bonanno, Joe Massino, u dënua vetëm në vitin 2004 për urdhërin që dha për vrasjen e Napolitanos për arsye se ky i fundit lejoi Pistonen të hynte në familje.

Më pas……

Nga ana e tij Pistone ka përshkruar gjithë eksperiencën e vet si i infiltruar në librin e tij "Donnie Brasco: Jeta ime si i infiltruar në Mafia", që doli në vitin 1987. Ka qenë ky libër që vlejti si bazë për filmin "Donnie Brasco" në 1997 ku luajnë Johnny Depp në rolin e agjentit Pistone dhe Al Pacino, në rolin e Ruggieros. Më pas, në vitin 2004, Pistone e rishikoi edhe një herë eksperiencën e vet në librin "Rruga e të Fortëve" dhe e vazhdoi të njëjtën histori në vitin 2007 me librin "Donnie Brasco: Biznesi i Pambaruar".

Pistone vazhdon të jetë shumë aktiv si autor librash dhe konsulent për agjenci të ndryshme në botë, në luftën për mbrojtjen e ligjit dhe njëkohësisht është thirrur të dëshmojë përpara Senatit të Shteteve të Bashkuara, si një ekspert në krimin e organizuar. Ai gjithashtu ka shkruajtur edhe një novelë të titulluar "Djemtë e mbarë", ku është bashkëautor me djalin e Joe Bonannos, Salvatore Bonanno. Edhe pse kontrata për jetën e tij është anuluar nga vetë Mafia, Pistone ende udhëton nën emra të rremë dhe zotëron një leje për të mbajtur me vete armë zjarri kudo që ai shkon.

"Rruga e të Fortit"

Agjenti i FBI-së, Joe Pistone, i njeh të fortët. Dhe kushdo njeh Pistonen nën emrin "Donnie Brasco", i infiltruari që u prezantua si hajdut bizhuterish përpara Mafies dhe për gjshtë vjet mori pjesë në një prej operacioneve më të guximshëm që solli burgosjen e mbi 100 gangsterrëve dhe shkatërrimin e Familjes në vitin 1980.

Në "Rrugën e të Fortit", Pistone sjell zakonet, rregullat, gjuhën dhe lidhjet e përbashkëta të të fortëve.

Shumë qytetarë mendojnë se, këta lloj të fortësh janë njerëz të pacivilizuar, thjesht kriminelë dhe vrasës, por në realitet ata jetojnë nën kode strikte të etikës dhe veprimit, të cilat në të njëjtën kohë mund të reflektojnë apo refuzojnë rrugën e jetës civile dhe botën e biznesit.

Si një promovim special, botuesit e këtij libri i dhanë mundësinë dy forumeve të sitit internet Gangsters Inc., që të bënin pyetje dhe vetë Donnie Brasco/Joe Pistone do të përgjigjej. Anëtarët e forumeve përbëhen nga kuriozë e investigues të thjeshtë të historisë së kaluar dhe bashkëkohore të mafies.

Vetë Pistone, pas përfundimit të operacionit fitoi një eksperiencë të vlefshme për të ardhmen e tij. Ai tashmë është jo vetëm personi, që njeh në detaje personazhe të grupeve kriminale, por njeh në detaje edhe se si sistemi vetfunksionon. Megjithatë, një thesar i tillë ende jep intervista i maskuar dhe udhëton me identitete të tjera, madje as fqinjët nuk e dinë se me kë kanë të bëjnë. Mendohet se rezidenca e tij është diku në Mississippi dhe ka shumë pasion të rrisë kuaj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora