E premte, 29.03.2024, 12:00 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Lulzim Logu - ''Pikë mbi i''

E diele, 28.04.2013, 03:54 PM


Analizë libri

“KURRË NUK E DITA FUNDIN E NJË DASHURIE...!”

(Lulzim LOGU: “Pikë mbi i”...”- botime “Vllamasi”, Tiranë-2013)

Nga Sejdi BERISHA

Poezia, në çfarëdo mënyre që shkruhet dhe rreshtohet ajo, e ka peshën dhe mesazhin e ndijimit shpirtëror, si të veçantën e saj. Ndërsa, poezia trevargëshe, siç është haiku, është një krijimtari, e cila tek ne nuk është e njohur dhe as e përqafuar në përmasa të duhura, dhe si e tillë edhe më pak e lexuar. Por, tani e sa vite, guximin e këndimit të tillë poetik e ka marrë një numër krijuesish në Shqipëri, por edhe në Kosovë, veçmas në Rrafshin e Dukagjinit. Me këtë zhanër poetik, tanimë është i njohur edhe krijuesi  tropojan, Lulzim Logu, i cili këto ditë botoi veprën e tretë me haiku, “Pikë mbi i’...” dhe të nëntën me radhë të krijimtarisë së tij.

Kjo vepër, e cila në vete ngërthen treqind e tridhjetë e katër haiku, sikur i ngjanë një kopshti me lule, ku secila e ka aromën e vetë të veçantë, secila e ka ngjyrën dhe bukurinë, mbase edhe rrëfimin e veçantë. Në këtë formë, e këtë e mundëson haiku, na prezanton një botë të tërë të autorit por edhe të njeriut përgjithësisht, ku gërshetohen gjërat më sublimë të ndijimit dhe përjetimit shpirtëror, por edhe të intimes dhe dëshirës së njeriut për ta thënë atë e cila gjendet dhe gufon brenda tij, e cila jetën e “çmend” deri në atë masë, sa që e shndërron dhe e madhështon në tre vargje. Dhe pastaj, gjatë meditimit dhe komentimit të tyre, nxjerrin tablo jete apo edhe roman të tërë çudirash shpirtërore e deri tek frika për harxhimin e rrugëtimit për t’i shijuar, rrëfyer dhe për t’i ndritur të gjitha gjërat, për t’i thënë thekshëm ato, së paku për t’i ditur të gjitha, e për t’i shijuar disa, ndërsa, të tjerat për t’i ngujuar në këngë. Sepse, kënga, edhe nëse ndrydhet e shtypet, një ditë ajo gjithsesi do të këndohet bukur, dhe si e tillë krenon, kujton, dhemb, por edhe shndërrohet në rrëfim rrugëtimi e kujtimesh.

Ironia e jetës dhe pesha e vargut

Për këtë arsye, poeti sikur me kënaqësi nxiton për të na bërë me dije nëse nuk ecën ngrohtë e duke kënduar, atëherë, hapat e jetës jo vetëm se janë të rëndë, por edhe duken të shëmtuar edhe atëherë kur mëngjesi i ngjanë prekjes së fshehtësive të pritjeve dhe madhështive të fjalës e cila nuk thuhet dot.

Andaj, ai ligjëron, o për portretin e saj apo edhe të jetës me piktura e ngjyra “ngatërruar”: “Shiu e bëri qull/Portretin tënd/Në zemër...”. Dhe, autori i “Pikë mbi i’...”, di të provokojë për ta zgjuar kujtimin dhe përgjegjësinë vetanake edhe kolektive për shfrytëzimin e së mirës dhe për flakjen e gjërave që dhembin: “Kam harruar të tregoj/Përrallat e fëmijërisë/Po plakem...”.

Një moto e tillë e vargëzimit, sikur i japë kurajë tej mase autorit, për t’i kënduar jetës në trajtë ditari, të cilin dot nuk mund të presësh as nuk mund të ndalesh pa e lexuar dhe analizuar fije e për pe vargun, i cili në tresh përcëllon, e në tërësi, libri ndërton mendimin e jetës me gur prej xhevahiri, me kokrra të fildishta. Në këtë mënyrë, të gjitha vargjet, sa i ngjajnë ngrohtësisë së rrallë shpirtërore, po aq edhe trishtojnë, dhe sikur rrinë kujdestar për të mos gabuar njeriu, i cili, shpesh përplaset gjatë jetës, e cila përplasje duket dhe është e dashur dhe e pëlqyer për shpirtin, nëse ekziston diku një materie e tillë.

Ja, se si provokon poeti, për ta bërë “ujin mullar”, apo therrat për t’i zbutur, që pastaj i ngjajnë luleve më të bukura: “Shkoi duke u shuar/Gjethe e shembur/Skaj zemre...”, ose: “Kurrë nuk e dita/Fundin e një dashurie/As të vjeshtës...”!

Tek vargëzimi i tillë, hasim “ironinë”-gjethe e shembur, që na këshillon se diçka e tillë është e tmerrshme, e papranueshme, e aq në tepër, kur ajo rri dhe qëndron pranë zemrës. Kurse, në anën tjetër, sikur na lë gjithnjë në kërkim, apo edhe zvarrë duke lypur, apo na servon kërshërinë për ta gjetur fundin e një dëshire, e, edhe të vjeshtës! Ironi e vargut për ironinë e jetës, për zbrazësitë e njeriut! Dhe tash, “Pikë mbi i’...”, sikur na rri sipër, qoftë si kurorë lulesh apo edhe ndoshta ndonjëherë si lak, që mund ta dëmtojë qafen dhe lëkurën e njeriut!

E, si mos të jetë kështu, kur Lulzim Logu, na përplasë me gjërat e shtresuara historikisht, të cilat përherë kanë gjeneruar dhembje e mall, por edhe kanë forcuar dashurinë për atërinë, për gjithçka që është jotja, e gjakut, tokës dhe e qiellit tënd, për çfarë, atëherë dashuria ndaj atdheut dhe kombit është plagë që dhemb, plagë që as nuk shërohet kurrë, e aq më tepër kur dihet se njeriu ynë edhe sot e kësaj dite është i daktisur anë e kënd botës: “Kurbeti si vjeshtë/Varur në murin e jetës/Ngujuar shqip...”. Po, pra! Patjetër se shqip dhe shqip edhe varg i drejtuar si shigjetë, jo për të shpuar, por për të thënë e shkruar dhe për të qortuar diçka e gjithçka...

Andaj, në këtë vepër, që po ashtu i ngjanë edhe hartës së jetës së njeriut, mbase edhe të poetit, e që, më të vërtetë mund të lexohet si haiku, por edhe si vepër poetike e ndërlidhur fortë me temat që shtrohen e që edhe nuk mund të dallohen se janë “copëza jete” (haik), mund ta nxjerrim mesazhin mbase edhe statistikën e “urtësuar” me thumba, që “përqafojnë” për

zgjim vetëdijesimi dhe të ndërgjegjes, kur dihet se: “E pamundur të kthehen/Ditët kaluar me ty/Shkuan dallëndyshet”. E fuqishme kjo formulë e jetës e kthyer në vargje, të cilat të tresin në shumë s’di se ku, në shumë gjëra që shfletojnë ecjen nëpër kujtimet, të cilat vetëm sa të rrethojnë e të bëjnë si lotin dhe mallin të shoqëruar bashkë. Dua të them. se vargëzimi i Lulzim Logut, e ka forcën e provokimit njerëzor dhe të shpirtit të njeriut, i cili jetën e sheh dhe e konsideron si madhështi, që padyshim se kënaq, dhemb, trimëron por edhe të drejton në shumë labirinte për t’i ndezur dritat dhe për ta larguar terrin, të cilin, sikur shpeshherë vetë kemi dëshirë t’ia “dhurojmë” vetvetes.

Kur në poezi, jeta i ngjanë madhështisë dhe mendjes e cila rri zgjuar...

Për këtë arsye, pra, vargjet e tilla janë shumëfish të mbështjella me ngacmimin e mendjes, me hapjen e “detyrimit” për komentime të thella e profesionale, por edhe për komentime të lira e relaksuese, që së bashku sjellin dhe pjekin aftësinë jo vetëm krijuese e komentuese. Kjo, ngase, gjatë rrugëtimit, të gjitha rrjedhat, në fund i ngjajnë ledhatimit, por nganjëherë edhe pendimit dhe përplasjeve të pashpjeguara, që krijojnë rebus jete me dalje të vështirë nga shtigjet që vetë apo dikush na i ngritë, i mbyll dhe i hapë. E, e tërë kjo, bëhet edhe më interesante, kur vetmia na sillet përreth si fishkëllimë shkretëtire, ndërsa, muret e zemrës i rrah vetëm vargu poetik, të cilit, nganjëherë, edhe atij sikur ia vërejmë lodhjen dhe mërzinë për njeriun dhe fatin e tij. Pra, është e vërtetë, se: “Askush se di/Vlerën e zjarrit/Pa hirin...”!

Sa më me përkushtim e lexojmë “trevargëshin” e L. Logut, gjithnjë e më shumë na bëhet se ai na sjellë në atë fushën e lojës së shahut të poezisë dhe të jetës, në të cilën, çdo lëvizje figure, shpie drejtë fitores apo humbjes! Andaj, në këtë formë, jeta, më të vërtetë i ngjanë mendjes e cila gjithnjë rri zgjuar, por edhe në situatat më të vështira, ngase, me të drejtë, poeti na përkujton, se: “Rrallë gjej/Pamjen e duhur/Përballë diellit”!

Këto, dhe shumë e shumë këndime të tjera në këtë libër, i ngjajnë edhe kënaqësisë, edhe qëndresës, edhe krenarisë, edhe përkëdheljes, por ndoshta, e jo vetëm ndoshta, i ngjajnë këshillave dhe qortimeve përnjëherë, të mbështjellë me fletëza të filozofisë së jetës...

Në këtë përmbledhje poezish (haiku) plotë laryshi temash, na përftojnë edhe ravijëzimet e asaj ecjes familjare, por edhe çeparizave të dashurisë, që asnjëherë nuk therin shumë, por, përmes dhimbjes sikur ledhatojnë e përkëdhelin. Teka e para (familjare); madhështojnë vargjet: “Kur malli përvëlon/Rri skaj ëndrrës/Babai ma bën me dorë...”, ose: “Kur im bir lindi/Ia mbaja kokën në duar/Si të ishte diell”! dhe, tek e dyta (çeparizat e dashurisë); sikur vargjet na kthejnë në idilin përcëllues: “Flokët e tu përcëllues/Qafën time të hollë/Dridhet majë ankthit...”, ose: “Pika të rralla shiu/Çojnë pluhur qiellit/Lotët e tu në mua...”, dhe: “Pash me pash/I bie ferrit/ me hajk dashurie...”!

Prandaj, këndimi si në “Pika mbi i’...”, i ngjanë udhëtimit rreth e rrotull botës, gjatë të cilit rrugëtim, kënaqesh e kënaqesh dhe mbetesh duke qarë, por edhe gjithmonë i etur e i pangopur, ama bash me asgjë. E po, këtu qëndron cilësia e të kënduarit, afërsia me vargun dhe me mesazhin e me metaforën e tij. Dhe, tjetra. Krijimtaria poetike e Lulzim Logut, sikur prej vargu në varg i këputë litarët e kapërthurur të shprehjeve të rënda dhe të uniformuara. Edhe ky detal e bën edhe më me peshë këtë vepër, e cila është plotë qumësht jete, e pikërisht për këtë, na bëhet se është e shkurtër, për çfarë edhe autori ligjëron: “Po plakëm/Gjunjët s’mbajnë më/Peshën e ditës”! Ndërsa, pesha e librit “Pikë mbi i’...”, është me vlerë në shumë aspekte. Pra, edhe në begatimin e krijimtarisë letrare tropojane dhe të asaj gjithëkombëtare.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora