E premte, 19.04.2024, 11:30 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Mynih 1972, historia e një masakre dhe e një hakmarrjeje shtetërore

E diele, 11.05.2008, 03:01 PM


Golda Meir dha urdhërin. Mossadi e zbatoi. Mynih 1972, historia e një masakre dhe e një hakmarrjeje shtetërore

Kështu Izraeli vendosi të zbatojë të drejtën e luftës kundër drejtuesve dhe militantëve të "Shtatorit të Zi", kudo që të ndodheshin

Historia e masakrës së atletëve izraelitë të Mynihut nuk është e lehtë për t'u shkruar, sepse në ato pak ditë, në ata shumë të vdekur, u kondensua e gjithë historia e ditëve që i paraprinë dhe që e pasuan. Jo vetëm historia e atyre jetëve të shuara, por historia e popujve të tyre, edhe e popullit gjerman. Mbi të gjitha, historia e viktimave: e atletëve hebrej. Atletë hebrej. Në Gjermani. Sot, shtyhet të besohet se dikush mund të ketë projektuar të vrasë hebrej në Gjermani, gjatë lojërave të paqes, lojërave olimpike. Kurse kjo u projektua, u organizua, u përfundua. Në aksionet terroriste, dihet simboli është gjithçka. Terroristi zgjedh një viktimë që nuk është më as burrë, as grua, as fëmijë, e zhvesh nga humanizmi i tij dhe e transformon në "përfaqësim", "simbol", idhull për t'u shkelur me këmbë.

Kështu ndodhi në Mynih, në orën 3 e 45 minuta të mëngjesit të 5 shtatorit 1972, kur në një pallat të fshatit olimpik, "bllokun 31", një komando prej 8 palestinezësh, me tradhëti, sharroi me goditje automatiku, Moishe Weinber, hebré, izraelian, trajner. Qe hebreu i parë i vrarë, pse ishte hebré në Gjermani nga viti 1945. Filloi kështu sekuestrimi i 9 atletëve izraelitë. Dhunimi i armëpushimit të shenjtë olimpik, vetë thelbi i olimpiadave që mund të ishin të tilla, vetëm pse çdo luftë, çdo konflikt, ishte ndëprerë. Me të dëgjuar të shtënat e automatikut, trajneri izraelit Shkottzy, i cili banonte në krah, dha alarmin. Në orën 5 të mëngjest, shefi i Policisë së Mynihut, Manfred Schreiber, mori komandën e operacioneve. Palestinezët deklaruan se qenë të "Shtatorit të Zi" dhe kërkuan lirimin e 234 fedainëve të burgosur në Izrael në këmbim të pengjeve. Por ai emër - Shtatori i Zi - dhe vetë teknika e hyrjes në "bllokun 31", bënë menjëherë evidente se nuk ishte një rrëmbim, një tratativë, një shkëmbim. Në të vërtetë, ishte pjesë e luftës së lëvizjes palestineze për të eliminuar Izraelin nga faqja e dheut.

Europa, e cila sot indinjohet nga vullneti i Presidentit iranian Ahmed Ahmadinejad, për të fshirë Izraelin nga faqja e dheut, çuditërisht në vitin 1972, nuk indinjohej aspak kur të njëjtën gjë identike e mendonin, e thonin, e shkruante statuti i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yasser Arafat, që ishte dërguesi i komandos së Mynihut, lideri politik, Abu Iyad apo Salah Khalaf (krahu i djathtë, miku i ngushtë i Arafat qysh nga vitet Pesëdhjetë), komandant ushtarak i operacionit dhe "operativët" e tij, Nizar Amar e Abu Odeh. Të gjithë - gjeneralë, oficerë, fedainë - e kishin të qartë në kokë se objektivi strategjik i luftës, ashtu si nga neni 15 i statutit të OÇP-së, ishte "likuidimi i pranisë sioniste në Palestinë". Sipas këtyre luftëtarëve palestinezë, Izraeli "është racist dhe fanatik nga natyra, agresiv, ekspansionist dhe kolonialist në qëllimet e tij dhe fashist në metodat e tij" (gjithmonë nga statuti i OÇP-së). Nga ky përkufizim i armikut dhe i objektivit strategjik vinte gjithçka ndodhi nga vrasja e Moishe Weinber e më pas: jo një rrëmbim pengjesh, por një aksion lufte. Walter Troger, "kryebashkiak" i fshatit olimpik, dëshmitar padashje, i sintetizoi kështu pak më shumë se 17 orët që zgjati drama: "Terroristët palestinezë kishin urdhëruar, që edhe unë të përfshihesha në negociata, të cilat filluan në orën 6 të mëngjesit dhe u përfunduan në orën 8. Nga njëra anë unë, shefi i policisë, një grua police dhe nga ana tjetër, kreu i terroristëve që kishte një lloj maske të errët në fytyrë. Pengjet izraelite qenë lidhur në dyshekë e karrike dhe të gjithë sëbashku. Unë dhe shefi i policisë menduam të bënim diçka, por nuk gjetëm asnjë zgjidhje që të lejonte që t'ua hidhnim terroristëve ose që të favorizonte një hyrje të agjentëve në bllokun 31 pa vënë në rrezik jetën e izraelitëve. Terroristët donin lirimin e 234 të burgosurve palestinezë në Izrael dhe dhanë një ultimatum. Ne kërkuam të fitonim kohë, vazhduam të mbanim një dialog për të fituar kohë dhe përgatitur një plan".

Pastaj situata percipitoi, sepse terroristët vranë një peng: Joseph Romano. Ndërsa Moshe Dayan, nga Jeruzalemi, dërgonte drejtuesit dhe njerëzit më të mirë të Mossad, autoritetet gjermane lëvizën të shtyrë nga një synim i vetëm dhe evident: të tentonin ta largonin belanë nga territori gjerman. Në orën 18.00, me disa orë vonesë, u shpall vendimi i natyrshëm i ndërprerjes së lojërave olimpike dhe, ndërkohë, policia i propozoi komandos një ndërmjetësim: transferimin e pengjeve në Algjeri, ku "Shtatori i Zi" do të vijonte tratativat me Izraelin për një shkëmbim të burgosurish. Propozimi u pranua. Pengjet dhe terroristët u transferuan në tri helikopterë në aeroportin ushtarak të Fürstenfeldbruck. Në pistë i priste një avion i linjës Lufthansa, që do t'i çonte në Algjeri. Por kur rrëmbyesi i parë palestinez hyri në kabinën e pilotazhit, u kuptua se në bord nuk kishte ekuipazh. Atëhere filloi t'u ulërijë shokëve të tij: "Është kurth, mos u afroni!". Në këtë moment, agjentët gjermanë të Bundesgrenzchutz (trupa speciale antiterroriste) hapën zjarr mbi komandon palestineze dhe aktivizuan prozhektorë të fuqishëm që i verbuan fedainët. Dy prej tyre u goditën për vdekje.

Komandoja palestineze e mbijetuar, në vend që të impenjonte të gjithë zjarrin për t'ju përgjigjur gjermanëve ose të dorëzohej, kreu misionin e ngarkuar: një fedain lëshoi një bombë dore brenda helikopterit në të cilin ndodheshin akoma 9 pengjet. Vdiqën të masakruar mundësat Mark Slavin e Eliezer Halflin; peshëngritësat Davide Berger e Zeev Friedman; trajnerët Kheat Shorr, André Spitzer e Amitzur Shapiro; gjyqtarët sportivë Jokov Sprinter e Joseph Gotfreund. Me vrasjen e hebrejve, objektivin e arritur 3 palestinezët e mbijetuar të komandos u dorëzuan. Por nuk qendruan gjatë në burg. Faktikisht, u liruan menjëherë, më 29 nëntor, në shkëbim të një avioni të Lufthansa të kidnapuar, në Zagreb, gjithmonë nga "Shtatori i Zi", gjatë fluturimit nga Frankfurti në Bejrut.

Kancelari gjerman Willy Brandt e quajti qendrimin e autoriteteve gjermane: "Një dokument shqetësues paaftësie". Ministri i Brendshëm, Hans-Dietrich Genscher, e shkarkoi mbi policinë bavareze përgjegjësinë se kish grumbulluar rreth avionit 400 policë, por nga të cilët vetëm 5 qenë snajpera, por që nuk dispononin as shënjestrat me rreze infra të kuqe. Por përtej përgjegjësive evidente dhe të turpshme personale, ishte i padiskutueshëm një kuadër dobësie total, absolut, i pabesueshëm gjerman ndaj inisiativave të terroristëve palestinezë. Një kuadër që tashmë ishte verifikuar dhe akoma do të verifikohet përballë të gjitha aksioneve të tjera të mëparshme e të mëpasme të terroristëve palestinezë në Europë. 13 vjet më pas, më 30 gusht 1985, lideri palestinez Abu Daud, ia shpjegoi kështu kuptimin e aksionit të përjavshmes tuniziane "Realités", e cila e paraqiti me simpati si një prej "arkitektëve të masakrës": "Aksionet speciale rikrijojnë besimin e masave dhe u rijapin entuziazëm të rinjve. Në situata të caktuara është më e rëndësishme të vrasësh një oficer sesa të fitosh një betejë klasike. Shteti sionist është një entitet ushtarak dhe si ushtarakë duhen konsideruar edhe shtetasit e tij".

Konfirmimi që Mynihu 1972 kish qenë një akt lufte. Nuk është formalitet të diskutohet se e gjithë lëvizja palestineze, ashtu si të gjitha shtetet arabe, në vitin 1972 konsideroheshin edhe formalisht, në gjendje lufte me një "entitet sionist", i cili sipas tyre, pushtonte ilegalisht Palestinën. Nuk është formalitet të kujtosh se palestinezë e arabë nuk e njihnin autoritetin e Kombeve të Bashkuara që kish themeluar shtetin e Izraelit dhe që kishin refuzuar të nënshkruanin një paqe si më 1948, ashtu dhe më 1956 e më 1967, me një shtet që, sipas tyre, duhej të zhdukej nga faqja e dheut dhe me të cilin Libani, Siria, Jordania dhe Egjipti, kishin përcaktuar vetëm një linjë "armëpushimi" të përkohshme. Një situatë karstike lufte, e bërë akoma më dramatike nga aksioni i të cilit Izraeli kishte qenë viktimë në majin e vitit 1972, nga dora e një komandoje prej 3 japonezësh të Ushtrisë së Kuqe, i organizuar nga Wadi Haddad, lider palestinez që vepronte në bashkërendim me shërbimet sekrete gjermanolindore (STASI) dhe terroristët gjermanolindorë të RAF-it, të Revolutionären Zellen dhe të 2 Juni.

Të zbritur nga një avion me aparate fotografike në qafë, ata qenë vendosur në hollin kryesor të aeroportit, kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të qëllonin kuturú me një vëllim të pabesueshëm zjarri, i cili vrau 27 persona dhe plagosi 79 të tjerë. Domethënë, ky është kuadri që paraqitet në shtator 1972 përballlë qeverisë izraeliane të Golda Meir, e cila vendosi një hakmarrje të menjëhershme me bombardimin e bazave të OÇP-së në jug të Libanit (natyrisht të vendosura në brendësi të kampeve të refugjatëve, midis civilëve, siç ishte dhe është zakoni i çmendur i luftëtarëve islamikë dhe i asnjë lëvizjeje tjetër kombëtare në botë). Por, qeveria dhe Komiteti Qeveritar i Mbrojtjes së Izraelit mori edhe një vendim tjetër: urdhëruan Mossad, shërbimin sekret izraelit, të eliminonin të gjithë drejtuesit e OÇP-së dhe të FPÇP (Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës) që kishin marrë pjesë në aksionin e Mynihut, kudo që të ndodheshin, në Europë apo tjetërkund. Qe akti i parë formal dhe më pas i pranuar dhe i rivendikuar i vrasjeve të piketuara nga ana e qeverisë legjitime të një shteti për të përballuar terrorizmin.

Aksionet të ngjashme u janë kontestuar për shembull nga gjykatësi spanjoll Baltasar Garzon bashkëpunëtorëve të ngushtë të ish-kryeministrit socialist Felipe Gonzales, për eliminimin e terroristëve të ETA-s nëpërmjet skuadrave ilegale të vdekjes, GAL-ve, gjatë viteve tetëdhjetë. Vrasje të tjera të piketuara janë arritur padyshim nga forcat angleze të sigurisë kundrejt IRA-s irlandeze, por asnjëherë një qeveri nuk e ka pranuar se e ka zbatuar një zgjedhje të tillë, që 21 vjet më vonë do të zbulohej dhe rivendikohej pikërisht nga njeriu që më shumë u angazhua për ta realizuar, gjenerali izraelian Aharon Yariv, Këshilltar për Terrorizmin i kryeministres Golda Meir dhe përgjegjës për shërbimet sekrete, që arriti të flasë në një intervistë të transmetuar nga televizioni izraeliit më 23 nëntor 1993: "Ne kemi organizuar metodikisht një operacion likuidimi të krerëve të Shtatorit të Zi. Mossad, vrau midis 10 dhe 15 liderëve të guerrilas palestinezë në Europë e në Bejrut gjatë një periudhe prej disa muajsh. Nganjëherë, për t'i likuiduar, u vunë bomba në shtëpitë e tyre. Nuk kishim limite gjeografike. I godisnin kudo që të ndodheshin. Bëmë edhe një gabim: në korrik të vitit 1973, njerëzit e Mossad vranë gabimisht një kamarier maroken në Norvegji, duke e ngatërruar me një prej objektivave palestineze. Aksionet të Mossad kundër "Shtatorit të Zi" e arritën qëllimin e tyre. Në fakt, grupi palestinez i la aksionet kundër izraelitëve jashtë vendit".

Rivendikimi formal i zgjedhjes, vetë pranimi spontan i gabimit të kryer me kamarierin e pafajshëm maroken, e shpjegojnë më mirë se çdo traktat sesi në Izrael ka evoluar dramatikisht tema e "pastërtisë së armëve", që ka dalluar gjithmonë lëvizjen ushtarake sioniste zyrtare të Haganah, duke ua kundërvënë shpesh - edhe manu militari - lëvizjeve terroriste sioniste si Lhei dhe Grupi Stern. Përballë një iniciative terroriste të paskrupull dhe me disponibilitete të mëdh ("Times" e Londrës do të shkruajë më 19 prill 1976 se, operacioni i Mynihut i ka sjellë Shtatorit të Zi 7 milion dollarë); sidomos përpara mungesës asbolute të vullnetit të autoriteteve europiane për të bashkëpunuar seriozisht me Izraelin për të luftuar terrorizmin (siç do të shikohet edhe në Itali me atentatin e Fiumicino të vitit 1973 me dorëzimin e menjëhershëm të terroristëve dhe rastin e avionit Argo 9); përballë mungesës së çdo tutele të çfarëdoshme ndërkombëtare, Izraeli vendosi të zbatojë të drejtën e luftës.

Kundër një kundërshtari që theksonte se Izraeli nuk duhej të ekzistonte, se ishte fashist dhe se të gjithë shtetasit e tij qenë objektiva të ligjshëm pse ushtarakë, gra e fëmijë të përfshirë, një kundërshtar që pak muaj më vonë do të vrasë pa iu dridhur dora 21 fëmijë izraelitë të shkollës së Maariot-it, Golda Meir dhe drejtuesit laburistë izraelitë, anëtarë të Internacionales Socialiste, vendosën në shtator të vitit 1972 se nuk ishte më e mundur të veprohej brenda limiteve të kodit të paqes (seanca pyetjesh, Interpol, procese), por se siguria kombëtare mund të ndiqej vetëm brenda kornizës së Kodit të Luftës. Ky element nuk është formal, edhe pse është themelor sipas profilit të së drejtës. Është para së gjithash një element politik, që u përgjigjet kritikave të atij që thekson, me të drejtë, se nuk duhen braktisur asnjëherë, edhe kundër terroristit më mizor, parimet e shtetit të së drejtës.

Zgjedhja politike në fakt qe ajo e mospranimit të zbatimit të rregullave të kodit të paqes, kundër një armiku që zbatonte rregullat e Kodit të Luftës. E gjitha këtu. Në kodin e luftës, një shtet është i autorizuar të vrasë një armik që të vret, sepse je hebré, pa procese, seanca pyetjesh, Interpol. Qysh nga viti 1948, Izraeli kishte qenë gati të nënshkruante paqen me palestinezët. Kishte njohur shtetin e Palestinës në vitin 1948. Palestinezë e arabë, nuk deshën ta nënshkruanin paqen, nuk deshën shtetin e palestinezëve përkrah atij të hebrejve dhe u sollën gjithmonë me Izraelin dhe hebrejtë, duke zbatuar Kodin e Luftës. Thjesht, Golda Meir, vendosi të veprojë njëlloj. Fitoi, sepse qysh nga ajo kohë e prapa palestinezët e OÇP-së, të Arafat, nuk programuan më masakra ndaj hebrejve në botë.

Viktima e parë e këtij vendimi izraelit duhet thënë, qe ndoshta i pafajshëm; Wael Haadel Zwaiter, përfaqësues i OÇP-së në Romë, u vra teksa kthehej në shtëpinë e tij në Romën veriore me një gjysëm litri qumësht dhe dy panine në çantën e pazarit, ushqimi i tij për ditën. Nuk kishte pará, ishte një njeri i moderuar e kulturuar dhe po fitonte respektin për kauzën palestineze të shkrimtarit Alberto Moravia e të shumë intelektualëve të tjerë italianë. Por, tre terroristët e Mynihut qenë tranzituar për Romë dhe kjo shënoi fatin e tij. Vetë Abu Iyad, që sigurisht nuk është turpëruar kurrë për të rivendikuar korrektësinë e masakrës së Mynihut, shkroi se Zwaiter nuk kishte kontakte me "Shtatorin e Zi" (dhe asnjë më shumë se Abu Iyad nuk mund të dinte) dhe se "ishte totalisht kundër çdo forme terrorizmi". Pasuan më pas atentatet e Mossad ndaj përfaqësive të OÇP-së në Algjeri, në Libi, në Stokholm, ndaj aktivistëve studentorë në Bon e Kopenhagen, por që qenë vetëm të plagosur.

Më 8 dhjetor 1972, u vra me një bombë të radiokomanduar të vënë nën skrivaninë e tij përfaqësuesi i OÇP-së në Paris, Muhammad Hamsari. Pastaj u eliminuan katër drejtues të FPÇP-së dhe të OÇP-së në Qipro, Athinë e Paris. Natën e 9 prillit 1979, operacioni më kompleks: 9 skafe raketalëshuese zbarkuan një komando inkrusorësh izraelitë në një plazh në jug të Bejrutit. Njerëzit e komandos hipën në automobila të lënë në breg të detit nga agjentë të Mossad, u drejtuan për në qendrën e Bejrutit dhe u futën në tri apartamente në dy pallate. Vranë me pistoleta me silenciator Muhammad Yusuf al Nijjar, përgjegjës i shërbimit sekret të Al Fatah (dhe supervizor i "Shtatorit të Zi"), Kamal Nassir, zëdhënës i OÇP-së në Bejrut, dhe Kamal Adwan. Në aksion u vra dhe e shoqja e Najjar, e cila u hodh mbi të shoqin për ta mbrojtur, por nuk u prekën as familjarët, as natyrisht, fëmijët. I pari që qëlloi, qe kreu i komandos: Ehud Barak. U bë kryeministër i Izraelit. Komando të tjera hodhën në erë selinë e FPÇP-së pas një konflikti me zjarr, në të cilën vdiqën dhe 2 izraelianë, një ofiçinë të Al Fatah për fabrikimin e eksplozivëve dhe objektiva të tjera. Më 22 janar 1979, Mossad vrau në Bejrut Sheikh Salameh, një prej drejtuesve të masakrës së Mynihut, dhe plagosi rëndë në Varshavë drejtuesin tjetër Abu Daud. Abu Iyad, i bë zëvendës i Arafat dhe u vra në vitin 1991 në Tuniz, jo nga Mossad, por nga një arab, ashtu si pjesa më e madhe e viktimave palestineze nga viti 1948 deri në ditët tona.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora