E marte, 12.11.2019, 04:24 AM (GMT)

Aktualitet » Bota

Gjeneza e terrorizmit të Carnajevëve çeçenë

E diele, 28.04.2013, 12:41 PM


Një udhëtim tek gjeneza e terrorizmit të Carnajevëve çeçenë?

Shpallja se dy vëllezërit çeçen kanë qenë prapa sulmeve në Maratonën e Bostonit ka çuar në numër të madh pyetjesh për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Sa kanë ditur këto dy vende për të dyshuarit? Cila palë është përgjegjëse, ndonëse padashur, për ekstremizmin e dy vëllezërve? Ka kaluar një javë prejse policia ka arrestuar 19-vjeçarin, Dzhokhar Tsarnaev, pas një beteje me armë, që ka plagosur vetë atë, ndërsa ka lënë të vrarë vëllanë e tij 26 vjeç, Tamerlan. Që atëherë, Dzhokhar është raportuar t’u ketë thënë hetuesve, se ai dhe vëllai i tij kanë pasur në shënjestër të sulmeve edhe Nju Jorkun. Ai po ashtu ka thënë se ata janë “vetë-radikalizuar” dhe motivuar pjesërisht nga luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan. Ky shpjegim, megjithatë, nuk mund të fshijë dyshimet për natyrën e qëndrimit gjashtëmujor të Tamerlanit në Dagestan, një vit para sulmeve. Tamerlan, adhurues i boksit dhe braktisës i kolegjit, ka qenë në listën e mbikëqyrjes të SHBA-së dhe Rusisë që nga koha kur ka udhëtuar në Kaukazin Verior – rajon ky i dhunës konstante islamike dhe klanore që nga fushata ushtarake e Rusisë në Çeçeni. Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi, FSB, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara në mars të vitit 2011 se Tamerlan ka qenë “ndjekës i Islamit radikal” , i cili ka udhëtuar në Kaukaz për të takuar grupet militante. Agjentët e FBI-së kanë kontaktuar Tamerlanin dhe familjen e tij, por nuk kanë gjetur prova bindëse se ka qenë i përfshirë në aktivitete radikale. FSB-ja, nga ana e saj, nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për të parandaluar atë nga hyrja ose dalja nga Rusia. Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur për sulmet në Boston për herë të parë më 25 prill, ka thënë se shërbimet e sigurisë nuk kanë pasur dëshmi substanciale për të ndarë me homologët e tyre amerikanë, sepse Tamerlan Tsarnaev ka qenë banor i SHBA-së dhe vetëm ka vizituar Rusinë. Tamerlan ka udhëtuar në Makaçkala gjoja për të vizituar prindërit, të cilët janë kthyer në Dagestan pas një dekade qëndrimi në SHBA, si dhe për të vazhduar pasaportën e tij ruse. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, babai i tij, Anzor Tsarnaev, ka hedhur poshtë spekulimet se Tamerlan ka kaluar kohën duke u radikalizuar apo duke mësuar ndërtimin e bombave. “Tamerlan nuk kishte ide radikale. S’e kuptoj, kush e thotë këtë? Ai ka qenë me mua në Makaçkala dhe ndodhte të flinte deri në 3 pasdite. Unë madje kam bërë shaka me të, duke e pyetur nëse ka ardhur vetëm për të fjetur. Pastaj, kemi shkuar bashkë të vizitojmë disa të afërm dhe kështu”, është shprehur Anzor Tsarnaev. Ai ka thënë se planifikon të kthehet në Shtetet e Bashkuara për të varrosur Tamerlanin dhe për të vizituar Dzhokharin, si dhe është zotuar se “do të zbulojë të vërtetën”. Të afërmit e tjerë kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për aktivitetet e Tamerlanit në Dagestan. Tezja Patimat Suleimanova ka thënë se nipi i saj ka arritur atje dy muaj para babait të tij, ndërsa në Makaçkala “u ka thënë njerëzve se duhet të falen”. Suleimanova, po ashtu, ka thënë se Tamerlan është parë si amerikan dhe nuk është pranuar mirë në komunitetin lokal të boksit në Dagestan. “Si një atlet, ai ka ardhur këtu me shpresën se do të luftojë një ditë në një ring. Por, trajnerët zakonisht stërvitin luftëtarët nga fillimi i karrierës së tyre, andaj, për këtë arsye, mendoj se ai nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me ta”, ka thënë Suleimanova. Nëna e Tamerlanit dhe Dzhokharit, Zubeidat Tsarnaeva, thuhet të jetë larguar nga Shtetet e Bashkuara pasi është akuzuar për vjedhje të rrobave në vlerë prej 1,600 dollarësh nga një dyqan, në korrik të vitit 2012. Tani në Makaçkala, ajo ka thënë se sulmet në Maratonën e Bostonit kanë qenë kurdisje, “fotografitë e viktimave, të falsifikuara, ndërsa në vend të gjakut në maratonë, është hedhur ngjyrë”. Teoritë e tilla të konspiracionit janë të zakonshme në Kaukazin Verior, pas disa viteve të urrejtjes ndaj Kremlinit. Por, këtë herë, ato janë ushqyer edhe nga teoricienë në internet, shumë nga ta në SHBA, të cilët vazhdojnë të analizojnë fotografitë dhe provat e tjera. Daja i vëllezërve, Ruslan Tsarni, një avokat i korporatave në Merilend, ka shfaqur zemërimin e tij me veprën e Tamerlanit, duke e cilësuar atë si një “humbës”, i cili “ka merituar të vdesë”. Dzhokhar, për dallim nga ai, ka marrë një bursë akademike dhe ishte duke studiuar biologjinë detare në një universitet të Bostonit. Ishte një student tipik, i cili tymoste marihuanë dhe gëzonte rreth të gjerë të miqve rusisht-folës dhe anglishtfolës. Shumë nga ata që e kanë njohur, janë shprehur të habitur me përfshirjen e tij. Një nga ta është edhe George McMasters, një rezervist ushtarak i SHBA-së, i cili kishte punësuar Dzhokharin si roje në një pishinë të Universitetit Harvard. “E kam ditur se vjen nga Rusia. E kam pyetur nga është, për emrin e tij, por dukej si një djalë i ri amerikan. Ai e ka ditur se unë kam qenë në Irak dhe në Afganistan dhe më ka pyetur pak se si duken luftërat. I kam thënë se janë detyra të vështira dhe kanë shumë gjëra të trishtuara, por kurrë nuk më ka bërë presion për ndonjë informacion për eksplozivët apo diçka të ngjashme”, ka thënë McMasters. Byroja Federale e Shteteve të Bashkuara vazhdon ende të hetojë sulmet e 15 prillit në Maratonën e Bostonit, të cilat kanë lënë tre persona të vrarë dhe mbi 260 të plagosur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT