E enjte, 25.04.2024, 11:12 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Panariti: Ushqim më i shtrenjtë por edhe më i rrezikshëm

E diele, 11.05.2008, 12:01 PM


Ushqim më i shtrenjtë por edhe më i rrezikshëm

Nga Edmond Panariti

Nëse autoritetet greke nuk do të kishin bllokuar vajin bimor të ndotur me lubrifikant,dhe të destinuar për tregun shqiptar, ai sot do të kishte përfunduar në sallatat, fritezat dhe tenxheret tona dhe sigurisht bashke me të edhe dioksina, një ndër lëndët me të fuqishme kancerogjene të njohura.
Por në fakt autoritetet shqiptare të sigurisë ushqimore i kanë mbyllur sytë edhe veshët edhe atëherë kur autoritetet qendrore të sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian, u janë drejtuar atyre në mënyrë të drejtpërdrejt për të bllokuar dhe konfiskuar ushqime kancerogjene të futur në Shqipëri.
Para disa vitesh autoriteti qendror i sigurisë në Bashkimin Europian, njoftoi institucionet shqiptare të fushës, për importin e një sasie të konsiderueshme të specit të kuq pluhur me përmbajtje të një ngjyruesi kancerogjen të njohur si Sudan 1. Përdorimi i këtij ngjyruesi për bojatisjen e vajrave lubrifikante në ushqime përbën një akt kriminal.
Për këtë arsye, Brukseli i njoftoi autoritetet shqiptare me anë të një note urgjente duke treguar dhe për vendndodhjen e firmës si dhe sasinë e futur në Shqipëri.
Mjerisht asgjë nuk ndodhi dhe speci i kuq i helmatisur u shit qetësisht në treg dhe madje u përdor për përgatitjen e salcave, në sallameri etj.
Vende si Franca, e cila e zbuloi e para falsifikimin dhe Malta e cila sikurse ne importoi një sasi të këtij ushqimi, zbatuan masa urgjente dhe drastike për mbikëqyrjen e ushqimeve në treg dhe sensibilizim të konsumatorit. Ndërsa mjerisht tek ne në fakt nuk u prodhua kurrgjë.
Por pyetjet që shtrohen janë: A i kemi ne vallë, sot në tregje, në kuzhina dhe në pjatat tona ushqimet e falsifikuara dhe të përdhosura?
Përgjigja është se tregu shqiptar është i pushtuar nga prodhime ushqimore të modifikuara, të adulteruara dhe të falsifikuara.
Në mjaft prodhime ushqimore, kryesisht në ato të importit në mënyrë abuzive janë përdorur dhe përdoren stimulues, ngjyrues, ëmbëltues, aromatizues, konservantë dhe lloj-lloj koktejlesh kimike të rrezikshme për shëndetin.
Sipas një studimi të kryer në kuadrin e një teze disertacioni, gati gjysma e mostrave të mishit të importit në Shqipëri, rezultojnë me aktivitet të lartë hormonal, nga përdorimi abuziv i hormoneve në vendet e origjinës. Këto hormone sintetike i rezistojnë temperaturave të gatimit dhe janë në gjendje të shkaktojnë dëme të pakthyeshme te konsumatorët. Gjithashtu në qumësht, djathë, vezë po sipas te njëjtit studim janë zbuluar mbetje të antibiotikëve, sulfamideve, koksidostatikëve në përqendrime të rrezikshme.
Në salca, esenca, dhe pluhura bimore për përdorim në industrinë ushqimore janë zbuluar lëndë ngjyruese të rrezikshme kancerogjene përdorimi i të cilave është jo vetëm i ndaluar por përbën një akt të mirëfilltë kriminal.
Në se do të dilnim për të psonisur në treg, ka shumë mundësi që të blejmë domate të modifikuara me material gjenetik nga ADN-ja e peshkut. Këto perime të cilat janë të kuqe nga jashtë por të gjelbra e të drunjëzuara nga brenda e kanë zhdukur domaten e shijshme dhe të lëngshme të vendit. Me mjaft gjasa blerësit tanë i evitojnë patatet e baltosura të shtrembëta por të mrekullueshme të Plasës dhe të Shishtavecit dhe i mbushim trastat me patate importi të pastra e të lustruara nga jashtë por të bastarduara gjenetikisht nga brenda.
Këto patate të “arta” ndryshe nga patatja e vendit në krye të dy ditëve në raftet e shtëpive tona e ndërrojnë lëkurën nga e verdhë në të gjelbër duke rritur drastikisht nivelet helmuese të solaninës.
Në mëngjes dhe për drekë mund t’i servirim vetes dhe familjeve tona, korn-flakes dhe oriz të ngjyrosur me beta-karoten, por mund të përdorim edhe sallatë me vaj ulliri të pajisur me etiketë virgjërie por në fakt të përdhunuar që në lindje nga bojatisja dhe parfumosja e vajrave dhjetëra vjeçare industriale të fuçive.
Një mesditë mund të largohemi nga një drekë me miq dhe ende pa mbërritur në shtëpi të mbulohemi nga djersët, të na merret fryma dhe të na thahet gjuha nga degustimi i verës me metanol, nga konsumi i biftekut apo i midhjeve me bio dhe neurotoksina apo nga fragranca e ëmbëlsirës të pompuar dhe stolisur me sulfite, aspartame dhe bojëra tekstili.
Po ç’thonë statistikat? Për aq sa mund të mbështetesh tek to, nuk është e vështirë të shquash një dyfishim të rasteve të kancerit të zorrës së trashë, trefishim të rasteve të cirrozës së mëlçisë, katërfishim të rasteve të alergjive dhe të intolerancave ushqimore, ulje masive të rezistencës ndaj sëmundjeve në një popullatë si e jona e telendisur parasëgjithash edhe nga një stres i pa parë shoqëror.
Për sa kohë që Shqipëria do të jetë nën ngërçin e paralizës së sistemit të kontrollit të ushqimit , për sa kohë që institucionet e fushës do të mbeten fole e militantëve dhe strehë e “mëkatarëve”, vendi ynë do të mbetet një “Eldorado” e shitjes së sapunit për djathë, një “tokë e premtuar” e trafikimit të ushqimeve të falsifikuara, të përlyera dhe të modifikuara.
Por edhe më dramatik është fakti se neglizhenca jonë na bën që të jemi mjaft të rrezikuar edhe nga veprimet bioterroriste të dëmtimit në masë, te cilat i përdorin ushqimet si vektorin më të shpejtë dhe të efektshëm për skenarët e tyre shkatërrues.
Deri tani, jo shteti por vetëm zoti na ka dashur dhe mbrojtur, por ai vazhdon të na kujtojë se nuk mund t’i ruajë përgjithmonë ata që nuk dinë ose nuk duan të ruhen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora