Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Argjirokastra

| E shtune, 27.04.2013, 10:26 AM |


ARGJIROKASTRA

Mbresa nga vizita në Gjirokasër dhe kalanë e Argjirosë

-Përshkrim-

EKSKLUZIVE NGA DRITA LUSHI

Kishin kaluar  28 vjet që nga vizita ime e parë dhe e fundit    atë qytet të gurtë, qytet  kalldrëmesh, në atë qytet që gjithmonë më ka dhënë  idenë  sikur ka lindur, nga sqetulla e asaj kalaje të mbarsur me histori.

Kisha shkelur atje kur isha  një vajzë-fëmijë 15- vjeçare e pafajshme, që nuk shihja aq larg, e as mendimi  nuk zhbironte nëpër skuta historish e kuriozitetesh.

E prita me gëzim ftesën e tim shoqi për ta shoqëruar në Gjirokastër, ku ai kishte punën e tij.

E dija që në fakt ishte ai, që do të më shoqeronte  mua, në “tekat”-kuriozitetet e pyetjet e mia të pafundme.

Më grishte fantazinë ai qytet  i gurtë e historik, ku e vjetra thuret me të renë, ku përbri pallateve të reja,ngrejnë krye  shtëpitë me gurë, ku përballë  rruginave  të përpjeta e tatëpjeta shtruar me kalldrëme, vijojnë  rrugët e xhadetë e gjëra.

Një qytet ndërtuar nga ana arkitektonike mbi të kundërtat, bashkëkohorja dhe antikja,  por me gjirokastritët që jetojnë, kanë jetuar dhe s’do ta braktisin qytetin e tyre të lashtë sa vetë kalaja.

Veç  shoqërise së tim shoqi, miku që na shoqëroi, paçka se fjalëpakë  nuk mund të rrinte pa iu përgjigjur pyetjeve të mia të sinqerta dhe ngulmuese.

Me makinë ngjitemi në majën më të larte të qytetit në Kërcullë!

Më besoni; pamja ishte fantastike, të dukej se e shihje Gjirokastrën nga avioni, ndieje atë  boshllkëkun e lartësisë, e aq më shumë, në  atë  rrugë  gjarpëruese e të ngushtë.

Por ndërsa ndieja boshllëkun e lartësisë, më dukej se zotëroja gjithë hapësirat, lartësistë, pamjet. Jo se vuaj nga madhështia, por vetë vendi të bënte ndiheshe madhështor në ato maja!

Lokali që ishte  në majë të Kërcullës ishte i mbyllur  atë të dielë.

Kisha dëshire të shihja, të fotografoja me sy çdo gjë, por edhe në blicin e aparatit tim, të cilin e pata  shok të ngushtë  gjatë udhëtimit  tre ditor në jug.

Që nga Kërculla,  dukej së largu Kalaja.

Po une se doja aq  larg atë kështjellë.

Dëshira ime  ishte ta prekja sa më shpejt , të isha “pushtuese” e kohëve moderne,që vija, veç  të flisja me të, që vija veç  të shiheshim e të merrnim nga njëra –tjetra ndjesi të ngrohta prilli!

Doja të ndihesha pjesë  lashtësise  së saj, e të më përfshinte natyrshëm vorbullhistoria, ta përfshija dhe unë në mendimet që filluan të udhëtonin qindra vjet pas.

Para se të ngjitesha në kala, ndaloj pak në  qafën e pazarit.

Hotel “Sopoti” ku kisha bujtur para 28 vjetësh qëndronte aty  në atë vend, mes sheshit    Çerçizit, dhe Qafës  së pazarit  ku kryqëzoheshin katër lagjet e vjetra “Dunavat”, “Palorto” “Varosh” dhe “Kalá”.

Meqenëse  ishte  e djelë, mendova se do të  ishim vizitorët e vetëm të asaj kalaje të madhe.

Por turistet e huaj  jo vetëm që ishin aty para nesh, por  kishin filluar të fiksonin pamjet  e kalasë, armatimin, e çdo gjë tjetër.

-Madhështore! -Kjo është fjala e parë që më vjen ndër mend e në sy, sapo ndeshem me të.

Por më besoni :Nuk është e njëjta gjë të shihet, e të fiksohet në aparat.

Prandaj syri ngelet  film  i gjallë dhe abstraktja mbetet  e paprekëshme, sado  imagjinatëzhvilluar  të jemi.

Akoma sot e kësaj dite, njerëzit i bëjne pytjen vetes dhe sho-shoqit,ashtu sikurse unë, që kam nisur të pyes në heshtje veten: si mundet vallë  të qëndrojë varur kjo kala mbi një shkëmb, si është  ndërtuar, si, e si e si?

E pyetjet janë vertet të bazuara, por edhe  të mundimshme, sepse ato s’marrin një  përgjigje konktrete por i lënë rrugë  fantazisë e hamendësimeve të gjithësecilit.

Ta shohësh së largu, duket sikur qyteti dhe kalaja kanë dalë nga mali. Nuk di si e qysh, e as kam për ta ditur kurrë  por një mendje e zgjuar, dhe një forcë e madhe mundeshin të projektonin të tillë kala, formëzime, labirinthe, frëngji, porta  të gjëra dhe të ngushta;

Ajo, duket  si një zgjatim labirintik i malit.

Ndërtimi i saj  daton mjaft, mjaft - hershëm.

Por tek e sheh aq kryelartë mendon se si u ngrit, c’teknikë  ështe përdorur, sa ka zgjatur ndërtimi; Por që  ka qenë venbanim e vendmbrojtje nga luftërat  për banorët , kjo ështe e sigurtë.

Te mahnisin galeritë, katakombet, armata e topave.

Pëllumbat nuk i ndahen kalasë; I sheh në  pemë, në oborr, të ndjekin nën guitjet e tyre ,a  thua se ata janë dëshmitarët e heshtur të gjithë historisë  dhe misterit që ajo mbart,  a thua se janë  shpirtrat që dikur jane strehuar apo kanë luftuar në atë kështjellë.

Një avion i madh, i vendosur në një nga ballkonet e kështjellës më çon drejt tij, jo si pasagjere, por si vëzhguese se çfarë ka, si e qysh ka përfunduar ky avion në këtë vend.

Ai qëndron në atë kështjellë  si relike e luftës  së ftohtë, duke iu bashkëngjitur historisë  së stërlashtë    Argjirokalasë.

Teksa këmbët  ikin pa kuptuar, sepse sytë dhe mendimet mi kanë marrë çka shoh,ndalem përpara skenës ku mbaheshin festivalet folklorike të Shqipërisë.

Nga forma më duket se pikërisht kjo pjesë mund të jetë përdorur si amfiteatër dikur.

Ka ngelur vetem ajo skenë, vende vende e prishur, e çdo gjë e ka mbuluar bari, luledelet e aroma e prillit.

Duket sikur edhe kalaja do të lulëzojë ngaherë bashkë me to.

Kulla e sahatit  ngrihet e lartë  duke treguar orën, ditët vitet njerëzve dhe vizitorëve të kalasë duke na kujtuar se sa e shkurtër  është jeta, andaj të jetojmë, të gëzojmë  e me mirësinë  dhe kontributin tonë    lëmë  gjurmë sado te vogëla, tek miqtë e njerezit qe do jetojnë pas nesh, ashtu si kjo keshtjellë  u ka rezistuar shekujve dhe do vazhdojë të përballet me shumë e shumë të tjerë!

Lumi “Drinos”, më shoqëron në ikje.

Nuk ndalet e më ndjek  çdo hap a thua ka frikë, se do ti marr kështjellën e qytetit të tij.

Ai rrjedh, ndërsa makina ecën drejt  kthimit.

Ndiej se diçka kam lënë në atë kështjellë;mendime, fantazi, hapa; Jam përfshirë në ngjarje imagjinare kam folur me sy, kam lënë vështrimin  mbi ato mure e topa, mbi ato frëngji e armatime.

Por më shumë kam marrë.

Kam marrë ndjesitë që më shtynë  të hedh mbi  letër çka pashë.

Drinosi  vazhdon  të rrjedhë vetmitar derisa vë  kurorë me Vjosën e bukur .

Gjithe vështrimi  mu shkri një moment në atë”martesë” lumenjsh, duke më kujtuar se jeta dhe historia  do të vazhdojnë  të jenë  pjesë e njëra  tjetrës.

Argjirokastrën tashmë e kisha marrë me vehte…!

Fotot: © Drita Lushi