Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Kostandini, Justiniani apo Ballaban pasha?

| E premte, 26.04.2013, 08:18 PM |


 

Kështu t'i nderojmë paraardhësit tanë!

 

Kostandini,  Justiniani apo Ballaban pasha?

Nga Elvi Sidheri

Dje (me datë 23 prill) më rastisi të ndiqja një emision të TVSH-së në drekë.

Bënte fjalë për njohjen dhe vlerësimin e pamarrë akoma, të një figure imponente të historisë sonë kombëtare, si ajo e perandorit Kostandin të Madh.

Mendova me kënaqësi të veçantë, sa mirë që ua kishte marrë mendja që të flisnin një copë herë edhe për të fundja.

Qenë të ftuar në studio dy përfaqësues të klerit të respektuar katolik dhe në mos gaboj edhe dy historianë.

Të katërt e bënë më së miri detyrën e tyre dhe folën me kompetencë për ato që dinin lidhur me jo vetëm Kostandinin, por edhe Justinianin, Anastasin nga Durrësi e perandorë të tjerë shqiptarë të Bizantit.

Unë vetë, brenda suazave të modestisë time, si dhe shumë të tjerë, kemi bërë gjithçka që së paku përmes rreshtave tanë, tek kjo faqe e nderuar dhe në të tjera, të flasim e të themi sa më tepër për figurat e ndritura të gjakut tonë shqiptar-arbëror-ilir të cilët kanë lënë aq shumë shkëlqim prapa tyre, sa bota ende sot e kësaj dite i njeh dhe i respekton ata, më shumë se ç’bëjmë neve që jemi direkt pasaardhësit e tyre.

Nga ana tjetër, tema e monumenteve më ka qenë përherë e afërt mua, duke u nisur prej disa arsyesh së fundi.

Kam diskutuar virtualisht me ju lexues, sa herë që në Shkup, kryeqytetin e republikës fantazmë të IRJ Maqedonisë që kemi fqinje nga lindja, qeveria dhe kryeministri i matufjepsur nga trutë sllav i atjeshëm, kanë ngritur përherë e më lart përmbi tokë, ndonjë statujë të re, fyese për ne shqiptarët ose për ndonjë nga popujt e tjerë rrotull atij vendi.

IRJ Sllavëri Maqedonia ka ndërtuar në mes të Shkupit, nën hundën e shqiptarëve të atyshëm dhe pak kilometra nga kufinjtë e dy shteteve shqiptare, pra Shqipërisë dhe Kosovës, disa statuja totalisht provokuese kundrejt nesh dhe traditës sonë historike.

Sikur të mos e marrim fare parasysh figurën e Aleksandrit të Madh (3/4 me gjak ilir epirot-penest nga Olimpia e ëma dhe Filipi i ati), gjithësesi sheshet e Shkupit, mbajnë peshën dhe hijen e një perandori ilir si Justiniani, një shtëpie abstrakte të Nënë Terezës dhe supozohet që në një të ardhme të afërt, po aty do të bëhet edhe një monument tip Kulle Babeli i Nënës shqiptare Terezë që do të “përqafojë” qiellin maqedonas aq i lartë sa parashikohet të jetë.

Mënjanë lajthitjeve sllave në IRJ Maqedoni, monumentomania më shqetësoi veçanërisht përgjatë kremtimeve të shekullit të pavarësisë në Shqipëri.

Nuk pata asnjë gjë me ato personazhe të cilat u vendos të vlerësohen me nga një statujë, por e pata në mënyrë specifike me këdo tjetër që qëllimisht u la në errësirë sërish.

Të përfundojë Tirana, kryeqyteti i bukur i shtetit shqiptar, me tregues të historisë sonë kombëtare të lashtë, vetëm një palo mozaik megalloman enverist (atë të Muzeut) ku triumfeve dhe mbijetesës sonë popullore u prijnë ekskluzivisht partizanët trima me yll në ballë, është një turp i vërtetë që nuk meriton shumë koment.

Me 28 nëntorin e kaluar, na i shtuan këtij të fundit edhe një libër të hapur tek Parku Rinia (i cili tanimë në kohë rekord  ka nisur të humbi pjesë, aq shumë “e çajnë” për të sa as që e ruan kush)...i cili mua personalisht, nuk më tregon asgjë prej gjëje, veç një libri të hapur pa kuptim, megjithë respektin maksimal për firmat e shpalljes së pavarësisë.

T’a kishin quajtur monumenti në kujtim të emrit dhe veprës së të gjithë firmatarëve të saj (pavarësisë) të paktën, do i jepnin një kuptim të denjë asaj ngrehine artistike deri diku.

Historia jonë e gjatë shumë mijëravjeçare nuk kam asnjë dyshim, që po t’i kishin hyrë seriozisht kësaj pune dhe jo sa për formalitet apo “për të larë gojën”, do të kishte merituar dhe do t’i kishin ngritur diçka shumë më të denjë se kaq.

Mua vetë ai monument më duket si një libër i hapur, ku secili mund të shkruajë (shkarravisë) çfarë t’ia ketë ëndja.

E siç e kemi vërejtur nga 1912-a gjer më sot, në realitet historisë sonë nga Enveri e këtej, kushdo me pak pushtet të pamerituar në dorë, ka tentuar t’i vërë firmën dhe t’i lërë të pashlyeshme gjurmën e tij.

Kjo tendencë riformatuese e historisë shqiptare e shohim sesi po vazhdon akoma këto ditë, kur në librin tonë të hapur kanat më kanat, po përpiqen të fusin hundët edhe shumë “studiues” tanët filoturq dhe turqit prej vërteti të cilët duan që rrjedhën e ngjarjeve të shqiptarëve, t’a devijojnë kur dhe si t’ua ketë atyre qejfi.

Për t’a mbyllur njëherë e mirë me këtë monument, do të shtoja se ai mund të përkufizohet edhe kështu, pra si ato librat e mbresave që gjenden nëpër muzetë e ndryshëm, ku vizitorëve u ofrohet mundësia të lenë aty të shkruara përshtypjet e tyre lidhur me ato që kanë parë dhe mësuar.

E në këtë librin tonë të mbresave (monumentin e pavarësisë), kujt t’ia shkrepi truri mund të shkruajë atë që do, si për shembull përse jo edhe neo-turqit e sotëm ose antishqiptarë të tjerë fqinjë dhe shqipfolës, të marrin penën dhe të vënë të zezë mbi të bardhë të tëra impresionet e tyre të fëlliqura lidhur me historinë dhe qënien tonë si shqiptarë sipas idesë së tyre antagoniste e mohuese ndaj së vërtetës dhe ekzistencës sonë.

Pjesa e tretë dhe më e rëndësishme për mua, për të cilën po mëtoj t’a shkruaj sot jo për të parën herë, lidhet me diçka që e kam shumë përzemër unë dhe me sa kam vënë re edhe mjaft shqiptarë të tjerë.

Unë vetë u habita fort (për të mirë në fakt) njëherë kur pasi çova për botim online një shkrim të timin që fliste për disa “pelegrinazhe” të detyruara sipas meje gjithëshqiptare, ndër të cilat edhe Harkun e Kostandinit në Romë pranë Koloseut, redaksia e mençur e Zemrës Shqiptare vendosi t’i bashkangjisi asaj çfarë kisha shkruar edhe një foto të një monumenti të këtij perandori në Berat.

Nuk dija gjë për ekzistencën e këtij monumenti fare!

I lumtë kujt e ka bërë, skalitur në gur dhe vendosur aty në atë qytet të mrekullueshëm.

Ku t’a gjenim të kishte më shumë vendime të tilla në favor të kujtesës sonë të baltosur e pluhurosur historike!

Kjo është pjesa me më tepër peshë e kësaj që po them sot pra, mungesa e dënueshme e një vizioni apo kohezioni mbarëshqiptar të lidhur me njohjen e respektimin si dhe kremtimin e personaliteteve me origjinë dhe gjak të tonin, që kanë lënë shenja të pashlyeshme në historinë tonë dhe mbi të gjitha në atë botërore.

Po t’i numëroj me rradhë monumentet, shtatoret ose ndonjë gjë tjetër të ngjashme në Tiranë, do më vijnë në mend Gjergj Kastrioti, ai pashai Sulejman Ballgjini që thonë se ka rithemeluar Tiranën në mesjetë, një statujë druri e Fan Nolit, Partizani i Panjohur (që si kudo në botën e qytetëruar do qe dashur të ishte Ushtari i Panjojtur, për shkak se ushtria shqiptare nuk është përbërë gjithmonë nga partizanët megjithë respektin për ta), një statujë e Avni Rustemit që ithtarët e tradhëtarit të shquar Esat Pashës, u përpoqën t’a heqin “tinzash” si me stil ca muaj më parë, po s’i la kush etj.

De Radën e ngratë e “internuan” bodrumeve të pallateve të reja shumëkatëshe në Tiranë të Re, për mbi njëzet vjet dhe thonë se tani do e nxjerrin sërish në dritën e diellit që t’a shohin dhe nderojnë prapë njerëzit, shqiptarët për të mirën dhe mirëqënien e lirinë e të cilëve ai e përkushtoi gjithë jetën dhe veprën e tij.

Ka monument edhe Qemal Stafa (dhe e meriton plotësisht si një i ri me ideale liberale që u pre në besë sipas të gjitha gjasave nga shoku Enver dhe iu shit italianëve), Ismail Qemali që sapo ia bënë, presidenti Wilson e ndoca të tjerë.

Mbreti Zog dhe Adem Jashari plotësojnë këtë kuadër me prezencën e tyre të mirëseardhur në qytetin më të madh të botës shqiptare.

Tjetërkund rreth e përqark nëpër Shqipërinë tonë kemi edhe monumente përkujtimore të Ali Pashait tepelenas, të Isa Boletinit në Shkodër, të Isuf Myzyrit megjithë “qemane” (violinë) në duar në Elbasan, të Themistokliut në Korçë, të Skënderbeut sërish në Krujën e tij të pamposhtur, Prishtinën e çliruar, Dibër të Madhe e Shkup e gjer tek monumenti i përçudnuar i mbretëreshës Teuta mbi një palo bankë tregtare afër portit detar në Durrës.

Mbretëresha e vetme ilire Teuta, aty paraqitet sipas vizionit fyes që italianët pushtues kishin për të (gjysëm e zhveshur si e përdalë ndër të tjera), pra me pamjen dhe simbolet fashiste që asaj “detyrueshëm” i kishin vënë ata.

Paskëtaj ka edhe një mori monumentucësh të tjerë e lapidaresh të panjohur brenda rëndësisë së tyre gjithmonë, figurash nga lufta nacional-çlirimtaro-vëllavrasëse, heronjsh të asaj periudhe, viktimash të komunizmit e deri tek shumë fatkeqë që kanë humbur jetët pas 90-ës në aksidente automobilistike apo vrasje të shumëllojta.

Por ajo që e bën Shqipërinë të mbajë një rekord aspak të nderuar dhe unik për një popull që e quan veten me të drejtë të lashtë siç jemi ne, është mungesa jo vetëm e theksuar por totale e monumenteve të ndonjë mbreti (përveç Zogut i cili i përket kohës moderne) apo personazhi madhor të së shkuarës sonë ilire.

Pra uroj të mos e di unë dhe të jetë ndryshe e vërteta, por në Shqipëri, në ballë të vendit të paktën diku, qoftë edhe në ndonjë provincë të humbur se në Tiranë as që bëhet fjalë, nuk ka që nuk ka asnjë monument të mbretërve ilirë Bardhyl, Bato, Monun, mbretëreshës Teuta, mbretit Gent, Agron apo ilirit të madh epirot Pirro, të ëmës  ilire-epirote të Aleksandrit, pra Olimbisë ose Myrtalit etj.

Kur s’kanë monumente e as përkujtimore këta njerëz që janë të lidhur drejtpërsëdrejti me historinë e antikitetit shqiptar, pra me zhvillimet në Iliri, Epir ose Dardani e Maqedoni, atëherë të pretendoj unë ose tjetërkush për përmendore në nderim të Kostandinit, Anastasit nga Durrësi ose Justinianit, është e tepërt mesa duket.

Sa kohë që neve i biem legenit këtu pa qullosur asgjë konkrete, serbët kanë botuar male e mullarë kapicë me libra ku në mos direkt, tërthorazi po i pohojnë botës se megjithëse ata vetë vijnë nga fushat ukrainase a maksimumi pas migrimeve të të parëve të tyre, nga ca rajone të Gjermanisë së sotshme ku ende banon një minorancë sllave e quajtur “Sorabe”, gjithësesi Kostandini i Madh meqë pati lindur në Nish që tashmë bën pjesë në Serbi, serb do ketë qenë ai i gjori edhe 1700 vjet përpara kur asnjë sllav s’ia kishte ndjerë as aromën rajonit tonë.

Sepse serbët ashtu si edhe kroatët, boshnjakët dhe malazezët i janë qepur lashtësisë sonë ilire shumë prezente në tokat e pushtuara nga të parët e tyre barbarë sllavë dhe shkruajnë, gjasme studiojnë e mashtrojnë botën sa herë t’u vijë rasti duke gënjyer për lidhjet e tyre të stisura me ilirët.

Që kroatët, serbët dhe fëmijët e tyre pa identitet të përcaktuar malazezë e boshnjakë të kenë ndonjë lidhje me ilirët, atëherë nevojitet që edhe amerikanët e sotshëm të jenë indigjenë lëkurëkuqë nga ata që të bardhët anglezë, francezë apo spanjollë zhdukën kur shkelën botën e re.

Ndryshimi thelbësor mes ilirëve dhe indigjenëve amerikanë, është se ilirët kishin shtet të tyrin, zhvillim, njihnin rrotën, hekurin, orakujt, kalin, shkencat dhe tek perandoritë ku bënin pjesë, ata kishin përbërë ajkën e ushtrisë e gjithashtu patën qeverisur për një kohë të gjatë me përfaqësuesit e tyre të mëdhenj si pikërisht Kostandinin, Justinianin e gjer tek Qyprillinjtë në perandorinë osmane.

Ky është ligji i egër i “Far West-it” dikur dhe i detit sot!

Pra që domethënë se kur diçka mbetet në mes të detit pa pronar, qoftë kjo edhe një anije e tonazhit të rëndë, atëherë atë e merr në posedim të ligjshëm sipas të gjitha rregullave dhe konventave, kushdo që e gjen i pari.

Për t’ua ilistruar këtë gjë, po më kujtohet para disa vjetësh kur u përmbys një anije “cargo” në brigjet angleze dhe u dyndën të tërë banorët e zonës së Devon-it dhe ndukën ditën për diell nën sytë e policisë që nuk ndërhynte dot, gjithçfarë malli u doli përpara pa i penguar kush, kur kontenierët u prunë nga valët pa Zot në breg.

Edhe historia jonë shqiptare dhe personazhet që e kanë bërë atë me luftën, jetën dhe veprën e tyre, sot e prej shumë kohësh, janë lënë pikërisht në këtë mënyrë “në mes të stuhisë” pa strehën e përshtatshme dhe të merituar brenda librave, muzeve apo enciklopedive tona.

Gjithë mbretërit ilirë, epirotë, dardanë, perandorët bizantinë e romakë me origjinë ilire, papët shqiptarë e gjer tek së fundi një ikonë e mirësisë dhe bamirësisë si Nënë Tereza, janë abandonuar në mëshirë të fatit dhe janë bërë e po bëhen gjithnjë e më tepër pre e urisë së pangopur të fqinjëve tanë me rradhë.

Sepse lexues të dashur, neve të gjithë shkrihemi së qeshuri e gajasemi kur majmuni Hirko i Agimit të Artë, Kristo Papa na flet për Jorgos Kastriotisin, por harrojmë që ky është vetëm hapi i fundmë në një vazhdë të gjatë sulmi ndaj personazheve të shquara të gjakut tonë.

Por të jeni të sigurtë që grekët kanë bindjen 200% që Kostandini sadoqë sipas çdo burimi ishte ilir dhe fliste gjuhën e tij e latinishten pa ditur greqisht, sido që të jetë, për historianët dhe studiuesit helenë, ai është një përfaqësues i spikatur i greqizmës dhe pikë!

E si pasojë e një propagande të tillë shumëshekullore helene edhe shumëkush në botë dhe veçanërisht tek qarqet akademike perëndimore këtë mendim si historianët grekë ka.

Grekët ndoshta janë aq megallomanë (me siguri kjo) sa të kenë bindjen absolute që helenëria antike ka qenë e shtrirë gjer në majë të Dardanisë në Naissus ku lindi perandori Kostandin ose në Tauresium ku erdhi në jetë Justiniani ynë ilir.

Për Durrësin e Anastasit grekët i bien shkurt duke e paraqitur si koloni helene, megjithëse nuk mund të ketë historian që të mos llogarisi se ajo koloni që vendosur në një tokë e hapësirë ilire dhe që deri në kohën e Anastasit aty patën kaluar edhe ca shekuj sundimi romak latin.

Por grekët kanë edhe një tezë të tyren tejet origjinale, si të gjithë lloji i tyre, pra që mbështetet tek gjuha helene e perandorisë shumëkombëshe bizantine.

Gjuhën dhe aspektin grek të kishës së re të krishterë (më pas ortodokse) të themeluar dhe ligjëruar e kanonizuar personalisht nga Kostandini ilir, grekët e kanë shfrytëzuar përherë për të vërtetuar idetë e tyre të paqena panhelene.

Pra një perandori të banuar nga grekë, ilirë ilirisht-folës ose të romanizuar, thrakë, dakë, latinë (në qytetet e mëdha) e më vonë sllavë, egjiptianë, hebrenj, asirianë, berberë afrikanoveriorë, ibero-romakë e latinë të gadishullit Apenin, e cila nuk ishte kurrësesi në asnjë mënyrë një “domain” i rezervuar vetëm për grekët siç ata e shesin këtë fakt qyshkuri!

Pirron e Epirit e njohim për shqiptar neve, pra epirot-ilir siç edhe ai ka qenë në të vërtetë dhe siç e dinin edhe historianët e lashtë që epirotët i quanin barbarë, domethënë jo-grekë, por bota njeh atë që thonë helenët dhe emrin e këtij njeriu të madh, grekët kanë pasur sukses të na e kontestojnë dhe të na e vjedhin.

Për Aleksandrin e Madh zihen ditë për ditë grekët me sllavët e Maqedonisë, kurse ne sodisim të painteresuar kacafytjen në kallamishte të tyre, pa e lëvizur as gishtin e vogël, sikur me këtë njeri të mos na lidhte asgjë!

Për t’i dhënë një imazh sa më të qartë kësaj çështje, mund të shërbente kjo situatë hipotetike, sikur sot lidhur me figurën e Karlit të Madh, të përlesheshin gjermanët (Frankët, fisi i tij i origjinës qenë gjermanikë, që pushtuan Galinë kelte të romanizuar) me Papatin (pasi Karli u lidh ngushtë me fenë katolike të cilën e përhapi mes barbarëve) e francezët që janë pasuesit e vërtetë të tij dhe shtetit të vet që akoma quhet pikërisht Francë, të mos ishin pjesë fare e këtij diskutimi.

Nënë Terezën po e bëjnë “skopjanka” sllavët e Maqedonisë sa herë që munden (duke e përdorur në kërë rast specifik termin në fjalë të cilin ndërkohë e quajnë si përçmim kur grekët të njëjtin ia mveshin shtetit të tyre në komunikimin bilateral me ta, duke i quajtur Republika e Shkupit).

Gjithashtu asaj si “çlirim” nga origjina e pakundërshtueshme shqiptare, sllavët i kanë shpikur edhe një degë inekzistente vllehe nga i ati, sadoqë askush nuk i ka marrë seriozisht këto përçartje të tyre pasi vllehë jo-ortodoksë në Ballkan nuk ka pasur kurrë e aq më pak të fesë katolike.

I dimë edhe tentativat sllavizuese të origjinës së Skënderbeut.

Por nëse me Skënderbeun dhe Nënë Terezën jemi të larë, pasi bota na i njeh si të tanët dhe sheshe, rrugë e objekte të rëndësishme i kemi pagëzuar me emrat e tyre (Nënë Tereza një monument në lartësinë e figurës së saj s’e ka ende për të thënë të drejtën), të tjerët rrinë akoma në pritje.

Në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë si dhe në qytete të Kosovës e më gjerë, vend për buste e monumente besoj se ka.

Çfarë do e pengonte Prishtinën të nderonte Kostandinin e Madh me një statujë të këtij iliri-dardan në truallin e tij të origjinës?

Po Çairin, komunën shqiptare të Shkupit, çfarë e ndalon t’i ngrejë një monumet shqiptar Justinianit që aty afër edhe pati lindur?

Po shqiptarët e Kërçovës çfarë motivi kanë që tashmë që qytetin e tyre e morën në qeverisje, të emërojnë ndonjë rrugë, shkollë ose institucion me emrin e të ëmës së mbretit Filip i II, pra Euridika e fisit penest?

Monumente në Kosovë do të meritonin edhe të tërë mbretërit e tjerë dardanë, ashtu siç në Shkodër mund të gjehej një vend i përshtatshëm për Gentin dhe në Durrës ndonjë kënd në breg të detit (ku ajo luftoi dhëmbë për dhëmbë me romakët) për Teutën e vërtetë e jo atë karikaturën e pahijshme nudiste të saj mbi taracën e një ndërtese.

Tirana do të kishte vend për shumë mbretër të tjerë ilirë dhe për perandorët iliro-bizantinë që mund të qëndronin në lulishte e sheshe të ndryshme të saj fare mirë dhe Pirro mund të sistemohej diku në jug, në Epirin e dikurshëm, si për t’i treguar heleno-megallomanëve se ai territor, i veriut apo jo, ka qenë ilir dhe është shqiptar.

Sadoqë nuk i honeps shumë personalisht, sërish nuk do të kisha asgjë kundër përkujtimit të ndonjë pinjolli të familjes së Qypryllinjve të cilët megjithëse do pranuar se e rrezikuan thellësisht Europën gjatë qeverisjes së tyre në osmanërinë perandorake turke kur arritën gjer në dyert e Vienës, gjithësesi përbëjnë shembullin e gjakut udhëheqës shqiptar që shkëlqen në çdo vend e rrethanë.

Është e nevojshme gjithashtu që të bëhet diçka, monument a çfarëdoqoftë në memorie të familjes së pashallarëve dhe mbretërve shqiptarë të Egjiptit të cilët e shtruan në hu gjindjen e trashë të shkretëtirës të atij vendi dhe e qeverisën atë territor përgjatë një shekulli e gjysëm qysh nga Mehmet Aliu shqiptar nga Kavalla e deri tek mbreti i fundit Faruku.

Nën drejtimin e tyre Egjipti arriti tek pavarësia dhe konsolidimi si shtet i madh, por gjithashtu sundimi i tyre atje, mblodhi në Misir edhe një diasporë të gjerë shqiptare.

Historia shqiptare shpesh ka kaluar nën pushtime apo zgjedha të huaja dhe shqiptarët, arbërit apo ilirët, gati gjithmonë kanë ditur që nga të nënshtruar të kthehen në sundues brenda perandorisë përkatëse të të tjerëve.

Ajo që nuk do bërë asnjëherë sidoqoftë është që figura të njollosura nga vetë jeta dhe vepra e tyre antikombëtare, si Ballaban Pasha, Hamza Kastrioti apo Esat Pashë Toptani, Spiro Milo etj, që të tillë fundërrina pra të lejohet të zenë ndonjë vend jashtë cepit të turpshëm që u takon!

Rivlerësimi dhe respektimi e përkujtimi i ilirëve dhe arbërve të mëdhenj të së kaluarës sonë, është një detyrim e jo më një opsion, në mos për akademi shkencash e autoritete, së paku për popullin shqiptar që do bënte mirë që zërin përveçse në mitingje partish, t’a ngrinte edhe për çështje të tilla me interes të vërtetë panshqiptar!