E enjte, 25.04.2024, 12:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Neki Lulaj

E enjte, 25.04.2013, 08:11 PM


NEKI LULAJ

 

TOKA IME

 

Gjatë po e tjerrë kohën

Duke e veshur me

Këmishën e rrudhur

Stofin e shkyer

I ndrydhur qe një shekull

Mbi mexhdat e vjetra

Të të parëve të mi

Plotë gjurmë

 

Me duar po e dirigjoj

Simfoninë e rrënjëve të lashta

Notat mbi pentagramin e jetës

Plot gurë

E toka ime e bekuar

Dremit mbi thesarë

Pëllëmbë më pëllëmbë

E mbjellë me lapidarë

 

 

SHTATË ZANORE

 

Shtatë zanore

Mbi një lundër

E bëjnë jetën

Mbi valë

Por në shtatë shtete

Të shpërndarë...

 

Kur do të bashkohemi

Do ta përjetojmë

Jetën si jetë

Me një emër të përbashkët

Me një Flamur të bekuar

Me një Abetare të vërtetë

 

MOSNI

(Kushtuar pavdekshmërisë së Kosharës)

 

Mosni

Se do të turpëroheni

Nga vehtja

Kur shikoheni në pasqyrë

Emri im ka me ju ardhë

 

E unë nuk do të turpërohem

Kurrë së kurri

Se nuk shkova atje

Në zgrafellat e mitit rastësisht

Për me ardhë

 

Mos mendoni

Se do jemi miq

Me  bastardë e tadhëtarë

Ju armiqtë e vjetër

Ne mbrojmë identitetin kombtar

 

Ai dhe ata janë

Nxjerrësit e gurëve

Nxorrën gurë e shembën

Rënuesit e mureve

Rënuesit e mitit

Të Prillit të madh

 

Mbi rrasën e zogut

Gjoksat bjeshkë e sytë vravashkë

Të lindur në Prillin e thyer

Balada e Gocës së Kaçanikut

Këndohet në Operën Kosharë

 

 

BETIMI I HIPOKRATIT

 

Si zog

Me krah mali

Mbi vetullat e bjeshkës

Frymmarrje e thellë

Dashuri iliriane

Me lëkurën e moteve

I mbulon brinjët e tokës

Me prerjen siamezike

Atdheut i falë jetë

 

Cicëron zëri i embël

Kanarinë e këngës Bilbil

Mos u step para lëngatës

Këngët e krenarisë

Çlirojnë Atdheun e tkurrur

Para Alpeve me ngrica

Mbi Dardani e Olimp

 

Në shpirtin  engjëllit

Qëndisur ardhmëria

Mendja e të diturit

Dhuratë nga Universi

Pikojnë filigranet me

Betimin e Hipokratit

Dritaret e shpirtit

Legjendë e gdhendur

Mbi mendimin

Që e lakon hekurin

 

 

GURGULLIMË

 

Gurgullon Ibri nëpër damarë

Pranvera si pelerinë e robëruar

Ai e shuan zhurmën e tankeve

Frymëmarrje e përflakur

Hapat e rëndë të natës së gjatë

Ngjallen duke u përlindur

Me heshtjën e gatuar

 

Vala puthë bregun

Si një buzagaz kohe

Me baladat e vjetra

Të shpendëve pa gojë

Të anatemuarit prangosur

Pa dëshmitarë

 

Bebzat dridhen si fotonet

Nga thellësia e shpirtit

Vrapuesit e diellit

Rrëfejnë lashtësinë

Kur buza puthë lokën

E nanës gjaku nga zemra i pikë

 

Me “Tufën” nën sqetull

E me një Enciklopedi vargjesh

Mbi supe ngarkuar pragun e agut

Pas natës shekullore

Një dritë në fund tuneli

Dritë jete e bekuar

 

 

KUR NISA TË ECI

 

E nisa ecjen me mbarësi

Mes mureve - kulla guri

Edhe rrugicat i kishim

Me gurë e kalldrëma

Gjithëçka ishte përrallë

E tillë ishte edhe ëndrra

Nëna ime gojë embël

E fytyrë floriri

 

Mësova nga gjyshërit

Legjenda, ndodhi e balada

Gjoksim e kishim bjeshkë

Nga shpatullat buronin

Lumenjët e kristalta

Nën këmbët e lisave të gjatë

 

Në oborrin me gurë e barë

Si katallani në Kështjellat

E durimit

E jetës i dihej fillimi

Mbarimi me dujqit e grisur

Kohën duke e tërhjekur

 

 

PSE QANË

 

Gjatë dënesi rrasa e zogut

Dënesjen ia dëgjuan

Vetëm ata që ranë

Nxerrësit e gurëve të kufirit

Pas një shekulli vaj e gjëmë

 

Kukuvaja këndoi mbi Koshare

Edhe në Boletin e Shalë

Salihu e Agimi ishin bashkë

Ti pse po na ndanë

Moj bushtër e huaj

 

Në rrasë të zogut në Koshare

Vranguj merimangash e penjsh

Tela me gjemba sjellë koha

Nga ajo botë mallkon Agimi

Edhe e Sali Çekut ishte fitorja

 

Mos na ndani o të mallkuar

Se na bashkuan idealet

Vragë e verbër udhë e ngushtë

Se në rrasë të zogut

Ju mallkon historia

E 118 zemra që ranë

 

 

KUR

 

Me dashuri përkëdhelëm diellin

Pellgjet e lotëve i mbushëm me rërë

Me buzët e njoma puthëm qiellin

E yjet nga Universi u ulën mbi qepallë

 

Gjatë dremitëm në shtratin e lum njomit

E mbi puplat e engjëjve puthëm Globin

E pritëm çastin më të lumur

Atdheut t’ia kthejmë borxhin

Kur nata e puthë gjumin

 

E hija u zgjatë deri në qiell

Dielli e fshehu syrin pas kodrës

E rrezet e para të mëngjesit

Kurrë fjetur nuk e zuri Nanëlokën

 

Mbi cepat e hënës këndonin

Zogjtë plisë bardhë

Gushëkuqët e rapsodët me

Historinë e lashtë të tokës nanë



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora