E enjte, 18.04.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Drita Lushi - ''Ëndërr''

E enjte, 25.04.2013, 08:37 PM


JETA ËSHTË SI NJË ËNDËRR E BUKUR

-Në vëllimin poetik “Ëndërr” të  poetes Drita Lushi, ndesh aromë jete dhe prirje të spikatura per t’i folur jetës dhe kohës me një gjuhë dashurie metaforike-

NGA PËLLUMB GORICA

Duke lexuar vellime poetike të poetëve, miq të mi, më ngjan se shëtit në lëndina ndjesish e impresionesh, i mrekulluar nga jehona e shpirtit të poetit dhe e magjisë së vargjeve. Poezia lexohet, shijohet, recitohet. Për të mund të flasësh e të shkruash pa fund, mbase dhe me “frikën” se po matesh me të. Ajo është një magji më vete, me të cilën poeti bën për vete lexuesit.

Të shkruash mbi poezinë e një poeteshe me vlerë dhe kërkuese, si Drita Lushi, është kënaqësi. Aq më shumë, kur kjo autore tenton të shprehë sfidën e saj krijuese, ndryshe nga shumë krijues të tjerë, që, përveç dëshirës dhe retorikës gri, si lidh asgjë me poezinë. Frymëzim i përmbledhur në vargje në vëllimin poetik “Ëndërr”. Në tërësi duket sikur poezitë plotësojnë mesazhin që përcjell titulli, por ajo mbetet e hapur për vazhdimësinë, luftën dhe përjekjen e rindërtimit të jetës, se poetja e bën hyjnore rrugën prej nga vjen dhe frymën që ajo u dhuron me rrugën qiellore, me lëvizjen dhe dinamikën e jetës. Yjet kanë botën e pakuptuar për dhimbjet, gezimet, që fshihen në dritën e ëndrrës, në murin e shpirtit pa themele. Kjo ëndërr i kapërcen edhe kohet,edhe motet e gjithçka ne harkun e pafundesive, në bukurine dhe driten e varur ne gershetin e çastit qiellor te dashurise e poetsha këto dashuri i ben të dukshme. Prej andej fluturimi është i pastër. Kjo pastërti, në përpjekje për mbijetesë, në kushtet e botës fizike, është sëndërtuar . Në poezinë e Drita Lushit ndesh aromë jete dhe prirje të spikatura per t’i folur jetës dhe kohes me një gjuhë dashurie metaforike.

Në dy vargje të poezisë së saj “Më ler të të dua” poetja, Drita Lushi, thotë:

“ Nuk vij si pushtuese, vij si dashuri”. Janë dy vargje shumë domethënëse që shprehin tërë motivet dhe përcjellin mesazhin kryesor të vëllimit “Ëndërr”. Këto dy vargje janë një trokitje e këndshme në dyert e zemrave e mendjeve të lexuesve dhe opinionit të përgjithshëm të tyre. Poetesha Drita Lushi ëndërrbukur, nëpërmjet fjalës së saj të kristaltë, plot emocion dhe elokuencë , kërkon të pushtojë gjithçka me dashurinë dhe përkushtimin e saj femëror. Kërkon t’u japë secilit dashuri e mirënjohje. Poetja e bën dashurinë shpatë dhe pret kokat e çdo të keqjeje, e bën penë dhe bojë dhe ngre male lavdie, e bën fllad ledhatues dhe depërton në çdo zagushi njerëzore, e bën këngë dhe hap dyert e çdo zemre dhe mendjeje të etur për jetë. Rrënjët e vërteta të jetës fillojnë tek dashuria e vërtetë, ëndrrat që lindin nga dashuria, janë frymëzuese dhe udhërrëfyese për të ardhmen. Dashuria është gjuha që e kuptojnë të gjithë, është gjuha që e flet çdo moshë ndaj dhe është e papërballueshme për cdo zemër, ndaj është qindra herë më pushtuese se çdo pushtues. Sipas poetes, vetëm nëpërmjet dashurisë thuhen: “Kushedi sa secrete, fjalë të pathëna, puthje të padhëna, urrejtje të shkuara në pergamene memece”.

Nëpërmjet detajeve të zgjedhura me kujdes, si “dy buzë që takohen”, flokët e dashurisë që hallakaten mbi gjokse të ndezura”, “trokitje pranverore “, që lajmërojnë përtëritje, poetja Drita Lushi e ndjen veten të rilindur në “planetet e dashurisë.” Aq shumë ëndërron dhe dashuron kjo poete, saqë, e dehur në lumturi, noton në detin e mirësisë tërë pasion dhe ndjenjë dhe pastaj shpërthen në ekstazë: “Unë jam e lumtur dhe qesh qesh me lumturinë time , sepse është imja “.

Drita Lushi jep mesazhin e madh se kur njeriu ka zemër, ka ëndrra, dhe, kur ka ëndrra, ka dëshirë për jetë,dhe, kur ke dëshirë për jetë, sfidon gjithçka. Ajo dënon me finesën femërore shpirtligësinë, xhelozinë, zilinë e mërinë, ngritur pa shkak kur shkruan : “Mos qep zilinë me lumturinë time”. Poetja është krenare dhe triumfuese, ëndërrimtare dhe e lumtur ,sepse dashurinë e kërkon me ngulm dhe sinqeritet aty ku është , bëhet fluide dhe është në gjendje të bjerë në dashuri edhe me diellin:“Kaluan vite e me diellin në dashuri rash, me shkelje sysh e buzëqeshje të arta”

Është kjo arsyeja që ajo hap çdo “valixhe shprese”, nuk bëhet “lodër e fatit” e kërkon e ndërton “dashuri tokësore” dhe është në gjendje të mbjellë kudo ëndrra të bukura, ashtu siç është e gatshme të ngrejë dallgë edhe në “pikën e lotit”: “Harrove ç’më the: Sonte unë dhe ti do mbanim natën zgjuar”.

Ajo, në një mënyrë të pathënë asnjëherë, gërmon me mall në vitet e vogëlisë dhe do të tipizojë bukur fëmijërinë e saj :“Një mollë e kuqe në gjysmëhënë kafshuar harruar në një lisharse buzë detit më thirri me emër të shkoja drejt saj.” Ajo kërkon të përjetësojë dashurinë e vërtetë për gjithçka, për njeriun e zemrës, për shokët e miqtë, për prindërit e saj, për jetën që gjallon, për bukurinë që triumfon. Me fjalë të thjeshta, ajo i ngre lapidar brenda qenies së saj babait të paharruar : “Kështu ndërtoj një lapidar brenda qenies sime. Një lapidar mbrujtur me kujtime mall e lotë”.

Kjo poete është gjithmonë në lëvizje, në zhvillim, në vrap pas këngës dhe ëndrrës, pas dritës dhe ajrit, rri gjithmonë zgjuar, duke iu shkëputur nga krahët gjumit të besdisshëm. Ajo  rend të kapë një ëndërr, të takojë të bukërën, t’i thurë kurora asaj. E përsëri ngutet, kërkon, lufton, mbledh ëndërra dashurie, sfidon kundërshtitë. Ajo ngutet. Për ku?. Pasi bën pre të zemrës së saj çdo gjë të bukur e njerëzore, ajo ndalet pak të pushojë nën përkëdheljet e prindërve apo puthjet e të dashurit Përgjigja nënkuptohet : Të prekë ëndrrat e shpresat e të jetoje në lavdinë e së ardhmes. “Ngutem të nis ditën e gjumit t’i zbuloj jorganin. Ngutem të përqafoj diellin e t’i marr rrezen e parë. Ngutem, ngutem shumë të jem njeri.” Ajo, në ecjen e saj, ka sigurinë e moshës dhe të mendjes , ndaj ajo thith agime pranverore dhe cdo gjë të bukur, të mirë, të dashur, i thotë me zemër të hapur :Mirëmëngjes! “Unë jam zgjuar në një blertësi dite, vetja nuk më tradhtoi, as unë atë. Mirëmëngjes, zgjim i ëndërruar! Mirëmëngjes!



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora