E enjte, 25.04.2024, 07:29 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Temë tabu e censurë në Tiranë

E enjte, 25.04.2013, 07:55 PM


RAPORTI I DASH – TEMË TABU E CENSURË NË TIRANË – SIDOMOS KUR PËRMENDET ILIR META

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

As një javë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku si zakonisht përfshihet edhe raporti për Shqipërinë, i cili ishte me nota shumë kritike.

Ky raport do të duhej të botohej në mënyrë integrale dhe të përhapej nga mediat e Tiranës, duke shërbyer si objekt i tryezave të rrumbullakta, temë për opinionistët dhe ballafaqim me politikanët e Tiranës. Por në fakt, reagimi ndaj tij ishte indiferenca dhe heshtja.

Raporti thekson midis të tjerave se «korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor mbetet një problem serioz; se « Institucionet shtetërore tepër të ndara në linja partiake, duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë minuar të drejtat e qytetarëve për të sifiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverinë e tyre»; se «Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarët për abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme», se “Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.»

Theksi kritik në Raport do të duhej të «kënaqte» opozitën, sepse faktet e hidhura të rreshtuara aty janë argumenta të patundura që duhet të shqetësojnë jo vetëm atë, por duhet të trondisin shoqërinë civile, mediat dhe gjithë shoqërinë. Në fakt të gjitha palët heshtën ose kush botoi diçka e bëri në mënyrë të përciptë dhe spekulative, sepse fshehu faktet ose i përmendi sipas interesit partiak.

Në Tiranë u kthye në tabu dhe u censurua në të gjitha nivelet kur në Raportin e DASH flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë dhe përmendet «vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e tregon atë të diskutojë për rryshfet».

Asnjë gazetë e Tiranës nuk e botoi pjesën e Raportit të Departamentit të Shtetit, kur ky Raport përmend Ilir Metën. Dhe ky fakt nuk u përmend nga asnjë opinionist, nga asnjë politikan! Nga asnjë mace dhe asnjë qen! Nga askush!

Vetëm Balkanweb e ka botuar raportin në anglisht, po e ka bërë kot, sepse vetëm gazetarët skrupulozë do të shkonin tek teksti. Dhe në Tiranë mungojnë të tillët. Pasi ata e kishin tekstin në shqip, të gatshëm dhe e shmangën edhe gazetat dhe mediat e Tiranës e shkuan deri aty sa nuk botuan dhe e censuruan edhe versionin e Zërit të Amerikës shqip, ku përmendet Ilir Meta.

Kur arrihet dhe censurohet Zëri i Amerikës, ju lutem, a e merrni me mend se në çfarë niveli është censura në Shqipëri?

Po jua them unë, censura është si në diktaturë, nëse kihet parasysh sot IT - Information technology - dhe fakti se jetojmë në mileniumin e tretë!

Tashmë dihet botërisht se politikanët e Tiranës kanë mediat nën kontroll absolut, dhe se përpiqen për të mbajtur nën kontroll edhe rrjetet sociale duke filluar nga Facebook që është më i populluari.

Tre javë përpara u përpoqa të dialogoja me Kreshnik Çollakun, që dje u emërua zëvendësministër i Jashtëm, pas një statusi të tij, ku shkruante se „tani që Ilir Meta u largua nga koalicioni, 40 % e elektoratit demokrat që i iku PD prej tij, tani me zhbërjen e aleancës, do t’i rikthehen“ (!!!) Merrni me mend se çfarë absurditetesh nxjerr nga truri një zyrtar i lartë dhe kur u përpoqa të komentoja dhe t’i thosha se shqiptarët demokratë nuk janë lopë që gënjehen me bar, ai nisi të më fyente si të ishte një stalinist i fëlliqur.

Merreni me mend, kur bëjnë shantazh nëpër rrjete sociale se çfarë kontrolli ushtrojnë në shtypin e shkruar dhe atë viziv.

Prandaj nuk e përmendi askush raportin e DASH ku përmendet Ilir Meta, sepse ky fakt në raport i diskretiton të gjitha palët. Edhe Sali Berishën, edhe liderin e PS, që sapo ka filluar muajin e mjaltit me Ilir Metën, i cili nuk bëri asnjë reagim serioz ndaj raportit të DASH, veç në Twitter më 19 prill komentoi se „Raporti i Departamentit te Shtetit një flakerime syve te pushtetit te korruptuar qe po rrenon Shqiperine! Ky pushtet eshte nje turp kombetar“. Po kur DASH përmend Ilir Metën nuk e tha asnjë fjalë!

Ky është niveli i integritetit të klasës tonë politike, i shoqërisë civile dhe mediave të shkruara e vizive! Të cilat duhet të shkunden, sepse kur censurojnë dhe e kthejnë në tabu raportin e DASH, merreni me mend se si mund të çajnë kokën për hallet dhe dertet e popullit dhe të shqiptarëve të thjeshtë!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora