E enjte, 25.04.2024, 05:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihallaq Andrea: Magjepsem me ‘Serenatat e Rumiut’

E shtune, 10.05.2008, 09:50 AM


Mihallaq Andrea/ Që në mesin e shek.XIX në Korçë ka pasur grupe të vogla që luanin në violinë dhe gajde

Magjepsem me ‘Serenatat e Rumiut’

Nga Albert Zholi

Ai tashmë quhet “Magjistari i serenatave korçare”. Një njeri që nuk e percepton dot veten pa kitarën dhe pa muzikën. Një njeri që gjithë jetën e ka lidhur me këtë gjini muzikore. I qetë, i vëmendshëm, fjalë plot muzikalitet ai në bisedë duket sikur këndon. Korça i dha atij muzën e serenatave ai i ka dhënë Korçës pavdekësinë e tyre. Pra një trio e pazgjidhme Korçë-serenatë-Mihallaq. Ata nuk bëjnë pa njëri -tjetrin. Dhe pse me kurorën e lavdisë së serenatave, ai nuk e tradhëtoi asnjëherë vendlindjen dhe pse ofertat për lëvizje kanë qenë nga më të ndryshmet. Politikën nuk e ka përqafuar kurrë, pasi telat e kitarës dhe serenatat që ngjasojnë me melodinë e zogjve të pyllit në mëngjes pranvere, janë politika hyjnore që zbusin shpirtrat njerëzorë, largojnë hallet dhe streset dhe bëjnë çdo politikan të ulet në karrigen e harresës së vetvetes dhe të marrë erën e vërtetë të paqes dhe shëmbëlltyrës së ndjeshmërisë njerëzore. Si çdo artist ai është i etur për aventura, por jo në ato çmenduraket që trondisin shpirtrat njerëzorë, por në aventura që përçojnë emocione të reja në kohëzimet e ndryshme. Në jetë një njeri i zakonshëm, paqësor, i sinqertë, familjar, i dhemshur, në kitarë një “përbindësh”, që sundon hapësirat e ambienteve duke i bërë dhe muret të kenë veshë nën magjinë e tingujve brilantë të serenatave të patjetërsueshme shqiptare apo më mirë të themi: korçare.

-Ku ka lindur Mihallaq Andrea?

-Kam lindur në vitin 1949 në një familje të mesme korçare.

-Ku e keni bërë shkollën fillore dhe kush ju ka zbuluar si talent në shkollë?

-Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e kem kryer tek shkolla ‘7 Nëntori’ Korçë, sot “Sevasti Qirjazi”. Në të vërtetë kam qenë nxënës shumë i urtë dhe i edukuar, traditë kjo që trashëgohej nga familja ime. Kam pasur talent në vizatim e pikturë dhe në fund të klasës të 7-të, kam fituar edhe konkursin për të hyrë në liceun artistik, por për shkak të biografisë u anashkalua talenti im, talent që e trashëgon tani vajza ime, Klaudia. Sa për të kënduar nuk shquhesha kushedi se çfarë, më shumë kënaqesha duke dëgjuar babin tim kur këndonte me zërin e tij brilant. Babai ka qenë drejtor ndërmarrje deri në vitin 1957 kur vëllai ynë studionte në Gjermani dhe nuk u kthye më. Kuptohet, kalvari i vuajtjeve sapo filloi. 

 -Kur keni kënduar për herë të parë në skenë dhe ku?

Në vitet e gjimnazit, natyrisht, fillova të luaja në kitarë dhe të këndoja me shokët, ndërsa në skenë për herë të parë kam kënduar në 1968, në estradën profesioniste të qytetit të Korçës.

 -Si titullohej kënga juaj e parë dhe emocionet?

Isha vetëm 14 vjeç dhe kisha filluar të luaja në kitarë. Më thërret një shok për t’i akorduar kitarën e tij. Tek porta fillova ta akordoj, kur një vajzë, në moshën time, më zgjat një copë letër, ku ishte shkruar një poezi dhe më pyet nëse mund ta bëja këngë. Mbas dy javësh këngën e përfundova, ajo u përhap shumë shpejt sa edhe sot këndohet pothuaj në të gjithë Shqipërinë. Dhe është pikërisht kënga me këto vargje:

A të kujtohet ajo natë

kur duart mi hidhje në qafë etj etj…

-Kush kanë qenë vitet më të bukura të rinisë dhe si i kalonit netët me shokët në Korçë?

-Për të gjithë, vitet e rinisë janë më të bukurat, por unë kam pasur një pasion të veçantë për malin dhe pyjet dhe shokët dhe miqtë e mi i kisha të tillë. Natyrisht, kitara nuk më largohej nga supi në ekskursionet e bukura në pikat turistike të qytetit të Korçës. Krijova edhe disa këngë të tjera me poezitë e mia, të cilat këndoheshin me pasion nga rinia korçare. Por fillimi i mirëfilltë në krijimet e mia ka qenë viti ‘69 kur në qytetin e Shkodrës kryeja shërbimin ushtarak, ku së bashku me shokun tim të ngushtë, Raqin, kemi krijuar 14-15 këngë, të cilat këndohen edhe sot.

 -Dita më e bukur e jetës suaj skenike kush ka qenë?

 -Në vitin ‘70, në mars, dal në skenë me estradën profesioniste  me dy këngë të sapokrijuara nga unë dhe duartrokitjet nuk kishin të mbaruar. Mirëpo pas Festivalit të 11-të, mua më hiqet e drejta për të kënduar dhe krijuar, më heqin nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me motivacionin se kisha krijuar këngë dekadente dhe sentimentale, por që në mbledhjet e teatrit dhe estradës profesioniste theksi u vu tek biografia ime. Në mars të vitit 1990 artisti i madh Aleko Prodani, miku im, më takon dhe më propozon një recital me estradën profesioniste, me këngët e mia dhe aktorët Zamira Kita dhe Vaske Çeçe. Dhe çuditërisht komiteti i partisë e kishte aprovuar këtë spektakël. Dalja ime në skenë mbas shumë e shumë vitesh ishte sadisfaksion i jashtëzakonshëm për mua.

-Po dita më e keqe?

-U pregatita me të ndjerin aktorin Stavri Shkurti për të konkuruar në Akademinë e Arteve, fitova, por nuk më lejuan të vazhdoja  sepse kisha biografi të keqe. Jam ndjerë jashtëzakonisht keq.

 -Ku e kanë zanafillën serenatat korçare?

-Gjyshi im ka qenë mësues. Prej tij dhe babit tim kam mësuar shumë mbi historikun e serenates korçare. Që në mesin e shek.XIX në Korçë ka pasur grupe të vogla që luanin në violinë dhe gajde dhe me këto vegla bëheshin dasmat e gëzimet e tjera. Dalëngadalë me daljen e korçareve nëpër Europë, si: Bullgari, Rumani, Greqi, Francë etj, në qytetin e Korçës në fillimet e shek.XX e gjetën me disa grupe mandolinash të krijuara pikërisht nga këta emigrantë që mbartnin me vete edhe muzikën e vendeve, ku kishin emigruar. U krijuan edhe këngët e ashtuquajtura serenatat e para, si psh: “Varka po niseshe”, “Kapiteni i ri” etj, këngët korçare që këndohen edhe sot. Rreth viteve 1915, mbas ‘lirimit’ shekullor nga Turqia, korçaret vërtet i kushtuan vëmendje të madhe muzikës. Një muzikant i quajtur Nasi, i ardhur nga emigrimi sjell shumë këngë serenate, të cilat u përvetësuan menjëherë nga qytetërimi korçar,psh: “çelu-çelu, korçare e bukur”, “Dëbora zbardhi malet” etj.. Mbas tij edhe shumë muzikantë të tjerë ju përkushtuan serenatës korçare. Ato përhapeshin me shpejtësi dhe u bënë pjesë e kulturës korçare.

-Sa këngë keni regjistruar në repertorin tuaj?

-Këngët e mia nuk i kam numëruar dhe nuk di të jap një shifër të saktë, po them se kalojnë 400-tën. Megjithatë jo të gjitha këndohen dhe mbahen mend. Ato që i njeh gjithë Shqipëria dhe shqiptarët dhe që i këndojnë nuk mund të jenë më shumë se 20, dhe janë pikërisht serenata dhe jam i bindur se pak  e dinë se kush është autori i tyre.

-Tekstet e këngëve, kë kanë për autor?

-Pjesën më të madhe të këngëve i kam krijuar me poezitë e mia. Ndërsa vite përpara kam bashkëpunuar me shokët e mi, pastaj me poezitë e Koçi Petritit, Skënder Rusit etj. Vitet e fundit bashkëpunoj me poetin dhe shkrimtarin Riza Lahi që tani me është edhe miku im. Më pëlqejnë poezitë e tij sepse kanë brenda inteligjence dhe pastërti. Riza Lahi ka përkthyer të madhin Xheladin Rumiu, poetin e madh iranian, në mënyrë të përkryer. Më pëlqyen aq shumë rubairat e përkthyera me aq mjeshtëri dhe  krijova një album me 9 këngë me këto poezi që i kam quajtur ‘Serenatat e Rumiut’. Para dy muajsh mbarova albumin me 11 këngë të krijuara dhe orkestruara nga unë me poezitë e nje poeteje të re, por shumë të talentuar, Antoneta Brozi/Gaci.

 -Sa është i lidhur me librin Mihallaq Andrea?

-Dikur kam lexuar shumë, tani më pak.

 -A jeni marrë ndonjëherë me politikë?

-Nuk më pëlqen pothuaj fare politika megjithëse kam pasur propozime nga dy partitë e mëdha, të djathtë dhe të majtë.

 -Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri?

-Serenatat nuk mund t’i krijosh dot po nuk pate shpirt të ndjeshëm e të butë. Unë i quaj ato ‘këngë shpirtërore’ që në vetvete reflektojnë dashurinë e sinqertë. Pëlqej shpirtin e butë të njeriut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranoj shpirtligësinë tek të tjerët..

 -Shihet sot se kënga popullore shqiptare dhe serenata e famshme po deformohen, mendimi juaj për këtë deformim?

-Në fillimet e demokracisë shqiptare deformimet u hapën keq në shumë fusha të jetës, por më keq akoma në art. “Këngëtarë e muzikantë” të dalë nga hiç-i zëvendësuan muzikën tradicionale popullore shqiptare me haremet turke dhe greke, të cilat ia servirën në mënyrën më të keqe popullit. Megjithatë unë nuk kuptoj dot sesi njerëzit ranë pre e kësaj “muzike popullore”. Tani po shikoj me kënaqësi se dalëngadalë ato pseudo-këngë po zëvendësohen me muzikën e vërtetë popullore shqiptare dhe me serenatat e bukura korçare. Unë personalisht me iniciativën time, 10 vjet përpara kam krijuar një shoqatë kulturoro-artistike që quhet “Serenatë Korçare”. Çdo vit ne organizojmë javën e serenatës korçare në qytetin e Korçës, me këngët më të bukura të serenatës në vite. Megjithatë unë kam mendimin se vazhdimisht serenata korçare duhet të pasurohet me këngë të reja të dala nga shpirti  i sinqertë i korçarit. N.q.s diçka është deformuar nga serenata, tani nuk ndodh më. Gjithçka është riparuar, ajo këndohet ashtu si në gjenezen e saj. Vërej me shumë kënaqësi se rallë mund të ketë bar ku serenata korçare të mos dëgjohet. Ajo po zëvendëson dalëngadalë atë muzikë bastarde të dalë nga vitet e para të demokracisë.

 -Ç’mendim keni për këngëtarët e rinj dhe muzikën e lehtë që krijohet tani?

-Më duket se këngëtar është i gjithë populli…, këndon kush t’i teket nëpër studio dhe bëhet këngëtar. As që bëhet fjalë se deri tani mund të dalë një Frederik Ndoci i dytë. Sa për muzikën e lehtë që tani krijohet dhe orkestrohet, a nuk ju duket edhe juve se janë të gjitha pothuaj njëlloj?! Janë shumë të ralla këngët që mbahen mend gjatë.

 -Këngëtarët e preferuar?

-Për mua dy janë përmendoret e muzikës së lehtë shqiptare: Vaçe Zela dhe Sherif Merdani.

 -Ushqimi i preferuar?

-Peshku i zgarës, patjetër.

 -Ç’është familja për Mihallaqin?

-Si për çdo njeri familjar, familja është kuptimi i jetës.

Ç’do të bëje n.q.s do ishe i pasur?

E para, është një pyetje pak e vështirë sepse akoma nuk e kam provuar çdo të thotë të jesh i pasur. Por mendoj se të parën gjë që mund të bëja do të ishte: me çdo kusht do të ndihmoja njerëzit që kanë nevojë për ndihmë (invalidët). Një ditë kisha qëndruar me makinë përpara Akademisë së Arteve në Tiranë, kalon para meje një invalid me karrocë, e shtynte një grua. I zgjati dorën një makine për t’i dhënë diçka. Atëherë unë nuk prita më, por e thirra dhe i dhashë 5000 lekëshin e fundit që kisha në xhep. Gjithashtu kam tmerr kur mendoj fëmijët që mbeten dhe rriten pa prindër. Do të bëja gjithçka që ata të ndjenin sa më pak mungesën e tyre.

-Përse Korça quhet qyteti i serenatave?

S’ka qytet tjetër.. Ku e ka zanafillën ky emërtim?

Që Korca është quajtur “qytet i serenatave’, e  ka merituar. Ajo ka ardhur natyrshëm. Askund tjetër përveçse këtij qyteti nuk i është kënduar vajzës nën ballkon apo dritare me aq dashuri dhe prindërit e saj të dalin dhe të të qerasin me karamele dhe raki. Kjo tregon një civilizim dhe kulturë të mjaftueshme evropiane. Dhe pikërisht, ishin qytetarët korçarë që zotëronin këtë kulturë dhe që krijuan këtë lloj muzike, të ëmbël e të sinqertë, shpirtërore që quhet “serenatë korçare”. Ishte kultura e mjaftueshme e qytetarit korçar që Korça të quhej ‘Parisi i vogël’. Rrugët e saj me kalldrëm, të pastra me shtëpi dhe ballkone, të cilat bien direkt në rrugë kanë parë e dëgjuar këngë serenate aq shumë sa edhe ekzistenca e tyre.  Pikërisht rreth viteve ‘20 të shekullit të kaluar janë krijuar edhe këngët e para të serenatës korçare, që pastaj u zhvilluan nga  muzikantë të talentuar korçarë që kishin emigruar ose studjuar jashtë, që kjo lloj kënge, që ka brenda saj edhe arjen operistike, t’i jepte qytetit këtë titull kaq të bukur, “qytet i serenatave”.

-Ç’është dashuria për Mihallaqin?

Ashtu si na mëson edhe bibla: “dashuria është dashuri”. Ky përkufizim më duket se përmbledh gjithë fuqinë  e saj.

-Keni shkruar poezi. Po prozë?

Poezi kam bërë me këngët e mia. Pra disa tekste serenatash. Ka kohë që vazhdoj të shkruaj një roman, i cili nuk është se do të jetë shumë voluminoz, por shpresoj të ngjallë interesin e lexuesit. Romani trajton historikun e dy familjeve shqiptare qysh në kohën e Gjergj Kastriotit dhe pastaj më vonë rreth shek.XVIII që trajton ngjarje të luftës ruso-turke, e pastaj më vonë ngjarje të shek.XX deri në ditët tona. Aty përfshihet, shkruar artistikisht edhe biografia e jetës sime.

-Në Shqipëri shtohen divorcet dhe mendohet se femra ka shumë liri, mendimi juaj?

Nuk mendoj se në Shqipëri femra ka shumë liri. Dhe divorcet nuk mendoj se kanë shkaktar vetëm femrën. Janë burrat, pikërisht ata që më së shumti kërkojnë divorc. Nuk mund të bëj dot analize se kush është shkaku, por përsëri mendoj se emigracioni është shkaktari kryesor. Disa të tjerë thonë se varfëria është edhe ajo një shkak.

-Ju keni një makinë që e ngisni vetë. Ju pëlqejnë udhëtimet?

Po. Ashtu siç kam qenë i apasionuar pas malit dhe pyjeve edhe tani jam i dhënë pas udhëtimeve. Do t’ju tregoj diçka interesante. Mua dhe 4 shokëve të mi para dy muajsh na lindi ideja që të shkojmë në SHBA pikërisht me makina, me dy makina.

-Do kaloni oqeanin me makina     (e pyes duke qeshur)

 (Qesh dhe ai). Dëgjo. Kemi përcaktuar intenerarin. Pra: Maqedoni, Bullgari, Rumani, Ukrainë, Rusi, mespërmes Siberisë, pastaj me traget do të bëjmë 100 km-at në det që ndan Siberinë nga Alaska, Kanada dhe SHBA. Këtë aventurë e kam marrë seriozisht dhe n.q.s vitin që vjen do të gjejmë sponsorë ne do ta ndërmarrim këtë udhëtim që mendojmë të zgjasë rreth 25 000 km, pak më shumë se gjysma e perimetrit të tokës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora