E premte, 19.04.2024, 11:24 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Ta duash kombin nuk është nacionalizëm!

E merkure, 24.04.2013, 09:05 PM


Ta duash kombin nuk është nacionalizëm!

Goditjet kundër qenies kombëtare kanë filluar në Tiranë, janë dyfishuar me egërsinë e goditjes në Prishtinë, rrezikojnë seriozisht qenien kombëtare të shqiptarëve në Shkup, përkatësisht në tërë arealin shqiptar të asaj hapësire, që e kanë këtë kryeqytet dikur puro shqiptar...

Nga Gani MEHMETAJ

Asnjëherë më shumë se sa tash nuk patëm nevojë për kultivimin e krenarisë kombëtare e atdhedashurisë. Asnjëherë më shumë se sa tash nuk lipset ruajtja e kultivimi i traditave pozitive me vlerat burimore që na mbajtën zgjuar, duke na mobilizuar ta kultivojmë qenien kombëtare. Kurrë më parë nuk është kërkuar më shumë vëmendje që t’u kundërvihemi sulmeve të furishme nga të gjitha anët ndaj kulturës sonë, ndaj traditës, gjuhës, kujtesës historike, dhe gjithë asaj që na bënë të veçantë në Gadishullin Ilirik e më gjerë. Disa ish pushtues e fqinj të dhunshëm, në emër të ndihmave e marrëdhënieve korrekte, përpiqen të na imponojnë vullnetin e tyre me agresivitet. Disa shoqata të dyshimta, pasluftën, kur armiku na i dogji të gjitha e shfrytëzuan ta kthejnë një pjesë të  varfërve tanë në mesjetë. Një lukuni mercenarësh tonë thonë t’i pranojmë këshillat e ish- pushtuesve: ta harrojmë traditën, t’i përbaltim heronjtë tanë dhe t’i quajmë çlirimtar ish okupuesit mizor.

Fyerjet e përpjekjet për denigrim të personaliteteve historike, janë intensifikuar si kurrë më parë. Derisa ato sulme dikur vinin nga serbët, kur ishim nën okupimin e tyre; nga turqit kur na mbanin me forca ushtarake; nga grekët që zhvatnin territore tona, ndërsa tepër rrallë nga ndonjë renegat shqiptar, sot më shumë se kurrë ato sulme vijnë nga shqipfolësit, të cilët në pjesën më të madhe nuk janë shqiptar, por flasin shqip dhe jetojnë në mesin e shqiptarëve. Nuk është e vështirë t’i identifikosh edhe nga pamja. Një pjesë e tyre mbase janë shqiptarë, por me ndjenjën e zvetënuar kombëtare, janë kozmopolit të  pa atdhe, me ndjenjën e qyqarisë para  kombeve “të mëdha”.

Dikur të tillët e ndjenin vetën të vegjël e të mjerë para serbit, sot e ndjejnë vetën të vegjël e të mjerë para turkut e grekut. Kjo kategori mercenarësh na kritikojnë kur i mburrim heronjtë tonë kombëtar, këmbëngulin të sajojnë kombin kosovar, thua se jemi aq shumë sa duhet të ndahemi sipas feudeve, por më shumë e bëjnë për t’ua bërë qejfin të tjerëve; ndjehen si në thera kur flasim a shkruajmë për të kaluarën me të cilën mburremi; shikojnë me druajtje se si do të reagojnë fqinjët tanë; ata kritikojnë ashpër kur burrështetasit tanë konstatojnë se Preveza apo Janina ishin territore shqiptare. Si do të reagojnë në Athinë, shkruajnë të skandalizuar këta kujdestar ndaj nacionalizmit shqiptar, e tolerant ndaj shovinizmit grek, thua se fqinjët janë ata që e përcaktojnë strategjinë tonë kombëtare.

Sa herë e mburrë kombin apo vihet në mbrojtje të personaliteteve historike ndonjë shkrimtar i madh, ata nxitojnë që ta vlerësojnë nacionalist. Është fatbardhësi që cilësimi i tyre nuk ka pasoja, sikurse dikur në ish-Jugosllavi, kur për cilësime të tilla të arrestonin. Është batbardhësi që shkrimet e tyre të porositura nuk kanë ndikim, mirëpo sikur kanë filluara të na bëjnë imun më kundër shqiptarizmin që e propagandojnë.

Nëse intelektualët e figurat eminente të letrave shqipe bëjnë thirrje që të tillët dhe, ata që po fundosen në baltën e të qenit i vogël, t’i vënë gishtin kokës, të këndellen, mjeranët përpiqen të kundërvihen me sulmet agresive.

Shihi gazetat e do të mbetesh pa mend: perandorinë osmane, e cila ishte perandoria më mizore ndaj shqiptarëve, e quajnë “çlirimtare”, ndërsa fenë që na e ngulitën me gjak e më dhunë e quajnë “shpëtimtare” të kombit. Mercenarët e njëjtë shqipfolës, deri dje edhe serbët i quanin miq, më të cilët thoshin ata, e kemi fatin e pazgjidhshëm në shtetin e përbashkët. Kur vlerësimi i tyre profetik doli shterpe, iu ngjitën dikujt tjetër, sepse ata s’mund të jetojnë pa tutor.

Kur mohohet qenia kombëtare

Dikur ishim nën okupimin e ish- Jugosllavisë, por e kultivonim atdhedashurinë sublime e të zjarrtë. Me krijimin e rrethanave të reja, pra kur iku pushtuesi nga Kosova, apo ra diktatura në Shqipëri, në vend të kultivohej edhe më shumë atdhedashuria e krenaria kombëtare, në mënyrë që të kanalizoheshin energjitë pozitive për ta ndërtuar vendin, sikur po na e zë frymën ndjenja e vetëmohimit: e përbuzim qenien kombëtare duke i himnizuar të huajt, e përbaltim atdheun, duke paraqitur jetën “parajsore” në shtetet tjera. Është e habitshme që edhe në planin shpirtëror e kulturor bëjmë hapa prapa: enklava të tëra pranojmë vlera shpirtërore e kulturore të cilat  i kemi flakur apo i kemi kundërshtuar e përbuzur para njëqind vjetësh, përkatësisht që nuk  i kemi pranuar kurrë. Depërtimi i frymës orientale shkretinore është e frikshme në disa enklava shqiptare. Gjithë bota e qytetëruar e ndjekin modën e Parisit, Londrës e të Nju-Jorkut, ndërsa një pjesë e shqipfolësve kanë filluar të vishen e të kopjojnë modën e beduinëve të shkretëtirave arabe, kinse në emër të fes. Gjithë bota e qytetëruar e kultivojnë tolerancën, grupimet e tilla e propagandojnë dhunën kundër mendimeve ndryshe dhe kundër feve të tjera, duke e mohuar madje edhe qenien e tyre kombëtare. Gjithë bota flasin për barazinë e burrit e të gruas, ata flasin për nënshtrimin e gruas ndaj burrit.

Dikur ishim në gjendje të sikletshme, kishin mijëra arsye grupet dhe individët të ishin të frustruar, t’ia bënin qefin okupatorit për të shpëtuar kokën e familjen,  por megjithatë, me përjashtime, njerëzit qëndruan. Na patën rënë në qafë, por mbroheshim dhe dinim të ruanim dinjitetin kombëtar, integritetin shpirtëror dhe krenarinë, na patën rënë në qafë duke na akuzuar me izmat nga më të çoroditurat, (fundamentalistë, islamistë, herë nacionalist e irredentist) por në frymonim shpirtërisht dhe kulturalisht mendësi europerëndimore, na patën ngulfatur, por ne asnjëherë nuk e kërkonin dhe as na duhej ndihma e beduinëve dhe e ish perandorisë osmane. Sot kut nuk e kemi asnjë presion që na e rrezikon qenien kombëtare, se si u nënshtrohemi presioneve të shoqatave të dyshimta, terrorit të hurmave, ndërsa organet qeveritare nga presioni i lobeve të ndryshme i shohin nëpër gishtërinj veprimet e paligjshme të shoqatave të tilla që propagandojnë mos durimin ndër shqiptar, të cilave do t’ua shohim sherrin.

Të skandalizojnë një grusht kuazi intelektualësh të cilët dalin nëpër televizione, shkruajnë nëpër gazeta fetare, duke propaganduar në mënyrë të pacipë dukuri e fenomene të shëmtuara. Të duken sikur talibanë apo mulla të Homeinit.  Shkallë-shkallë kësaj lukunie nga presioni i lobingjeve të caktuara iu dha legjitimiteti në medie për të sulmuar traditën tonë fetare, të kaluarën me të cilën mburremi, tolerancën dhe qenin kombëtare me mendësinë evropiane.

Shqiptari dhe peshku!

Goditjet kundër qenies kombëtare kanë filluar në Tiranë, janë dyfishuar me egërsinë e goditjes në Prishtinë, rrezikojnë seriozisht qenien kombëtare të shqiptarëve në Shkup, përkatësisht në tërë arealin shqiptar të asaj hapësire, që e kanë këtë kryeqytet dikur puro shqiptar.

Para sulmeve të këtilla, sidomos në territoret shqiptare të sunduara nga sllavet, pjesa e madhe e intelektualëve tanë, sillen më shpërfillje të pafalshme, ndonjëri syresh mbron pikërisht këtë frymë talibanizmi kulturor e shpirtëror, duke mburrur frymën antikombëtare, kinse si rojtare të kombit.

Të ne po ndodhin disa fenomene të çuditshme, të cilat nuk ishin më parë. Shpërfaqet diçka që s’ta kapte mendja. Mbase këtë ndryshim e shpjegon barsoleta e japonezit,  shqiptarit dhe peshkut. Takohen shqiptari e japonezi. I tregon japonezi se si ia imponon vullnetin e vet gjithë botës, pra edhe peshkut. Si e pyet shqiptari? “E shikoj në sy peshkun”, ia demonstron japonezi, “kur unë e lëviz kokën në të djathtë, peshku lëviz në të djathtë, kur unë kthehem në të majtë edhe ai e bënë të njëjtën gjë”. Shqiptari mburret se edhe ai mund ta bëjë një gjë të këtillë. Pas gjysmë orësh kur kthehet japonezi, pasi e ka lënë të provojë eksperimentin me peshkun, e sheh shqiptarin se si përballë peshkut në akuarium, lëvizte buzët mu si peshku.

Duket që një kategorie të bashkëkombësve tanë gjithkush po ua imponon vullnetin e tyre, madje edhe peshku i pa tru.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora