E enjte, 25.04.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Rezart Palluqi: Kostumi i shkon budallait

E marte, 23.04.2013, 08:17 PM


Kostumi i shkon budallait, dhëndrit dhe të vdekurit

Nga Rezart Palluqi

Kam qenë dhe jam përkrahës i idesë se bota e brëndshme dhe e jashtme e njeriut duhet të jenë në ekuilibër. Prandaj dhe refuzoj të vesh kostum. Mendja ime është si një arë gruri e shpartalluar nga harabelat. Mendja e poetit dhe e artistit është doktori i premtimeve ose fjalëve të tradhtuara. Kështu që ajo,- pra unë në këtë rast- rrallë herë ose kurrë mund të jetë aq e bukur dhe e rrafshuar si stofi i bukur dhe hekurosur me vizë në mes i kostumit.

Merrem 24 orë në ditë me fjalët e tradhtuara. I mjekoj plagët, i ngushëlloj.  Prandaj edhe refuzoj tia plotësoj dëshirën bashkëshortes time, kur më kërkon shpesh të vishem në kostum.

-E kupton që nuk e kam përqëndrimin shpirtëror të vesh kostum ? Edhe po ta vesh, mendimet e thella do i ngrijnë flokët përpjetë, rrudhat e ballit nuk do ctendosen. Fytyra ime do jetë po aq e shqetësuar, dyshuese dhe e zemëruar sa kur vesh rroba të zakonshme. Një herë në jetë e kam merituar kostumin.

-Mos më thuaj se kjo ishte dita kur u martuam?

-Po. Ditën e dasmës bota ime e brëndshme u shkri në një me botën e jashtme. Atë ditë poezinë dhe dhimbjen njerëzore arrita t’i vë në gjumë. Atë ditë zemra dhe truri u bënë kapaku dhe tenxherja e njëri-tjetrit.

-Ah më fal. Harrova! Kostumi më ka hije dy herë në jetë!

-Muza ime, fytyrë lëkurëtrashë, trup të lidhur si peshngritëse, mi nguli sytë e bukur ngjyrë vjeshte me kuriozitet por edhe frikë.

-Kostumi më ka hije edhe kur të vdes. Sidomos kostumi i zi. Dhe të them të drejtën bota ime e brëndshme, atëherë e vdekur, e nxirë nga tymi i zi i botës, do jetë po aq  e zezë sa stofi i kostumit. Prandaj dhe them, se atëherë kostumi do më bëjë hije të rrallë. Si brënda, si jashtë njëlloj, e kupton?

-E di që po më tremb kohët e fundit? Ajo dreq letërsie… Kush e shpiku xhanëm? Është bërë burri si i lojtur. E sheh si të janë nxirë sytë ? Ah sikur të mos ishe shkrimtar sa e lumtur do isha o Zot?

Shoh në sytë e muzës time dy pika loti. Muza ime me mendje të kthjellët ka pirë boll diell në arat e mbjella të fshatit ku lindi. Diellin ajo e ka vështruar pingul dhe jo pjerrët, prandaj edhe 2+2 për të bëjnë 4. Atë e drejton inteligjenca praktike në çdo hap.

-Mendo prag e përbrënda. Portofoli plot, zemra gjithashtu është plot- më qorton ajo rregullisht.

Në vend të përgjigjes këpus një gjethe tulipani të larë me vesë holandeze dhe i fshij lotin.

Atë çast, kalon përbri nesh një djalë me kufizime mendore, ose budalla në gjuhën popullore. Ai qesh pa pikë meraku, shtrembëron buzët pa arsye (jo si unë që i përvesh buzët nga mendimet që kërkojnë rrugëdalje), më shikon në sy pa ndrojtje. Shikimi i tij është po aq naiv dhe i sinqertë, sa drita e diellit. Drita e tij nuk mendon nëse depërton në shtëpinë e një krimineli apo artisti.

Djali e reflekton në fytyrë fuqishëm dhe realisht botën e tij të brëndshme. Buzëqeshja e tij e pastër, edhe pse vizatohet në fytyrën e tij të deformuar, rrezaton kaq bukur, çiltër. Ai i buzëqesh të gjithë njerëzve, pa u menduar nëse njerëzit janë të dëmshëm ose jo për të.

-Kostumi përputhet bukur edhe në trupin e këtij djalit.

-Këtij torrollakut ?

-Po.

-Zemër, po më shqetëson. Nuk je i lumtur me mua?

Përpiqem t’i sqaroj muzës time, se mendimet e këtij mëngjesi, tronditëse, siç i formulon ajo, nuk kanë të bëjnë me lumturinë, sjelljen dhe dashurinë e saj ndaj meje.

Këputa dy tulipanë dhe renda t’i jap një djalit me kufizime mendore dhe një muzës time.

-Do përpiqem të të dhuroj vazhdimisht lule, por mos më kërko të vishem në kostum. Ma premton këtë?

Djali me kufizime mendore, i gëzuar dhe emocionuar nga gjesti im romantik, m’u hodh në krahë. U ndjeva për pak sekonda po aq i lumtur sa ai. Ato pak çaste përfytyrova veten time të veshur në kostum…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora