E enjte, 25.04.2024, 01:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Lavdrim Lita: Labova e Madhe dhe Labovitët

E marte, 23.04.2013, 09:33 PM


Labova e Madhe dhe Labovitët në stetoskopin e Dr. Fedhon Meksit

Nga Lavdrim Lita

Labova e Madhe, e njohur nga të gjithë shqiptarët si vatër e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe banorët e saj, labovitët e njohur për dashurinë atdhetare në kohë të pasigurta, kanë në gjirin e saj një pasardhës të frymës së Rilindësve që përkujdeset të kultivojë modelin e një shqiptari të mirë. Ky personalitet me origjinë nga Labova e Madhe quhet Fedhon Meksi, me profesion mjek dhe në kohën e lirë gjurmues shkencor, i cili ka shkruar një libër me titull: “Labova e Madhe dhe Labovitët, gjurmime në vite”, në të cilën jep informacione të munguara jo vetëm në “Historinë e Popullit Shqiptar”  por edhe në enciklopedinë e njerëzve të mëdhenj të panteonit të kontribuuesve të Kombit  Shqiptar.

Mjekët nuk shkruajnë vetëm receta.  Doktorët në çdo shoqëri kanë pasur monopolin e njohurive për botën qelizore dhe asaj çka ndodh brenda njeriut, janë eksploratorë të sëmundjeve, të dhimbjeve, të luhatjeve emocionale dhe psikologjike, që përbëjnë topografinë shpirtërore të një njeriut. Dr. Fedhon Meksi nuk e ka ndalur stetoskopin tek bota përbrenda njeriut, por ka dashur të kuptojë çka e nxit njeriun të jetë kurioz, guximtar, sedërmadh, patriot dhe për më tepër labovit i madh.

Dr. Meksi e njeh mirë Labovën, i njeh mirë labovitët e mëdhenj, ka gjurmuar për vite me radhë jetën dhe veprimtarinë e tyre në shekuj. Për këtë arsye ka shkruar edhe një “enciklopedi” në miniaturë të të gjithë kontributeve që kanë dhënë labovitët në çështjen Kombëtare. Nuk është çështje krenarie familjare apo fisi të shkruash për Apostol Meksin, bashkëpunëtor i ngushtë i albanologut të njohur gjerman Xhorxh Hahn (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869), konsull austriak në Janinën e viteve 1847-1860. “Studime Shqiptare” të konsullit austriak Xhorxh Hahn janë bazat e albanologjisë, që pa kontributin e paparë të Apostol Meksit dhe Konstandin Kristoforidhit, njëkohësisht nxënës dhe mësues të tij, do të ishte e pamundur furnizimi me ushqim shpirtëror e material shkencor i Rilindjes Kombëtare.

Kapiteli I

Libri i Dr. Meksit fillon me një përshkrim të Labovës së Madhe në studimin e misionarit anglez, kolonel Uiliam Martin-Lik (Ëilliam Martin-Leake) që është ndër të parët britanikë që studioi me detaje vendin, popullin dhe gjuhën shqipe me urdhër të qeverisë Madhërisë së saj, duke mbledhur të dhëna topografik, gjeografike, arkeologjike, linguistike dhe historike jo vetëm për bregdetin e Shqipërisë e të Moresë, por edhe viset malore të vendit.

Veprimtaria e kolonelit Lik del se ishte përcaktuar nga detyrat e Shtabit britanik të Luftës dhe udhëzimeve të ministrit të Jashtëm  britanik Harroëby, që kishin interes të dyfishtë në këtë mision, së pari  të vrojtonte mirë bregdetin e Shqipërisë e të Moresë dhe të ndihmonte qeveritarët e Turqisë Evropiane (Ali Pasha i Janinës) për mënyrën e mbrojtjes së kufijve nga sulmet franceze që mund të bëheshin prej Italisë përballë, të pushtuar nga armatat e Napoleonit.

Punën në terren të kolonelit anglez Lik e njohim sidomos nga libri i tij, “Travels in Northen Greece”, (“Udhëtime në Greqinë e Veriut, 1835), në të cilën ai shkruan se fillimisht observoi bregdetin shqiptar që ndodhej përballë Korfuzit dhe më pas qëndroi në Sarandë për disa ditë, nga ku u nis më 24 dhjetor 1804 për në Delvinë, në Muzinë, në Gjirokastër dhe në Labovë, duke arritur në Tepelenë më 28 dhjetor 1804. Dr. Meksi interesohet shumë për udhëtimin e kolonelit anglez Lik dhe misionarit austriak konsullin Xhorxh Hahn në jug të Shqipërisë  aty gjen informacione të dorës së parë për Labovën, për etnozakonet e krahinës së Rrëzës në malin Odrie, për oborrin dhe oborrtarët e Ali Pashës në Janinë.

Në fakt, të panumërt ishin misionet ushtarake dhe diplomatike që shtete të fuqishme evropiane kishin në Pashallëkun e Janinës. Franca përfaqësohej nga historiani dhe arkeologu francez Pukëvil (François Charles Henry Pouqueville, 1770-1838), Britania nga Koloneli Uiliam Martin-Lik, ndërsa Austria nga  konsulli Xhorxh Hahn (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869), e shumë shtete të tjera. Padyshim këto shtete të fuqishme kishin interes të përfaqësoheshin në një “entitet shtetëror”  brenda Perandorisë Osmane, siç ishte pashallëku i Janinës, që gjatë qeverisjes së Ali Pashës kishte rreth 1 milion e 500 mijë banorë nga të gjitha etnitë: shqiptarë, grekë, vllehë, turq,  hebrenj, të cilët jetonin pa prishur gjakun dhe kjo falë politikës tolerante të pashait të madh. Administrata e lartë e Janinës sigurisht vinte kryesisht nga studentë të dalë nga gjimnazi “Zosimea” dhe konsulli albanologu i parë Xhorxh Hanh sapo mbërriti në qytet kërkoi dy nxënës, më të mirë e shkollës  “Zosimea”, që ti mësonin shqipen në dy dialektet. Dy nxënësit më të mirë ishin Apostol Meksi dhe Konstandin Kristoforidhi që, jo vetëm i mësuan shqipen në dy versionet, gegë dhe toskë, por bashkërisht mblodhën të dhënat e para të folklorit shqiptar. “Dr. Apostol Meksi i tregoi botës së shqiptarët dallonin nga grekët dhe vllehët, jo vetëm nga mënyra e jetesës, zakonet, këngët, valet, etj”, shkruan Fedhon Meksi në librin e tij, “Labova e madhe dhe labovitët, gjurmime në vite.

Në fakt, Apostol Meksi (1825-1879) është lëronjësi i parë i studimeve antropologjike shqiptare. Materialet mbledhura prej studiuesit Apostol Meksi për mësuesin dhe nxënësin e tij, Xhorxh Hahn ,gjenden në librin e këtij të fundit “Studime Shqiptare, studim ky që kanë një histori në vete përsa i përket shqipërimit nga gjermanishtja në gjuhën shqipe gjatë diktaturës komuniste. Libri është përkthyer rreth viteve 1946-1947 nga Veniamin Dashi, (fitues i Globit të Artë si studenti më i mirë i Universitetit të Berlinit për 10-vjeçarin 1920-1930) gjatë kohës kur ishte i burgosur politik në burgjet e diktaturës  komuniste. Përkthimi, në një gegërishte elegante, konsiderohet edhe sot si fare i saktë, çka tregon se autori është një intelektual i kalibrit të lartë, i shkolluar në universitetet strikte gjermane dhe austriake. Ish-nxënësit e tij, normalistë të Elbasanit, më informuan se Veniamin Dashi ishte fitues i Globit të Artë si studenti më i mirë i Universitetit të Berlinit për 10-vjeçarin 1920-1930.

Kapiteli II

Dr. Fedhon Meksi si një eksplorator në gjurmim të figurave të tjera labovite, gjurmon arkivat shqiptare e të huaja, bibliotekat familjare, librat dhe gojëdhënat për Labovën madhe ose Labovën Zhapës për t’i përjetësuar në kujtesën e Kombit personalitetet labovite me kontribute konkrete në Rilindjen e shqiptarëve. Nuk është fjala vetëm për euriditin Apostol Meksi, që mblodhi si bletë punëtore studimin etnografik për Labovën e Madhe, por dhe Dr. Vangjel Meksin (1770-1823), mjekun personal të Ali Pashës, përkthyesin e Dhiatës së Re në gjuhën shqipe dhe hartuesin e gramatikës së shqipes.

Falë shqipërimit Vangjel Meksit shqiptarët ortodoksë filluan t’i luteshin dhe ta dëgjojnë Perëndinë e tyre në shqip; fëmijët në shkollat greke t’i këndonin librat në gjuhën amtare. Sigurisht në fillim të shekullit e Nëntëmbëdhjetë këto përpjekje për të shqiptarizuar jetën e përditshme gjenden të konkretizuar në veprimtarinë  e palodhshme të Dr. Vangjel Meksit. Aktiviteti i Vangjel Meksit që lidhet me lëvrimin e gjuhës sonë, shtrihet në periudhën nga 1814 deri 1821. Gjatë kësaj kohe janë botuar shqipërimet për shkollat (1814), gramatika (para vitit 1819) dhe është dorëzuar për shtyp Dhiata e Re e plotë me alfabetin origjinal dhe drejtshkrimin përkatës (1821). Sipas shumë ekspertëve  janë të shumta dokumentet që vërtetojnë se Rilindja Kombëtare Shqiptare mund të fillojë me veprimtarinë e  Vangjel Meksit, pasi ai e nis veprën e tij 10-15 vjet para datës që njihet zyrtarisht nga historiografia jonë. Pa përmendur këtu gazetarin spikatës Jorgji Meksi dhe firmëtarin e pavarësisë Kristo Meksi, një personalitet që rrezaton mençuri diplomatike.

Kapiteli i III

Në prag të Lojërave Olimpike “Londër 2012?, në fshatin Labovë të Komunës Odrie në rrethin e Gjirokastrës u ndez Flaka Olimpike për të përkujtuar rilindësin e Lojërave Olimpike, bamirësin dhe filantropin e njohur labovit, Vangjel Zhapa. Padyshim Vangjel Zhapa është bamirës i madh me kontribute në Greqi, Rumani, Bullgari, ndonëse pak është i njohur dhe i vlerësuar në vendlindjen e tij në Shqipëri. Ai është një figurë kontroverse. Libri i Dr. Fedhon Meksit na jep informacione të dorës parë për filantropin Vangjel Zhapa. Rumania feston përvjetorë themelimesh universitetesh të financuara nga ky labovit, ndërsa Greqia e rendit ndër kontributorët më të mëdhenj për këtë komb, po ashtu Turqia e vlerëson me nderim emrin dhe bamirësitë e tij në fushën e arsimit.

Sipas dr. Fedhon Meksit Vangjel Zhapa është një figurë komplekse, u cili nuk mund të përkufizohet me pak fjalë të rëndomta siç ka bërë historiografia komuniste. “Edhe pse i larguar prej kohësh nga Shqipëria, Vangjel Zhapa ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për botimin e librave në gjuhën shqipe, dhe futjen e mësimi të gjuhës shqipe në shkollat greke dhe ngritjen e shkollave ku mësohej shqip”, shkruan Dr. Meksi në faqen 124 të librit të tij, “Labova e Madhe dhe labovitët, gjurmime në vite”.

Sipas Dr. Fedhon Meksit shkolla e parë shqipe në rrethin e  Gjirokastrës  u hap më 10.04.1910 në godinën e shkollës së famshme të Labovës. Hapja e shkollës shqipe në Labovë dhe përdorimi i shqipes gjatë shërbesave fetare pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ishin të shumtë labovitët që dërgonin shuma të konsiderueshme të hollash për mbajtjen e shkollës, ndërkohë vinin mesazhe urimi nga liderë të patriotizmit shqiptar, si Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi,  Avni Rustemi, Çajupi, Mihal Grameno, Jani Vruho etj.

Me vendim të qeverisë shqiptare, verën e vitit 1921, u hap në Labovë “Kursi i përsosmërisë”. Kursi, që zgjati 90 ditë, kishte për qëllim formimin profesional të 150 mësuesve të rrethit të Gjirokastrës. Qeveria shqiptare e atëhershme me këtë zgjedhje ka dashur të tregojë respektin dhe mirënjohjen për përpjekjet disashekullore të labovitëve për t’u shkolluar në gjuhën amtare. Me këtë rast nderohej edhe aktiviteti patriotik i mësuesit Nane Panajot Meksi i cili, pasi hapi shkollën shqipe në Labovë (1910), hapi një tjetër shkollë shqipe në Tepelenë. Në ato vite ai ishte angazhuar në një detyrë tjetër patriotike, propagandimin e futjes së gjuhës shqipe në të gjitha kishat ortodokse. Ende kujtohen vargjet e Nane Panajot Meksit: “... dhe ungjilli në gjuhën e vet do këndohet fletë më fletë.”

Kapiteli IV

Gjenealogjia familjare e fisit Meksi në Labovën e Madhe na jep informacionin e angazhimit të kësaj  “fare” në çështjen Kombëtare. Dr. Fedhon Meksi ndalet disa figura kyçe të fisit Meksi në Labovën e madhe dhe kontributin e tyre patriotik. Emra si Jorxhi Meksi, patriot dhe gazetar i shquar, mbrojtësi i cështjes shqiptare në cdo vend; Dhimitër Panajot Meksi, Nane Panajot Meksi, Kristo Meksi, Vangjel Meksi, etj janë disa prej kontribuuesve të fisit Meksi në përparimin e vendit. Sipas biografit Vasil Meksi dhe librit të tij Familja Meksi, historiku dhe episode të vjetra, Athinë 1984, mbiemri i parë i kësaj familje duhet të ketë qënë Meksa. Është i njohur fakti se, prej kohësh, shumë nga Meksajt kanë ushtruar profesionin e mjekut pas studimeve në universitetet më të shquara të kohës, por edhe si mjekë popullore duke e trashëguar këtë profesion nga të parët e tyre që kanë qenë të famshëm në gjithë Ballkanin. Bëmat e Meksajve fillojnë para 10 shekujsh dhe nuk do përfundojnë me faqet e këtij libri ndriçues të një historie të pashkruar në kapitujt e historiografisë zyrtare.

Kulmi

Libri i Dr. Fedhon Meksi, “Labova e madhe dhe Labovitët, gjurmime në vite” ka disa cilësi që e bëjnë të veçantë dhe të jep shumë arsye ta blesh në librari. Së pari ka një bibliografi të mirë dhe të strukturuar në mënyrë ciklike dhe jo lineare që të jep sinjalin e rigorozitetit faktmbledhës dhe metodologjinë universale. Së dyti, libri është shkruar me një ndershmëri të lartë intelektuale që sinqerisht meriton të merret për model për sprovat e karakterit dokumentar. Së treti studiuesit e periudhës së “Rilindjes Kombëtare” pa marrë në dorë librin e Dr. Fedhon Meksin do kishin një cen të pashoq naiviteti. Dhe së fundmi, leximi i librave të shkruar nga doktorë është një ilaç më i mirë për kujtesën e çështjes Kombëtare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora