E premte, 19.04.2024, 12:54 AM (GMT+1)

Mendime

Menita Ljarja: Historia, turqit dhe Montanelli

E hene, 22.04.2013, 06:46 PM


Rishkrimi i historisë nga turqit dhe Idro Montanelli

Nga Menita Ljarja

Në vitin 1927, në të përkohshmen “DITURIA”, Mit’hat Frashëri në shkrimin me titull “Duke kënduarë një librë” pohon se pasqyra më e mirë e një populli për të njohur vetveten është gjykimi i tjetrit. “Të paktë janë relativisht ata që vizitojnë vendin tonë dhe që zbavitenë me të shënuarë çë shohin dhe çë vërejnë. Nga ana tjatrë ne kemi nevojë të madhe të dimë çë mejton ay që vjen së largu, riturë dhe rrojturë në një mjedis të ndryshmë prej t’ënit: çë ide formon për neve dhe çë përshtypje merr nësh” – shkruan Mit’hat Frashëri.

Për ta mbështetur mendimin e tij, ai i referohet veprës që është shkruar nga një udhëtar anglez së bashku me të shoqen e tij, të cilët asokohe kanë vizituar Shqipërinë. Vepra titullohet “The two vagabonds in Albania”, me autorë Jan Gordon dhe Cara Gordon. Ja si e përshkruajnë ata Tiranën e viteve ’20: “Si kryeqytet Tirana na bëri përshtypje të dobët. Në fillim na u duk si pazari i një qyteti oriental, po që ka humbur qytetin”. Të dy udhëtarët, artistë, shkrimtarë dhe vizatues të mirë, siç i përshkruan Mit’hat Frashëri, çuditeshin me optimizmin e njerëzve të ndryshëm teksa njerëzit i falënderonin ata pasi kishin marrë vesh se udhëtarët do të shkruanin vetëm përshtypje të vërteta. Ata kanë qenë në Shqipëri në vitin 1925 dhe kanë vizituar qytetet si: Tiranën, Shkodrën, Elbasanin, Përmetin, Gjirokastrën, Këlcyrën, Beratin, Malësinë e Madhe e të Vogël. Qyteti që iu kishte bërë më shumë përshtypje udhëtarëve anglezë ishte Gjirokastra. “Nuk besoj të ketë në botë një qytet si Gjirokastra,” – pohojnë ata.

Disa vite më vonë Shqipërinë e viziton edhe historiani, gazetari i madh Indro Montanelli. Në librin e tij “Shqipëria një dhe një mijë” mund të lexojmë një Shqipëri, e cila nuk ndryshon shumë prej asaj të sotmes. “Tirana, -thotë Montanelli, m’u duk një qytet i tepruar dhe – të më falin miqtë e mi shqiptarë – i tillë më duket ende. Të kuptohemi, i tepruar vetëm në kuptimin relativ. Pasi është vënë në rrugën për t’u bërë një kryeqytet perëndimor, duhet ende të përpiqet me të gjitha forcat për t’ia dalë mbanë…” sepse nëse lexojmë më në brendi të librit do të gjejmë të shpjeguar dhe arsyen e varfërimit të Shqipërisë në vlera perëndimore. “Turqia e ngujoi historinë shqiptare në feudalizëm mesjetar, nga i cili ajo po dilte mundimshëm. Ajo nuk rregulloi, por shkatërroi”.

Secili popull ecën sipas një sistemi vlerash të trashëguara, mbi të cilat ndërton të ardhmen e vet. Pyetja që shtrohet është: a jemi ne një popull i qytetëruar për të kuptuar, mbështetur dhe nënshkruar njëzëri një kauzë në të mirë të kombit tonë?

Kauza së cilës i referohem është ajo Kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Të lejosh ndërhyrjen e huaj në rishikimin e historisë sonë do të thotë t’i hapësh udhën injorancës dashakeqe dhe të lejosh që i gjithë sistemi i vlerave kombformues i formimit të historisë sonë të asimilohet nga frymëzimi i huaj, i cili dëmton dhe fyen si myslimanët dhe të krishterët shqiptarë, të cilët bashkërisht kanë luftuar për Shqipërinë dhe kanë krijuar historinë tonë. Ai komb që nuk dëshiron të mbrojë historinë e vet në emër të së vërtetës dhe përparimit, nuk mund të ketë një të ardhme kah vlerave të vërteta qytetëruese të familjes së madhe europiane. Kësisoj, siç thotë dhe Anton Harapi: “Politika s’ka kund themel; qellimi shoqnuer nuk a ma qellim por mjet i qellimeve tjera, natyrisht jo të para as të përgjithta, por të dyta e të veçanta”. “Muhamedanizmi i huaj - na e kujton Mit’hat Frashëri, u jep besnikëve të saj një dinakëri dhe fallshëri që drejton gjithë punët e tyre.” Në këtë kategori bëjnë pjesë pseudohistorianët dhe gjithë ajo kategori e shoqërisë shqiptare të cilët nuk e dëshirojnë të vërtetën dhe nuk dëshirojnë ta mbrojnë atë, sepse të duash të vërtetën kërkohet sinqeritet, guxim dhe ndërgjegje. “Ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin e tyre. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar”,- pohon Ismail Kadare.

Tani t’i japim përgjigje një pyetjeje tjetër.

Ku ndodhet sot Shqipëria? Në kryeqytetin e pa qytet, apo në udhën për t’u bërë një kryeqytet perëndimor?



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora