E enjte, 28.03.2024, 04:15 PM (GMT)

Kulturë

Armela Hysi: Stefan Martiko - ''Kthetrat e Iluzionit''

E hene, 22.04.2013, 07:18 PM


Arti i vërtetë triumfon

Shënime mbi librin “Kthetrat e Iluzionit”, të poetit Stefan Martiko

Nga Armela Hysi

Cila është kjo magji tërheqëse, ç’shkak të thellë fsheh brenda ajo që të detyron të vihesh në kërkim deri sa ta zbulosh të tërën? Në një mënyrë a në një tjetër, të shprehur kështu, a ndryshe, a dhe të pashprehur fare, të shtytur nga kjo pashpjegueshmëri tërheqëse e magjisë, i shkojmë deri në fund për ta zbuluar të tërën, një poezie, një pasazhi, një faqeje, një kapitulli...një libri...të gjitha formave të shprehjes artistike, jo vetëm fjalës e penës, që po i shërbejmë në rastin kokret, por dhe çdo arti shpirtëror të botës njerëzore. Kjo pyetje, ishte thërrimja e fundit e “ushqimit” artistik, që më mbet në mendje tek mbyllja librin kopertinëkaltër “Kthetrat e Iluzionit”, të shtëpisë botuese Milosao me flash stories – histori të shkurtra, të një frymëshme, të poetit të njohur dhe shumë të suksesshëm, dekoruar me Urdhërin e Artë Naim Frashëri, por dhe me mirënjohjen e lexuesve, e frekuentuesve të poezisë shqiptare, Stefan Martiko.

Nuk munda t’i rezistoj tundimit të përmend frazën e mësipërme për të bërë dhe hapjen e këtij shkrimi modest, shkëputur nga “Ngasje e papërballueshme”, në historinë e fundit të librit, sepse, ajo qe dhe shtysa kryesore, për të hedhur në letër dhe unë mendimet e mia mbi botimin e ri. Padyshim, jo vetëm se është nga shprehjet e veçanta të librit, pasi libri, i kundruar me një sy vëzhgues për shprehjet e bukura, do të nxjerri një sërë të tillash, fraza që inspirojnë jetën dhe përvojën filozofike, të shprehura me një frymë elitare gjuhësore, siç, jemi mësuar tashmë të presim nga shkrimet e Stefanit, por edhe një dallim i hollë vëzhgues që sjell dhe risinë e vet, në gjithë librin “Kthetrat e iluzionit”. Ishte më tepër mahnitja që të pushton, kur merr tërësisht – deri në fund, shijen e përzgjedhur të një arti elegant, kur përqendron vëmendjen në një grupim të emancipuar mendimesh, idesh, sekuencash shpirtërore të ofruara për lexuesin me një skicë të ndrojtur në dukje, si të gjithë njerëzit vërtet të thellë, zaten, por një kompozim i vërtetë e i kompletuar – në vazhdim.

Autori e fillon bisedën me lexuesin me anë të një apologjie, siç dhe e titullon ai, “Mbrojtje për veten”. Është si një prezantim, ku i ulur qetë përpara gjykuesit-lexues Stefan Martiko pranon: nuk është ideatori i vetëm i këtij lloj të shkruari, dhe pa na lënë kohë të mendohemi për ta analizuar këtë fakt, në ç’mënyrë duhet ta trajtojmë; e pozicionon vetë, pa patos momentar, kalimtar, sepse shikon ndjenjën e vërtetë në të gjithë procesin që kryejmë kur shkruajmë a lexojmë letërsi. Pra me një vazhdim kaq të thjeshtë, sa ç’është sinqeriteti i plotë, si një ekografi të palcës skeletore të botës së tij, që është karakteristika kryesore, për mua e gjith librit, ai çarmatos çdo skeptik tendencioz, akoma dhe instiktin e kushtëzuar të vetëmbrojtjes, tek të tjerët që rezistojnë jo me paramendim, por me të ekzistuarit thjesht brenda kufijsh tipikë, me të cilat jemi lindur, na kanë, a i kemi vetëkrijuar; duke thënë: “Tani kam arritur në një cak ku nuk mund të shkruaj më ndryshe”. Personaliteti i karakterit të të shkruarit, për të  cilin sapo është vetëndërgjegjësuar, këtu dhe rrieshtat e faqet në vazhdim, na jep një të dhënë vetëdritësuese, që na bënë të gjithëve të studiojmë me këtë “armë”, shikimin e tij filozofik mbi jetën. Për të plotësuar autodijen për shikimin personal filozofik mbi jetën, të çdo njërit nga ne, në mënyrë të pavarur, pjesë kjo mazhorene e vetënjohjes sonë si qënie dhe si pjesë e gjithësisë të brendshme e të jashtme, për të cilën jam e mendimit se në se ka një qëllim suprem, njeriu si qenie dhe krijimtaria, të bërit art, (si një gjë krejtësisht e panevojëshme për procesin tonë biologjik, të evolimit si lloj, a si individ; por me përmasat e pafundme të hyjnores për evolimin universal), dhe minimalizimin deri në zhdukje të ndikimit privues të kohës mbi ne, është pikërisht ky.

Lënda, (përmbajtja e librit) siç përmend autori, të cilën na e jep çiltërsisht, sepse e di që ka ç’të na “hyjë në punë”, nuk ka arsye të dëshirojë të specifikohet. Përdoruesi i saj, është ai që e vëzhgon për përdorim specifik. Edhe këtu vetë Martiko na jep grishjen e parë për tjerrjen e mendimit “është një bombë” shkatërruese, për të hedhur në erë, për të thyer atë ç’shikon si pengesë, jo medoemos e dëmshme, po padyshim vrasëse e së vjetrës, e të mëparshmes; “apo një mollë” – fryti më i njohur, vlerësuar në botë, që në çdo aspekt të saj e në çdo kurbë të historisë, fetare, mitike, shkencore, njerëzore, fantastike, është bërë shkas për të ndërruar rotacionin e saj, të shumëshkruar e pakkuptuar.

U zgjata jo vetëm se  ky shkrim i parë i librit, meriton vëmendje, por edhe se është si një kartë identifikimi si për vazhdimin e librit, ashtu edhe për mënyrën e trajtimit të tij total.

Në ide a metaforë, proza e flash-story të Stefanit, nuk ka ndryshim të veçantë nga poezia e tij, ndaj pa frikë do e konsideronim kryesisht cilësore dhe superlative, por nga ana tjetër filozofimi me vetveten, pyetjeve pa përgjigje, a me përgjigje të paprovuar si të sakta, veç si jerm i një mendjeje kërkuese, në momentet lavdërimendjellëse të gjuhës së përdorur, por dhe asaj të krijuar, në një raport ideal ndërmjet dialogut me lexuesin dhe monologut, që vë në punë magnetikisht monologjet tona, bëjnë që ta gjejmë vërtetë interesante e fal Zotit të paparashikueshme.

Një tjetër pikë ku do mund të ndalesha është procesi në të cilën të ftojnë idetë, që në radhë të parë më duhet të them se mendoj se është përgjegjësi e gjithësecilit, si do që të jetë, të kundrojë brenda vetes, e të tjerëve nocione të tilla si flamuri, a feja, atdheu, koha, patriotizmi. Qoftë edhe vetëm për të përballuar qëndresën në idetë tona, qoftë edhe vetëm për t’i lejuar vetes, përveç të mirën e njohjeve të ideve të reja, akoma edhe kur për një arsye, a një tjetër i hedhim poshtë; i pranojmë, ose i pranojmë pjesërisht e me rezerva ( për mua kjo është dhe pika kërkuese: të kesh opinionin tënd, duke qenë njohës dhe njëkohësisht pranues i opinionit të të tjerëve – të ngjashëm, të pangjashëm, të kundërt, të mangët, mungues, në evolim etj., etj).

Në librin e tij, autori nuk na jep një dije të gatshme stabël, sepse letërsia filozofike dhe nocionet poetike që ka libri, nuk kanë një të tillë, siç janë shkencat, a rol informatik, ose dhe thjesht përshkrues; na jep vetëm përshkrimin siç thamë më sipër e udhëve të mendimit të tij, që secili të gjejë të vetat. Me të drejtën që më jep hedhja e mendimeve të mia personale, pavarsisht se i gjeta vërtet interesante pothuajse të gjitha skicimet e librit, në masa të njëjta, nuk mund të mos përmend që preferenca ime personale qe tek “Shembulli i ngritur në piedestal”, si dhe ajo pas saj në radhitje: “Mbi këtë peizazh bie nata”, sepse mesazhet e çdo kujt, kanë filtrues personal të ndërgjegjes.

Dhe pyetja që na shtron, që në faqet e para, gërryen pa përgjigje të qartë -  të saktë, a të gabuar: “A duhet të shkruajmë akoma – shënimi im: letërsi në përgjithësi, por në veçantinë unike që meriton – poezi?” Në se kemi të bëjmë me libra të tillë, që të bëjnë të mendohesh, të shqetësohesh në mënyrë të bukur dhe krijuese, padyshim përgjigja është “Sigurisht” dhe ndoshta në mënyrë të papërgjegjshme, por në këtë rast që ka një përgjigje, për mua, të saktë është vetë ajo që ka dhënë autori Martiko, në vazhdim të pasazhit që citova në hapjen e këtij shkrimi, sepse është një përgjigje edhe për ata që e duan dhe e kuptojnë këtë llojë letërsie, (të cilën me sinqeritet e them se deri tani nuk e kam parë herë tjetër në një libër të tërë, por ose në shkrime më të gjata, ose në rubrika të veçanta botimesh më të gjera, ama që do e frekuentoj, pas këtij prezantimi me të, nga të dy rolet, a postet më mirë të them), edhe ata që mendojnë se kërkon një përqendrim, më specifik, se: “Arti, arti i vërtetë më në fund triumfon mbi mungesat e njohjeve tona...”



(Vota: 254 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora