| E hene, 22.04.2013, 08:54 PM |
Ese
Ekzistencë si hije e pa kuptimtë
Nga Dr. Ilir Muharremi
Si, nga
dhe qysh mund të them se njohë vetveten, gjakun, muskujt, egon, të gjitha që më
shtyjnë të mendojë, apo t’i ç’veshi ngadalë. Ajo që mund të pohoj apo ta
argumentoj, është momenti dhe vdekja, ombrellat e përjetësisë, këtu lind shumimi
dhe krijohet diçka për të vazhduar. Në esencë këtë diçka prapë e kap me
mëdyshje, sepse mendja , inteligjenca, vetëdija, zhvillohet me kohën, ose koha
nuk mund ti zë të zgjedhurit. Nuk dua ti iki vetës, nuk jam hije e vetës, nuk
kërcënona nga hijet të cilat si ofshama me dihatje puqen mbi mua. Shushujza
është kërcënim për individin egoist, i cili nuk ndikohet nga kënaqësitë e
instinktit. Unë jam instinkti im, ndjenja ime, egoja, peneli i shpirtit, por
prapë dyshoj në atë që më kërcënon, ajo që më bënë më lehtë për të jetuar është
e mira dhe dashuria, por jo dhimbja kërcënon lartësitë, e vështira për të
ngritur gurin në maje sprovon ekzistencën time absolute, që vështrohet nga
absurdi. Unë dhe bota, unë dhe fryma lirshëm aterojmë, u zgjidhem ngaqë kështu
dëshiruam, por për çfarë? Askush nuk gjen përgjigjen, vërtitet si një palaço,
bënë skena, teatër fjalësh, shprehjesh, por prapë pyetje, enigmë, pa përgjigje,
dhe çka ndodh? Pyetje të cilat lindin pafundësinë, dhe krijojnë ngjyra ,mbi
përjetësinë, e cila nuk ka faj nga ajo që e kërcënon. Përse duhet të lindim ne?
Përse duhet ta luajmë në jetë? Përse nuk ishim? Por, u ndodhem tash.
Aksidentalisht. Ndoshta si pasojë, por jo si kënaqësi. Apo si kënaqësi që
viktimizohet e aspak nuk shërohet. Ne jemi këta, shfrytëzojmë frymën, ushqejmë
trupin, urinojmë, e kthejmë atë që e hamë, prapë duhet të kthehemi, aty nga
kemi ardhur, ose u humbëm rastësisht, por po të ishim rastësisht, do të jetonim
rastësisht mbi këtë univers enigmatik i cili në shpirt ka zinxhirin e vlerave
që nuk mund t’i këpusësh. Shprehje budallenjsh filozofosh të cilët përpiqen t’i
ikin, por prapë janë shembje e vlerave ideale. Vdekja, ajo është armiku,
perandoria pa kohë, nuk ka shpartallim, në momentin kur u përcaktova, edhe
vdekja ngre dolli me jetën time si një figurë, imazh, i cili jeton dikund
thellë në kokën time. Çdo gjë mbaj me vete, por nuk ja u di arsyen. Por, kuptim
do kishin të gjitha vlerat sikur të dinim se çfarë janë? Kjo është ajo që na
obligon, detyron, të jetojmë në oazën e përjetësisë enigmatike. Dhimbje,
enigmë, përjetësi. Asgjë dhe gjithçka, por prapë pyetje. Lehtësisht shkruaj,
por prapë nuk e paraqesë atë që e ndjejë në thellësi, sepse diçka tjetër është
ajo thellë, e zbehtë del në letër, pëlhurë, apo në ndonjë art tjetër. Unë, shndërrohem
si një viktimë, skllav i ndjenjave, shpirtit, trupit. Diçka tjetër isha dje,
diçka tjetër jam sot, por prapë jam ky i njëjtë që shkruaj, nuk ndryshoj asgjë
në thellësi, ajo kujdeset për vetën, jeton qetësisht. Jeta është një faqe e
historisë, e shkurtër për të jetuar gjatë, e pa menduar për të ardhur, ose
asgjë momentalisht, predikim për të menduar, gjykim për tu përballuar, ose piun
i dirigjimit të përjetësisë. Përjetësisë egoiste, individuale, që ec dhe prapë
ec mbi atë ose nën atë që duhet, por duhet. Çfarë ndodh duhet të ndodh, ndoshta
ka ndodhur, do të ndodh, sërish do të
ndodh, andaj, unë interpretoj, vetveten, ekzistencën, ndoshta absurde,
postmodern, shërimin e vetës. Shërimi nuk ndodh nga përvoja, apo nga ndonjë
terapi, por kuptim dhe zëvendësim i asaj që kërcënon. Ajo shtypet , e
pafuqishme, sërish jeton. Si do që të
jetë prapë jeta jeton, vdekja vazhdon procedurën. Ne dergjemi si kufoma të
gjalla mbi jetën, e dimë vdekjen dhe frikësohemi sepse më e bukur, më
pragmatike, na duket fryma apo jeta. Prapë jemi të huaj, vetmitar dhe hije për
jetën tonë. E duam të përjetshme, por nuk dimë kuptimin e gjakut, zemrës,
frymës, trupit, të cilat na shoqërojnë, ndoshta edhe ato nuk kërkojnë
përgjigje, përgjigja më e kthjellët është lozja, me atë që na vije, ngaqë duhet
të vije, ose nëse nuk duhet ë vije, mund ta ndryshojmë, por sikur ta
ndryshojmë, nuk do ta zotërojmë, prapë jemi viktimë e aksidentit, dhe duhet të
jetojmë si sakrificë e jetës, për të ardhur të finalen-vdekjen. A mund të
konstatojmë se jetuam dikur, dhe jetojmë prapë, ishim më nuk jemi, me një
shenjë libri, pikture, poezie, e cila jeton me emrin tonë, por ne ku ikëm?! Pse
erdhëm për të ikur, pse nuk qëndruam absolutisht mbi absoluten, por u shpikëm
si relativë. Asimetrikë ndaj simetrisë, e cila është reale. Jemi simetrikë, për
të shpikur asimetrinë. Ndoshta e tëra duhet të ndodh, edhe ky shkrim është
planifikuar të vazhdoj apo të qesë pikën e fundit, për të më lexuar dikush. Të
vulosë ekzistencën time për të cilën edhe pas vdekjes do kërkoj shpjegime, por
prapë nuk do të dijë se për çfarë isha në këtë tokë. Nuk do e quaj lavire, e
cila vazhdon të prodhojë fëmijë pa arsye, vetëm për të vazhduar dhe neve për të
na shfrytëzuar si materie, qenie e gjallë, e cila ka humbur kujtimin e lindjes,
ndoshta asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë realitet për tu kujtuar tashmë. Çdo
gjë fillon nga fillimi, por edhe ai fillim nuk është fillim, zemra ime nuk rreh
për herë të parë në lindjen time. Jam hije, i panjohur i huaj për zemrën,
trupin, vlerën, ekzistencën time në tërësi, e cila qëndron e bashkuar me të
gjitha forcat lëvizëse. Nga mendja nuk mund ta nxjerr të pamundurën, sepse e
mundura është në këtë botë. Ajo është vijëzuar në kokën time të kthjellët, dhe
kështu jemi egoist, të ditur, të vendosur ndaj vetës, por prapë pa ndonjë
përgjigje nga vetja. Nuk na duhet fama, sepse ajo shkatërron individualitetin
tonë, të mëdhenjtë nuk janë të famshëm për vetën, edhe pse prodhojnë mendime të
ëmbla sikurse fici që bie nga pema. Unë do jemi gjithnjë akull, i ftohët,
qetësisht i zhytur në qenien time e cila nuk më tregon asgjë për të vazhduar.
Përpiqem, përpiqem, ta hulumtoj atë thesarin të cilin e posedon gjithkush,
ngaqë jemi familje mbi këtë univers të brishtë, të paarsyeshëm, të pa
logjikshëm mbi logjikën. Të pa arsyeshëm mbi arsyen, të etur mbi etjen, të
ftohët ndaj nxehtësisë, të bardh ndaj të zezës, gjithnjë e kundërta për tu
relaksuar dhe për të krijuar at që nuk mund të krijojmë, por vetëm të kuptojmë.
Jemi ujëra të zezë nën ujërat pa ngjyrë.