E shtune, 20.04.2024, 07:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Begzat Rrahmani: Dhoma e librave

E hene, 22.04.2013, 09:00 PM


Begzat RRAHMANI

DHOMA E LIBRAVE

Sytë më ishin lodhur aq shumë sa mezi i shikoja germat në tastaurën e kompjuterit, prandaj vendosa pak ta ndërpres punën dhe të shikoja lajmet e RTK-ës të orës njëzetetre. Ishin po ato lajme që ishin emetuar disa herë më parë. E fika televizorin dhe prapë u ktheva te DHOMA e LIBRAVE. Këtë dhomë edhe unë edhe disa prej familjarëve shpeshherë e quajnë edhe bibliotekë. Por unë disi turpërohem kur e përdor këtë fjalë duke menduar se nuk kam aq shumë libra për ta quajtur me atë fjalë të MADHE. Vitin e kaluar vendosa ti numëroj, kur arrita te numri njëmijë e nëntëqind e dyzet e nëntë, aty u ndala se mu kujtua datëlindja ime. Kur i shikova raftet kisha ardhur pak më shumë se te gjysma, por ndoshta mund të kishte më shumë libra se sa kisha numëruar, ato andej më dukeshin më të hollë se deri aty, ku kisha arritur.

Ashtu i lodhur dhe i rraskapitur pak para orës dymbëdhjetë e fika kompjuterin e fika edhe dritën dhe u shtrira në krevat, por assesi nuk mundesha të rehatohem. S’di kur më kishte marrë gjumi, por s’di edhe kur isha zgjuar, atë natë plotë llahtari. Rrija ashtu qetë që të mos e zgjoj edhe gruan. Pas shumë kohe ashtu i shtrirë dhe pa asnjë farë shije pushimi dëgjova ezanin e mëngjesit, që hoxha thërriste për faljen dhe lutjet e mëngjesit, prej te xhamia që prej te banesa ime nuk është më larg se treqind metra. Prapë ngadalë dola prej krevatit dhe u drejtova te dhoma e librave. U vesha pak si trashë se akoma koha është e ftohtë, a unë s’kam mundësi për këtë temperaturë të vitit të harxhojë rrymë.

I kisha bërë afër tri orë të mira punë, që për shumicën e anëtarëve të familjes është punë e pa vlerë, por ja unë akoma vazhdoj. Gruaja kur e hapi derën, çantën dhe çelësat i kishte në dorë, vetëm më tha; unë shkova ty punë të mbarë. Të përgatita dy vezë dhe pak djathë i ke në kuzhinë vetëm ta ngrohësh qumështin. I thash faleminderit edhe ty punë të mbarë, por te ne në Kërçovë qumësht i themi dhallit e ai nuk ngrohet, prandaj duhet të thuash tambël. Qeshi dhe duke e mbyllur derën tha; ika sa jam vonuar pak si tepër sot për në punë.

Unë punove edhe disa minuta, rastësisht më vajtën sytë te ana e djathtë e monitorit dhe  pashë orën që tregonte tetë e dyzetepesë. E fika kompjuterin dhe vajta në banjë. Pas banjës  edhe njëherë kontrollova a e kisha shuar kompjuterin dhe u futa në kuzhinë. E kyça televizorin për të dëgjuar lajmet e programit të dytë në TVM. Ashtu duke hëngër mëngjesin, si mbaruan lajme në TVM, s’di si u kyça te programi serb ku jepnin lajme të jashtëzakonshme. Një serb në moshë, por kur ka qenë i ri paska marrë pjesë në luftë me Kroacinë, e unë vetë me vete thash me siguri ka marrë pjesë edhe në Bosnje dhe Kosovë. Atë mëngjes ai paska bërë një masakër të pa parë. Kishte vrarë trembëdhjetë vetë, në mesin e tyre edhe një fëmijë dy vjeçar. Unë ashtu si haja në gojë kisha bukë, vezë pak djathë dhe një kokërr ulliri, mu ndalën në fyt dhe assesi ti kapërdij. Duke menduar, ky njeri kur ka bërë këtë masakër në familje dhe komshi të vet kush din se çka ka bërë në Kroaci, Bosnje e të mos flasim për në Kosovë.

Ashtu i shqetësuar mbylla derën e banesës dhe u lëshova shkallëve teposhtë. Rrugës takova disa të njohur por nuk u ndala të bisedonim. Përpara se të hyja te kioska e gazetave një shokë fëmijërie që kishte ardhur prej Amerike për të votuar, më uroi fitoren, por shua ato të cilët votën e tyre e kishin dhënë në anën tjetër, po ashtu edhe unë ia urova bile edhe iu falënderova. I bleva gazetat si çdo ditë dhe dola të bëja shëtitjen e ditës pa asnjë qëllim. Nuk i bëra as tridhjetë hapa dikush thirri:

- Ej ti me dy gazeta, nuk e ktheva kokën duke menduar se nuk jam vetëm unë që blejë nga dy gazeta. Por ai prapë thirri:

- Juve u thirr me çadër. Atëherë ktheva kokën dhe pash një njeri që në dorë mbante një copë pice, por edhe gojën e kishte përplot. I thash mua, tha po. I thash se do ta pres aty ai le të hajë rehat. Dhe e hapa zhurnalin që të lexoja për atë kohë sa do të hante ai person picën e filluar. Sa mbërrini më tha:

- Prapë paske blerë dy gazeta. Së pari më fal se kam luajt fjalës, tash prapë jam në FESTËN e VEZËVE. Unë i habitur e shikova në sy. E pimë tha ka një kafe dhe bisedojmë. Vetëm më tregoni se ku e keni ju për qejfi. Unë thash kam pirë te Elita, por ajo më nuk punon, tash kafenë e mëngjesit e pijë te Romansa.

Sa u ulëm tha më duket se akoma nuk u kujtohem. Në atë moment erdhi kamerieri. Bëmë porosinë, në realitet e bëri ai se për mua krejt kamerierët e dinë çfarë pijë aty. Sa i solli kamerieri ati i cingëroi celulari. Tha vijë menjëherë, është patjetër ta dërgojmë në Shkup! Kam tha babanë të sëmurë dhe i qenka keqësuar situata. I thash vazhdoni. Ai thirri kamerierin i dhe njëqind dinarë për pijet dhe pyeti sa kushton një drekë e mirë?! Kamerieri i tha se prej dhjetë deri në pesëmbëdhjetë euro. Ia dha pesëmbëdhjetë euro dhe i tha;- kur të dojë zotëriu ia përgatitni. Tha këtë ia kam borxh prej verës së kaluar. Dhe mu drejtua mua;- më fal edhe njëherë që se mbajta fjalën, por verës isha në Amerikë, te motra dhe te vllahu  i gruas, kishim një dasmë të vogël.

Ai doli kurse mua mu kujtua rasti i para një viti, bile edhe e njëjta kohë se edhe atëherë më tha se ka pushimin e VEZËVE. Kur unë u futa në kioskë të blejë gazetat, ai kishte blerë një gazetë, cigare dhe bënte pagesën. Kur shitësi tha si çdo ditë dy gazeta, unë i thash po standard. Ai më shikoi dhe tha:

- Për çdo ditë i blen nga dy gazeta, i thash se po, bëra pagesën dhe dola. Ai kishte shpejtuar pak më shumë se unë, dhe kur u bëmë baras, më tha:

- A vërtetë blen për çdo ditë nga dy gazeta? - i thash prapë se po. Po tha ç’ bëni me ato gazeta?! e shikova i habitur dhe i thash:

- Ç’ mund të bëhet me gazetat vetëm ti lexosh dhe të nesërmen ti lësh te koshi i plehrave, siç bëjë unë dhe të vijë ndonjëri prej atyre ti marri dhe pastaj ti shes, që të sigurojë kafshatën e bukës. Atë moment s’di si mu kujtua XHELA i Agim Devës. Atëherë zotëria vazhdoi. Do të thotë se ju harxhoni mjaftë para, me siguri i keni me bollëk, atëherë ku punoni ju zotëri?! Pas fjalëve të tij  mu kujtua ai rasti kur hyra te ata mantel bardhtë dhe ata bisedonin për krizën ekonomike, dhe njëri tha se edhe mua me siguri më mungojnë paratë. Unë thash se mua kurrë nuk më kanë munguar dhe nuk më mungojnë paratë. E ai kryesori i tyre e la lapsin si e kishte në dorë dhe më tha:

- Ndoshta nuk të mungon edhe shëndeti?! I thash po, edhe shëndet kam, ashtu siç kam para. Kurse ai treti që më e kishte hapur dosjen time, më pyeti me emër e mbiemër a jam unë ai?! I thash po unë jam i tëri. Tha këtu shkruan në të gjithë raportet se ju nuk jeni mirë me shëndet! Unë thash e di, por atë duhet ta vërtetoni ju. Atëherë bëheni gati që tu dëgjoi dhe e mori stetoskopin. I habitur tha:

- Këtu qenka e vërtetë e terë një orkestër ushtarake. Dhe i tha daktilografistes që të shkruante rast shumë i rëndë, pastaj i tha edhe kolegut që edhe ai të bënte dëgjimin e mushkërive apo atë melodi të dhimbshme. Ai i treti tha mos keni edhe tjera dokumente-raporte mjekësore në çantë? Thash jo, këtu kam, ata që harxhoj shumë kohë a pak bile aspak para. Tha ti shohim atëherë ç’ janë ato. I nxora tri a katër vepra. Ai kryesori tha na vjen keq që s’dimë gjuhën tënde, por tash u bindëm se ty të duhej shumë kohë, atë do ta japim, por shëndet dhe para do të kesh pak e më pak...

I thash unë nuk punoj një kohë të gjatë jam në pension. Por nëse nuk është sekret sa është ai pension i juaji që blen nga dy gazeta për çdo ditë?! I tregova aq sa vërtetë ishte. Atëherë kaci buzët dhe ashtu nëpër dhëmbë tha; -unë kam njëzetë herë më shumë se ti. Edhe një pyetje dhe të fundit se ndoshta u bëra i mërzitshëm?! Urdhëroni i thash, unë kur s’mërzitem. Me të vërtetë më intereson kush jeni ju?! I thash unë jam një njeri budalla, apo i marrë si të doni mundeni të më kuptoni dhe të më thoni! Jo tha ju nuk jeni ashtu siç thoni, të lexoni në ditë nga dy gazeta dhe të harxhoni kaq para për gazeta ajo është punë shumë, shumë e madhe, që rrallë e bëjnë njerëz edhe më të mëkëmbur se ju, vërtetë kisha dashur ta di emrin e juaj! Atëherë ia tregova emrin dhe mbiemrin. Tha mendoja se jeni ju, por në foto u kam parë pa kësulë. I thash edhe pak do ta hedhë, por njëherë të kalojnë këto PLAKAT se na mërdhitën.

Do të thotë se për çdo muaj harxhon nga pesëmbëdhjetë euro vetëm për gazeta! Jo i thash pak më pak se në muaj ka edhe katër apo pesë të diela, e ato ditë s’dalin gazetat. Kategorikisht tha:

- Nuk do të më refuzosh, dhe prej xhepi nxori disa nga dhjetë dhe nga pesë euro. Mi dha dhjetë pastaj edhe pesë, pastaj prapë dhjetë dhe pesë të tjera. Këto tha i ke për të blerë gazeta dy muaj. Jo i thash s’ka nevojë. U morëm vesh, që të mos më refuzosh, dhe i lëshoi në xhepin tim. Atëherë i thash:

- Faleminderit, Ju më bëtë shumë pyetje dhe më dhuruat kaq shumë para, atëherë kush jeni Ju?! Tha unë kam ardhur për FESTAT E VEZËVE. Nesër kthehem në Zvicër. Do të vijë verës, do të kërkoj, do të pimë kafe dhe do të tregoj edhe emrin, me siguri ti do të më japish veprat e Juaja që më mungojnë. Ma shtrihu dorën duke më uruar shëndet dhe punë të mbarë, edhe unë ia shtrëngova dorën duke i urova rrugë të mbarë, për në KURBETIN e ZI...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora