E marte, 16.04.2024, 09:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Mushkonja

E hene, 22.04.2013, 09:08 PM


Mushkonja

Tregim satirik nga Vangjush Saro

Tastierat e kompjuterave kërcisnin paq atë mëngjes. Edhe pse ishte e shtunë. Kryetari i Zyrës kishte marrë udhëzime në lidhje me prapambetjen në disa sektorë. Ai i pari po binte telef përmbi kompjuter. Specialistes së re Ana Preza, i erdhi për të qeshur. “E punon si makinë shkrimi...” Ajo u kujdes të mos e bënte gjest këtë vërejtje. Mënyra se si e godiste tastierën, nuk e pengonte Kryetarin e Zyrës të mbante pamjen e një njeriu shumë të rëndësishëm.

Ajo kishte pak javë në atë institut. Ishte kthyer nga Kanadaja për shkak se i fejuari nuk po e gjente dot veten. I ati asnjëherë nuk i tha se atë vend pune e kishin blerë me një tufë lekësh. Një gjë me shifra. Statistikë. Marrëdhënie me sipërmarrjen. Por në shtëpi ishte bërë festë...

Dita ishte me diell. E megjithatë, përqark kishte fare pak humor. Përtej dritares, e gjithë pamja ishte e copëtuar nga ngrehina krela-krela, të cilat sikur i keqeshin qiellit me zhurmë. Por ishin vetëm bori makinash dhe bërtitje të skajshme në rrugë.

Dy kolegët e saj rrinin urtë e squll. Atje gjithnjë flitej për pushime nga puna. Ajo madje kishte vënë re se në mëngjes, ata përherë vinin në zyrë të parët...Që të ngriheshin në këmbë kur kryetari t’i përshëndeste dhe që ta uronin me përzemërsi:

-Mirëmëngjes, zoti Ferdinand!

Ajo kishte dëgjuar se dikur ai e kishte pasur emrin Ferid; nuk dihej në ç’rrethana e kishte ndërruar. Kostum që farfurinte. Këpucë me majë. Vështrim prej njeriu që diçka ka në dorë. Gjatë ditëve të shkuara, skena e mëngjesit ishte sikur po xhirohej ndonjë kinokomedi. Sapo që ulej në karrigen e tij (që ishte ndryshe nga të tjerat), Kryetari i Zyrës iu hidhte një sy dosjeve e fletëve që kishte përpara ashtu përciptazi dhe gërricte ndonjë bisedë:

-Debat i dobët ai dje...Hë or ti, a e  ndoqe TV gjashtën? A e pave të them?

Si fillim, askush nuk fliste. Madje ata të dy as edhe nuk lëviznin. Dhe dëgjoheshin vetëm hungërimat e kompjuterave.

-Ama, ç’ka prrallis mbramë ai i Partisë s’Kaltër, si e ka ai…Pa le ky analisti tjatër, Demo a qysh i thonë…

Zoti Ferdinand e ka bërë shkollën vonë; edhe në kryeqytet ka ardhur vonë. Dhe nuk e ka thyer ende të folmen. Pa le që fjalët shkojnë sa andej këtej, pa adresë. Po kjo! Heshtja e mërzit sakaq zotin Ferdinand.

-Hë or ti, e pave apo s’iu intervenon politika?

Kolegët as që kanë kohë të mendojnë për termat e çuditshëm; ata zgjohen menjëherë dhe përgjigjen si në kor:

I pari:

-Po po, e pamë, kryetar. Debat pa vlerë.

I dyti:

-Sigurisht! Ai i Partisë së Kaltër e teproi…Por edhe ky i Partisë tjetër…

Partia tjetër është partia e zotit Ferdinand. Ajo e ka sjellë në postin që mban. Prandaj ai i hedh vartësit një shikim azgjësues dhe kërkon të dijë…

-Ç’a ai i Partisë tjetër?

-Jo jo, u përgjigj drejt ai. Kurse ky…ky ishte skandal.

-Gomar  thuj…, - qetësohet kryetari.

Ana kishte dëgjuar se në ndonjë zyrë tjetër, ambienti ishte disi më i moderuar. “Ç’më hyjnë në punë kaq shumë fjalë të zgjedhura!”, tha me vete. Njëherë tjetër, biseda e mëngjesit ishte qasur te futbolli. Ashtu si çdo herë, kryetari e mori shtruar-shtruar:

-Kot fitun dje ata të Tiranës.

-...

Dhe pas heshtjes së dhimbshme:

-Për neshjen e kom fjalën; apo s’ju intervenon futbolli fare?

-Sigurisht, zoti Ferdinand. Ç’është ajo…Fituan pa meritë.

-Skandal fare!

Kryetari u ndje më i motivuar për ta vijuar diskutimin:

-Edhe gjykimi i neshjes, hë...nji turp. Gjykim koti. Apo jo?

Dhe dy kolegët, me një gojë, shurdhtazi:

-Sigurisht! I dobët shumë. Gjykim të tillë s’kisha parë ndonjëherë.

-Ishte skandal fare, për Zotin!

-Ashtu.

Pasi i ka mposhtur kështu në çdolloj përsiatjeje, pasi është siguruar se ata i japin të drejtë, duan apo s’duan, kryetari zë e lexon ndonjë shkresë ose fillon e sillet nëpër kompjuter me njëlloj sqime, a thua çdoherë që godet ai tastierën, ndodh mrekullia. Vetëm pas kësaj, zyra e madhe qetësohet.

Në ditët e para, vajza mbetej disi prapa këtyre bisedave. Mbase ngaqë nuk njihej mirë me ata të gjithë, përfshi edhe kryetarin, Ferid, Ferdinand, si ia thoshin. Po mbase edhe ngaqë nuk e kishte ndjekur ndeshjen apo debatin televiziv për të cilin flitej. Me kohë, filloi ta vuante këtë. Dhe thoshte me vete se bota vërtitet në të njëjtat zakone. Kështu, gjithnjë do të ketë njerëz të çuditshëm, që rrinë në sipërfaqe të gjërave, duke u shtirur sikur kanë siguri, autoritet; dhe dinë gjithçka, pra duhet t’iu shkosh pas tragës.

Edhe ata të dy filluan t’i dhimbseshin. Jo gjithmonë e kuptonte pse. Megjithatë, përpara një jave, me atë të vetën i kishte quajtur Amin 1 dhe Amin 2. Në të vërtetë, ata s’bënin gjë tjetër veçse thoshin: Amin! Pas çdo fraze e vërejtjeje të kryetarit. Ajo ishte e bindur se edhe po të bënte përjashta zheg e kryetari të thoshte “Çfarë shiu!”, ata të mjerë do të përgjigjeshin sakaq: “Po po sigurisht, një shi i paparë! Lëre lëre, e përmbysi…”

Kur ndaheshin, diku pas dreke, në ikje e sipër Ana pyeste veten se mos po e tepronte. Fundja Ferid Ferdinandi është dikush, ka një detyrë, ai e di si e ka fituar, deri diku qejfli bisedash, ja kaq ishte. Sa për ata të dy, merrej vesh se nuk donin të krijonin asnjëlloj fërkimi dhe për asgjë me kryetarin. Njeriu është një qenie e dobët. Ç’ka këtu për të tërhequr litarin pambarim…

?

Edhe pse ende mëngjes, zu të ngrohej mjaft. Në një çast, tastiera e kompjuterit të Kryetarit të Zyrës pushoi. Zoti Ferdinand kishte ngritur kokën dhe krejt papritur filloi të fliste për filmin “Natë dhe ditë”. Mbrëmë ai kishte qenë në kinema.

-Ama, - tha ai - nji film koti…

Asaj asnjëherë nuk i kishte kumbuar mirë në vesh fjala kot. Ai e përdorte pafund, si mbiemër, si përemër, pjesëzë…Mbase askujt nuk i hynin në punë këto hollësi, por kur ai e shau filmin me përcaktorin koti dhe dy Amin-ët zunë si përherë të thoshin se me të vërtetë ai film nuk shihej, ishte një skandal, e të tjera këso, vajza befas u përfshi në bisedë dhe tha diçka tjetër. Që filmi i përmbahej një rrëfimi interesant, kishte temporitëm, loja e aktorëve i dukej…

Papritur, pas fjalëve të saj, në zyrë sikur plasi ndonjë bombë. Zoti Ferdinand shtyu tutje jo pa nervozizëm një dosje, me të cilën kishte luajtur një copë herë; dhe e vështroi në një mënyrë të tillë, sikur donte t’i thoshte: “Kur ke lujt mendsh, oj ti?”

Ndërkaq, tryezat e dy Amin-ëve filluan të gërrvinin. Herë njëri e herë tjetri, ata zunë ta vështronin Anën me njëlloj keqardhjeje, a thua kishte ardhur në zyrë e pakrehur.

-Filmi ishte…Shiko ti, - kryetari u përpoq ta ngrinte pakëz nivelin e bisedës - Dakord, ai bante fjalë për…Ama koti ishte., - u kthye prapë në fis.

Dhe me siguri, kishte menduar që pas kësaj fraze pa lidhje, vajza do ta mbyllte gojën. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Ajo tha edhe njëherë, me njëlloj pafajnije, se filmi sillte një atmosferë të veçantë dhe për më tepër…

-Ç’a? - e ngriti zërin Kryetari i Zyrës dhe u tërhoq prapa me gjithë karrigen (që e kishte ndryshe nga të tjerët). - Keq për filma kështu…koti!

Amin-ët bënin sikur punonin. Por vajza e dinte fort mirë se ata ndiqnin me zemër të ngrirë çdo fjali të sajën dhe, po ashtu, çdo fjalë e pasthirmë të Feridit, atij, Ferdinandit. Më në fund, ky vendosi ta hapte lojën.

-Hë or ti, e patë atë palo film?

Dy Amin-ët u shkundën.

-Sigurisht, nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë…

-Disa pjesë madje, ishin skandal…

-Ashtu pra, - u përpoq të vinte pikën mbi i zoti Ferdinand - Nji film, si ta thom, koti…

Në se kishte diçka që Ana nuk mund ta duronte dot në këto çaste, ishte pikërisht ajo fjalë. Megjithatë bëri një gjest dorazi, si të thoshte: “Po e mbyllim!” Për fat të keq, kryetari e kishte humbur krejt qetësinë. Ai ngulte këmbë që ai film nuk vlente një lek. Për dreq, aty filloi të vinte rrotull edhe një mushkonjë. Po sa zhurmë bënte! Zoti Ferdinand rrëmbeu vrasësen e mizave dhe fap-fap, u përpoq ta azgjësonte, të paktën atë. Nuk ia doli dot, mushkonja ishte e re. Sa zhurmë bënte…

-Mirë, pra - tha Ana shpenguar - unë nuk dua të humbasim kohë me debat; këto vlerësime janë subjektive. Është çështje shijesh…

Ferdinandi u xhindos fare. Ai brofi në këmbë sikur ta kishte gërricur ndonjë gozhdë.

-Or ti! “Natë dhe ditë” ishte film koti. S’bante nji lek. Do folni ju apo jo?, - iu drejtua edhe Amin-ëve. Pastaj prapë fap-fap mushkonjës; që nuk e vriste dot.

-Sigurisht, disa pjesë ishin keq - ia filloi Amin 1.

-Skandal fare! - e mbështeti Amin 2.

-E lëmë këtë bisedë, - u tërhoq vajza. Dhe me të vërtetë, donte që sekush të merrej me punën e vet.

Por s’ishte më në vete kryetari. Atij i kishte ikur gjendja nga duart dhe një situatë të tillë, ku atë dikush e kundërshtonte, qoftë edhe për pëlqimin ose jo të një filmi, nuk mund ta duronte dot.

-Ai film nuk bante…(Fap-fap më së koti mushkonjës.) Hë more ju! Fole, or ti!

-Nuk bënte! - tha Amin 1.

-Skandal! - tha edhe Amin 2.

Gjendja në zyrë ishte me të vërtetë e nderë. Vajza po lutej që të binte së paku telefoni ose ndonjë nga celularët. Tani, iu ndërmend sakaq diçka tjetër, mund të isha duke shëtitur përgjatë SeaWall. Pse jo në Stanley Park?1) Fap fap(!) Fap Fap(!) Por vetëm kaq nuk mjaftonte; sepse kishte pllakosur një heshtje dhe një frikë, sikur pritej të binte ndonjë tërmet. Edhe ai dreq insekti s’po mehte. E Kryetari i Zyrës gjithnjë e më shumë turfullonte. Fap fap(!) Fap fap(!)

-A pimë nga një kafe?, - guxoi e tha Amin 2.

Fjala mbeti një copë herë e varur në ajër diku.

-E tamam…sikur…- u ngrit menjëherë Amin 1.

Dhe që të dy po shikonin Kryetarin e Zyrës. Ai tundi kokën, por në të njëjtën kohë, u bëri një shenjë me dorë; shkoni e thyni qafën, por ai filmi…ehë…ai…Fap fap(!) Fap fap(!)

Deshën s’deshën, Amin-ët dolën me gjithë Anën te kafja. Kjo ishte diku poshtë zyrës, një gjë që nga koha e shkuar, me vetëshërbim, ku edhe tryezat ishin nga ato të lartat, pa karrige, që të bëheshe def menjëherë.

Ata e pinë kafen nën një heshtje qesharake. Më sa fliste banaku, ku përplaseshin herë pas here klientët, aq flisnin edhe Amin-ët. Dhe, ndihej, mezi prisnin të ktheheshim në zyrë. Kështu edhe u bë. Por nja dy-tre hapa para se të hapnin derën, seç u rrapëllye atje brenda; dhe pastaj u dëgjua një zhurmë.

-Bobo, ç’na bëre! Ku do të futemi tani?, - tha Amin 1.

-S’je hiç tolerante, motra., - tha Amin 2.

Prapë u dëgjua një përplasje e fortë. Të krijohej përshtypja se atje brenda Ferdinandi po shkallmonte ndonjë gjë, po thyente pajisje, po përplaste dosje e libra, po çahej më dysh, po plaste...

-Na more në qafë, - sekush tha nga Amin-ët, teksa po hynin në zyrë.

Por asgjë nuk kishte ndodhur. Kryetari e kishte vrarë më në fund atë mushkonjën. Kaq ishte…

...............

1) SeaWall/ Stanley Park - Vende shumë të njohura në Vankuver.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora