E marte, 19.03.2024, 10:34 AM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Sa tokë i duhet njeriut

E shtune, 10.05.2008, 04:58 PM


Sa tokë i duhet njeriut

Nga Agron Tufa

Sami S, një plak i vjetër në pension, i mbetur fillikat në këtë botë – njeri pa njeri – qe zgjuar një mëngjes’herë me një pyetje të çuditshme në kokë: ku do ta kem vallë varrin tim?

Si gjithë njerëzit ende me mendje të esëllt, kjo pyetje, ndonëse e qartë, e rëndë dhe e prerë, e gjeti Sami S krejt të papërgatitur. Ishte një pyetje me aq peshë e fuqi shtypëse, sa ia bllokoi Sami S të gjitha mendimet dhe kujdesjet e tjera: çdo gjë tjetër në jetën e tij e humbi rëndësinë, u zbeh dhe u spraps në hije para eklipsit të fuqishëm të pyetjes - “ku do ta kem vallë varrin tim?”.

Meditimet e Sami S, siç mund t’i marrim lehtë me mend, ishin pak a shumë të tilla: “Njeriu, sa është ende i këmbës e i dorës, duhet t’i zgjidhë vetë problemet më të rëndësishme”. Dhe dihet se, për jetën e një plaku të vetmuar, njeri pa njeri, pa tokë e katandi, perspektiva e rrugës së kësaj jete vjen duke u ngushtuar, derisa hollohet e tretet në një pikë të fundme që është varri. E vetmja dëshirë për atë plak të gjorë ishte ta përcillnin realisht dhe në mënyrë të sigurtë për në fundin e perspektivës së vet.

Prandaj Sami S i kishte jetuar e rijetuar në hamendjen e vet mënyrat se si do t’ia arrinte këtij ideali; kishte llogaritur saktësisht shumën që do t’i duheshin shërbimeve funerale për ta përcjellë në “banesën e fundit”, madje në shumën e llogaritur kishte hamendësuar edhe koefiçientin e ngritjes së çmimeve dhe ja, më në fund, ia kishte dalë mbanë ta hiqte mënjanë këtë shumë.

Ashtu gjakftohtë e i matur, siç ishte Sami S, gjithë shumën e hequr mënjanë për shërbimet e varrimit ia dorëzoi një mbrëmje djalit të fqinjit të vet, një bashkëshorti të rregullt, tek i cili kishte besim të patundur, nisur nga njohja pesëdhjetvjeçare me të, qëkur ky ishte fëmijë i mitur. Sigurisht fqinji i tij ia pranoi amanetin Sami S, më tepër për të mos e fyer dhe për të mos i shkaktuar plakut asnjë hije mëdyshjeje. Por ja që Sami S u zgjua atë mëngjes me pyetjen therëse: “ku do ta kem vallë varrin tim?”

Në gjithë jetën e tij, gjatë së cilës Sami S kishte qenë i pranishëm dhe të cilën e quante “të rreme”, ai kërkonte vetëm një gjë të vërtetë: ta përcillnin në varr me lekët e tij, pa vënë kënd në siklet, dhe për këtë shërbim të fundit njerëzit të paguheshin. Mirëpo Sami S u zgjua i tronditur, duke e kuptuar gabimin e tij të pafalshëm: kush ia kishte garantuar atij vendin e sigurtë të varrit? Askush! Prandaj, edhe një herë, mendimet e Sami S nisën një udhë të mundimshme: sa qe ende gjallë, me këmbë e me dorë, ta zgjidhte këtë hall të mbramë, ndryshe nuk do të gjente prehje. Rishqyrtoi kursimet e veta dhe nxorri një shumë të mjaftueshme për një copë toke, sa për një varr të thjeshtë.

Filluan atëherë endjet e mundimshme të plakut Sami, nga mëngjesi në darkë, së pari nëpër varrezat e Kryeqytetit e mandej, edhe në ato të fshatrave përrreth. Asgjë të sigurtë nuk i premtuan Sami S, ndonëse askush nuk ia refuzoi “një copë” vend ku të prehte kockat pas vdekjes. Por sapo Sami S e shtronte konkretisht çështjen e pazarit, që tokën ta blinte me letra të rregullta e të noterizuar, nuk doli ta përkrahë njeri dhe çuditërisht iu shmangën, duke e marrë për të çmendur.

Ditë të tëra mërzie dhe mendimesh të rënda, pa rrugëdalje, kaloi Sami S, gjersa një mëngjes u lëshua prapë në kërkim të një zgjidhjeje të re.

Tani Sami S kishte ndërruar taktikë: ai nuk vërtitej më nëpër varrezat e fshatrave, ngase konsiderohej si një kandidaturë e papranueshme për varrezat e tyre. Tekefundit kush ishte ai, dhe çfarë donte në varrezat e tyre? Me kë do të bisedonte ky i huaj, të cilin të vdekurit nuk e kishin njohur në gjallje?

Sami S nuk kishte aspak dëshirë ta kthenin në varrezat e vendlindjes. Nga vendlindja ai qe larguar në moshë të re dhe asgjë nuk e lidhte më me fshatin e tij. Shkurt, taktika e re e Sami S ishte të gjente një copë vend në fshatrat përreth Tiranës, të binte në ujdi me pronarin e tokës dhe ta blinte më në fund atë tokë që i lypsej për varrin e vet. Me gjithë vështirësitë e fillimit - askush prej fshatarëve nuk dëshironte të bënte pazar duke shitur një sasi toke aq të papërfillshme, aq më tepër për varr, çka do t’ua hiqte dëshirën blerësve të tjerë (e kush dëshiron të blejë tokë për shtëpi kur ndanë murit të shtëpisë, avlisë apo kopshtit, ka një varr, të shkëputur e pa lidhje, si një kukudh?) – pra me gjithë vështirësitë e fillimit, u gjet lavdi Zotit një kasharas zemërmirë që ia shiti një copë tokë, jo sa për një varr, por sa për një shtëpi të madhe, diku në një zgëq, buzë një përroske. Vendi i pëlqeu Sami S, shpinëkthyer nga banesat, rruga e madhe dhe gjindja zhurmuese përreth, andaj, me gjithë çmimin e thartë, bëri letrat, i firmosën tek noteri, i pagoi fshatarit dhe, madje, një ditë të lume, u nis ta regjistrojë në hipotekë.

Këtu i ngeci puna Samiut. Gjallë në botë nuk pranoi asnjë zyrtar i hipotekës ta merrte seriozisht. Përkundrazi ata u tallën e u gajasën me këtë plak të rrjedhur që vinte të hipotekonte vendin e varrit të vet. Por pas disa muajsh, një djalë flokverdhë ia mori letrat dhe pas dy javësh i dërgoi Sami S çertifikatën e pronësisë. U lumturua Sami S, si fëmijë: e puthi çertifikatën në sy të djalit flokverdhë, madje guxoi deri në atë pikë sa e ftoi dhe për një filxhan kafe. Djaloshi e refuzoi tepër mirësjellshëm ftesën e plakut, duke u shfajësuar se ka shumë punë.

Në ditët që pasuan Sami S e vizitoi shpesh vendin e tij të varrit me ndjenjën e ligjshme të të qenit pronar. Sa më shumë ditë kalonin, aq më shumë i hynte në zemër ai vend. Bile kuturisi dhe, për ditë të tëra, ku me listela, ku me thupra e gardhoi imtësisht e me durim gjithë atë valle vend, pa harruar më në fund të ngulte një tabelë teneqje dosido me mbishkrimin - “Toka është e blerë dhe e hipotekuar!”.

Mirëpo pikërisht kur merrej me thurjen e gardhit, madje pasditen e fundit, e zu një rrebesh i ftohtë, siç bëjnë vaki shirat e vjeshtës së tretë.

Të nesërmen Sami S nuk mundi të ngrihej nga shtrati. Vetëm nga pasditja u zvarrit deri në derë dhe me mundime të mëdha trokiti në derën e po atij fqinji, të cilit i kishte lënë shumën e amanetit, për t’i bërë shërbimet e fundit. Shkurt fjalët, Sami S e shpunë, kundër dëshirës së tij, në spital. Nuk kishte dëshirë të shërohej Samiu. Fshehtas ai dëshironte të vdiste dhe e priste vdekjen me lehtësinë dhe kërshërinë e atij njeriu që mezi pret të zhvendoset në apartamentin e ri, të gjerë e plotë dritë. Veçse kundër dëshirës së tij, ngadalë, tepër ngadalë, Sami S përmirësohej dita-ditës, gjersa mbas tre muajsh e nxorrën nga spitali, me një tog ilaçesh e udhëzimesh, ndër të cilat, i ndalohej kategorikisht të bënte shëtitje të gjata. Gjithësesi edhe Sami S e ndjente veten ende të dobët e, nëse kishte ndonjë gjë për të cilën atë e kishte këputë malli, ky ishte vendi i tij ku kishte blerë truallin e varrit. Pas një muaji tjetër, falë zbatimit të përpiktë të udhëzimeve të mjekut, Sami S e ndjeu veten krejt të aftë për të ndërmarrë udhëtimin e tij të shumëndërruar në pronën e tij të re.

Dhe mënjëmend, një mëngjes të bukur prilli Sami S u nis. Por çfarë çudie! Sami S nuk po e njihte vendin, pronën e tij të re që e pati rrethuar me gardh. As taba që lajmëronte se “Toka është e blerë dhe e hipotekuar!” – nuk ishte. Në vend të tyre ngrihej një vilë e madhe trekatëshe, me hyrje ballore të dy flegrash e xhamllëk tejendanë, me ballkone të gjera dhe fasadë të lyer me bojëra të ndezura. Sami S u bind se kjo nuk ishte një vegulli, se shqisat dhe mendja i punonin në rregull dhe se vendit të tij të blerë e të rrethuar me gardh nuk i dukej më nishani. Vila përballë, me gjithë vezullimin marramendës ishte ende e papërfunduar; brenda saj vlonte puna. Sami S deshi të hyjë brenda, por nga një qoshe iu hodh si një mullar i zi një qen i madh leshator, i cili qe lidhur me zinxhir, diku brenda, në sallon. Sami S priti me këmbëngulje të madhe gjerkur ustallarët mblodhën veglat e punës; pikërisht atëherë mbërriti në vilë një benz ngjyrë vishnje dhe Sami S pati rastin të njihej me të zotin e vilës - një mesoburrë shtatlartë, të zeshkët, mustaqelli e gjysmëtullac. Pavarësisht fjalëve të prera dhe tonit të ashpër të tij, Sami S ia doli t’i thotë tjetrit se i ka zënë truallin, të cilin e ka blerë me dokumenta të rregullta dhe me hipotekë. Ia tundi para sysh edhe çertifikatën e pronësisë.

Burri bëri drejt makinës, nxorri një tuf dokumentash dhe, edhe ai, ia tundi para sysh Sami S, duke i thënë se me dokumenta të rregullta dhe me çertifikatë pronësie është dhe ai. I tha se, derisa shtëpinë e ka ndërtuar, s’ka ndërmend të tundet prej aty. “Hall të madh paske ti mor plak! Unë kërkoj të jetoj, ti kërkon të vdesësh! Ik e mos u duk më kësaj anë se po erdhe prapë, të lëshova atë qenin e zi që të bën hoshaf!”

E kërkoi Sami S pronarin, të cilit i kishte blerë truallin e varrit, por mëkot. I thanë se i ka shitë tokat dhe vetë është larguar tek njerëzit e tjerë të familjes që i ka në Itali. Edhe tek Hipoteka shkoi. Prapë e tallën, u shkulën gazit disa, gjersa një ditë takoi atë djalin flokverdhë. “Do të vish nesër të më takosh, - i tha ai. Më duhet të shkoj në vend të verifikoj dokumentet e tjetrit”. Të nesërmen djaloshi i shpjegoi se edhe i zoti i vilës i kishte dokumentat të rregullta. Kështu që kjo punë nuk zgjidhet. Fshatari e ka shitë atë tokë dy herë, me emra të ndryshëm. “Po si i bëhet hallit tim?”, pyeti i pikëlluar plaku. “Duhet ta hidhni në gjyq atë fshatarin mashtrues”, i spjegoi djaloshi. “Po ai ka ikur në Itali dhe nuk kthehet më”, sqaroi Sami S. “Nuk e di, këtu nuk të ndihmoj”, tha thatë flokverdhi dhe i ktheu shpinën.

Kanë kaluar gati një vit prej asaj dite kur Sami S humbi vendin e blerë për varrin e tij. Ndërmjet meditimeve të shpeshta gjen vend shprehja që Sami S e përsëriste me habi të madhe: “po si more, s’më lan as dhê varri!”. Sidoqoftë Sami S e bëri dhe një përpjekje të fundit, duke qenë i vetëdijshëm se ia vlente edhe një përpjekje tjetër, gjersa “nuk më janë ndalur këmbë e dorë”. Më saktë, Sami S-në e ndihmoi fati. Historinë e tij e morën vesh të gjithë në fshat, aq sa një plaku vendali i ra keq për të dhe ia shiti një vetull tokë të vogël sa me ndërtue një varr të bollshëm dhe madje, me mbjellë ndanë tij edhe një pemë. Prapë ai djali flokëverdhë i hipotekës ia rregulloi letrat, duke e pajisur Sami S-në me një çertifikatë të dytë pronësie. Por Sami S, duke pasë parasysh përvojën e hidhur me truallin e parë, nuk u zinte më besë as njerëzve, as dokumentave. Ai i zbrazi të gjitha kursimet, bleu një varr të vërtetë mermeri, e hapi vetë gropën dhe ja tani: varri i mermertë ngjyrë kafe është aty. Pllaka e varrit ka të shënuar emrin e tij, datën, vitin e lindjes dhe të vdekjes, e cila përkon me mbarimin e këtij viti.

Sami S sapo ka mbjellë një rrënjë bliri ndanë varrit. Ai i ka lënë vetes 4 muaj kohë, një periudhë e bollshme për t’u ndarë me mendimet, sajimet, punët e mbrapshta të gjindjes njerëzore, - tërë këtë jetë të rreme - për t’iu bashkuar përgjithnjë të vetmit vend të sigurtë që ka blerë. Varri pret aty, bashkë me datën e vdekjes së tij. Pema e blirit – gjithashtu. Mungon vetëm ai vetë. Po tani s’ka pse ngutet. I mbetet të shijojë të vetmen kënaqësi të sigurtë: të vizitojë thuajse ditë për ditë varrin e vet, i cili, siç e dëshmon çertifikata e pronësisë nga hipoteka, është pasuria e tij e patundshme. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora