E enjte, 18.04.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë më shkrimtarin dhe publicistin Ndue Ukaj

E shtune, 20.04.2013, 01:11 PM


Peticioni vuri ndërgjegjen kombëtare para një përgjegjësie dhe sprove serioze

Pse vendosët të ndërmerrni këtë iniciativë?

Është e mirënjohur maksima, se historia është mësuesja e jetës. Nëse nga ajo nuk mësojmë, sigurisht se do të pësojmë. Pikërisht për këtë, pikësynimi i historisë, gjithmonë duhet të jetë e vërteta dhe vendosja e së vërtetës historike në kontekstin e duhur dhe në përkim me parimet metodologjike që njeh shkenca e historisë. Historia dhe përvoja empirike ka treguar sesa herë është tentuar të abuzohet me historinë dhe të kaluarën, ajo ka prodhuar situata të rrezikshme për kombe të ndryshme dhe rajone të caktuara. Ballkani për këtë, është shembull i mirë. 

Ky bashkim i intelektualeve, krijuesve, shkrimtarëve, historianeve dhe qytetarëve të shumtë shqiptarë, ishte një marshim i qartë i vetëdijes shqiptare, kundër tendencave të rrezikshme për ta ndryshuar historinë tonë të përbashkët kombëtare në formë arbitrare dhe me prapavija të pastra politike. Ne gjithë jemi të vetëdijshëm se këtyre viteve të fundit ka pasur një përpjekje për të ndryshuar perceptimet për historinë e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe perandorisë osmane. Kjo tendencë është ka ardhur edhe nga politikan turq  dhe në thelbin e vet synon ta amnistohej të kaluara e pushtimit osman dhe krimeve të saja në trojet shqiptare.  Ne e kemi thënë se faktet historike dhe argumentet shkencore, janë ngjarje dhe momente jetike në historinë e një kombi. Ato s’mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes një perandorie pushtuese dhe një kombi të pushtuar, pas një qëndrese që përbën një faqe të ndritur jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Evropës.

Ky peticion, ishte një përgjigje e nevojshme ndaj heshtjes dhe me përmasën dhe interesin publik që fitoj preku opinionin publik, njëherësh duke e vu ndërgjegjen kombëtare para një përgjegjësie dhe sprove serioze. Reagim i njerëzve eminent të kombit për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme kombëtare, është një dëshmi e fuqishme se ndryshimet e iniciuara janë të rrezikshme dhe të gabueshme. Ne vazhdojmë të themi se ndërhyrjet në histori në formë arbitrare dhe me “këshilla” turke, janë përpjekje makabre që rrezikojnë kohezionin e brendshëm kombëtar.

Përfshirja në peticion e shqiptarëve dhe atë nga gjitha hapësirat shqiptare, diaspora, arbëreshët e Italisë, është një dëshmi e fuqishme se kundër ndryshimeve arbitrare në histori, është e gjithë bota shqiptare, sepse ne kemi një histori të përbashkët dhe prekja e saj, përbën rrezik të paprecedent.

A ka terma qe nuk shkojnë dhe mund të ndryshohen?

Mund të ketë dhe ato duhet të rregullohen vetëm në përkim me faktet dhe argumentet historike. Ne, nëpërmjet peticionit s’e kemi mohuar nevojën e ndryshimeve në librat e historisë, por kemi kundërshtuar ndryshimet e historisë që vijnë nga kërkesat turke, nën mbikëqyrjen  e autoriteteve turke dhe pa kompromis kombëtar. Ne e dimë se historia vazhdimisht shkruhet, mirëpo  ndryshimet duhet të ndodhin, nëse ato motivohen nga argumente shkencore, motivohen nga ambicie shkencore dhe s’kanë prapavija politike. 

Nga ajo që kemi parë nëpërmjet mediave, mund të themi se përpjekja qyqare e ministrisë për t’u fshehur pas gjoja kërkesës së Këshillit të Europës, është e pavend dhe nuk justifikon asgjë. Askush s’mund të diktojë perceptimin tonë për të kaluarën dhe historinë, e ketë s’mund ta kërkojë as Këshilli i Europës. Nëse zëvendësohet fjala vrasje me burgosje, nëse thuhet se arbëreshët nuk emigruan për asnjë arsye tjetër veç fetare, nëse promovohet gjoja një bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, atëherë me këtë synohet të ndryshohet i gjithë perceptimi për të kaluarën dhe kjo e rrezikon krejt kulturën shqiptare, sepse pa dashjen tonë, identiteti ynë kombëtar është formuar në konfrontim të përhershëm me atë osman dhe ky është fakt i pakontestueshëm.

Historia nuk shkruhet mbi simpati, por mbi të vërteta dhe  kultura shqiptare, historia shqiptare, por edhe ajo e huaja e njeh  të vërtetën e kësaj periudhe.

Kush është në këshillin organizativ për nënshkrimin e këtij peticioni?

Tendencat për të ndryshuar historinë në këtë formë siç janë prezantuar, janë poshtëruese dhe për më tepër ato janë fyerje për kombin shqiptar. Pikërisht për këtë, u shpreh nevoja e një reagimi publik. Në konsultim me shumë miq nga mbarë hapësirat shqiptare, kemi menduar që të shprehim pakënaqësitë tona publike nëpërmjet një peticioni. Gjithë ata që e kanë mbështetur këtë peticion kanë kontribuar, mirëpo këtu do të veçoja bashkëorganizatorët e këtij peticioni,  Prof. Ardian Ndrecën, Prof. Matteo Mandalàn, Lazër Stanin dhe Majlinda Bregasin. 

Si e vlerësoni heshtjen e intelektualëve në Kosovë në lidhje me këtë çështje?

Intelektualë s’mund të jetë ai që heshtë, ai që për interesa të ngushta e meskine, është në gjendje ta tradhtojë ndërgjegjen e vet intelektuale dhe atë ta vë para thertores politike. Krijuesit, intelektualët, janë ata që në çaste të vështira për kombin, gjithmonë janë të gatshëm të thonë fjalën e tyre të duhur dhe konstruktive, duke mos llogaritur në interesa të dorës së dytë, që janë shpeshherë politike. Në fakt, nuk është se heshtin gjithë. Peticionit i janë bashkuar një numri konsiderueshëm i intelektualëve që i thanë një jo të fort ndryshimeve arbitrare të historisë dhe për qëllime politike. 

Si e vlerësoni heshtjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe institucioneve tjera shkencore?

Ata duket se punën më të mirë e bëjnë kur heshtin. Në fakt, ka kohë qysh kur kjo akademi është në heshtje dhe s’i dëgjohet zëri për asgjë. Sa për institucionet tjera, ka një numër të konsiderueshëm punëtorësh që na kanë mbështet, ashtu sikurse edhe anëtarë të akademisë.  Mirëpo mosreagimet e tyre publike si institucione duhet parë më dyshim, sepse ato e kanë përgjegjësi ta thonë fjalën e tyre. Le të jetë në ndërgjegjen e tyre intelektuale dhe kombëtare. 

-Si u realizua mbledhja e nënshkrimeve përkrahëse?

Së pari iniciativa është konsultuar me miq të shumtë nga gjitha hapësirat shqiptare, pastaj është zgjeruar rrjeti dhe ne organizatorët konfirmimet i kemi marrë në masë të madhe me emaila dhe pastaj nëpërmjet një faqe ne Facebook, në të cilën brenda pak orësh janë bashkuar rreth 5 mijë anëtarë, numër ky që më vonë është rritur.

Sa persona e kane nënshkruar?

Duhet të jenë shumë, sepse e kemi pasur të pamundur të mbledhim gjitha ato nënshkrime ngase ka pas thirrje telefonike, konfirmime nëpërmjet email adresave, pastaj nëpërmjet faqes së krijuar në  facebook. Kur të kemi përfunduar këtë proces, do të njoftojmë sa firmëtarë ka pasur ky peticion. I rëndësishëm është fakti se në këtë peticion janë bashkuar njerëz të gjitha pjesëve shqiptare, pa dallime dhe kanë demonstruar një vetëdije të pastër kombëtare.

Cilët janë disa nga emrat me eminent qe e kane përkrahur këtë peticion?

Ka shumë dhe s’do të preferoja t’i kategorizoja, por gjithsesi do të falënderoja këtu Ismail Kadarenë, i cili ju bashkua peticionit, duke demonstruar kështu në kontinuitet vetëdijen e tij kombëtare dhe gatishmërinë për të reaguar për çështje të rëndësisë së parë kombëtare, por gjithashtu këtë peticion e kanë mbështetur qindra intelektualë, shkrimtarë, historianë dhe qytetarë nga mbarë hapësirat shqiptare. Ky peticion, ishte një reagim i gjithanshëm dhe i fuqishëm i intelektualëve mbarëshqiptarë për një kauzë kombëtare. Ishte një moment i rrallë, ku rreth një çështje dhe kauze kombëtare, mund të bashkoheshin kaq shumë intelektualë dhe pa ndonjë shtytje të jashtme.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora