Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Shoqëria kërkon të rilindë

| E diele, 21.04.2013, 05:00 PM |


Të dashur miq!

Unë quhem Entela Binjaku, pedagoge dhe përfaqësoj këtu botën universitare, gratë dhe vajzat e Tiranës.

Fryma e Re Demokratike hyri në mjedisin politik shqiptar për të përfaqësuar një aspiratë të të gjithë shqiptarëve, atë të perspektivës emancipuese. Çdo shoqëri e emancipuar i vlerëson njerëzit sipas meritave dhe vlerave. Shumë mendje të ndritura  kanë dalë nga gjiri i shoqërisë sonë, por ato i afrohen me vështirësi partive politike sepse deri më sot mekanizmat e brendshëm të partive të vjetra kanë promovuar edhe figura pa ndonjë vlerë intelektuale.  FRD vjen me  një mision të ri. Ja pse unë u bashkova me FRD!

Në këtë takim të shumëpritur, përfitoj nga rasti t´´ju bëj thirrje, në emër të vajzave dhe grave, në emër të gjithë atyre mijëra të diplomuarve në shkollat më të mira evropiane e më gjerë, në emër të qytetarisë dhe kulturës për të cilën aspirojmë, për të reaguar me forcë ndaj realitetit të sotëm.

Ne nuk duhet, nuk mund të pranojmë e të mos reagojmë shpërfilljen e elitave dhe të qytetarisë, nuk mund të pranojmë të drejtohemi apo më mire të nëpërkëmbemi nga nëpunës me kulturë minimale, ndërkohë që me mijëra të rinj të aftë e të shkolluar në shkollat më të njohura të botës  mbeten pa punë dhe  të margjinalizuar.  Ne nuk duhet të pranojmë më panoramën aktuale të kryeqytetit tonë, ku krenaria dhe dinjiteti i elitave janë nëpërkëmbur nga mediokrit dhe të paaftët. Qyteti që drejtohet nga militantë të cilët frikshëm kanë pushtuar cdo qelizë të tij nuk mund të jetë më qyteti ynë!  Ne nuk mund të pranojmë që Tirana Metropol të jetë një eksploziv i vërtetë problemesh sociale që prekin cdo qytetar të tij.

Ne nuk mund të pranojmë më që gruaja në politikë të jetë thjesht një metaforë. Le ta pranojmë zotërinj, se dhuna në shoqërinë tonë reflektohet dhe amplifikohet nga dhuna e brendshme në politikën aktuale.

Prandaj, prania e elitave të vërteta në drejtim mund të sjellë ide, mendime dhe rregulla të cilat do të gjenerojnë burime ekonomike, kulturore dhe shoqërore për të gjitha shtresat e popullsisë, për një jetë më të mirë dhe më dinjitoze.

Kemi arritur të dashur miq, të vërejmë një paralele të qartë me vitet 1990, ku shoqëria kërkon të rilindë, të gjejë vetveten, kërkon të prekë demokracinë e vërtetë, kërkon të ndryshojë kohën e vetë.  Atëherë le të ngrihemi të gjithë sëbashku sepse koha është tani, që elitat, që njerëzit e shkolluar mirë, ata që vënë përpara pasionin dhe idealin, të marrin në dorë fatet e vendit tonë të shtrenjtë…që nuk vlen 1 euro!

Së fundmi më lejoni të citoj një pohim të Xhon Adams, presidenti i dytë i SHBA dhe një ndër baballarët e demokracisë amerikane i cili  besonte se “senatorët e një kombi duhet të dalin nga radhët e njerëzve të aftë, lindur në familje të respektuara, të rritur mirë por edhe të mençur”.

Ky është një mesazh i vlefshëm për Shqipërinë e Qershorit të vitit 2013.