E premte, 29.03.2024, 04:55 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Mes Thatcher-it dhe Che-së megjithë Chavez-in!

E premte, 19.04.2013, 06:39 PM


Mes Thatcher-it dhe Che-së megjithë Chavez-in!

Nga Elvi Sidheri

Këto ditë u zhvillua me ceremonitë më të larta të parashikuara nga ligji britanik, funerali madhështor i “Zonjës së hekurt”, thënë ndryshe Margaret Thatcher.

Gjer këtu jemi në rregull.

Vdiq zonja e madhe që pati qeverisur për më tepër se dhjetë vjet Mbretërinë e Bashkuar dhe autoritetet e atij vendi i dedikuan kujtimit të saj të tërë respektin e merituar për një jetë të kaluar përmbi kreshtën e valës së politikës britanike dhe asaj botërore.

Padyshim dhe nuk kishte si të qe ndryshe në Britani, që është një vend i lirë ku secili ka të drejtën ligjore të shprehi mendimet dhe kundërshtitë e veta, pati dhe ka edhe nga ata (jo të pakët do pranuar), që “Iron Lady-n” nuk e deshën në jetë dhe aq më shumë gjetën rastin t’a nëmnin e t’a përçmonin tani si të vdekur (kur s’ka kush t’u përgjigjet).

Por ajo që mua më bëri përshtypje, ishte një si tip bishti i fëlliqur i debatit lidhur me figurën e saj, që na arriti deri në Shqipëri.

Se mbetëm ne t’a përcaktojmë kush ka qenë dhe çfarë ka bërë e nuk ka bërë Thatcher, jo për gjë!

Por në fakt, e pranoj që edhe ky pohim i imi, nuk qëndron edhe aq, sepse lartësia e emrit të saj, ka tejkaluar Britaninë prej kohësh dhe ka prekur edhe cepat më të largët të botës tonë, ashtu siç edhe globalizimi i sotshëm dhe kontakti i shpejtë i lajmit, influencës dhe veprës së njerëzve të mëdhenj, kap kënde përherë e më distantë.

Prandaj për Thatcher-in, flasin ose thënë më drejtë, përdorin gojën, edhe shumë nga ata do të duhej të vinin gjuhën në punë ekskluzivisht për figura si Mao, Kimi, Che-ja ose Chavez-i.

Ja para ca muajsh, s’kaloi shumë qëkur na la shëndenë edhe Lider Maximo i Venezuelës...”nuestro querido y amadisimo”, pra i shtrenjti dhe shumë i dashuri ynë, udhëheqësi Hugo Chavez.

Vdiq tjetri, luftoi me sëmundjen e pashërueshme dhe shkoi në botën tjetër teksa tërë opinioni botëror duhet pranuar se aty e kishte mendjen derisa ai dha shpirt.

Pra Chavez-i, një njeri i akuzuar fort si gjysëm-diktator, me prirje të theksuara uzurpuese të pushtetit në vendin e tij, persekutues i opozitës, mik me regjimin totalitar komunist kuban, me satrapë europianë si Lukashenko bjellorus e diktatorë të mirëfilltë si Ahmadinexhadi, ai pra gjithësesi në grahmat e fundit, pati respektin botëror ndaj kushteve të vështira njerëzore nëpër të cilat po kalonte dhe bashkë me vendin e tij u la i qetë, deri kur mbaruan ceremonialet e rastit lidhur me varrimin e tij.

Vijmë në ditët tona tek kujtimi i zonjës Thatcher dhe të plas gjithandej, aq më tepër në Shqipëri, anti-thaçerzimi i vonuar nja tridhjet vjet të paktën.

Sepse të jesh anti-thaçerist, do të thotë të jesh akoma me trutë në vitet tetëdhjetë, mundësisht të jesh ose minator apo sindikalist anglez a skocez a uellsian që po të heqin nga puna si pasojë e qeverisjes konservatore të Thatcher-it dhe si rrjedhojë ti o njeri, të jesh ngritur me forcë kundër saj edhe ideve e frymës që ajo grua përfaqëson.

Por ka edhe një mundësi të dytë në fakt se desh harrova.

Një anti-thaçerist, mund të jetë (duke pasur gjithmonë parasysh të qënit e domosdoshëm në vitet tetëdhjetë)...dikush nga Argjentina, ndonjë pjesëtar i Juntës së përgjakshme ushtarake të atjeshme për shembull, i cili pas aventurës idiote të përpjekjes së dështuar për pushtimin e ishujve gati të pabanuar Falkland-Malvinas (me dymijë banorë dhe shumë më tepër dele e shkëmbinj), ka ngrënë ndonjë shqelm në pasme nga britanikët gjatë asaj fushate dhe e ka mërinë të lartë kundër Thatcher-it, kryeministres britanike.

Ajo që do theksuar sido që të jetë, është se nga vitet tetëdhjetë pra, shumë ujë ka rrjedhur nën ura dhe gjërat kanë ecur dhe shpesh kanë ndryshuar.

Zonja Thatcher nuk është më në pushtet në Londër prej 23 vjetësh, komunizmi në Lindje si dhe diktatura ushtarake në Argjentinë është rrëzuar prej kohësh (si pasojë direkte e humbjes së forcave argjentinase përballë atyre britanike në ishujt Falkland dhe revoltës popullore pas atij turpi kombëtar).

Minierat e shumta të thëngjillit janë mbyllur s’mbahet mend që kur në Britani, ashtu siç edhe sindikatat e majta, në atë mbretëri s’i pyet kush dhe nuk i ngatërrohen më nëpër këmbë shtetit siç bënin kur ende kishin mbështetjen e punëtorëve të sektoreve të rëndësishëm të cilëve qeveria konservatore u vuri drynin njëherë e mirë.

Por urrejtja primitive për Zonjën e Hekurt, në qarqet e majta, ka mbetur e njëjta si përherë dhe ajo e tejkalon disafish edhe ndjenjën ndoshta të arsyetuar armiqësore ndaj Thatcher-it që mund të kenë akoma sot e kësaj dite, minatorët e dikurshëm skocezë ose punëtorët e ish-industrisë së rëndë britanike, të cilët politika e saj anti-sindikale i la të papunë dikur.

Dëgjova Gorbaçovin dhe nuk është se foli keq tjetri, ish-armiku pra për këtë grua e cila së bashku me ish-presidentin e ndjerë amerikan Reagan, i bënë gropën përfundimatare ngrehinës së zezë sovjetike dhe hijes së errët që komunizmi prej aty i gjeneruar qysh në vitet njëzetë pas revolucionit të kuq, përhapte si helm nëpër planetin tonë.

Por jo, të majtës sonë nuk i dalin njëmijë andrallat e veta, as sa e sa problemet e vendit tonë të cilin po rreken t’a qeverisin një ditë, por do të shkojë të na gremiset tek zonja Thatcher.

Unë vetë si i djathtë, zonjës Thatcher i njoh disa merita, në lidhje me efektet e politikës së saj të jashtme gjithmonë, sepse punët e brendshme të Britanisë, qytetarët e asaj mbretërie i njohin më mirë se kushdo tjetër.

Por gjithashtu duhet të pranoj, se edhe si shkak i luftës së saj të pakompromis me krahun intransigjent të sindikatave të majta angleze me peshë të madhe tek Partia Laburiste, u bë e mundur që si rrjedhojë e një rilindje të detyruar mbi hirin e së majtës së vjetër britanike të shkelur nga doktrina thaçeriane, të dilte në skenë edhe “New Labour-i” i përfaqësuar nga një figurë e madhe për Britaninë, po aq sa edhe për neve popullin shqiptar, pra Tony Blair.

E nuk besoj se tani unë ka nevojë që t’i shpjegoj kujt se çfarë do të thotë emri i Tony Blair për shqiptarët, për Kosovën, për sulmet e NATO-s mbi regjimin serbomadh të Beogradit etj.

Pra po thoja vetëm se qoftë edhe si një pasojë e paqëllimshme indirekte e politikës së sukseshme të djathtë konservatore të zonjës Thatcher dhe e shkatërrimit të themeleve sindikaliste të së majtës britanike, më vonë si një reagim normal ndaj këtyre dy fenomeneve thellësisht të ndërlidhur njëri me tjetrin, ndodhi edhe shfaqja në skenë e një rruge tjetër të moderuar të së majtës së qendrës, asaj të zotit Blair, një lideri karizmatik, i cili bëri shumë për Britaninë e tij, botën, por edhe më tepër për ne shqiptarët.

Padyshim që pas zonjës Thatcher, Tony Blair është kryeministri më me staturë shtetari që britanikët kanë pasur mbas Winston Churchill-it dikur.

Blair-i ngriti dhe njëherë në këmbë ekonominë britanike, ringjalli politikat e suksesshme sociale për të tëra shtresat e shoqërisë britanike dhe po ashtu ai njeri qëndroi me një rol vendimtar në krah të Bill Clinton-it, para, gjatë dhe pas fushatës së NATO-s kundër serbëve në Kosovë.

Dhe sipas mendimit tim të paktën, zoti Blair dhe filozofia e tij politike, nuk do të kishin lindur dot, po të mos kishte qenë më parë në pushtet Margaret Thatcher-i.

Përveç këtij efekti jo totalisht të drejtpërdrejtë të ekzistencës, pushtetit dhe politikës së zonjës Thatcher, unë sidoqoftë, nuk kam sesi të mos i njoh asaj meritën e pamohueshme dhe të jashtëzakonshme për kontributin e saj në shkatërrimin e perandorisë komuniste sovjetike.

Dora e fortë thaçeriane në Europë dhe administrata largpamëse e presidentit Reagan në Washington, qenë padyshim autorët e rrënimit të sistemit totalitar sovjetik dhe bashkë me të edhe të gjithë regjimeve kukulla të rusëve ose satelitëve dhe bijëve të tyre, si enveristët tanë të 1941-shit.

Gara e çmendur e armatimeve e nisur nga filozofia e presidentit Reagan, e njohur si “Star Wars” (prej titullit të filmit hollivudian), pra lufta e yjeve, i tërhoqi sovjetikët për hunde në një kompeticion modernizimi të sistemeve luftarake, i cili nuk mund të përballohej financiarisht nga ekonomia e tyre e gjunjëzuar dhe e dështuar socialiste e centralizuar, prapambetur, shtetërore dhe kolektiviste.

Armët e sovjetikëve nuk kishin prapa krahëve, shtytjen e pafrenueshme të ekonomisë amerikane e cila nën udhëheqjen e presidentit Reagan, lulëzoi sërish, ndaj dhe rënia e afërt e perandorisë së kuqe, ishte e pashmangshme.

E vërtetë është që shteti ynë popullor socialist, qe kështjellë e komunizmës e cila qëndronte e pamposhtur majë shkëmbit tonë të vetmuar (si dhia në majë të shkrepit, ku askush s’e çan as lehtësisht kokën për të), pasi regjimi tek ne ishte vetëizoluar dhe i pati denoncuar me rradhë si tradhëtarë të idealeve më të larta leninisto-staliniste që nga vetë sovjetikët e gjer tek shokët kinezë dhe prindërit e partisë sonë komuniste, jugosllavët titistë të cilët nëpërmjet emisarëve Mugosha, Tempo dhe Popoviç, patën themeluar PKSH-në njëherë e një kohë.

Por ky regjim gjakatar, që Shqipërinë e la për 45 vjet, aq mbrapa sa nuk po e marrim veten dot as sot, nuk do të kishte rënë kurrë, sikur të mos kishte qenë për politikat e ashpra anti-komuniste të Reagan-it dhe Thatcher-it, të cilat e çuan drejt humnerës ekonomike Bashkimin Sovjetik, rrëzuan murin e Berlinit, Perden e Hekurt dhe shkaktuan edhe revolucionin anti-Çaushesku në Rumani.

S’ka dyshim që ato skena lufte qytetare mes popullit dhe “Securitate-s” filoregjim, në rrugët e Rumanisë të cilat i kujtoj edhe unë si fëmijë, që përfunduan me pushkatimin “live” në TV të diktatorit dhe të shoqes, u futën tartakutin edhe merhumëve të shumtë të byrosë së Partisë tonë në Tiranë kur do i kenë parë edhe ata.

Lëvizja e dhjetorit 90-të, erdhi si pasojë pikërisht e kësaj frike në palcë që e zuri regjimin edhe tek ne dhe ndoshta një revolucion i vërtetë nuk ndodhi për të njëjtën arsye, sepse regjimi komunist kishte tmerr mos përsëritej me rrjedhoja shumë më të rënda për ta, ajo që kishin parë në Rumani, prandaj pushteti brenda dy vjetësh kaloi pa shumë gjak në duart e opozitës së parë demokratike.

Pra edhe në këtë rast, pesha historike e zonjës Thatcher dhe e vendimeve të saj politike, i dhanë efektet edhe në një vend të vogël si ky i yni.

Ndërsa shkërmoqej ana komuniste-totalitare e botës, edhe ajo njollë e vockël e kuqe, që përbëhej nga Shqipëria, nuk mund t’i shmangej dot rënies së rreshtit të dominove që kishte nisur në Moskë.

Këto dy gjëra unë ia njoh zonjës Thatcher përsa i përket lidhjes së saj indirekte me vendin dhe popullin tim.

Por ashtu siç unë këto dy aspekte asaj ia njoh si merita, të tjerë shqiptarë, mund t’ia shohin si të meta, si të këqija, por përse jo edhe si krime.

Kush para një muaji qante Chavez-in dhe sot përçmon Thatcher-in, kush nëm presidentin Bush edhe pa adhuruar aq shumë as Obamën (doli më shtetar i denjë e i përgjegjshëm sesa i majtë militant edhe ai në sytë e tyre), kush himnizon ende mirë Leninin, por edhe një dështak historik si Che Guevara-n, nuk ka asnjë mënyrë sesi të mendojë apo flasi mirë për Margaret Thatcher-in.

Kjo siç i thonë frëngjit “ça va sans dire”, pra në shqip do i binte, që gjithçka nënkuptohet vetë në këtë rast!

Problemi i këtyre njerëzve, i celulave të reja moderne të partisë, është dhe mbetet, që rrota e historisë idhujt e tyre i ka vënë vazhdimisht nga krahu i humbësve dhe i të dështuarve, kurse zonjën Thatcher nga krahu tjetër, pra i atyre që botën e kanë bërë më të mirë e të jetueshme, duke i nxjerrë njëherë e përgjithmonë nga skena edhe mbeturinat e fundme të filozofisë leniniste.

Të krenohesh sot me gjysëm regjimin majtisto-bananesh të Chavez-it të ndjerë dhe pasuesit të tij Maduro, që vetëm këto ditët e fundit pasi vodhën zgjedhjet në atë vend, i përgjakën rrugët ku pati vërshuar pala opozitare venezueliane, është një turp i vërtetë.

Karakasi, kryeqyteti i atij vendi, është nga qytetet më të varfëra dhe më të dhunshme e të pasigurta të planetit, popullsia jeton në skamje dhe ndihmat aq të trumbetuara të regjimit, apo i ashtëquajturi sistem i ndarjes së merituar të fitimeve nga burimet e pamata të naftës, në realitet u jepen vetëm mbështetësve të regjimit dhe aq, sepse kushdo nuk votonte për Chavez-in apo tani për Maduron, shihet dhe trajtohet si armik.

Çfarë është Kuba e dimë të gjithë.

Kanë muzikë të këndshëme, kërcim jashtëzakonisht sensual, gra të bukura, arkitekturë të pasur koloniale spanjolle, plazhe të mrekullueshme dhe një regjim totalitar komunist gati 55 vjeçar në kurriz kubanët.

Pra ata u japin makinave të viteve gjashtëdhjetë, s’kanë drita, kanë një infrastrukturë të shkatërruar, nivel ekonomik mizerabël, i fusin akoma në burg për një fjalë goje (si ne dikur), kanë të burgosur politikë dhe një Lider Maximo me mjekër të gjatë të pavdekshëm i cili qëkur nisi të sëmuret, ia la pushtetin “popullor” të vëllait si të ishte mbret me të drejtë trashëgimie nga kjo anë.

Të mos harrojmë edhe Korenë Veriore që këto ditë po i hakërrehet botës së tërë duke deklamuar kërcënueshëm se do i shqepi në rraketa balisitke me koka bërthamore koreanët imperialistë të jugut, japonezët e amerikanët e këqinj.

Në Kore të Veriut, anti-thaçeristët tanë shqiptarë, mund të gjejnë një më një, apo për t’a thënë me gjuhë të para viteve 90-të...”zë më zë” shumë aspekte të jetës shqiptare nën monizëm.

E pamë të gjithë kur vdiq Kim i rradhës aty para ca kohësh, se ç’i zuri të ngratët koreanë të veriut, ç’u çorrën gjer në ngjirje, ç’i shkulën flokët, ç’u zhgërryen në tokë nga marria, ç’qanë e vuajtën në të njëjtën vijë siç patëm bërë neve në 85-ën kur na la udhëheqësi i madh, shoku Enver.

Ndër të tjera edhe në Kore të Veriut, s’kanë ç’të hanë, por armë kanë sa të duash.

Edhe aty vdesin për të bërë parada debile si ato të 1 Majit tek ne e po ashtu edhe ata vishen të tërë njëlloj siç bënim neve pas revolucionit kinez dhe më vonë kur s’kishim më as copa për të qepur rroba.

Por duke gjykuar nga reagimet anti-thaçeriane të këtyre ditëve dhe qaravitjet pro-Chavez të para ca kohëve, tabloja bëhet më e qartë.

Ka nga ata që edhe duke mos qenë pensionistë nostalgjikë të partisë dhe Enverit, sërish anarkizmin ose majtizmin e tyre të skajshëm, e kanalizojnë nëpërmjet sulmit dhe baltosjes së figurave eminente si ajo e zonjës Thatcher dhe njëkohësisht lavdeve e ndjekjes së shembullit të Chavez-it, Castro-s, Che-së apo pse jo vetë Leninit.

Pasi të kem kujtuar edhe njëherë fundin e palavdishëm të figurës më të dashur jo vetëm për anti-thaçerianët e anëve tona, por edhe për shumë komunistë të herët apo të vonë në botë, pra të Che Guevara-s, i cili mbas revolucionit kuban, përfundoi i pajetë në një tentativë komike revolucioni në Bolivi, ku e kapën dhe e vranë, ndërsa të shumtë janë ata që thonë se ishte vetë Fideli ai që e shiti për t’a hequr qafe si rival...po e mbyll me një frazë të presidentit Reagan, aktuale përherë kur flitet për komunizmën.

Ai citohet të jetë shprehur kështu:”Komunizmi është një tjetër kapitull i trishtë dhe bizarr në historinë njerëzore, faqet e fundit të të cilit akoma tani po shkruhen”!

Një faqe e tillë e turpshme u shkrua së fundi edhe në Shqipëri nga anti-thaçerianët anarkisto-leninisto-Chavez-istë modernë.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora