E enjte, 28.03.2024, 07:44 PM (GMT)

Kulturë

Lulzim Logu: Tahir Bezhani - ''Hijet e mallit''

E enjte, 18.04.2013, 06:55 PM


LETRA E HESHTUR, LETRA E QESHUR…

- Hijet e mallit”, Një libërth i “vogël” në faqe, 97, por i madh në sjelljen në dritë të një emri që meriton vemëndje! …Rekuim dinjitoz  i një poeti që mund të harrohej…-

Nga Lulzim LOGU

Sapo ka dalë nga shtypi libri me titull:” Hijet e mallit” , një përmbledhje e krijimtarisë së poetit të ndjerë gjakovar, Mujë Sadriaj, botim i Klubit Letrar” Gjon Nikoll Kazazi” Gjakovë, mbledhur dhe përgatitur nga shkrimtari Tahir Bezhani.

Dorëshkrimet e këtij libri janë të gjitha origjinale dhe i janë përcjellur lexuesit të interesuar pa asnjë ndërhyrje, qoftë edhe drejtëshkrimore, duke i lënë atij mundësinë e gjykimit për një krijues të larguar tridhjetëvjet më parë, por që vjen befasisht dhe mjaft cilësisht, i freskët dhe bashkëkohor, për nga motivet, tonaliteti i vargut dhe larmia figurative.

Mujë Sadriaj ka vdekur në vitin 1984 në Gjakovë nga një sëmundje e rëndë. I lindur në fshatin Sheremetaj, Komuna e Gjakovës në vitin 1945, ai studjoi për gjuhë dhe letersi shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike Gjakovë dhe mori titullin arsimtar, të cilin e respektoi me punën e tij shumëvjeçare në shkollën e vendlindjes, duke transmetuar dije të qëndrueshme, edukatë dhe model pozitiv të sjelljes dhe komunikimit.

Një njeri i butë dhe i qetë, i pasionuar që fëmijë pas letersisë, me pamje të përvuajtur, por me shume guxim dhe talent, ai nuk prante së lexuari, kursente nga buka e gojës që të blinte ndonjë libër të dashur dhe filloi të botonte herë pas here shkrime, të cilat i botonte në gazetat e kohës, bashkë me vargjet e tij të para.

Shokët e thërrisnin shpesh “ Migjen” nisur nga natyra e tij , pamja dhe toni i butë dhe ndjeshmëria e komunikimit.

Nga opusi i poetit të ndjerë, ruajtur me besnikëri në sirtaret e kujtesës së familjes Sadriaj, shkrimtari Tahir Bezhani, mik i shtrenjtë i tij, shok i vjetër që nga fëminia, ka sjellë para lexuesit 31 poezi për të rritur, 15 poezi për fëmijë, ndërsa nga letersia gojore, 14 këngë nusërie, të vjelura nga autori në trevën e vet, kryesisht në fshatin e lindjes.

Në dukje pak material, por thellësia e mendimit dhe maturia e shprehjes poetike,nostalgjia që kullon si dhimbje e fatit të tij të trishtë, ndjenjat e verteta të dashurisë njerëzore dhe ritmi krejt modern i vargut e bëjnë jo thjesht të pranueshëm nga ana humane, por do të thosha një fenomen për vëmëndje të kritikës profesionale, në përcaktimin e vendit dhe të kontributit të tij modest në zhvillimin e letersisë në Gjakovë, por edhe më tej.

Tharmi zjarrmues dhe prekës i poezisë së tij të kaplon papritur,filozofia kuptimore dhe e shprehjes të trondisin edhe sot dhe të ngjan se ai sapo e ka shkruar poezinë që lexuesi e ka nëpër duar,ka delikatesë figurative, strukturë solide të ndërtimit të poezive dhe ritëm që shmang lodhjen dhe monotoninë dhe të bën të lidhur mënjeherë pas frazës së tij të kulluar, që depërton drejt e në shpirtin tonë artistik:

 

…Sa herë kam shikuar në pasqyrë

Fytyra të deformuara

Në udhëkryqe merimangash

Hutueshëm kohën ndalja…

 

Në pak vargje Mujë Sadriaj skalit vargun dhe them me bindje edhe emrin e vet, duke pasur diversitet tematik, orientim kuptimor të reflektimit njerëzor, nuk ndihet asnjëherë ndikimi provincial, ani pse ai ka jetuar dhe udhëtuar pak, ndihet poet i katundit dhe i qytetit, poet i metropolit dhe ngacmohet edhe nga plagët shoqërore të botës përtej tij:

 

Na pikëzuan të verbër

Për një sy më pak…

Ushtri e djajve mbet’

Me kafka të blozhduara

Si kokrra misri

Nën mokrën të tharmuara…

 

Ai ndihet patriot dhe atdhedashës pa parulla, pa bërtitje false , pa përsëritje apelesh të rëndomtë dhe nocionesh të stërvjetruar. Përmes figurash që renditen krahas përjetimit konstatues dhe dhëmbjes ulëritëse Mujë Sadriaj realizon të qënit njeri i vendit të vet dhe qytetar i botës, me vetëdije dhe angazhim të diktueshëm dhe imponues, duke e rrëfyer si poet të ndjeshëm të kohës, por edhe si parathënës i një kohe tjetër, e cila sython në mendimin e tij:

 

Buzë e njomë, gëzim vjedhur

Qënia jonë, truall, vuajtje e mbledhur…

 

Edhe në poezitë e ditëve të vuajtjes fizike dhe shpirtërore, kur jeta duket sikur ikën me pahir prej tij, Sadriaj ka finesë komunikimi, trishtim krenar dhe varg impozant:

 

Kthema dritën e vjedhur të syve

Diellin ma fike në ballë…

Duart i kam drejtuar kah Ylberi

Askund drita ime

Askund jehona e zerit tim

Askund emri  im

Thitha polenin e luleve

Askund gjaku im

Askund zemra ime e gjorë…

Askund nga dashuria ime

Si ike nga unë

Pa lamtumirën time!...

 

Tahir Bezhani skrupuloz dhe i ndjeshëm ndaj kësaj krijimtarie, natyrisht se ka pasur dilema, luhatje dhe momente  kur është dyzuar të zbulojë këtë “ thesar poetik” të kulturës gjakovare, ka hetuar inkuadrimin e tij në kohë ,prirjet letrare dhe më pas edhe falë njohjes shpirtërore me autorin dhe shfrytëzimin e intimitetit të dikurshëm krijues mes tyre, ka guxuar të shfaqet para opinionit.

Së pari me një dimension human, në kërkim të plotësimit të një amaneti intelektual, të shprehur nga poeti i ndjerë në vargjet e mësipërme, por edhe me nuhatjen dhe ndjesinë profesionale të zbulimit të një krijimtarie modeste si volum, por dinjitoze si shprehi dhe mesazh.

Puna e tij hulumtuese, respekti dhe përkushtimi në përgatitjen e përmbledhjes, qasja e qëlluar që në imazhin e kopertinës dhe vendosjen e cikleve, parathënia tejet prekëse dhe informuese për publikun, transmetimi besnik i origjinalitetit krijues të autorit, padyshim e bëjnë të suksseshme përpjekjen e tij dokumentare, përbëjnë një model të kontributit në drejtim të kërkimit dhe paraqitjes së vlerave të” fshehta” të kulturës tonë, të humbura për shkaqe objective përkohësisht dhe që presin dorën njerëzore dhe profesionale ti nxjerrë në dritë.

Memories gjakovare ju shtua edhe një emër jo vetëm i poezisë për të rritur, por i asaj për fëmijë, më duhet të them se pavarësisht se nuk e ceka më shumë, ajo ishtë me nuanca të gjalla dhe funksionale për moshën fëminore, ndërkohë që s’duhet të harroj bllokun e krijimtarisë popullore gojore, mbledhur vërtet si një profesionist i fushës.

Një libërth i “vogël” në faqe, 97, por i madh në sjelljen në dritë të një emri që meriton vemëndje!

 

Në derë troket postieri

Sjell letrën nga larg

Gjer në cak

Fillimi e mbarimi i saj

Memec…

Letra e heshtur

Letra e qeshur…

 

Tahir Bezhani e solli letrën e largët si një postier besnik i fjalës sublime!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora