E premte, 29.03.2024, 10:12 AM (GMT)

Kulturë

Abdyl Kadolli: Adem Demaçi - ''Libër për Vet Mohimin''

E merkure, 17.04.2013, 07:08 PM


Adem Dema, “Libër për Vet Mohimin”, LSHK, Prishtinë, 2012

VETËPOHIMI  ONTOLOGJIK  E ARTISTIK

Nga Prof. Abdyl KADOLLI

Adem Demaçin tashmë e njohim si shkrimtari Adem Dema. Me kompletin e veprës së tij letrare ai vjen me profilin e  plotë letrar shumë origjinal në të gjitha gjinitë letrare.    Romani “Libër për Vet Mohimin” është romani më kompleks i opusit të tij krijues, ku janë shtresuar shumë procedime të tij artistike. Është një sprovë e poetikës së romanit postmodern me dramën intelektuale të ideve filozofike, ndjeshmërisë metafizike e vizioneve fantastike .     Tipologjikisht, ky është një roman me struktur të hapur, ku sikretizohen  elemente të romanit të ideve, romanit me çelës dhe romanit shkencor-fantastik.               Stilistikisht, është roman eseistik e diskursiv, me imazhe simbolike, alegorike  e fantastike, që shpreh shqetësimet morale, politike e metafizike / T. Man, A. Zhid, Elison,  Haksli, Ourel, Xhojs  etj/.           Strukturën e romanit e përbëjnë shtresimet semantike, stilistike dhe estetike.

Ligjërimi artistik

Rrëfimi në roman është i shtruar, i gjallë dhe shumë i natyrshëm, një gërshetim i reales me irrealen.  Pikëvështrimi  zhvillohet nga pozicioni  i narratorit autor dhe i personazheve reale e fiktive, me asociacionet e tyre refleksive, emotive  e intuitive.  Ai zhvillohet në trajtën e përshkrimit, monologut, monologut të brendshëm, dialogut e trilogut të personazheve.  Drama e personazheve zhvillohet me parimet, idetë e ndjenjat e tyre.           Dialogu zbulon idetë e karakteret e personazheve dhe dinamizon veprimin. Dialogët janë filozofikë e eseistikë , madje mjaft dramatikë e platonikë.   Haset edhe  dialogu lirik me tone refleksive, ndërsa trilogu bëhet katalizator i bisedës.                   Monologu shprehet në inrospeksionin lirik refleksiv të autorit për muzën e dashurisë, si frymëzim e  kredo krijuese në vetëpohimin artistik.   Monologu i brendshëm  i rrjedhës së vetëdijes shpreh asociacione të lira të ideve e ndjenjave të fshehura, duke kumbuar  si një lojë fjalësh në ritmin asociativ: “Rrapa-tap! Tapa-rrap. S’e ka keq! S’e ka keq. Veç e veç! Veç e veç! S’e ka keq! Prish e ndreq! ... Rrimë-flimë! Flimë-Rrimë! Hamë-pimë! ...Nis e sos-bukë e kos! Rrange-dang! Bukë e lang!...Hip e zhdrip- bukë e kripë!...”1         

Personazhet artistike

Personazhet e romanit janë reale e fiktive. Ato karakterizohen me anagrame e nofka alegorike e ironike dhe portretizim të hollësishëm fizik, social e etnopsikologjik.  Disa personazhe duken paradoksale në një rreth e kohë të çuditshme, duke u ndeshur me absurdin etik e ekologjik.               Vet Mohimi është një alter ego e autorit, personazh idealist i flijimit për lirinë. Duke dalë nga burgu i tretë, ai harron thesin e burgut në një stacion të trenit, por në kupe ndesh burgun tjetër të urrejtjes. Ai kundron  me vetëdije kritike realitetin e mbyllur të pushtimit, si një burg i madh, ku ndesh karaktere  e fenomene të çuditshme. Ai që ka bërë mohimin e jetës së vet, tash gjakon të bëjë vetëpohimin artistike.      Kolë Makanda  është personazh i vetëdijes intelektuale, një individualist i natyrshëm që do më shumë vetveten se të tjerët. Rrezaton dinjitet me vetëdashuri, vetërespekt e vetëbesim.  Nuk reagon fare ndaj sfidave, madje edhe kur përgjaket, vetëm për të ruajtur stabilitetin shpirtëror nga urrejtja e përbuzja etnike . Mirëpo, ai di të frenojë mekanizmin e trenit, kur kalohen të gjithë kufijtë e durimit. Dinjiteti i tij intelektual mund moralisht  e shpirtërisht albanofobinë serbe. Ai shquhet me konceptimet për  individin e shoqërinë  dhe përmasën metafizike.          Sasha është një provokator i tipit agjent, i dehur me albanofobinë serbe ndaj shqiptarëve. Përmendet nga agonia e urrejtjes vetëm kur frenon treni, madje pendohet duke kërkuar ndjesë. Ai vazhdon të testojë pulsimet shqiptare  edhe në  motelin  “Në fund të pusit”. Ligjërimi i tij bëhet në gjuhën amtare.   Regjisor Lala është një krijues origjinal, me shije, intuitë e imagjinatë individuale, por konsiderohet regjisor i dështuar.  Shtëpia e tij në formë të piramidës së qelqtë, me kultin e kohës e ushqimit dhe filmi i tij fantastik është një vizion artistik i jetës së harmonishme në ujdhesën e blertë. Zell Çaushi është figurë  e patriarkut që imiton sistemin totalitar në familje, duke diktuar regjimin e kohës e veprimit, ushqimit, higjienës e nevojës, andaj edhe parodizohet  nga anëtarët e familjes.Ramë Heraku, një personazh i sprovave të djallëzive e mizorive serbe, veprimtar i NDSH-së, me kiblen nga Shqipëria.  Janë edhe disa personazhe episodike që përplotësojnë veprimet  e romanit.                         Ahmet Burri, një veprimtar i devotshëm i atdheut, fjalëpak e punëshumë.                   Rexhep Uka me Golfin gjog, Elez Qerimi me dashurinë qershi, Fillim Çaushi  me parodinë e tij, Driton Delia me piramidën e ujit të zi, nxënësi Liraku dhe mësusja Ezuta me dashurinë e tyre intuitive.   

Koha e hapësira

Koha e romanit është kohë  subjektive, e përjetuar nga personazhet në rrëfimet e veprimet e tyre.  Njeriu në kohë dhe hapësirë  është një mikrokozmos : “...  çdo gjë në këtë Gjithësinë tonë është e lidhur përmes lidhjeve të padukshme.”2.                 Koha krijuese e vepruese krijon qenësinë e vlerave dhe emancipimin njerëzor:  Ata që jetojnë, krijojnë. Vetëm ata që krijojnë, jetojnë.” 3                       Koha ekstensive është e vdekur, si kohë e pritjes, ankthit e frikës nga vetvetja dhe bota. Në mjedisin e alienuar njeriu humb drejtpeshimin e jetës.                        Kohë e romanit është  kapërcyelli i shekullit dhe i ndryshimeve historike , ku pritja e njerëzve është absurde.          Hapësira e historia  e Ballkanit shihet si një kazan që vlon nga paranojat skizofrenike: Atje, si e dini, hilja është letër, goma është laps, tokës këndojnë e vallëzojnë topat e raketat, kurse qiellit hedhin valle shqipet që vjellin zjarr.... Përpiqen që të ndajnë të kaluarën, hanë të nesërmen, ndërsa të sotmen e kanë harruar fare.”4   Peizazhet hapësinore e kohore në roman janë  simbolike e groteske.   

Semantika filozofike

Semantika  filozofike e romanit shtrihet në idetë, konceptet e nocionet e  personazheve Vet Mohimi e Kolë Makanda. Ajo rrezaton për jetën, kohën e hapësirën, dijen e vetëdijen, individin e shoqërinë, politikën e pushtetin, për  idealet e lirisë dhe vlerat etike e humane.   Njeriu si qenie inteligjente, është mrekulli e natyrës, që ka mundësi të bëjë mrekulli.   “...çdo individ për veprën e vet është qendra e gjithësisë...” 5   Vetënjohja  është kthim në vetvete me vetëdashuri, vetërespekt e vetëbesim.    Vetëm individi i integruar në vetvete mund të integrohet me të tjerët, duke krijuar harmoninë njerëzore.  Interesat individuale janë promotor  i zhvillimit shoqëror, ku çmohen dituria, kamja e fuqia në rivalitet me kundërshtarët.                    Vetëm njeriu i ditur dhe i lirë mund të çlirohet nga frika, inferioriteti e tjetërsimi.   Mësimi është i bardhë, gabimi i zi, ndërsa pësimi galan.    Padija është burim i etheve, kurse skamja është shtrati i etheve. Mjerimi është kulmi i etheve.”6   Janë sfiduese idetë për zhvillimin e historisë njerëzore, që nuk është shkruar ende, sepse njerëzimi është i ndarë e përçarë :         Sepse njerëzimi ende është i ndarë në raca, klasa, kasta, në shumë fe e në shumë atdhe, në shumë kombe e katakombe, në shumë shtresa e pengesa... Duke herrur, duke zgjedhur dhe duke tjerrë më tutje, ne krijojmë rrjetin e historisë njerëzore...” 7     Politika trajtohet si një teatër, ku pasojat e dështimeve  i vuajnë të gjithë.  Sipas Kolë Makandës, revolucioni duhet të ndodhë së pari në vetëdijen e njeriut. Totalitarizmi komunist kishte dështuar, duke shpallur ideologjinë  e pushtetin të përjetshëm, luftën klasore me urrejtje e dyshime kombëtare, fetare e njerëzore. Imazhi i Ballkanit europian , si mozaik kulturor popujsh, racash e fesh, është një vizion i botës moderne, të çiruar nga frika e militarizmi, ku respektohen liritë dhe të drejtat e identiteteve të ndryshme.

 Metafizika e shpirtit

Metafizikën e romanit e përbën psikanaliza e shpirtit, shtresat e të cilit janë një fushë energjetike, ndërsa thelbi magnetik: “Në pjesën pozitive ose të bardhë dhe në pjesën negative ose të zezë.”8 .  Impulset pozitive e negative krijojnë baraspeshën e shpirtit, ndërsa gazi e vaj janë një katarzë e tij. Prishja e baraspeshës shpirtërore  krijon komplekse dhe urrejtje të vetvetes e botës:  Ne  s’dimë gjë tjetër,vetëm të fajësojmë të tjerët që jemi të ndarë në copa-copa e grimca-grimca.”9                        Shpirti ruan në grimca energjetike gjithë fenomenologjinë  e kohës. Shpirtrat e mirë inkarnohen e fisnikërohen me ndjenja e mendime të reja, ndërsa shpirtrat e këqij bëhen “gropa të zeza të gjithësisë”.              E këtillë duket metamorfoza  historike e gjenetike e shpirtit të lashtë kombëtar, të  zvetënuar e asimiluar, që i përngjan qyqes : “Këndon-vajton, kur është vapë e madhe dhe-dhe-dhe – i vendos vezët në çerdhet e huaja!” 10   Disa kapituj të romanit janë monologë refleksiv të autorit, si  moto e kredo krijuese, ku Vet Mohimi shndërrohet në vetëpohim artistik . Krijimtaria artistike  sublimon shpirtin në ontologji estetike: “Eja, se s’ka krijimtari pa energji dhe s’ka energji pa dashuri.”11     Muza e dashurisë  është melodi magjike, frymëzim, intuitë dhe energji krijuese.Triada dashuri-energji-krijimtari i jep kuptim jetës. Dashuria krijon vlera shpirtërore dhe lumturinë njerëzore:  “Lumturia është harmonizimi i dashurisë së gjithpranishme  me integritetin personal, etikën dhe fuqinë.” 12                 Është  kjo një dashuri platonike, hyjnore.  Muzika vlerësohet arti më universal, që zgjon ndjenjat e fjetura të shpirtit, pastron nga dyshimi e urrejtja dhe fisnikëron me besim e dashuri gjithënjerëzore:                         Muzika është numër i pafund nocionesh të kthyera në ndjenja...” 13     

Meditimi transcendental

Në psikanalizën metafizike autori ka aplikuar edhe metodën e meditimit  transcendental, e njohur nga Vedat e lashta hinduse,  dhe e funksionalizuar sërishmi nga Maharishi Mahesh Joga dhe Dipak Çopra/ Deepak Chopra/             lidhur me fizikën e kuanteve dhe të tingujve hyjnorë. Dhoma magjike majë piramidës në shtratin si anije kozmike:Fantazi dhe realitet.”14 . Fluturimi në tejdukshmëri , nën tingujt muzikorë, në trininë trup- mendje- shpirt hyjnor krijon ndjenjën e mrekullisë  dhe  të vetënjohjes.         Teknika e meditimit jepet me formulat ‘Hyn-Hyn’, ‘KIKË’, ‘Del-Del’, ‘MIKË’ e ‘NGIKË’.                       Ishte ky një makth i padurueshëm pamjesh e zërash. Nga zori i madh që e pushtoi, u kujtua dhe u ul mbi një pikë. Pasi normalizoi drejtpeshimin, për t’u siguruar edhe më mirë, në të dy anët, djathtas e majtas, nguli nga një pikëçuditje, pastaj në të dy veshët vari nga një pikëpyetje dhe, në fund, mori një pikëpyetje të madhe dhe e vuri para syve... Duhej vetëm të mendonte vendin, objektin, njeriun dhe të bashkoheshin pamja dhe zëri.”15          këtë komunikim telepatik me rrjedhat e intelektit nëpër pikat e globit, autori teston pozicionet politike ndaj gjendjes së shqiptarëve.    Oborri i Dedës: Dan Slloba mes dy presjeve energjetike, kokë e bisht.  Palla: Luftë për territore me dëbim e shfarosje.     Kremlini: Serbët po bëjnë gjithë botën kundër vetes, andaj edhe neve.                  Akropoli: “Racë e papërpunueshme janë Arvanitët.”16    Çanak Kale: Brejtje e ndërgjegjes për mëkatet e vjetra.        Maja e Dajtit vazhdon  ison  Aman! Eeeee!”             Boni sheh  Ballkanin si fushë shahu me shqiptarët  jashtë lojës : “... ne do t’i ndihmojmë për aq sa ata janë të aftë të marrin ndihmën tonë.” 17              Oborri Aki Hito: Dan Slloba është çartur, urren vetveten dhe botën. Formula e shpërthimit me turjela të rrethit energjetik vjen nga Vet Mohimi:            Ju nga andej do të goditni kokën e presjes me ngarkesë negative, kurse ne prej këndej do ta godasim kokën e presjes me ngarkesë pozitive.”18

Fantastika shkencore

Fantastikën shkencore të romani e përbëjnë njohuritë për teorinë e gjeneve dhe teorinë e kuanteve, shpikjet teknologjike e elektronike të sistemit Diamond  të tretjes dhe sistemit të Drakerit për kohën .      Filmi fantastik “Liraku dhe Zateu” i regjisor Lalës  hapet me  rrotullimin e globit dhe simfoninë për atdheun me visoret magjike, figurat historike dhe fenomenet natyrore.  Zateu është arketip i sektit  të “ Shtatarëve”, me krerët e “Dyzetarëve” dhe të “Mijatarëve”,    përgatitet për planetin Harmonia. Ai ka zbuluar emulsionin e përtëritjes së qelizave dhe largimin e gjenit të vdekjes. Mësuesja Ezuta mëson nxënësin inteligjent Liraku për dashurinë, besimin e respektin. Shatrapuli është një mrekulli teknike e intelektit , që njeh gjithë gjuhët e shkruara dhe ruan informacionet e krijimtarisë njerëzore, duke punuar me energji të fotoneve. Ai ruan edhe ujdhesën e blertë  nga ndotja. Di gjithçka, por jo edhe për Xharavellat!                   Fantastikë onirike  është  edhe udhëtimi imagjinar në dritën e kulluar, si takim me urtinë kombëtare e universale:  FU-HI, Aristoteli, Çerçili, Xhemail Obria, Ismail Kapiti, Tahir Berisha etj    

Metaforika e simbolika

Romani “Libër për Vet Mohimin” shquhet me sintaksën e kulluar shqipe dhe  shprehjen e dendur metaforike e simbolike. Stilemat e shkrimtarit janë të veçanta e origjinale. Metaforat kanë ngjyrime afektive e kuptimore:  Oda e pa dhe qeshi.”19 ;“Birat e gardhit u mbushën me sytë e botës.”20         Kënga e qyqes zgjon asociacione sugjestive për shqiptarët që shkëlqyen nëpër vende të huaja: “Të gjithë i lanë veprat e tyre në dhe të huaj, të gjithë jetuan në etje, të gjithë vajtën pa e shuar etjen! Pak ujë. Pak ujë! Pak dritë!”21 Simbolike  janë  edhe qershia e dashurisë, lulja e xhenetit, piramida e qelqtë etj.         Parabolë alegorike janë edhe fiksioni e konfiksioni  i vëllezërve:         Vëllai i madh tundte shkopin, vëllai i vogël mprehte gjuhën, ndërsa vëllai nga Kavadari kriposte dhe biberoste plagët.”22             Parabolë e absurdit  është  edhe dyqani privat “Prej e qep tamam për trupi”, që pret mallra veresie nga jashtë. Punëtorët vetëm presin, marrin masat dhe regjistrojnë myshtërinj,  ndërsa ata në krye mendojnë për të gjitha:                   Kanë dhënë premtime të forta. Kanë thënë vetëm ju rrini urtë  e mos na nxirrni telashe këtu në Kan të Ballit e ne do t’ua sjellim të gjitha.”23  /      Grotesku i piramidës me vaska shpreh absurdin e aljenimit dhe tmerrin  nga pushtuesi e uji i zi, që trullos njerëzit. / Bodler, Po, Kafka, Beket, Jonesko./ Shquhet parodizimi ironik e humoristik i Zell Çaushit.      Ironizimi i komoditetit :” Pa atdhe, pa fe, pa kombësi, pa kufi, pa shtet! Kush ka nge ta mbajë e ta ruajë shtetin? Ha, pi, fli? Ku ka më mirë?!”24                   Paradokset janë të reja dhe të çuditshme:   ” Kur t’i nisni-ndaleni! Kur  t’i ndalni-nisini!”25

Ritmika estetike

Ritmika e ligjërimit artistik përthyhet me vargje e këngë lirike. Përsëritjet e fjalëve dhe tingujve krijojnë impulse ritmike e melodike me efekte estetike:        E, pa kuptim, jeta është kotësi, kotësi, kotësi, otësi,otësi, otësi,tësi, tësi, tësi, si, si, si, iiiiii!”26           Pasthirrma habitore kumbon si befasi : “Ende  pa u sjellë a-ja, o-ja dhe u-ja rreth e rrotull sallës...Një ë e përmbajtur gumëzhin sallës.”27               Shprehja habitore:”...  Selami Musanëëëëë/ Burrë i shkurtë dhe çobanëëë!” 28                E këtillë është paronomazia eufonike me rimime në intonimet humoristike e ironike : “E zemrën gur, shpirtin- zgur!” 29 ;” Kolë Fesati na e çarti!” 30; ” Një herë gastaren, një herë cigaren.”31 ; ” Po shesim arka, fitojmë marka!”32 etj.   Shkallëzimi sipëror i kuptimit të fjalës: “Doli nga burgu i burgut të burgut”33; ” Keq e më keq e zi e më zi.”                        Shprehja artistike është  e pasur me epitete e krahasime të shumta. Epitetet  : bardhosh, bardhec, hundëshkabë, hundërosak, kaçurrel, syfilxhan etj.  Krahasimi mitik : ” Golfi dukej si ndonjë cjap i bardhë parahistorik që zdirgjej nga maja e Drenushës.” 34          Përshkrimi erotik i ambientit:      Aty ku mbështeten duart, gjendeshin të imituara kofshë lakuriqe vashash, kurse, aty ku mund të mbështetej koka e myshteriut, nga të dy anët gjendeshin  dy kodrina të imituara, në biçim të gjinjve të epur të vashave.”35                   Përsëritjet e fjalëve, fjalive e frazave i japin fuqi shprehjes, ndërsa përsëritja e ideve e motive përforcon  kuptimësinë e romanit.    Shkrimtari ka funksionalizuar artistikisht në roman  leksikun e frazeologjinë popullore dhe uresat e proverbat. Fjalët  e rralla: ding, fintak, groplan, gverr, hajt-hujt, hjekakeq, majtap, mahjetë, ngrafit, palavala, pallzinë, përzjarr, shtunak, tollovajë, tullug, thellutë, valavamë  etj.  Frazeologjia e idiomat :  për të prashitur ujë; për të përzier kaçamak;.sa shkonte fasulja; i erdhi në kuti; i ra pikës; pa dorëza; petulla në ujë; në  fund të pusit; tirrte hollë etj.  Uresat e mallkimet antonimike: “ ... ardhshi si vera!”/ 36; ” Sytë mos ju plaçin!...mendtë mos ju dalshin!” 37  Proverbat në roman shprehin përvojën e urtisë :  Vetëm ajo që s’ka fillim, ka edhe fund.”38     

Xhemail Obria:  Pushteti është si deti- me fuqi e me tërpi!”39

  Tahir Berisha: “Kur të hyni atje ku s’hyhet, do të dilni atje ku dilet!”40 

Onomastika e romanit

Shkrimtari Adem Dema është krijues edhe në emërtimin e personazheve, të vendeve, firmave e fenomeneve, duke u dhënë kuptime figurative.                     Të këtilla janë emërvendet shqipe: Bardhishtë, Dardhani, Drenushë,  Gojëbuall, Kodra e Dragoit, Kroni i Shkretit, Shtogajë, Murrizaj, Rreze, Trimajë, Thanaj, Ultinë, Vetanik etj.  Ai aplikon me mjeshtëri anagramin e emrave: Ameri, Balli i Kanit,  Bardh Kili, Bull Ati, Dani i Sllobës, Demir Syla, Gjukë Ani,  Lasi Papu, Na Athi, Ndreu Papa, Ropë  Eva,  Rana Ti.  Personazhe me nofka: Ahmet Burri, Daja Tal, Driton Delia, Gjel Frangu, Kolë Gjeri,  Kolë Makanda, Kolë Fesati, Luan Briti,  Ramë Heraku, Zell Çaushi.    Emra të përbërë: Edopuna, Ezuta, Jemigati, Zateu. Emra metonimikë: Akropoli, Çanak Kale, Çinimaçini, Helena, Ivanushka, Kavadari, Morava, Muzeqeja, Oborri Aki Hito, Maja e Dajtit, Oborri i Dedës, Palla, Podi i Gorës, Trimaja, Zagoria etj.  Shquhet antonomazia ironike në emërtimet alegorike:  Në fund të pusit”, “Prej e qep tamam për trupi”, “Kap e lidh”, “Kap e lidh me marifet”etj.  Absurde duken edhe firmat me bojëra kuqezi nën pushtim: “Kryq e tërthor”, “Për mal e për fushë”, “Fuh andej  e fuh këndej”, “Sy më sy”, “Vesh më vesh”, “Lirë e mirë”, “Shpejt e shpejt” etj.  Romani “Libër për Vet Mohimin” është botuar së pari  më 1994. Deri tash ka pasur tri ribotime dhe është përkthyer italisht nga zonja Nermin Vlora-Falaski më 1995.

Simboli i lirisë

Adem Dema  është sot vetëdija kritike intelektuale dhe vetëdija artistike.    Vepra e tij letrare është shumë origjinale, diçka krejt e re në letërsinë shqipe. Ajo mahnit me erudicionin filozofik, intuitën artistike,imagjinatën krijuese dhe vizionet fantastike . Duke lexuar prozën e tij artistike, duket sikur takohesh me një përvojë letrare botërore.  Flijimi idealist krijoi edhe rilindjen artistike. Adhurimi, nderimi e besimi në dritë  krijuan edhe simbolin e lirisë Demaçi.  Me kompletin e veprave të tij ai ka realizuar qenien e vet artistike e estetike, duke krijuar edhe portretin e shkrimtarit klasik në letërsinë shqipe.   Vepra e tij letrare dhe publicistike me vlerën e saj artistike, kulturore, historike dhe dokumentare i siguron Adem Demës vend të veçantë në rrethin e parë të krijuesve të historisë së letërsisë shqipe.”41 - ka  vlerësuar akademik Rexhep Qosja. Sot duhet ripërtëritur kandidimi i Adem Demës për Nobelin e letërsisë.  Nominimi i parë për paqe  qe bërë më 1994 nga deputetë të Parlamentit të Norvegjisë. 

______________________

1.Adem Dema, “Libër për Vet Mohimin”, LSHK, Prishtinë, 2012,  f. 58-59.                        2.  Aty, f. 38;  3. f. 222;  4. f.119;  5. f. 210;  6. f. 59;  7. f. 113;  8. f. 138;  9. f. 141;  10. f. 8;                11. f. 220; 12. f. 203;  13. f. 226;  14. f. 217;  15. f. 267-268;  16.  f. 278;  17. f.  282;  18. f. 300;       19. f. 135;  20. f. 12;  21. f. 10;  22. f. 12;  23. f. 188;  24. f. 9;  25. f. 303;  26. f. 235;  27. f. 133;  28. f. 66;  29. f. 164;  30. f. 144;  31. f. 16;  32. f. 167;  33. f. 11;  34.  f. 184;  35. f. 127;  36. f. 66;  37. f.185;  38. f. 109;  39.  f. 224;   40. f. 225; 

41. Rexhep Qosja, “Adem Dema- shkrimtari për të gjitha kohët”                   Adem Dema, “Tung vargu im”, LSHK, Prishtinë, 2012, f. 107.            

Prishtinë, më 17 mars 2012

 

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora