E premte, 19.04.2024, 02:30 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Koha për Skënderbe të dytë!

E merkure, 17.04.2013, 06:00 PM


Koha për Skënderbe të dytë!

Nga Gani Mehmetaj

Pse të mos bëhet projekti “Gjergj Kastrioti” joshja e elektoratit në vend të ca joshjeve të tjera që s’përkojnë shumë me kombin? Pse të mos kultivohet fryma që kjo është gjëja parësore për shqiptarët?

Kinematografia shqiptare ka fare pak spektakle historike në fondin e  vet. Ngurrimet vazhdojnë edhe më tutje në të dy krahët e kinematografisë, duke i ikur trajtimit të këtyre temave e personaliteteve historike. Janë shumë shkaqe pse epopetë e lavdishme të së kaluarës nuk janë trajtuar në shiritin filmik, por nuk mund të thuhet se i arsyetojmë institucionet e krijuesit pse u morën aq shumë me tema të ditës, shpesh herë triviale, sidomos pse u trajtua aq shumë Lufta e Dytë Botërore nga këndi ideologjik, duke e himnizuar luftën civile, ndërsa i lanë anash periudhat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Në të kaluarën ideologjia mbizotëronte mbi kombin dhe mbi artin, sot nuk është kjo situatë, por nuk ka përçapje në avancimin e kinematografisë për ta pasuruar me spektakle historike. Madje, nuk ka fare përpjekje as të nisim ndonjë projekt kinematografik për epopenë më të lavdishme kombëtare-epokën e Skënderbeut. Nuk mund të mburremi as me periudhat e tjera historike, sepse nuk i kemi fare në filmin artistik, madje as dokumentar, megjithëse kemi aq shumë brumë frymëzimi, aq shumë ngjarje që duhet t’ua paraqesim shikuesve shqiptar e të huaj. Gjergj Kastrioti, Pirroja, Teuta e Agroni, mbretërit ilirë, dardanët e lavdishëm, lufta kundër depërtimit të hordhive sllave në Ballkan etj. Të gjitha këto çështje i kemi lënë të patrajtuara në film madje edhe në televizion.

Nga periudha antike nuk e kemi asnjë film, ndërsa kombet e tjera, sidomos kombet e mëdha,  kanë qindra filma për këtë kohë dhe personalitetet historike që e shënuan epokën. Nga mesjeta e hershme, e cila është fare pak e ndriçuar edhe në histori, letërsi, dramë, muzikë e krijimtari përgjithësisht, nuk e kemi asnjë film, ndërkaq dihet fare mirë që ishte shumë dramatike për kombin tonë, pati tronditje të mëdha. Të tjerët do të bënin mrekullia në artin kinematografik me historinë tonë dramatike , ndërsa ne i heshtim me këmbëngulje.

Periudhën  më të lavdishme të historisë shqiptare, kohën e rezistencës e të luftës së shqiptareve kundër perandorisë turke, përkatësisht për personalitetin më të madh shqiptar, që është palca kurrizore e kombit: Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e kemi një film të vetëm, të xhiruar me 1952 në bashkëprodhim më sovjetikët. Dhe ai film i cili për kohën kur u bë, për mënyrën se si u realizua, por edhe për mesazhin që bartë edhe më tutje është njëri ndër filmat më të mirë të kinematografisë. Mund t’i bëhen vërejtje të kësaj apo asaj natyre, mund të dëshironim të bëhet ndryshe, por është filmi më përfaqësues, më i dinjitetshmi dhe më mobilizuesi kombëtarisht, ndërsa në mungesë të filmave të tjerë të kësaj epopeje është filmi më i shikuar shqiptar besoj i të gjitha kohëve.

Megjithatë kanë kaluar 60 e ca vjet nga realizimi i këtij filmi spektakël. Institucionet shqiptare nuk provuan të bëjnë një film tjetër me këtë temë dhe me për këtë  personalitet, mbase ca më ndryshe, apo mbi ato korniza dramaturgjike. Është vështirë ta arrijmë nivelin e filmit ”Skënderbeu”, të menaxhojmë me gjithë atë mori figurantësh, situatash, veprimesh e gjerësinë e shtrirjes spektakulare, por që kemi pasur mundësi të bëjmë edhe ndonjë film tjetër, pak më modest, kjo s’ka fije dyshimi. Askush nuk dha ndonjë përgjigje pas vitit 1952, pse nuk u bë asnjë film në Tiranë, ku u realizuan pjesa dërmuese e filmave shqiptar, askush nuk e tha ndonjë arsye pse nuk u bë në Prishtinë një gjë e tillë, ku dëshira dhe nevoja mobilizuese ishte më e madhe, por mundësitë ishin shumë më të vogla.

Njëra ndër arsyet e ngurrimit të institucioneve e të të kineastëve, mbase është fakti se, do të përballeshin me një varg problemesh, të cilat nuk janë të patejkalueshme, apo të papërballueshme. Kostoja e lartë e realizimit: mijëra figurantë, dhjetëra  aktorë të roleve të para a dytësore, kostumografi e shtrenjtë e bërë enkas për këtë film, skenografi monumentale, efekte piroteknike të pazakonshme me ekspertë të huaj, teknikë e shtrenjtë e xhirimit, teknologji e shtrenjtë e pas prodhimit, lekë shtesë për marketing, ishin disa nga pengesat e para. Arsye tjetër e ngurrimit të krijuesve është, mbase druajnë të përballen me një temë sa të fuqishme aq edhe të ndjeshme e të vështirë për realizim. Dikush mund të thotë që ekipet e këtilla nuk i kemi, sepse duhet një regjisor apo disa regjisorë të mirë me disa ndihmës- regjisor po ashtu kreativ; pastaj ekipi i kineastëve që do të  merrnin pjesë në segmentet e tjera të realizimit. Por ekipet e këtilla duhet t’i krijojmë, duke i kërkuar brenda arealit tonë shqiptar, dhe duke ua dhënë mundësinë të sprovohen, ta sfidojnë vetën e të tjerët. Nuk do t’i kemi as në të ardhmen regjisorë e kineastë, po nuk ua dhamë mundësinë. Pse ngurrojmë?

Është dashur të bëjmë përgatitje dhe të provojmë të realizojnë një film apo disa filma të kësaj natyre, qoftë me forcat tona, me bashkimin e kapitalit privat e të institucioneve, qoftë në bashkëprodhim më të tjerët, sepse dihet që spektaklet historike janë të shtrenjta, kërkojnë përqendrim të madh të ekipeve krijuese, lipset të kenë përvojë të lakmueshme në film, të kenë imagjinatë e energji krijuese.

Janë dy mënyra në të cilat mund të bëhet filmi artistik-spektakli historik për personalitetin më të madh shqiptar-Gjergj Kastriotin. E para, të  bëhen përpjekje që filmi të bëhet nga fabrika më e famshme e ëndrrave në botë-Holivudi. Në një emision televiziv pata propozuar disa regjisorë të mëdhenj duke filluar nga Frensi Ford Kopola, Stiven Spilberg, Ridli Skoti, Mel Gibson, i cili mund të interpretonte edhe rolin kryesor etj. Angazhimi i emrave të kumbueshëm të filmit në botë, do të ishte më shumë rëndësi, sepse me siglen e Holivudit, me emrat me nam, do ta shikonin qindra miliona shikues. Filmi do të kushtonte disa qindra milion dollarë.

Mënyra e dytë, ose paralelisht me të parën, është realizmi i filmit me krijuesit shqiptarë, por në bashkëprodhim më të tjerët, ku do të inkuadrohej energjia krijuese, kapitali shqiptar dhe ai i huaj me të gjithë segmentet e tjera të cilat do ta ndihmonin filmin. Me disa dhjetëra milion euro, me kursime të konsiderueshme dhe përkushtim të madh, do të bëhej një film i mirë, natyrisht jo i përmasave të Holivudit.

Me filma të këtij lloji do t’ua zgjonim ndjenjën e krenarisë kombëtare, aq shumë të nëpërkëmbur nga të tjerët dhe nga vetja kohën e fundit, do t’ua kultivonim ndjenjat e fjetura disave, duke ua heqim mjegullën e propagandës së frikshme antikombëtare kundër Skënderbeu dhe personaliteteve të tjera historike, propagandë që është më agresive sa asnjë herë më parë. Kur t’ua shpalosh në ekran të madh tërë madhështinë e këtij personaliteti dhe kur t’ua paraqesësh lavdinë e fitoreve e të luftës së suksesshme, atëherë  mund të çirren në kupë të qiellit mercenarët antishqiptar, por pak do t’u bëjë punë.

Qe nga rinia sa herë i kaloja kufijtë e vendit, të huajt me thoshin se duhet të jem krenar që jam nip i Skënderbeut, i Nënës Tereze dhe i shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe unë mburresha me të tretë. Besoj se të gjithë mburremi me ta, por për personalitetet historike kemi bërë fare pak në artin kinematografik. Madje, edhe në artet e tjera. A duhet ta vazhdojmë deri në pakufi shpërfilljen e pafalshme?

Ta shikosh filmin Skënderbeu, edhe versionin e vjetër e ndjenë vetën krenar pse je shqiptar. Ta  shikosh filmin e ri që do të duhej ta punonim sa më shpejt, do të ndjeheshe edhe më shumë krenar. Të tjerët i shpikin heronjtë që s’i kanë, ne i kemi dhe nuk u ngrehim lapidarë kinematografik. Natyrisht po ta realizonte këtë film fabrika e Holivudit, do të ishte krenari edhe më e madhe, sepse do t’i  ktheje atje ku i takojnë përmasat e heroit tonë. Të bësh një film të dytë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun është projekti më madhor me të cilin do të mburrej cilido shqiptar, po aq sa është projekti madhor për ekonominë e komunikimin rruga e kombi-Ibrahim Rugova. Të kërkosh bashkimin kombëtar është diçka e natyrshme dhe sublime, por ta kërkosh këtë gjë pa e bërë një monument vizual për shtyllën e bashkimit kombëtar-Skënderbeun, është diçka gjysmake, që s’funksionon si duhet. Të jesh nismëtar e realizues i këtij projekti qoftë si udhëheqës institucioni apo burrë shteti, do të thotë, të mbetesh në histori në pamjen më të ndritshme.

Prandaj është mirë të mendojnë institucionet shtetërore në Shqipëri, sepse në Kosovë institucionet e shteti janë tepër konfuze e të papërgatitura për çdo gjë, sidomos s’kanë ide se si do ta bënin një film spektakël për Skënderbeun me përmasat që i takojnë. Natyrisht krijuesve në Kosovë u digjet zemra, por këtë gjakim nuk e kanë pushtetarët.

Kostoja e përmasat e spektaklit nuk duhet të na dekurajojnë, meqë ka mundësi të inkuadrohen shumë institucione dhe disa shtete, krahas bizneseve private, qoftë në formë të aksioneve, qoftë me kontribute vullnetare për të mirën e kombit.

Pse të mos bëhet projekti “Skënderbeu” joshja e elektoratit për vota në vend të ca joshjeve të tjera që s’përkojnë shumë me kombin.



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora