E merkure, 24.04.2024, 04:52 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mark Bregu: 6 prill 1911, dita e ngritjes së flamurit të parë të pavarësisë

E shtune, 10.05.2008, 11:35 AM


6 prill 1911, dita e ngritjes së flamurit të parë të pavarësisë

Nga Mark Bregu

"Në "Panteonin" e burrave më të mëdhenj që nxori toka Arbërore, rrezaton me shkëlqim hyjnor, tribuni i malevem besniku i papërkulur dhe mbrojtësi Titanik i tokës së bekuar Arbërore, kreshniku Dedë Gjon Luli" (M.B.)
6 prilli i vitit (1911), është "Preludi i Lavdisë" dhe "Kurora e Artë" mbi kokën e Dedë Gjon Lulit dhe trimave të tij, martirë të Deçiqit.
Në këtë ditë të shënuar të historisë (të cilën nuk ka "histori" që ta fshehë) ngrihet për të parën herë (mbas 450 vjetësh) të pushtimit osman, Flamuri Kuq e Zi i Gjergj Kastriotit, mbi Bratilë të Deçiqit, i larë me gjakun fisnik të shtatë dëshmorëve, që fituan Lavdinë dhe pavdekësinë në shekuj. Trimat e Dedë Gjon Lulit nuk ishin "çetë komitësh", por një bashkim i besëlidhur mbi traditën e shkëlqyer të lekëve të Malësisë, të cilët, besën, bujarinë dhe trimërinë i patën kurdoherë, - Kryefjalë.
Por, edhe në qoftë se "historianët" do të heshtin, kurrë nuk do të heshtë jeohna e gjëmimit të pushkëve të trimave të Dedë Gjon Lulit. Zëri i tyre do të ushtojë në shekuj si një "Simfoni" lavdie për të zgjaur ndërgjegjen e çdo atdhetari të ndershëm. Kronologjinë e kësaj ngjarjeje të lavdishme e përcollën me shumë saktësi dhe korrektesë mediat e shkruara më prestigjioze të kohës, dhe Historia flet: (Për Dedë Gjon Lulin, Kryengritjen e 1911-ës dhe ngritjen e flamurit.) 24 mars 1911:
Dedë Gjon Luli, vojvodë i Hotit, me disa burra të Hotit e të Kelmendit, mësyen dy kamshat e ushtarëve të turkut në Rapshë të Hotit, vranë dy rojet: por yzbashët osmanllinj, ngaqë po iu dhimbsej jeta, nuk vepruan e u ranë në dorë shqiptarëve me tridhjetë ushtarë, të cilët qenë çarmatosur e lanë lirshëm me shku në Shkodër. Malësorët morën 33 mauzerre e 4000 fishekë.
Të nesërmen, 25 mars, i ranë Kaushës në Traboin, ku vranë e çarmatosën ushtarë derisa mbërriti ndihma turke prej Tuzit. Luftimi atëherë qe i rrebtë, shqiptarëve u erdhën ndihma të tjera prej Kelmendi e Grude të armasotur me pushkë, me thika, me sopata, me kmesa, me gurë e me drunj, e zgjati potera deri në mbrëmje në të errur. Mbetën 40 nizamë, e prej shqiptarëve mbetën 3 të plagosur e 9 të vdekur, Hot (Traboinës) ndër të cilët tre dragonj, Kolë Marash Vata, Zef Lani e Gjon Pllumbi ranë dëshmorë për Shqipëri. Në këtë ditë Gruda mori kaushen e Selishtit. Mbeti një Trepshian i vdekur e një grudas shitue. U këputën marëdhëniet me Tuz e Shkodër. (Marrë nga "Leka" Nr. i veçantë 1937, fq. 368). Më 24 mars 1911 nga muzgu i mbrëmjes kje dhanë shenji i kryengritjes së përgjithshme e Lekët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit filluan pushkën. Kryetar kanë Dedë Gjon Lulin. Do malësorë prej Hotit e Kelmendit mësynë kaushat e Turkut në fushë të Rapshës, tuj mbytë dy ushtarë, dy tuj i varrue (plagosë). Katër xunë rob, njëzet ranë në dorë e u muerën armët. Ref. ("Hylli i Dritës", Vjeta VIII. 1932, fq. 576, sipas "Corriere d'Italia" 1911. Il Diario della Insurrezione. Scutari 23 Marzo).
""Liri e Shqipërisë" kur bjen lajmin e parë të kryengritjes të Malësisë së Shkodrës shkruan: Lto fatosa luftojnë me Flamur të kuqme shqiponjën e zezë me dy krena, d.m.th. me bajrakun e Skënderbeut". ("Leka". Po aty, fq. 389). Më 6 prill Malësorët e Hotit e të Grudës, si dhe do të Kastratit i ranë Deçiqit edhe e shkulën turkun andejna megjithë muhamedanët shkodranë. Në shtizë ku valonte flamuri i turkisë, malësorët naltuene Flamurin Shqyptar për katër orë rresht. At botë malësorët kjenë ngushtue me e lshue Deçiqin. Në e nesre malësorët i ranë turkut mbi llogore t'Mosketit. Lufta n'giati 36 sahat e turqit kjenë shtye deri te Rrasa e Fikut e lanë 150 vetë të dekun. Malësorët patën dy të dekun e dy të shitum. ("Leka", Po aty, fq. 371, 372).
…Disa pjestarë të Komitetit dalun në breg të Cemit për të vrojtue luftën prej së largu e për tu knaqun me pamjen e parë të ngritjes së Flamurit të uljes së flamurit turk, mjes flakës e tymit të luftës, na rrfejnë se n'at ditë Lekët e Hotit të Grudës e të Kastratit, mbas fjalës së Dedë Gjon Lulit: "Bini sokola he n'Krajli u shkoftë zani", si të kishin fletë e jo kambë, i çelën rrugë vedit e n'mes t'mauzerrëve e mitrolozave të turkut, as t'ishin badema derdhën mbi nuse e krushqë ditën e dasmës, e jo plumba qi shkëpusin jetën e shtrijnë bura përdhe, në pak orë u sjellën në maje të Deçiqit dhe zhvilluan n'ajër t'lirë t'malësisë së Mbishkodrës atë rubë të kuqe me shqipe të zezë që tash 450 vjet kishte ndenjë palue e dikund edhe harrue ndër skutat ma të mshehta që Shqipnisë së robnueme. ("Leka", Nr. 8. 1837. fq. 249).

Flamuri Kombëtar në krahinat e Shkodrës

Dedë Gjon Luli, drejtues i lëvizjes, kishte dhënë urdhën me ngulë Flamurin e Shqypnis ndër maja t'zaptueme (të çlirueme). Atë ditë më 6 prill 1911 në të cilën u muer maja e Deçiqit u vu flamuri në Bratile, një maje që mbahet veç nëpër një qafë prej majes së Deçiqit e shpesh herë thirret Bratilja e Deçiqit. Thonë se ai që e ngriti qe kushëriri i Dedë Gjon Lulit, Nikë Gjelosh Luli, së bashku me Gjon Ujkë Miculin e Pjetër Zefin, që u lidhën me besë me e çue në vend fjalën e Dedës. Lajmi i ngritjes së këtij flamuri murr dhenë. Çetat e shpërndame e morën vesh këtë lajmë të gëzueshëm e shprazën pushkë në shenjë gëzimi. Kështu difton Lekë Curri i Thethit e Dedë Kiri, të cilët n'atë rast ndodhën në brigjet e Hotit.
Jam kujdesë me pvetë gojarisht burrat, që janë gjetë tuj luftue në kët kohë në krah të Hotit. Asnji s'e mohon të ngrehunit Flamurit në Bratilë, ndër të tjera e difton edhe Prelë Keri, Pjetër Zefi e Kolë Tom Luli." (Donat Kurti: "Hylli i Dritës", Nr. 11. 1937, fq. 521).
Mbas faljes së përgjithshme që Turkia u bani malcorëve të Mbi - Shkodrës, Qeveria Malazeze dha urdhna të rrebta qi të mos gjindej ma asnji kryengritës shqyptar në tokën eMalit të Zi. Dedë Gjon Luli i Hotit vijoi me ndejë ndër male e nuk kthej ma me i dhanë dorën valisë në truell të vet. ("Leka" fq. 395). Në vitin 1923, ishte krijue nji komitet me emnin "Dedë Gjon Luli" për ti ngritë një përmendore. Kemi nji letër të Avni Rrustemit të cilin e kishin caktue antëar. Ja si i drejtohet Avni Rrustemi prej Rome: "Të ndershëm "Komitet Dedë Gjon Luli". Gëzohem që u muar inisiativa për t'i ngrehun nji monument Burrit pa frikë e pa njolla të malësive tona, që kështu të jehojë emni i të njohurit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni zgjedhë pjestar. Avni Rrustemi. ("Ora e Maleve", Nr. 20, 1923).
Siq e pamë ma nalt, para 79 vjetësh ishte projektue (menimi) për t'i ngritë monument tribunit të maleve - Dedë Gjon Luli, por as monarku - Ahmet Zogu, as diktatori Enver Hoxha nuk e kryen këtë amanet!
"Nuk ka bust as ka shtatore ky fatos, kreshnik i Hotit / Por n'çdo shkrep ka përmendore / Pushka, Besa, Ndera e Kombit" (M.B.).
"Jehonën e Deçiqit do ta përcjellin shekujt, Dedë Gjon Luli, ka fitue pa vdeksinë".

Konsiderata dhe opinione nga bashkëkohës

Dedë Gjon Luli nuk asht shue, jo ideali yt, gjurmët dhe shembulli yt janë dhe do të vijojnë me qenë ndera e malësorëve tu… Në kujtim tand s'u ngrehën monumenta, s'u pagëzuen rrugë as parqe.
Jo, por emni yt nuk vdes kurrë, kujtimi yt nuk ka si shuhet.
Gjithçka harrohet më këtë shekull, gjithçka shuhet di vesa përpara Diellit, por kurrë gjaku i derdhun për liri t'Atdheut.
Dita 6 prill 1911, Deçiqi sa krenar aq vigan, do të vijojë të jetë monumenti i yt, o Plak Fatos. Shkodër, Prill 1944. kapit. Gjelosh Luli. ("Hylli i Dritës", Nr. 4, 1944, fq. 11 - 12).
Trimi i Traboinit i ven pushkën Turqisë. Merren postat e vendit. Bedri Pasha çon peshë shkodranët kinse për dinim. Sukat e Mosketit bahen vame lufte. Merret Deçiqi dhe në maje të tij ngrehet për të parën herë Flamuri i Shqipnisë. Ndërkaq Bregu i Matit me Dedë Cokun në krye ban të njajtën gja. Në Rrushkull ndeshen vullnetarët tonë me asqerët e sulltanit. Vriten e plagosen nga të dyja anët. Ndër të plagosun randë Llesh Nikë Daka. Ky u lypë shokëve ta çojnë të desë në Rubik te Pater Pali. Sulltani dërgon rishtas në Shqipëri Turgut Pashën. Ky urdhënon ti dorëzohen armët. Malësorët s'i binden urdhnit. Mjerisht ushtarëve (luftarve) tanë tashti u bjen mbas shpinet Et'hem Pasha. Lekët lëshojnë tokë, por jo zemër as trimni. Europa bindet. (P. gj. Fishta).
Duhet theksuar se kryengritja e fuqishme e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit natyrisht që shënonin akte e fakte të randësishme historike për kombin tonë, të cilat tërhoqën vëmendjen e shteteve e diplomacive të kohës, duke u pasqyruar mirë në shtyp, si të vendit ashtu edhe të huaj, veçanërisht në revistat autoritare: "Leka", "Hylli i Dritës", "Liria e Shqipërisë" - (Sofje), "Corriere d'Italia" (Romë), etj., të cilat i kemi citue ma nalt. Mjaft intelektualë, gjithnjë të vendit e të huaj, i ndoqën nga afër dhe i publikuan këto akte e ngjarje si Luigj Gurakuqi, Risto Siliqi, Hikë Mosi, Edith Durham, C. libardi, etj.
Vlenë të theksojmë se Deda u sakrifikue për Atdheun, em shum mashkuj të derë së tij. Rrallë ndonjë familje tjetër e njohur shqiptare i dha Atdheut dhe lirisë së tij kaq martirë dhe luftëtarë sa kjo derë e Dedës. Përveç Dedës, kushëriri i tij, Nish Gjelosh Luli vritet në luftë (1911), bashkë me Gjergjin, djalin e vogël të Dedës (1912), Kola, djali i madh helmohet duke u kthyer nga Italia si i internuar (1918), Luc Nishi, djali i Nishit, vritet në Suka të Mosketit në luftë kundër Malazezëve (1920). Rruga e sakrificave vazhdon për këtë derë. Gjokë Luli, kushëriri tjetër i Dedës, bashkë me Luçin merr pjesë në luftën e Koplikut, plagoset e internohet.
"Nji kalvar vuajtjesh dhe nji "Olimp" madhështie pë ket "Kështjellë" trimash, që nderojnë rracën Arbënore anë e kand botës" (M.B.).
Së fundi, 6 prilli 1911, mbetet dita e parë faktike e ngritjes së Flamurit, dhe "Preludi" i lavdisë së Maleve tona.
Flamuri që ngriti Dedë Gjon Luli me trimat e tij, u skuq me gjakun fisnik të shtatë fatosave, burim frymëzimi për të gjithë brezat dhe gjeneratat. Deçiqi - Kështjellë e pa mboshtun e Lirisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora