E premte, 19.04.2024, 05:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Vilhelme Vranari - ''Vonë... tejet vonë''

E marte, 16.04.2013, 08:42 PM


PREKJA E DHEMBES DHE MESAZHI PËR JETËN

Vilhelme Vranari (Haxhiraj): “VONË… TEJET VONË”, roman, botoi SHB “NACIONAL”-Tiranë, 2011

NGA XHELADIN MJEKU

Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (1944) për lexuesin e letrave tona është emër i dëshmuar bindshëm dhe me një thesar të çmuar vlerash e të arriturave në krijimtarinë e saj letrare në poezi, prozë, eseistikë dhe publicistikë. Bindëse për këto arritje janë edhe shumë çmime që ka fituar për këto angazhime të shumta, si në nivelin kombëtar edhe në atë ndërkombëtar. Rreth tridhjetë tituj librash në poezi e prozë, që tashmë ia ka dhuruar receptorit  dëshmojnë përkushtimin e saj në krijimtarinë letrare dhe publicistike. Ndonëse në një kohë të vonë është paraqitur para lexuesit me librat e saj, sukseset dhe arritjet janë dëshmi e qëndrueshme se vetëm me përkushtim dhe gatishmëri arrihet ajo që synohet, pavarësisht situatave dhe momenteve që mund të krijohen në kushte dhe rrethana të caktuara politike, që kishin për synim ndërprerjen e veprimtarisë krijuese.

Ndërtimi i fabulës mbi bazamentin e dhembjes dhe jetës

Ndërtimi i romanit “Vonë… tejet vonë” që në faqet e para shpërfaq një pamje sa joshëse me pamjet e ambientit mbi të cilin zhvillohet jeta e personazheve, me bukuritë natyrore, me fshehtësitë rurale që takojmë aty, të pikturuara me përkushtim me penën e kujdesshme të Vilhelme Vranari–Haxhirajt, paraqitja me ngjyrim të qëndrueshëm të pamjeve pitoreske dhe përshkrimi i viseve të virgjëra të trevës veriore, ku është përqëndruar zhvillimi i ngjarjeve, prej nga takojmë edhe jetën tradicionale të vendit. Krijimi i dashurisë për atë pjesë atdheu, ku dora e njeriut veçsa kishte filluar të prekte bukuritë e virgjëra të natyrës që shekujve kishin qëndruar të pa ndryshuara dhe fare pak të shfrytëzuara, ia shtojnë vlerën artistike këtij romani dhe e bëjnë që lexuesi të absorboj kënaqësinë e ambientit që krijohet  gjatë  tërë ngjarjeve të trajtuara në këto treva. Nga këto vlera të hetuara dhe të analizuara profesionalisht për kohë të gjatë e kishin dehur Yllka Janinën, një  vajzë e re që sapo kishte vënë hapat e saj të parë në ndërtimin e jetës dhe ballafaqimin me sfidat dhe preokupimet për gjithçka e  entuziasmonte  kjo  perlë  malore, me lumenjë, shkëmbinjë e pyje të pasura, që siguronin një zhvillim të vendit edhe në sektorin e turizmit malor.

Mirëpo, përkundër dëshirës për të ndërtuar një jetë të lumtur, në këtë kontekst qëndron si hije diçka që deri në momentet kur zbulohet kjo enigmë, arrinë efektet e saja tepër fatale. Virusi vdekjeprurës, që konsiderohet si transmetuesi i sëmundjes së pashërueshme arrinë të shkatërroj një jetë, e në  këtë relacion ndërlidhet tërë rrjedha e romanit, ku pësojnë edhe personazhet tjerë, në  forma të ndryshme, për të përmbyllur kështu një jetë dhe njëkohësisht për të rinisur pjesën tjetër të jetës me bindjen se jetën duhet jetuar me atë që ka mbetur për t’u shfrytëzuar. Autorja sjell argumente e fakte të mjaftueshme për ta njohur këtë rrezikueshmeri që i kanoset brezave në vijim, derisa devijimet e shoqërisë kanë filluar të vërehen dukshëm, nga vese e sëmundje të ndryshme, si: pedofilia, prostitucioni, AIDS-i, trafikimi i qenjeve njerëzore dhe narkomania, që marrin jetë njerëzish të pafajshëm në vazhdimësi.

“Për mua dashuria është porta për të hyrë në rrugët e jetës. Agim, më vjen keq që ta them… Ishim dhe kemi ngelur të ndryshëm. Ti nuk i do përgjegjësit. Të pëlqejnë qejfet, gëzimet e shfrenuara, festat deri në mëngjes, bastet, bixhozi… Jo, jo… jeta është përkushtim, është luftë, përpjekje, gëzim dhe hidhërim. Jeta na përballë me të panjohura që kërkojnë zgjidhje, ndaj është vlerë. Në fund të fundit jetë do të thotë vetmohim. Prej saj rilind jeta. Ndryshe do të quhej shterpë”. (fq. 47).  Nga këtu pothuajse shpaloset filli i ngjarjeve që pasojnë jetën e Yllkës dhe shpërfilljes së Agimit, për të kuptuar devijimin e rrugës së tij .

Ngjarjet që përshkojnë gjithë shtjellimin e romanit “Vonë… tepër vonë” bëjnë të kuptohet sa e madhe është dashuria e nënës për fëmiun e saj dhe njëkohësisht sa e dhimbshme është humbja e djalit të vetëm; përpëlitjet dhe shpresa e pafund deri në gjetjen e djalit të saj, pas më shumë se një dekade.

“-Tani të gjeta bir… Kjo më mjafton, zemra ime… Falemnderit o Zot, që ma ktheve djalin, Idlirin tim. Tani jemi bashkë. Kështu do të jemi gjithmonë. Mbaruan vuajtjet si për ty dhe për mua, shpirt i ënës.

- Tani është vonë… tejet vonë, nënë.

- Kurrë nuk është vonë për një nënë që të bëjë gjënë e duhur për të birin. Të dy së bashku do t’ia dalim, bir”, (fq. 134).  Yllka mëson për ekzistimin e djalit të saj, edhepse me një emër tjetër, por plotësisht  sigurohet se ai është Idliri i saj, se ende jeton dhe përpiqet të mbijetoj  duke shpenzuar edhe energjitë e fundit të jetës. Rruga tjetër që pason pas këtij  momenti është vendimtare dhe përmbyllëse për një pjesë të jetës dhe peripetive të saj, e cila arrin ta zbuloj gjithë ngjarjen dhe këmbëngulë të qëndroi pranë djalit të saj deri në përfundimin e jetës së tij. Aty krijohen ngjarje e ngjarje, që në një formë bëjnë të kuptohet se çka mund të bënte një nënë për pjesën e saj të shpirtit, edhepse e kupton se biri i saj është në përfundimin e jetës.

Riorganizimi i jetës dhe ecja tutje  në gjetjen e lumturisë është kaptinë tjetër e ndërtuar me përkushtim dhe bindshëm reflekton mesazhin e dashurisë për jetën. Epilogu që e përshkon  pjesën  e tretë të romanit, si përmbyllje e  fabulës vjen me një riorganizim të fuqishëm dhe shpresëdhënës për personazhet e ritakuar, sjell  rikthyerjen e jetës së re, të ardhmërisë së riparuar.

Pasqyrim  karakteresh

Karakteret e paraqitura në roman vijnë të ndërtuara me përshkrimin e shumë elementeve që e rrethojnë jetën dhe bëmat e tyre, duke sjellur kështu gjithë pamjen, me guximin, mimikërinë, zymtësinë, krenarinë dhe forcën e mposhtjes së situatave dhe veseve tek bashkëvepruesit e ngjarjeve që shtjellohen këtu. Personazhet, si: Yllka Janina, që paraqet strumbullarin e ngjarjes në gjithë romanin, me virtytet e saja prej një intelektualeje me qëndrim dinjitoz, pavarësisht sfidave dhe humbjes së familjes, ajo gjen forcë të rinisë jetën, duke ngritur kështu moralin e saj në nivelin e një heroine që përballet me stuhitë e jetës dhe ia del me sukses të tejkaloj gjithë atë  mënxyrë. Një sfidues tjetër, që i qëndron shumë fuqishëm ngjarjeve të shtjelluara aty është edhe Genti, i cili përkundër shumë peripetive, ia del të rindërtoj jetën e tij, duke përmbushur ëndrrën e filluar që në nismën e ngjarjeve në roman. Agimi këtu paraqet fytyrën e heshtur, të përvuajtur dhe enigmatike deri ne fund të ngjarjeve. Ai edhepse për Yllkën është “njeri i mirë. Ishte tip i qetë, korrekt, sillej mirë, megjithëse i mefshtë për t’iu përgjigjur çdo veprimi në kohën e duhur. Njerëz të tillë të ngathët shpesh bëhen pengesë për rrjedhën normale të jetës” (fq. 97). Ky personazh nuk jep të kuptohet se çka e shtyn të jetë i tërhequr, i painteresuar për jetën, personazh me shumë të panjohura, që në mbyllje të romanit del sheshit enigma e jetës dhe peripetive të tij. “Nëna e Agimit ishte e lumtur për të birin. “Të falemnderit moj bijë, që tim bir e bëre njeri!”, (fq. 99). Kjo shprehje e nënës së Agimit flet për  besimin  ndaj Yllkës, që  e konsideron shumë të afërt dhe me besueshmëri të fortë, duke e ndier  një zbraztësi në shpirt për djalin e saj, ku me kohë ka hetuar devijimet e jetës dhe mosinteresimin për ardhmërinë e tij. Megjithatë një dozë optimizmi e përcjell si hije nënën e tij, duke shpresuar në fuqinë intelektuale të Yllkës, me shpresë se do ta afroj në jetë dhe familje. Kjo bindje dhe dashuri e nënës së Agimit vazhdon të qëndroj deri në mbyllje të kapitullit të jetës së saj. Pothuajse në çdo ngjarje e me çdo personazh që vepron Yllka, jep po të njëjtin mesazh, që nënkupton dashurinë dhe respektin njerëzor me qëllim të ecjes përpara në përballjen e ecejakeve të befasishme të jetës.

Persnazhet tjerë, si: Ariana, Bora, Kristina dhe Vesa janë pjesë e pandarë e këtyre ngjarjeve, që ndërtojnë fabulën e romanit dhe paraqesin pamje e ndodhi të shumta, që lexuesit i mundësojnë një ndërlidhje organike të artikulluar me synimin kryesor të ngjarjes. Kjo nënkupton se shkrimtarja ka arritur të krijoj një vepër letrare të zhanrit romanesk plot ngjarje e probleme, që të lidhura mes vete sjellin nje prozë të ndërtuar mirë dhe të artikuluar me konkretësinë e shprehur në ngjarjen bazë.

Karakteristikë e personazheve në këtë roman është prezenca e tyre pothuajse tërësisht në rolin pozitiv të çështjes, e që pjesa negative e ngjarjes konsiston në fenomenin e sëmundjes, që është e keqja e gjithë ngjarjeve.

Shtjellimi i ngjarjeve në kthesën e tretë të jetës

“Para pak muajsh isha një tjetër. Nuk mendoja se do të bëhesha përsëri njeri. Por shfaqja në rrugën time e Vesës së pafajshme dhe e Gentit, dashurisë sime, të cilën ia mohova vetes dhe atij, më tjetërsuan, më kthyen në jetë. Kjo ishte meritë e kohës që ndikoi tek arsyeja, e cila gjendet vetëm tek qeniet humane”, (fq. 178). Këtë fragment e sjell për lexuesin, që pa u hamendur të kuptoj se çka në të vërtetë e shtyn Yllkën që të rinisë jetën. Janë dy faktorët kryesor: Vesa dhe Genti që ia shtojnë besimin se ia vlenë t’i rikthehet jetës për hir të këtyre dy personazheve që sërish e “kthyen në jetë”. Birësimi i Vesës, pastaj njohja në detaje e së kaluarës së Gentit, humbja e familjes së tij në Amerikën e largët, qëndrimi i pathyeshëm përballë tragjedisë së familjes së tij dhe vazhdimi e jetës në kornizat e dashurisë së tyre të hershme. Mosthyerja për asnjë çast e mirëkuptimit në frymën e ngjarjeve tepër të rënda, edhepse të zhvilluara në sytë e tij, por nga pafuqia e tij të ndryshoj mendjen e saj kishte rezultuar me një lëndim të përkohshëm shpirtëror dhe një largim nga vendlindja ku pëson shumë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe familjar. Për humbjet e përjetuara dhe për ndjenjën e keqe që ia përshkon gjithë kohën dhe pamundësinë për ta ndihmuar Yllkën, që prej takimit të parë nuk kishte rreshtur ta trajtonte si pjesë të pandarë të jetës së tij. Këtë ndjesi arrinë ta bëj realitet duke mënjanuar gjithë të kaluarën, si një kaptinë  e mbyllur e jetës së tij. “Gabimi im i rinisë, një hap i pamatur, më solli deri këtu. Ishte fati im i keq që të shtyta e të degdisa larg, shumë larg. Më pas ishte vonë, tepër vonë kur e ndjeva mungesën tënde. Atëherë e kuptova se shumë të doja, por asgjë e bërë nuk ç’bëhet. Koha nuk mund të kthehet pas kurrë. Edhe ajo na e dikton kur jemi vonë…” (fq. 123). Kjo flet mjaft për qëndrimin stoik në situata dhe ngjarje, e pathyer dhe plot vullnet për jetë, edhepse “Vonë… tejet vonë”.

Shikuar nga ky prizëm ndërtimi i ngjarjeve në roman, pavarësisht mosndarjes teknike të ngjarjeve në tri pjesë, hetohet dukshëm një organizim i formës së trilogjisë, duke ndërtuar ngjarjet në tri etapa të zhvillimit, që të kompozuara mirë dhe me ndërlidhje të qëndrueshme të fabulës sjellin këtu një jetë plot ngjarje e ndodhi, që përmbyllen me një ndërtim unik.

Fryma e mesazhit

Pa ndonjë hamendësim mund të konkludohet se tërë ngjarja që shtjellohet në roman sjell pamje e episode të gërshetuara mes vete dhe të ndërtuara mbi bazën e një teme bosht, me përpjekjet e parreshtura deri tek mbijetesa e kryepersonazhit, që mund sfidat e panumërta për të sjellur tek lexuesi fakte e dëshmi se koha dhe përvoja jetësore janë kushtimisht të lidhura dhe që të dy këta faktor mund të triumfojnë çfarëdo situate që kanoset, me përkujdesje dhe zemërgjerësi të njerëzve të mirëkuptimit dhe të arsyes që mbisundon dëshirat dhe ëndërrat e një jete të lumtur e harmonike. Ndërlidhjet harmonike të ngjarjeve, prekja tepër sensitive e shumë momenteve të krijuara si pjesë e domosdoshme e tejkalimeve të situatave, frymëzimi i pamposhtur për jetë dhe besueshmëria e kryepersonazhit – Yllkës, që ndonëse me shpirt të lënduar rëndë dhe zemër të thyer, arrinë të rikonstrukturoj jetën e saj dhe të Gentit, që ishte shpresa dhe shpëtimtari i saj i vetëm, për të ngritur familjen e tyre në frymën  e dashurisë së pashuar që nga fillimi i takimeve të hershme dhe ngritja e vlerave të jetës me mundësitë e reja, duke ngushëlluar të kaluarën, si vrragë  e madhe.

Në frymën e këtyre ngjarjeve, me një shtjellim tashmë të kuptueshëm për lexuesin, pavarësisht zhvillimeve të ngjarjeve të ndryshme, besimi dhe sinqeriteti ndërnjerëzor, gërshetuar edhe me mirëkuptimin dhe besimin e palëkundur për asnjë çast tek individ të caktuar sjellin triumfin e pamposhtur për jetë  e ardhmëri, me të gjitha elementet e mundshme të një ecje tutje, përkundër të kaluarës  përplot ngjarje të hidhura.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora