E shtune, 20.04.2024, 03:59 AM (GMT+1)

Mendime

Granit Sokolaj: Kur mjekët e duan nga një thikë

E shtune, 10.05.2008, 10:32 AM


Kur mjekët e duan nga një thikë
 
Nga Granit Sokolaj

Rasti i fundit i vdekjes së vajzës 17-vjeçare nga Pogradeci, tregoi më së miri, papërgjegjshmërinë e bluzave të bardha, etjen e tyre të pandalshme për të zhvatur lek në këmbim të jetës. Gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet familjes së Majlinda Petritit duke u kujtuar se vajza e tyre nuk ishte e vetmja që humbi jetën në duart e bluzave të bardha dhe në shumë raste, për fajin e tyre. Siç dhe ka ndodhur shpesh, edhe për mjekun Xhevahir Hoxhallari nisi hetimi, por përfundimi është i qartë që tani. Dosja mbyllet, secili merr shpërmblimin e vet dhe kaq. Doktori vazhdon punë, klinika e tij qëndron e hapur, dosja arkivohet dhe familja Petriti, nga Pogradeci, ka një pjestar më pak.
Kush mban përgjegjësi për jetën që vajzës ia dhuroi Zoti? Për djersën e prindërve të saj që e rritën? Sigurisht, asnjëherë mjeku. Ai ka para, është i njohur dhe i mbyll më së miri problemet e veta.
Para afro 3 javësh më 11 prill 2008, në oborrin e QSUT-së u plagos rëndë me thikë Shefi i Kardiokirurgjisë, Ali Refatllari. Një i sëmurë mendor e goditi disa herë me thikë zëvendësdekanin e Fakultetit të Mjekësisë, pasi ai kishte operuar dajën e tij një javë më përpara dhe pacienti kishte vdekur. As mua dhe asnjërit nuk i erdhi mirë për plagosjen e profesorit të njohur. Por, kur shikon çdo ditë se çfarë ndodh në spitalet tona, një thikë është pak (të më ndjejë doktor Refatllari, pasi krahasimi në këtë rast nuk ka lidhje me emrin dhe rastin e tij).
Një tjetër rast incidenti në spitale është i para pak ditëve në Fier. Një 34-vjeçar u arrestua pasi goditi një mjek në krye të detyrës. Shkaktari i incidentit kishte shkuar në spital për të shoqëruar një të afërmin e tij të sëmurë. Pak pasi ka hyrë në spital, është zënë me njërin nga mjekët "për mënyrën e shërbimit". Mos vallë dhe autori 34-vjeçar i Fierit ishte i sëmurë mendor? Absolutisht jo, por edhe atij, si mijëra hallexhinjëve që përplasen në dyert e spitaleve, i ka shkuar "thika në palcë".
Nëse nuk fut dorën në xhep, në spitalet tona askush nuk të merr në dorë. Nëse nuk hap portofolin... më mirë "prenoto" vendin në varreza. Dhe, pa pikën e turpit, pas incidenteve, mjekët protestojnë, shtyjnë operacionet e lënë urgjencat, duke kërkuar mbrojtje nga shteti. Nga kush të mbrohen? Askush nuk i ngacmon, nëse ata respektojnë bluzën e bardhë që mbajvë veshur, të cilën e përmendin për humanizëm saherë është rasti për të kërkuar rritje rrogash.
Për fatin tonë të keq, të gjithëve na ka rënë rasti të kalojmë qoftë edhe njëherë në ambientet e spitaleve tona. Njerëz të ardhur nga fshatrat, njerëz, të cilët që në pamje të parë të krijojnë përshtypjen e hallexhiut, presin për orë të tëra nëpër korridoret e spitaleve. Ndërsa oborret janë të mbushura me makinat luksoze të mjekëve, të cilëve vështirë se u ka mjaftuar rroga për ta blerë nga një të tillë.
Kush thotë apo tenton të provojë të kundërtën, GENJEN.
Për këtë situatë është koshient edhe Ndoka, i cili shpresoj që, pas problemeve të fundit në partinë e tij, të mos harrojë situatën, të mos harrojë vdekjet e njerëzve në duart e mjekëve-ujqër.
Rreth 300 të vdekur në spitale, është bilanci i vitit të kaluar. Për sa prej këtyre rasteve është mbledhur Urdhëri i Mjekut dhe vallë, të gjitha kanë qenë për shkak të gjëndjes së rënduar shëndetësore? Megjithëse të gjithë mjekët kanë shpëtuar paq, nuk ma do mendja që ndonjëri prej viktimave të mos jetë flijuar nga papërgjegjëshmëria dhe neglizhenca e tyre.
Ministri i Shëndetësisë Ndoka, por edhe të gjithë paraardhësit e tij, në raste incidentesh me bluzat e bardha, kanë kërkuar që mjekët të mbrohen, të mos dhunohen, të respektohen. Do ishte mirë të ndodhte kjo, nëse edhe vetë mjekët, do kujdeseshin për jetët e pacientëve, do ishte mirë të mos shikonin nga xhepat hallexhinjtë, do ishte mirë që të sëmurët të mos i linin nëpër stolat e korridoreve, por t'ju shërbenin atyre 6-7 pagave që marrin njëkohësisht në spitalet shtetërore dhe private. Kur rastet përseriten, denoncimet ndaj mjekëve janë të shpeshta, kur ndodhin dhe vdekje pacientësh nga pakujdesitë e tyre dhe Prokuroria, Urdhëri i Mjekut, Ministria e Shëndetësisë nuk marrin asnjë masë, pse duhet të ruhen e mbrohen kaq shumë këta "djaj të bardhë"? Dhuna, nga Xhehneti ka dalë, në fund të fundit. P.sh: Në vitin 1997, mjekëve nuk u jepeshin lekë, por të afërmit e të sëmurëve u qëndronin me kallash te koka, derisa mbaronin punë në raste operacionesh, ose kur i shtronin, të armatosur rrinin pranë tyre. Puna bëhej për mrekulli, nuk vdiq ndonjë nga pakujdesia e mjekëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora