E premte, 29.03.2024, 12:59 AM (GMT)

Kulturë

Lulzim Logu: Kufiri i dhembjes

E marte, 16.04.2013, 07:55 PM


KUFIRI I DHEMBJES

- Rreth librit më të ri të poetit gjakovar Muharrem Kurti me titull “ Dialog me dhembjen” -

Nga LULZIM LOGU

Muharrem Kurti është një poet i cili flet pak dhe është ithtar i vargut metaforik, goditës dhe impozant, që shpreh me emocionalitet të fshehur gjendjen e tij shpirtërore dhe raportet e tij me realitetin aktual, pasi më parë ka absorbuar bukur shumë ndjenja dhe përsiatje të brëndshme.

I formuar në Shqipëri, kujtojmë se ai shkollimin e mesëm dhe të lartë i ka kryer në Berat dhe Elbasan,ai pasqyron motivet fine të kendvështrimit të botës, përmes një gjuhe tejet funksionale në dispozicion të një lexuesi të kujdesshëm të poezisë bashkëkohore, të cilën njehkohësisht e ka ndijim shpirtëror, por edhe si një portë eterore, kah zbulohen përmasat e verteta të saj.

Në kuptimin e trendit të zhvillimit dhe të mënyrës së qëndrimit ndaj koncepteve rreth lirisë dhe përfitimit prej saj, sidomos në Kosovë, pas ngjarjeve të vitit 1999.

Përmbajtja lëndore është organizuar rreth këtij qerthulli tematik, duke kombinuar qartësisht, me një kredo të dukshme morale , idetë dhe reagimet e autorit pas ngjarjeve që i kanë paraprirë agimit të lirisë, por dhe dhëmbjen dhe sentimentin e kuptueshëm ndaj “gërvishtjes” dhe anashkalimit ndonjëherë banal të triumfit të saj, në kurriz të kauzës fisnike dhe dëshmorëve të saj.

Libri ka pesë cikle me tituj domethënës dhe kuptimësi logjike dhe kronologjike historike dhe jo vetëm: Dhimbje…Dhimbje e kaltër…Dialog me dhimbjen…Dhembje e bukur…Letra mikut.

Ciklet qëndrojnë rendueshëm dhe dinjitetshëm në strukturën fort’ mirë të ideuar, krijojnë harmoni të qëlluar dhe sigurojnë një lexim sa hap e mbyll sytë, me një frymë dhe me frymëmarrje të shpeshtuar, ndjenja jo të shpeshta ne morinë e botimeve të ditës në Kosovë dhe Shqipëri…

Natyrisht për nga realizimi, kompleksiteti tematik dhe figurative dhe komunikimi I rëndësishëm me lexuesin:

Nënës së vetmuar

Në ar’ veshja lirinë

Lulet i tmerron mungesa

Nënçmimi luajti mënç

Le të heshtim

Edhe heshtja dhemb…

Trishtimi i sublimes, vlera e frikshme e harresës historike të sakrificave njerëzore drejt sanksionimit të lirisë që gëzojmë sot, nënvlehtësimi dhe aq më keq tallja me idealistët dhe frymëzuesit e lirisë, përveçse përbën tashmë një qendrim tmerrues social, por edhe pengesë e vizionit të zhvillimit të vendit , por edhe të reformimit shoqëror dhe institucional.

Poeti, duke e kuptuar dhe duke e mbartur shpirtërisht këtë vuajtje, jo vetëm të tijën si ish i burgosur politik, i ka hyrë misionit të transmetimit të kësaj dhimbje dhe të tjerave që burojnë prej saj, duke sendërtuar një filozofi kujtese krenare e cila pazgjidhshmërisht lidhet sipas tij me fatet e kombit, por edhe me fatet personale të gjithësejcilit prej nesh:

Varre martirësh pafund

Në lendinën e lotëve varre

Përballë syve të të gjallëve trishtim

Pikojnë panderprerë hidhërim…

Vijojnë poezitë për nënën e martirëve sot,për pikellimin e motrës së martirit, poezia për bashkëfshatarin hero Agim Rama, për Elton Zherkën e bukur me plagët e shtatit si lule, për shtëpinë ku mblidheshin mergimtarët, për fotot e vendlindjes fotografuar nga aparati i shpirtit netve të dhunës dhe prtjes së vdekjes dhe mos-et e sotme si mallkim i harrimit .

Kësisoj martiri kthehet në një simbol real dhe përfaqësues, loti i nënave në argument dhe sensibilizim dhe porositë e mermerta të luftëtarëve të lirisë si amanete kah politika dhe individi që mund të harrojë shpejt identitetin e tij:

Mos, thotë nëna e martirëve

Mos i perbalt vuajtjet

Thotë luftëtari i lirisë

Liria jonë e pritur aq gjatë…

Leri bukuritë e fjalëve

Që pjellin djaj

Poshtë ra sinqeriteti

Lart shkoi mashtrimi…

Poeti me një dozë të madhe zhgënjimi dhe hidhërimi të dukshëm bërtet poetikisht, guxon pas vargjesh, akuzon dhe angazhohet të jetë zëdhënësi i dhembjes të nëpërkëmjes së lirisë dhe ndaj abuzuesve të saj, që tejskajsmërisht i quan: “ shqipfolëlësat e zi si nata”:

…aty ku lodrojnë vrasësit si minjtë

Plagoset populli, përdhoset liria!

Mos harroni

Bërllogun

Në kosh të plehrave!

Ironikisht, në mënyrë metaforike pastaj autori dhembjen e konsideron si “ dhembje të kaltër” , sipas tij, e ligjit në letër, e krimit oktapod, e shqiponjës së vrarë…

Mjaft i ashpër në përcaktime, në ciklin pasardhës “ ai thinjet’” ju kthehet motiveve të lehta dhe më të buta të moshës ,me kujtime të fëminisë, me imazhin e bardhë si ndershmëri e qartë të borës që bie pas xhamit të studjos së tij të krijimit, tashmë poeti i lodhur nga dhimbja sikur palohet ,teksa deklaron më tutje:

Gjithë pasurinë e botës ja fal

Jetës së bardhë!

Ndërkohë që në netë nostalgjie, që ai aq bukur i emërton si “ të qirirta” shfaqet nëna dhe kujtimi i saj pa skaj, siluetat e mollave të vendlindjes, ditët idilike në Çabrat, dialogu me Din Mehmetin dhe Teki Dervishin, kopshti i dashurisë, kudo qoftë ai, të shtunat e retushuara të rinisë, një kohë e shkuar me nuanca lumturie që feksin si xixëllonja dhe dhembjen e librit si lajtmotiv udhëheqës, tashmë e bëjnë të bukur.

Kapërcime tematike profesionale, kronologji që ruan tempin e leximit, figura që joshin me shkëlqim befasues, pjekuri dhe identifikim social i lakmueshëm prej intelektuali të angazhuat me fatin e vendit të tij, apele tronditëse dhe emocionalitet që duket sikur shperthen permbi “hirin” në dukje të ftohur të vatrës poetike…

Janë ndjesi që më zgjoi leximi dhe rileximi i vellimit më të ri të poetit Muharrem Kurti, një libër solid, një gur i rëndësishëm në ndërtesën e tij krijuese, e cila duket mjaft e maturuar dhe e qëndrueshme, paralel me kohën dhe dimensionet e saj aktuale.

E përfundoj veshtrimin tim modest, me katër vargje që besoj pambarimisht përbëjnë kredon poetike të këtij poeti shumë të veçantë në poezinë e tij:

Më bëj o Zot

Hi të dashurisë

Se sa zjarr

Urrejtjeje!

Ky mendoj se është kodi sesi të lexohet, kuptohet dhe vlerësohet sot poezia e Kurtit!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora