E enjte, 25.04.2024, 01:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Ireshtansi: Heronjë të kontrabanduar

E marte, 16.04.2013, 07:34 PM


Heronjë të kontrabanduar

“Rrust Kabashi i hypi atit gjan e gat ai po shkon sokakut”

Shkruan: Ireshtansi

Na ishte njëherë Rrust Kabashi. Jo ai trim i trimave që luftoi pada për Shqipërinë, siq e paraqet përmendorja në Prizren, as ai që vrau Shaqir agën pse ky ishte shërbëtor i turkut, siq e paraqet kënga, por na ishte Rrusta, ai i vërteti që këtë Rrustën që e di mileti ai s’e njihte as kurrë parë s’e kishte.

. . .

Jo shumë larg prej këtij vendi e prej kësaj kohe, pushteti i turqve të rinjë kishte organizuar ndreqjen e ngatrresave të familjeve shqiptare të kësaj ane. Njerëzit i njihnin këto organizime, kur ngatrresat bëheshin më shumë se që lypej. Ata e dinin edhe si duhej përgjigjur kur të pyesnin nëse e fal gjakun, se një përgjigje mohuese do ta digjte shtëpinë e do të sillte shumë telashe. Prandaj njerëzit e falnin gjakun para komisionit, e për disa këtu mbaronte puna  por për disa të tjerë kjo vetëm sa shpejtonte marrjen e gjakut të cilin e kishin falë nga zori.

Hasmit të mulla Brahimit i kishte ardh’ rendi të paraqitej para komisionit. Në atë komision edhe Rrust Kabashi edhe Shaqir aga, të dy zyrtarë të perandorisë.

Ti duhet të thuash disa fjalë pendese dhe të kërkosh faljen e gjakut i thanë ata të komisionit hasmit të mulla Brahimit. Unë i penduar jam i kishte thënë ky, edhe i kam dërguar shumë njerëz mulla Brahimit, por dëshiroj që kjo punë të bëhet sipas zakoneve tona, se po frigohem se mos po keqsohet gjendja.

-Ti bëjë kështu siq po të themi ne, e kur ta fal njëherë mulla Brahimi, do t’ketë punë me mue nëse guxon me shkel këtë fjalë që ka me dhanë ktu. Kështu foli Rrust Kabashi që ishte pjesë e komisionit. Njeri i fort nga çdo anë që ta shikosh. Me pushtetin po, pasuri po, edhe meshkuj po.

Fuqia, pasuria e mbase edhe mungesa e idealit e kishin bërë pak kapadai Rrustën.

Këto fjalë tha ai, e hasmit të mulla Brahimit iu mbush mendja se kjo punë u krye. Fjala e Rrust Kabashit është e madhe e s’mund ta shkel kush, tha ky dhe e  qetoi kryet.

-A ia falë ti gjakun hasmit, e pyetën komisioni mulla Brahimin.

Pëgjigja ishte e gatshme.

-Po, tha mulla Brahimi, falë i qoftë.

E për  çudi mulla Brahimit i ishte mbushur mendja që ta falë gjakun vërtet. Ai kishte menduar që të thërras edhe pleq e dashamirë e ta falë gjakun edhe sipas zokoneve tona. Kishte kaluar shumë kohë që kur shtëpisë së tij i kishin vrarë një mashkull. Edhe ta merrte gjakun s’kishte kush. Ai ishte hoxhë. E thërrisnin babë një rrethinë e s’i takonte të qiste pushkë. Edhe djalin e madh e kishte ende të vogël. Ai sapo kishte mbushur pesëmbëdhjet vjet. Ta ngarkonte atë frigohej se mos vritej vetë në vend që ta vras hasmin. Ta priste të rritej, edhe këtë s’e kishte qejf. Ai nuk donte fare ta fuste djalin në këto telashe. Prandaj kishte vendosur që njëmend ta falte gjakun.

. . .

Nuk kaluan shumë ditë kur në shtëpinë e mulla Brahimit erdhi Mehmet Reshtani. Atë e kishte pasur mik. Njiheshin prej kohësh e me vonë ishin bërë edhe vëllezër duke pirë gjakun e njëri-tjetrit.

Ai erdhi tek vëllau, si në shtëpi të vet.

-Dëgjova që kishe falë gjakun Brahim, i tha kur po pinin kafe. Unë e di që e ke falë para komisionit,  por unë kam ardhur të të them ta falësh gjakun përnjëmend. T’i tubojmë miq e dashamirë e ta falësh ashtu si duhet. Po të them si vëlla që  e kemi ndarë bashkë t’mirën e t’keqen, e dhashtë zoti ta ndajmë gjithmonë.

-Ashtu është Mehmet, edhe unë vëlla të kam, por gjakun nuk do ta falë, foli prerë mulla Brahimi.

-Gjaku duhet falur, vazhdoi t’i numëronte Mehmeti arsyet që s’ishin të pakta. Por mulla Brahimi as që dëgjonte andej. Nuk kundërshtonte Mehmetin kur ky përmendte arsyet përse duhet falur gjakun por këmbngulte që të mos e falte.

Jep e merr, këtë çështje e rrahën tërë natën. U zdrit e këta as kishin fjetur,as kishin ndërruar bisedë. Pinë  edhe nga një kafe nën peshën e një heshtjeje të rëndë. Mehmeti piu kafenë e u ngrit në këmbë ngadalë por bukur i inatosur.

-Unë, tha, me këtë udhë do të shkoj t’ia falë gjakun hasmit, e ti prishe mandej, edhe bëri të dalë.

-Prit Mehmet, u ngrit me t’shpejt  mulla Brahimi dhe e kapi për krahu. Pa ulu edhe njëherë.

-Ma bëre me borgj të tregoj se nuk desha, tha kur u ulën. Edhe unë kam dashur ta falë gjakun, dhe do ta falja që sot por s’mundem, dhe i tregoi fjalët e Rrust Kabashit në atë ndejë tek prisnin që mulla Brahimi të sillte një po të faljes.

-Heu, bëri Mehmeti, pasi qenka puna kshtu , edhe unë nuk të them ta falësh.

-Do të pres ndoshta edhe një vit, sa t’më piqet pak djali, foli përsëri mulla Brahimi, por kjo punë do t’kryhet me emër t’zotit.

- Qe besa asnji ditë s’do t’presim, tha Mehmeti. Hasmin do ta vras unë, e ta shohim se çka do t’bëj Rrust Kabashi. Kjo punë ka marrë fund sot.

Dhe kështu u morën vesh. Hasmin do ta vriste Mehmeti, por do ta merrte me vete edhe djalin e mulla Brahimit, që ky t’i tregonte t’gjithëve që e vrau hasmin dhe e mori gjakun.

U angazhuan njerëz që të përcillnin lëvizjet e hasmit, i cili njëditë ishte parë në Prizren. Endej ky me fjalën e Rrust Kabashit në xhep.

Menjëherë i shkoi fjala mulla Brahimit e Mehmetit.

Atëhëre Mehmeti e mori djalin e mulla Brahimit dhe shkuan e takuan hasmin, edhe e vranë në vend, në mes të Prizrenit.

Mulla Brahimi përhapi fjalën që djali i tij e vrau hasmin dhe ai e mori gjakun.

. . .

Rrust Kabashi dëgjoi këto dhe iu prish çerja. Ai kishte dhënë fjalë të mëdha atëhere. Edhe i kishte hapur pendlat fort , si qurani kur përgaditet për sulm, e tani i kishin shkelur fjalën dhe emrin. Kishte mbetur me krye teposht  e e ndjente që duhej bërë diçka që të ngrinte prap kryet. Të vriste dikë nga shtëpia e mulla Brahimit nuk ia mirrte mendja, megjithëse këtë do donte. Ai donte të lajë fytyrën e të kthej namin e emrit të tij duke bërë diçka që nuk do të kishte pasoja të mëdha.

Prandaj iu kap Shaqir agës. Ky, tha, i ka treguar mulla Brahimit, që t’më vë mua në pozitë të keqe, se ky shkon e vjen tek mulla Brahimi.

Shaqir aga u tremb. Edhe ai sikur Rrust Kabashi, ishte zyrtar i perandorisë, ishte pushtetar e pasanik por ai ishte i pakrahë, nuk kishte një familje të madhe e po t’i tekej edhe më të dobtit e kqyrte vëngër e s’jepte pesë para për të. Pastaj ai nuk ishte i vendit. Ishte muhagjer nga Nishi, e edhe kjo e dobsonte pozitën e tij. Ai u përpoq të shfajsohej, por kot. Rrust Kabashi disi do ta lante fytyrën, edhe e kishte ndarë mendjen se si. Për këtë duhej vrarë Shaqir aga dhe ai këtë e bëri.

Por Shaqir aga ishte zyrtar i perandorisë, prandaj osmanlinjtë si reagim për vrasjen e një njeriu të tyre, i dogjën odën Rrust Kabashit. Dhe kaq ishte.

. . .

Pastaj degjuam qe u kall Kabashi tym e flakë. Madje aty ishte bërë edhe një luftë e madhe o hej. Mbase. Por këtë le ta thonë historianët, të cilët padyshim që duhet të kenë guxim. Sidomos tek ne, ku më lehtë është të marrësh pjesë në një betejë sesa të tregosh për betejën. Këtu beteja ka pronarë.

Sidoqoftë ne ishim tek Rrust Kabashi, duke pirë kafe mu pranë përmendores së tij tek shadërvani në Prizren, në një ditë kur moti i mirë kishte mbledhur gati gjithë Prizrenin tek ai vend. Aty ku përmendorja e Rrust Kabashit u bënë hije kushedi sa njerëzve të shquar të Prizrenit të cilëve nuk u është dhënë mundësia të flasin me njerëzit siq flet Rrusta i vënë në krye t’vendit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora