E enjte, 25.04.2024, 06:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Përpara pamjes së ylbertë të jetës

E hene, 15.04.2013, 09:43 PM


Poetët përpara pamjes së ylbertë të jetës*

Përsiatje

“Kam edhe unë në shpirt/ një oqean…” V. Ziko

Nga Vangjush Saro

Poezia, që mbetet dëshira e parë më e madhe e të gjithëve sa shkruajnë, veçmas poezia lirike, vijon të tërheqë vëmendjen e publikut, sadoqë në këto kohë të teknologjisë së sofistikuar, vetiu krijohen pragje për shumë arte. Poezia e vetes, që kur shkruhet bukur bëhet edhe e të tjerëve, i ka fillesat në gjendjen më intime që mund të konstatohet te krijuesi, për t’u përthyer pastaj në rezen e të gjithëve; nëse ajo (poezia) e ka ngjizjen e duhur. Mbase kjo shpjegon ‘mbretërimin’ gjatë të saj. Mund të pranëvihet vetëm me pikturën, ku gjithashtu ka një mëvetësi ekstreme. Gjithsesi, poezia - edhe pse ajo lirike e lëkund disi këtë që do të themi - ka një raport më të pranueshëm me gjithë sa gjallon përreth. Çdo grimcë e së përditshmes, çdo pamje e saj, që nga hapi në një shëtitore, te ndjenja e dashurisë, që nga lektisja pas natyrës te pikëpyetjet për aspekte të ndryshme të jetës, në poezi rikrijohen përmes çastit meditativ, që siç e thamë, është shumë intim.

Në kohë të ndryshme e në autorë të ndryshëm, kjo mëvetësi merr trajtat më të çuditshme. Esenini e shkroi të fundit lirikë me gjakun e tij, ky i çmendur. Uitmani tregoi me gisht plagë të rënda të shoqërisë. Edhe te ne, nëse ka një art që ndjek vijën e tij të zhvillimit, në mënyrën më të qartë, është lirika. Zef Serembeja, që shkoi disa herë në Amerikë për një të dashur. Ndre Mjeda lirikën e tij e plazmoi në brenga të kohës. Por shikoni sa me mjështëri e vizaton ai peizazhin: “Kreske e bre perzie me lisa/ rriten rrotull, me cetine,/ plepa t’but’ e qiparisa/ mbelojne e veshin at’ ledine.” (Andrra e jetës) Te Lasgush Poradeci, peizazhi dhe shfrimet e dashurisë, janë ylli i vetëm në qiellin plot  probleme të jetës. Këto do t’i konsideronte më fort Migjeni.

Në vështrimin tim, lirika e bukur është një gjë e mbyllur, e përmbyllur, një krijim që shkrep e kumbon vetëm për pak; por merr përsipër të thotë shumë nga përjetimet e krijuesit. Ka një lidhje (mbase) të pashpjegueshme midis mendimit dhe ushtrisë së detajeve që ndërtojnë këtë madhështi të vogël. Lirikat e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, përbëjnë pjesën më origjinale dhe më të pafajme të krijimtarisë së tyre të dikurshme; janë pikërisht të mbylluara dhe të pacënueshme. (Kinema e vjetër. Mall. Kungulli.) Fatos Arapi, në një nga vjershat e tij më të bukura, i shkruante së bijës për natyrën ndër pyje dhe për sharrat...Në një baladë, Dhori Qirjazi, i ngujuar një jetë në një rreth të largët, rrëfen për një pyll në ato anë; dhe sipas tij, askund s’e gjen gjethe më të gjelbër. Frederik Reshpja, që i kërkonte aq shumë shpirtit të tij, e pasuroi lirikën shqiptare me pikëpyetje. Sipas meje, kjo fjalë është krymetafora. Gjithnjë ka pikëpyetje. Edhe një poet aq i mirë si Ali Podrimja, nuk arriti t’i shtjellonte dot të gjitha...Ndoshta i këtij mendimi është edhe Azem Shkreli: “Tash jam diku larg teje, larg vedi/ dhe - ku me dijtë kah m’tresin/ udhëkryqet e shumta t’jetës?!”

Të gjithë lirikët bëjnë pyetje. Por një gjë është e pakthyeshme, që ata do të bëjnë çmos të gjejnë kohën t’i këndojnë me shpirt natyrës, dashurisë, ndjenjave më të brishta njerëzore. (Ciladoqoftë pamja sa e ngatërruar aq edhe e thjeshtë e teknologjisë së sotme të komunikimit.) Në rrugëtimet e tyre të ndryshme, poetët gjejnë mënyrën se si ta shkrehin armën e butë të lirikës; njëherë dhe pastaj mund të ndihet vetëm kumbimi. Në vjershat më të bukura, lirikët sjellin përjetimet më interesante nga përvoja vetiake, ndërkohë që, si e thamë, ata i qëndisin vjershat e tyre nga pikëpamja e formës, i përmbyllin. Kjo gjë është, si të thuash, ‘betimi’ i lirikëve. Vangjush Ziko. Jorgo Bllaci. Skënder Rusi. Qazim Shehu. Po citoj vetëm 4 vargje “të përmbyllura” të këtij autori: “Malli për tokën është një mall fshatari,/ Siç e do ai tokën s`e do kush,/ Kur nxehtësi arome vërshon ugari,/ Kur grerëzat ulen, zuzojnë në rrush.” Por lirikët heraherës i japin përparësi mendimit, përsitatjes, meditojnë, përplasen me realitetin në mënyrë poetike. Luljeta Lleshanaku. Petrit Ruka. Kostaq Duka.

Parantesë. Sado të përpiqemi për klasifikime e përshtatje, poetët, krijuesit e mirë përgjithësisht, nuk e njohin reshtin, nuk rrinë dot gjatë atje ku i ka lënë përjetimi më i fundit; magjia e krijimit, e krijimit të poezisë sidomos, i thërret në sprova të tjera. Dhe kështu, kur ti mendon se po lexon diçka të thjeshtë, poeti shkon e degdiset në atë humbellen e paparashikueshme e plot enigma dhe që i thonë dashuri; dhe ngec atje i gjithi. Kështu derdhet nganjëherë me të gjitha ndijesitë e saj më të mira Rajmonda Moisiu. I qaset dendur kësaj teme edhe Pandeli Koçi (Sazan Goliku), duke iu mbajtur viteve mjaltin e dëfrimit. Gjithaq Pano Taçi, me gjithë vuajtjet e tij. Kurse Jeton Kelmendi e stërhollon ndjenjën në një përpjekje për ta nxjerrë nga formula e ditës: “Një çik’ më vonë do të dal në gurrin e fjalës/ për ty do të dal dhe unë/ do të të pres gjatë/ me të gjitha shkuarjet/ me të gjitha ardhjet”.

Dashuria përherë mbetet stina më e pëlqyer e shumë poetëve. Por ka prej tyre që nuk rrinë gjatë në këtë fat, dalin shpejt nga kjo gjendje, fluturojnë në hapësira më të gjera, i drejtohen temave universale, e lodhin veten me pyetje pa fund, madje edhe kur ndërtojnë restrospektiva, i peshojnë gjërat me mundim, përpiqen të shpjegojnë edhe ato dukuri që janë krejt të izoluara e që, ndonjëherë, as filozofët nuk iu qasen. Kjo ngasje vjen si rezultat i një kërkimi të pareshtur në akord me shkollat e poezisë, që ashtu si disa drurë, herë mbeten vetëm me degët e tyre, herë çelin lule e harlisen pa asnjëlloj rregullsie e në një përjashtimi të lodhshme. Mimoza Ahmeti. Fatmir Terziu. “Kjo ditë nuk është konkluzion. Shallin/ Gri ka hedhur supeve buzëmbrëmja/ E tejdukshme si vetë muzika/ Por e prushtë në thirrjen shlodhëse/ Si zëri që shkelmon nga brenda/ Një filozofi e panjohur... loti/ Rrjedh në kanapenë tënde plot vjollca.”

Kur duhet, lirikët e vizatojnë pamjen me pak fjalë dhe me metaforat më bindëse; por shpesh ata i lejojnë vetes pandehma pa fund. Lirikët janë të paparashikueshëm. Bardhyl Londo. Din Mehmeti. Petraq Risto. “Një kukuvajkë e fisme me kostum festiv nxjerrë nga sepetet e natës/ erdhi dhe më tha: jam ajo./ Ajo s’mund të jesh nuk mban veshur mëndafsh me yje lotësh spërkatur/ Kukuvajka tha prapë: jam ajo./ Ajo s’mund të jesh se ajo është e ikur, madje në botën përtej/ ku Hëna është thjesht një kafkë e braktisur dhe yjet - ca djem budallenj./ Jam ajo: tha prapë kukavajka/ dhe sillej vërtitej si për të thënë - pas tymit vjen flaka./ E fisme, e brishtë me pamje prej gace gati në xixëllim/ ajo kukuvajkë fantazmë prej flake s’e di në sjell gaz, a vallë sjell mallkim./ Ashtu lozonjare në teatër dritareje vërtitej në artin sublim/ Si mund t’i besoja një grusht kukuvajkeje se ishte thjesht fati im?...”

Dhe tani, disa fraza mes kllapash, që - shpresoj - të mos i pëngjajnë një arne. Rëndom kur flitet për poezinë, harrohen llojet e saj; fabula, edhe pse formalisht nuk reshtohet si e tillë, është një nga llojet (më të pafajshme) që kritikët dhe shkruesit përgjithësisht (bëjnë sikur) e harrojnë. Ajo sjell në vetëdijen tonë gjëra që jo gjithmonë kemi dëshirë t’i themi haptazi e në mënyrë vulgare. Fabula, edhe pse rëndom e do një subjekt, një gjetje, në vetvete është tepër intime, ajo jep e merr me mendësinë lirike. Është njëlloj trilli, sulet atje ku s’të shkon mendja, përqesh dhe vuan. Nga ana tjetër, ashtu si një lirikë e sosur, edhe fabula duhet të jetë e mbyllur, e përmbyllur. Gjethi që fryn ndihet kur fabula shkrep art të vërtetë. Ferit Lamaj. Gjikë Kurtiqi. Agim Bajrami. Iljaz Bobaj. Etj. (Mbase dikush tjetër do të përmendte te kjo ‘etj.’ edhe autorin e këtyre radhëve.)

Nëse ka diçka që i bën të çuditshëm poetët, lirikët veçmas, është sjellja çapraz ndaj jetës. Një reze që i cek sadopak, të gjithë. Në harmoni me të, është padurimi. Poezia mund të shkarkojë në një çast të vetëm një orë të saj, por edhe një javë, një vit, gjithë jetën. “Sa shumë yje,/ si mikrobe në ajër.” Janë vargje të Jevtushenkos. Po pse mërziten kaq shumë lirikët? Shpjegimet janë pa fund. Njërin prej tyre, na e ofron përmbledhtazi Pablo Neruda: “I braktisur si skelat në agim/ vetëm hija fërgëlluese më përdridhet ndër duar.” Epo, besoj kuptuat që përplasja me fatin dhe me botën (që s’dëgjon) është kaq dramatike: “Kepi i shpresës është larg/ Lulet e gjakut/ Do të arrijnë/ Baraka ime mbahu”. (Din Mehmeti) Lirikut i duhet ta thotë luftën me pak fjalë, si e performuam më lart, ta përmbyllë në mënyrën më të mirë atë. Lirika e mirë vazhdon dhe prapë vazhdon të vizatojë në mënyrën e vet, por jo thjesht në emrin e vet, pamjen e ylbertë të gjërave, pamje që njeriu e ka përpara orë e çast. Prej ç’nuk mbahet mend…Ndërkaq, poeti Nazim Hikmet na kujton: “Më i bukuri i deteve/ Është deti, ku s’kemi lundruar.”

....................................................................

* Ilustrimi i këtyre radhëve me vargje të disa poetëve të njohur, nuk nënkupton aspak që (ata) janë të vetmit (lirikë) të spikatur.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora