Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Populli shqiptar e shkruan vetë historinë

| E hene, 15.04.2013, 06:00 PM |


POPULLI SHQIPTAR E SHKRUAN  VETË HISTORINË

NGA KALOSH ÇELIKU

Historiani më i madh i të gjitha kohërave është, vetë populli shqiptar. Autor legjitim i Histrorisë Shqiptare. Historianët, janë vetëm zëdhënës dhe përshkrues të veprave madhore të këtij populli historik nëpër shekuj. Popull. që për çdo vjet e ka nisur nga një luftë për liri, herë me Krajl e herë me Mbret. Tjetër punë është ajo se, sa këta historianë i kanë mbetur besnik veprës së tij madhore brez pas brezi për Shqipëri Etnike. Nateditë me penë e armë në dorë.

Pajtohem, që nga Historia Shqiptare të mënjanohet “gjuha e urrejtjes” ndaj pushtuesve barbar në emër të popujve të pafajshëm, por jo edhe faktet historike aq të thella deri në fyt nëpër shekuj. Shkaku se, Historinë Shqiptare e kanë përshkruar nëpër libra aq bukur dhe me besnikëri, përveç historianëve edhe shkrimtarët shqiptar: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Jeronim De Rada, Sami Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani, Naim Frashëri, Gjergj Fishta e Çajupi me shokë.

Rrezik është në kohën e sotshme të marrësh guximin të rishkruash Historinë Shqiptare. Hap të cilin mendoj se nuk e bënë asnjë popull në botë me mend në kokë. Përmëtepër, me propozimin e një shteti “mik” që me shekuj ka qenë pushtues i popullit shqiptar në trojet e veta etnike. Realitet historik, që përmes fesë islame ka pretenduar ta asimilojë, zhduk nga faqja e dheut si popull në Ballkan. Nuk e them unë, hidhnju një sy fakteve historike! Librave të Rilindasëve shqiptar! Burrave të pushkës e penës. Falë vetë popullit shqiptar dhe Zotit, nuk ia arritën qëllimit antishqiptar historik. Prandaj, jam i mendimit që Historinë e Popullit Shqiptar ta shkruajnë vetë historianët.

Propozimi i Qeverisë turke, që të rishkruhet Historia shqiptare është tendecioze dhe me prapavijë politike. E dini pse, nuk e kemi ndër mend, përsëri ta veshim ferexhenë e zezë të robërisë qindravjeçare. Shqiptarët nuk mund ta ndryshojnë historinë e tyre sipas mendimit dhe bindjeve të të tjerve, sa herë që t’u teket Qeverive politike “mike” në pushtet. E di, do të pyesni pse e them këtë në Ditën e sotshme, kur ne i kemi punët mirë me Turqinë mike. Maqedoninë përpiqemi ta bëjmë shtetin më të ri demokratik në Evropë. Vitet e fundit, pas Lufte (1999) t’ia zgjasim dorën e pajtimit edhe Serbisë. Ligje të Natyrës. Pse, të mos them edhe të Zotit?! Gjithë jetën jam thirrë në këto ligje dhe besimin e të parëve të mi bektashinj gjatë rrugës për në Baba Tomor. Veprime profetike me të cilat kam rënë në gjumë, i kam parë ëndrrat nën Rrap për Ditën e Nesërme dhe jam zgjuar nga gjumi shekullor. “Vëllezërit”, nëse duan pajtim historik me popullin shqiptar, nuk duhet të përzihen dhe fusin hundët e duart në Historinë e popullit shqiptar! Ose, përsëri t’i nxjerrin gërshërët e përgjakshme mbi tavolinë. Përzierje politike në realitetin historik të popullit shqiptar, që e ka shkruar vetë nëpër shekuj me gjak historinë. Nesër, një kërkesë të këtillë mund ta parashtrojë edhe Serbia “mike”. Edhe, çka?! Shqiptarët, historinë e tyre do ta shkrujanë sipas dëshirave dhe porosive politike të pushtuesve dhe “armiqve historik”. Skënderbeun, do ta heqim nga Sheshi i Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit?! Arsye, shkaku se:“miqtë” tanë të djeshëm dhe të sotshëm gjithë jetën i ka luftuar me shpatë?! Përmëtepër, sipas historisë së tyre ai është edhe “tradhtar”. Jo. Shqiptarët do ta shkruajnë historinë siç e kanë shkruar deri më sot, me fakte historike dhe shkencore. Ashtu siç kanë ndodhur dhe janë zhvilluar ngjarjet historike nëpër shekuj flakë më flakë me armikun shekullor. Pushtuesit, janë ata që duhet ta rishkruajnë historinë e tyre të mbushur plot luftëra të përgjkshme e pushtime shekullore të një populli liridashës duke propoganduar plot të pavërteta e falsikime historike për shqiptarët. Njerëz të cilët i kanë quajtur para syve të Botës edhe me bishta.

Populli shqiptar, historikisht kurrë nuk ka qenë popull pushtues, por popull i shkelur me këmbë, i robëruar  dhe ndarë nga fqinjtë copë-copë nëpër shekuj. Armiqtë historik, kanë dashur ta fshijnë nga harta dhe zhdukin nga faqja e Dheut. Përçudi, dhe inat të tyre, ai ende është gjallë, e vazhdon luftën për liri e Shqipëri Etnike. Koha është, sot populli shqiptar t’ua thotë haptas fqinjëve dhe Botës në sy: Mjaftë më me robëri shekullore! Mjaftë më na e sakatuat trupin nëpër shekuj duke na i prerë duart dhe këmbët!. Tashti, kohën e fundit doni t’ia fusni gërshërët edhe Historisë Shqiptare.

Fatin tonë historik, do ta marrim vetë në duar. Edhe, Historinë shqiptare do ta shkruajmë vetë si popull më i vjetër i Ballkanit pa porosi politike në dëm të Shqipërisë.

Përndryshe, kurrë nuk do të ketë paqe dhe rehati mes popujve të Ballkanit…