E shtune, 20.04.2024, 02:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuk e shikojmë historinë me sytë e Ankarasë

E diele, 14.04.2013, 12:15 PM


Studiuesi prezanton librin mbi letërsinë arbëreshe.

“Në çdo rast, kur politika fut hundët në çështje që i përkasin studiuesve, aty ka rrezik”

“Kultura arbëreshe nuk është një mrekulli që ruhet në frigorifer, ajo duhet studiuar”. Kështu thotë studiuesi arbëresh Matteo Mandala, i cili ndodhet në Tiranë për të promovuar sot në Akademinë e Shkencave librin e tij “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”. Prof. Mandala është gjithashtu një prej iniciatorëve për hartimin e peticionit, drejtuar pushtetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, në kundërshtim të kërkesës së Qeverisë turke për rishikimin e historisë në tekstet shkollore kosovare. Për Mandala-në është e qartë dhe e prerë: Politika nuk duhet të ndërhyjë në punën e studiuesve, aq më tepër kur bëhet fjalë për një shtet tjetër.

Përveç lidhjes natyrore, si arbëresh që jeni, ç’ju shtyu t’i riktheheni letërsisë arbëreshe?

Kjo është puna ime kryesore. Që nga fillimi i viteve ’90, bashkë me kolegun dhe mikun tim Francesco Altimari jemi angazhuar në këtë betejë që po zgjatet me dekada, me synimin që të zbërthejmë ato të fshehta që ka kultura arbëreshe. Janë të fshehta që ne po i gjurmojmë nëpër arkiva nëpër Itali, si në Sicili, Kalabri, etj., por edhe në Kopenhagen, ku ekziston një nga fondet më të pasura për albanologjinë. Synimi është të vëmë në dijeni botën arbëreshe e shqiptare për këto pasuri që kemi trashëguar, por fatkeqësisht mbeten të panjohura. Sot e kësaj dite ka disa boshllëqe në historinë kulturore shqiptare, që ne synojmë të plotësojmë, duke i nxjerrë në dritë këto vepra.

Duke iu referuar teksteve shkollore apo veprave të botuara deri më sot, sa e njohin shqiptarët letërsinë arbëreshe?

Ka një elitë, si akademikë, studiues, kritikë letrarë dhe gjuhëtarë që e njohin mjaft mirë dhe e kanë studiuar, por kjo është njohja që është trashëguar që në vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar, por sot kërkon një hap dhe një metodologji krejt tjetër. Fakti që përpiqemi të tregojmë se arbëreshët janë “kujtesa e popullit shqiptar”, si të jetë ndonjë mrekulli që rri në frigorifer gati për t’u nxjerrë, sa herë që ne kemi nevojë për t’u ushqyer, nuk është e drejtë. Është një kulturë që duhet studiuar në thellësi, sidomos në lidhje me zhvillimet që ajo pati në shek. XIX. Për shembull, çështja e identitetit lidhet me kulturën arbëreshe. Nuk ka një identitet shqiptar që lind si kërpudhat pas shiut. Nuk mund të ketë lindur me një letër që Naum Veqilharxhi i dërgoi të nipit për të treguar fillimin e Rilindjes. Pati një traditë  që u trashëgua, që kaloi Adriatikun, – fatmirësisht idetë nuk kanë nevojë për pasaportë që të kalojnë nga njëri shtet në tjetrin. Këto ide patën prejardhjen nga mjediset arbëreshe, ku që nga shek. XVIII ishin përpunuar mite të rëndësishme, që ndikuan mbi formimin më përpara të identitetit kulturor dhe pastaj atij shqiptar. Nëse nuk merren parasysh këto fakte, i hapen shtigje disa “vulgarizuesve” që duke zbuluar një botë që quhet Shqipëri, mendojnë se mund të interpretojnë nga jashtë historinë kulturore shqiptare. Ndër këto interpretime është edhe që identiteti kombëtar shqiptar lind me bektashizmin dhe ky është një mashtrim absolut, një manipulim që nuk ka bazë shkencore.

Prof. Mandala, ju jeni një nga nismëtarët e hartimit të peticionit kundër rishikimit të historisë në tekstet shkollore, si u mor ky vendim?

Problemi nuk është thjesht ai i rishikimit të historisë, por e kam në përgjithësi për çdo ndërhyrje që politika përpiqet të bëjë, për të ndikuar mbi shkencën. Në çdo rast që politika fut hundët në çështje që i përkasin studiuesve, aty ka rrezik. Rrezikohet liria dhe ne si studiues duhet ta mbrojmë. Këtë e them për historinë, por e them edhe për gjuhën, për standardin, për mitet, për gjithçka. Është e pamundur që t’i jepet politikës e drejta për të thënë fjalën vendimtare për të orientuar studiuesit në një objektiv të përcaktuar më përpara. Nuk është e mundur, sepse ka synime ideologjike që një studiues nuk duhet t’i pranojë.

Është korrekte që një shtet t’i kërkojë një shteti tjetër rishikimin e historisë së vet?

Këtu kemi ndërhyrjen e një shteti ndaj një shteti të sapolindur, siç është Kosova, që të rishikojë historinë që të zbusim ca gjykime ndaj pushtimit osman.. Por, mund të themi edhe të kundërtën: Përse nuk ngrihet në Ballkan një shoqatë apo një qeveri që t’i kërkojë Turqisë të rishikojë historinë e saj në lidhje me armenët. Nëse duhet të ketë një baraspeshë, duhet të thuhen edhe këto. Unë nuk kam asgjë kundër Turqisë, apo turqve, kam shumë miq studiues turq, që merren me këto çështje dhe i respektoj, por nuk mund të ngatërrohet politika me shkencën, është e palejueshme. Më vjen keq që shumë miq të mi në Shqipëri vazhdojnë ta ngatërrojnë këtë pikë. Turqia propozon ngritjen e një komisioni, ku thotë se “do t’ju dërgoj ekspertët e mi”. Imagjinoni sikur Franca t’i dërgojë Gjermanisë një grup ekspertësh për të parë historinë e Luftës së Dytë Botërore ose të kundërtën, apo Italia të pretendojë rishikimin e historisë së pushtimit italian…

Po a ka vend për rishikim?

Unë jam i bindur që në fushën e historisë lindin mitet më të rrejshme. Janë vetë historianët që krijojnë mitet. Historiografia është pak a shumë si mitografia. Asnjë nga ne nuk ka qenë dëshmitar i historisë. Ne e lexojmë sipas dëshmive që na vijnë, por edhe dokumentet janë dëshmi subjektive. Çdo interpretim që i bëhet dokumenteve është subjektiv. Të gjithë historianët e mëdhenj këshillojnë: kujdes kur shkruani, se çdo shprehje mund të ndikojë mbi kulturën e lexuesve. Kjo është e natyrshme, se mund të ketë edhe shprehje që mund të ndreqen, por kjo i përket subjektivitetit të historianit, nuk i përket një qeverie. Faktet e i ndërtojmë pas interpretimeve që i japin ne. Pse duhet të interpretojmë historinë e Kosovës, sipas syzeve të Ankarasë. Nuk besoj se kjo është korrekte.

Peticioni juaj e pati një efekt, hapi një debat. Ka pasur nga ata që e kanë quajtur shumë të ashpër reagimin ndaj kërkesës së Turqisë…

Kam lexuar deklarata që më kanë çuditur vërtet, të tipit: përse nuk reaguam ne kur Italia i kërkoi ndryshimin e historisë Mbretit Zog apo Bashkimi Sovjetik… Personalisht nuk kisha lindur ende në kohën e fashizmit, në kohën e kërkesës së BS kam qenë ndoshta 2-vjeçar, por për çështjen greke kam reaguar. Për rastin e priftit ortodoks që i shiste eshtrat e shqiptarëve si të ushtarëve grekë kam bërë një shkrim, ku i krahasoja me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, për të treguar se si letërsia ndikon edhe në botën reale. Reagimet kanë ekzistuar, por edhe sikur të mos kish, fakti që nuk reaguam ndaj një gabimi që bënë ata, duhet të mos reagojmë ndaj një gabimi që po bën Turqia? Është një logjikë e papranueshme. Shkenca është e lirë dhe duhet të mbetet e lirë, përndryshe do të mbetemi si në kohën kur Shqipëria braktisej.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora