Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pjetër Domgjoni: Mendimi im për Shkodrën

| E shtune, 13.04.2013, 02:59 PM |


MENDIMI IM PËR SHKODRËN

Nga Pjetër Domgjoni

Së pari duhet falnderue të gjithë ata që e pastruen Shkodrën prej herojve t'Vigut e duhet inkurajue t'gjithë ata që e çveshin Shkodren prej njerzve me pushkë  e prej çdo simboli t'luftës.  Në të ardhmen, Shkodra duhet  t'pastrohet edhe prej t'gjitha ngarkesave primitive dhe t'jetë e, muslimanëve, katolikëve , ortodoksve dhe t'gjithë qytetarëve të vet dhe me çdo fjalë, fjali apo frazë  e në çdo vend duhet t'paraqitet kultura Shkodrane.  N'Shkodër duhet t'flitet vetëm shkodranisht. Shkodranishtja duhet t'bahet edhe si brend turistik brenda hapsinës gjithëshqiptare. Në Shkodër duhet  të ndëgjohen  kangë shkodrane. Nji luftë t'madhe e t'pa kompromis duhet ba kunder kangëve dhe muzikës angleze. Shkodra s'duhet të mbetet ma peng i t'gjithë kulturës shqiptare, por ajo duhet ti kthehet vetvetes. Në çoftë se Dubrovniku asht nji Raguzë e Kroacisë. Shkodra duhet t'jetë nji Raguzë e Shqipnisë.  Kultura shkodrane pat arritë me asimilue italianë, austriakë e gjermanë e n'të ardhmën ajo kulturë duhet mej asimilue edhe  të gjithë ata që duen me ardhë e me jetue n'Shkodër.  Në t'hymë t'qytetit duhet me vendosë nji figurë që përfaçson  kulturën shkodrane. Para do vitesh ishte propozimi që ajo të jetë NANA TEREZE, por u gjetën të fyeme ndjenjat fetare t'muslimanëve. Tash duhet t'gjindet noj tjetër figurë e i falnderohem Zotit se Shkodra asht me përplot aso figura.  Unë  kisha propozue që ajo figurë të jetë KOL IDROMENO. Mund t'jetë edhe noj tjetër personalitet, por për KOLËN duhet t'shkruhet e t'flitet gjanë e gjatë dhe emni tij t'paraqitet nëpër t'gjitha guidat turistike. S'ka turist i botës që t'ketë vizitue Barcelonën e t'mos ketë ndëgjue për Nikolla Gaudin.

Viti 1474, duhet t'jetë viti i fundit i luftës dhe Shkodra e atyne viteve duhet ti paraqitet botës si fortesë mbrojtëse e kulturës perëndimore.  Prej vitit 1474. Shkodra duhet ti paraqitet botës vetëm si vatër e rrezistencës përmes artit, shkencës dhe kulturës.  Turistëve të huaj duhet tu paraqitet edhe martirizimi i Shkodres gjatë periudhes së komunizmit. Ajo duhet ti kushtohet tansisht turizmit.  Duhet të bahet aq e bukur e aq tërheqse. Së pari  për vete, për Malsinë e vet dhe për  vendet që i vijnë për rreth. Por Shkodra duhet tu prezentohet edhe metropoleve të Europës e sidomos, hungarezve dhe rumunve duhet tu kujtohet se princezat e atyne vendeve vinin dikur me ble stoli ari e argjendi n'qytetin e Shkodrës.   Ndertimi i autostradës që do t'lidhë Durrësin me Nishin, Shkodrën do ta izulojë, por Shkodra dhe shkodranët duhet t'bajnë përpjekje  të mos izulohen kur asht fjala për autostradën që do t'lidhë Jonin me Adriatikun.  Prandaj  duhet ba të gjitha përpjekjet që ajo autostradë të kalojë sa ma afër Shkodrës dhe të hartohen plane  për me ba pompa benzini e restorante shumë të mira e shumë atraktive, por edhe hotele për me mujtë mej ndalë turistët jo vetëm për noj drekë e darkë, por edhe për me  kalue edhe noj natë në at qytet t'mrekullueshëm.  Këto janë vetëm disa mendime dhe disa propozime të mia për Shkodrën që unë e dua shumë.