E shtune, 20.04.2024, 02:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Besim Muhadri - ''Mehmet Cena i Hasit''

E shtune, 13.04.2013, 02:55 PM


KUJTIMI PËR URTËSINË E TË KALUARËS DHE NDËRTIMI I STABILITETIT TË SË ARDHMES

Dr. Besim Muhadri: “Mehmet Cena i Hasit-pleqnar e orator”, botoi “Bogdani”, Has, 2012, f. 366.

Nga Halil Haxhosaj

Monografia “Mehmet Cena i Hasit-Pleqnar e orator”, që i kushtohet pleqnarit hasjan, Mehmet Cenës, e Dr.Besim Muhadrit, vjen në një kohë shumë te veçantë. Ajo u shkrua dhe u botua në një përvjetor të rëndësishëm të shqiptarëve, në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ky libër i studiuesit Besim Muhadri, është shkruar me një përkushtim studimor dhe kjo vërehet gjatë leximit të librit që nga faqja e parë deri te ajo e fundit, duke na bindur se është njohës i mirë i fushës që trajton.

Gjatë hartimit dhe kurorëzimit të punës së tij studimore rreth figurës së pleqnarit Mehmet Cena, vërejmë se autori ka konsultuar literaturë të duhur dhe mjaft të pasur, e cila i ka ndihmuar që të kompletojë një monografi të kësaj natyre, në qendër të së cilës ka vënë një pleqnar të mençur të kohës. Këto virtyte karakteristike, të cilat e kanë veçuar protagonistin e monografisë së studiuesit Muhadri, janë kundruar nga shumë rrafshe, por edhe brenda për brenda figurës së Mehmet Cenës.

Kompleksiteti i figurës së Mehmet Cenës, i paraqitur në librin e studiuesit Besim Muhadri, na bind se autori ka sjellë para nesh një nga pleqnarët më autoritativë dhe më të përkushtuar të kohës së tij.

Autori monografinë, që po e promovojmë duke u nisur nga simbolika popullore e grushtit, që nënkupton unifikimin dhe bashkimin e popullit, jo rastësisht e ka ndarë në vepër në pesë kapituj:

Në kapitullin e parë, autori flet për Hasin, të cilin e quan vend i traditave të shquara qysh nga lashtësia. Në këtë pjesë të librit autori mëton të gjejë dhe të zbërthejë etimologjinë e emrit Has dhe këtu ai, qoftë përmes referencave nga literatura, qoftë nga gojëdhënat, e dëshmon etimologjinë e emrit të Krahinës së Hasit, e cila siç shprehet është edhe vend i origjinës së Kastriotëve, pra i familjes së Skënderbeut, por edhe i shumë figurave të tjera, që në historinë shqiptare kanë lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme.

Muhadri kur flet për krahinën e Hasit, ia arrin të na japë shumë informacione dhe po në këtë pjesë ai flet edhe për Demjanin, një lokalitet prej kah vjen autori, dhe protagonisti i librit, Mehmet Cena.

Kapitulli i dytë i librit, sjell të dhëna rreth familjes Cena, rrugëtimin e saj historik, familjar e kombëtar deri në ditët e sotme. Autori në këtë pjesë flet edhe për fisin Thaçi, një nga fiset më të mëdha të 12 fiseve sipas Lekë Dukagjinit, të cilit fis i përket edhe familja Cena. Autori flet këtu edhe për pjesëtarë të tjerë të familjes Cena, ndër të cilët veçohen Sali e Hamëz Cena. Më pas flet për figurën e Mehmet Cenës, që nga fëmijëria e deri kur ndërroi jetë në nëntor të vitit 1984, duke përfshirë këtë të gjitha aktivitetet e tij.

Figura e Mehmet Cenës, e këtij pleqnari, oratori e pajtimtari, kompletohet edhe përmes kujtimeve e më se pesëdhjetë të intervistuarve, që janë të moshave të ndryshme, nga 60 deri në 94 vjeç. Këto vlerësime në formë kujtimesh i hasim në kapitullin e tretë, të cilin autori e ka titulluar “Mehmet Cena në kujtimet e bashkëkohësve”. Në bazë të këtyre kujtimeve autori me të drejtë Mehmet Cenën e renditë në mesin e burrave të shquar të pleqnarisë e të mendësisë popullore shqiptare, siç janë Binak Alia i Malësisë, Xhemajl Abria e Dervish Goxhuli të Drenicës, Ramadan Shabani e Kajtaz Ramadani të Kijevës, Sali Rrusta i Deçanit, Avdyl Hoxha i Junikut e Ferhat Ramaja i Ramajës së Hasit dhe shumë personalitete tjera të kësaj fushe të etnokulturës sonë.

Në kapitullin e katërt kemi 13 pleqni të Mehmet Cenës, të vjela nga profesor Anton Çetta, në vitin 1975 e të botuara në revistën “Gjurmime albanologjike”, në “Kërkime folklorike” dhe nga “Folklori ynë”.

Pleqnitë e prezantuara këtu ngërthejnë në vete mprehtësinë e urtakut e të plakut dhe të gjeniut popullor, që di të rrëfejë e të zbërthejë rrëfime e situata, që ndërlidhen me probleme e situata të ndryshme me të cilat është ballafaquar Mehmet Cena gjatë pajtimit të gjaqeve e ngatërresave të shumta

Në kapitullin e pestë, autori sjell para lexuesit pjesën më atraktive, atë të anekdotave të Mehmet Cenës, por edhe ato të thurura për Mehmet Cenën. Këto anekdota Besimi ka arritur t’i vjelë nga kujtesa e atyre që e njohën dhe që kanë arritur që t’i dëgjojnë nga vetë Mehmet Cena. Këto i formulon gjatë bisedave me dëshmitarët e intervistuar gjatë hartimit të librit. Në 97 anekdota, tematikash të ndryshme, shohim shpirtin e gjeniut popullor, të pleqnarit e të atdhetarit; të humoristit e të artistit dhe të njeriut të lindur për të mbetur përherë i nderuar në kujtesën e njerëzve, siç ishte Mehmet Cena.

Autori në fund të librit ka bërë përmbledhjen, apo rezymenë në dy gjuhë, në anglisht dhe në frëngjisht, që librit ia shtojnë rëndësinë dhe e radhisin në mesin e veprave serioze të folkloristikës e të etnokulturës shqiptare në përgjithësi.

Me librin “Mehmet Cena i Hasit- pleqnar e orator”, Dr. Besim Muhadri, hyn në radhën e studiuesve seriozë e të përkushtuar të letërsisë sonë popullore, të cilën, që siç shihet, e zotëron në mënyrë të lakmueshme.

Përmes këtij libri, autori na rikujton mesazhin për traditën tonë të lashtë se duke kujtuar urtësinë e të kaluarës e ndërtojmë stabilitetin e të ardhmes.

Nëse autori thotë se libri që paraqet para nesh shpreson se do të plotësojë një boshllëk të krijuar me vite dhe do të hapë një horizont të ri në ndriçimin edhe të figurave të tjera jo vetëm të kësaj natyre, unë mendoj se përveç se plotëson këtë boshllëk, ai mund të radhitet edhe ndër veprat e rëndësishme të kësaj fushe, të cilës do t’i referohen studiuesit e ardhshëm.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora