E premte, 19.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Drita Lushi: Valixhja e shpresës

E shtune, 13.04.2013, 03:22 PM


DRITA LUSHI

 

VALIXHJA E SHPRESËS

 

(Cikël poetik)

 

UNË JAM JETA

 

U rrita me hijën tënde,

qenie e padukshme,

errësirë.

 

Nëse ti ndenje me mua,

unë  nuk ndenja me ty,

errësirë.

 

Hija përpiqet t’më kontrollojë ditët,

por unë ndjehem e lirë prej teje,

errësirë.

 

Shpirti im, qenia e trupi,

përqeshin pushtetin tënd,

errësirë.

 

Lërmë të lirë!

 

Unë në fluturim me zogjtë

shoh

botën,

Lirinë …

Unë shoh …

 

Ti vazhdon të më lidhësh

me pranga fjalësh,

po unë jam e lirë.

 

Më kot përpiqesh me mua,

humnerë shpirti,

armik i dëshirave.

 

Unë jam …

Nuk dua t’ia di në je ti.

 

Unë jetoj

dhe në mos jetofsh ti …

 

Unë jam ...

Jeta .…

 

 

VALIXHJA E SHPRESËS

 

E lodhur nga dita,

dërrmuar nga pritja bosh,

mora valixhen me shpresa të vrara,

me shpresa të fjetura,

e … dola …

Eca natën.

Të zgjoja doja shpresat e mia,

t’u jepja frymë jete,

të më jepnin ajrin e mëngjesit ....

Ecja …

Yjet ne qiell dhe shpresat në valixhe,

më bënin shoqëri ,

Hëna më qeshte me trishtim të verdhë.

 

Ecja me rrugë e pa rrugë,

valixhen mbushur me shpresa,

që prisnin zgjimin …

Eca …

     Eca …

          Eca …

Agimi udhës më zgjati dorën.

Dielli derdhi rrezet e mëngjesit.

Dita më veshi mantelin e bardhë.

Shpresa u zgjua me mua nga puthjet e diellit,

e unë, mysafire në shtratin e tij të artë.

Për shtrojë, mbulesë e veshje

kisha ….

Shpresën time.

 

Shpresën time zgjuar!

 

 

FATI

 

Shpesh fati luan me ne,

si të ishim një rreckë,

një top për t’u gjuajtur,

si të ishim një film pa zë .

Ç’të dojë ai bën me ne!

 

Shpesh fati me bërryla

na shtyn;

të tjera herë shqelma

na hedh;

në kthesa shpesh

na përplas;

në labirinte sa herë

kurthe ngre,

ky fat zevzek!

Ç'te dojë ai bën me ne!

 

Shpesh fati nuk di të qeshë,

veç lot na vë në sy,

trishtimin ujit me mërzinë gri

e ne s’na mbetet tjetër,

veç t’i jepemi atij.

 

Mbi pushtetin e tij

dua të ngrihem,

luftë t’i shpall,

a duel të bëj me të,

do kërkoj një shteg t’i shpëtoj

të ligut fat,

ku e lirë të ndjehem

e pa frikë të bërtas:

 

Ej !

Do luaj unë me ty tani !

 

 

NJË PIKË LOT

 

Një pikë loti rrëshqiti

mbi faqen  e vajzës,

një pikë,

veç një.

 

Në atë pikëz

një det i kripur  dallgëzoi,

një burim alpin

rrodhi zhurmëshëm,

një gëzim  pashë

veshur me vesë mëngjesi.

 

Një pikë loti  rrëshqiti

në faqen trëndafil të vajzës

dhe …

foli  ai me zemrën

me gërma lumturie.

 

Një pikë loti i përkëdheli

faqen e trëndafiltë vajzës

e,

ndjeva puhizën e lehtë

të përfshihej nga era zemërake,

që kapërthehej me krahë oktapodi.

 

Një pikë loti rrëshqiti

në faqen trëndafil të vajzës.

Pashë shpresën e mbjellë në  të,

buzëqeshjen e ndrojtur

mes besimit e dyshimit.

 

Një pikë loti pashë …

Pashë kripën të thahej,

nata të çelte diellin,

gëzimi të përqafonte

lotin.

 

Një pikë loti, një pikë ....

 

Pashë veten.

Të pashë ty.

Pashë botën në një pikë lot.

Një det ndjenjash dallgëzonte -

loti përmbi botë.

 

 

MOS HIQ DORË

 

Je vyshkur, edhe pse moshën e lules ke;

ngjyrat t’janë zbehur pa ardh’ akoma

vjesht’ e viteve të tua.

Mundohesh të mbulosh me pudër

zhgënjimin,

dhimbjen,

lodhjen …

 

Ik nga ky ferr!

 

Trupi yt i bardhë, si skulpturë e ngrirë,

ndanë semaforëve të kuq,

ndalojnë e ndalojne pa pushim

të babziturit e skulpurës tënde.

Dhe sa të tjerë do të presësh?!

Dhe sa të tjerë do të vijnë?!

 

Ik nga ky ferr!

 

Trotuaret mat me hapa, tutje - tëhu,

dhe nata e i ftohti,

semaforët dhe i nxehti,

janë miqtë e tu.

 

Bëj mik vetveten!

Ik nga ky ferr!

 

Paratë t’i hodhën ndër këmbë

e pështynë mbi ty dhe mbi to,

bënë ç’deshën me ty,

qenie e brishtë.

Vallë u lumturove që munde të blije

peliçen e shtrenjtë?

Do mundet dot ta mbulojë ajo

trupin tënd të lodhur?

Do munden paratë të ujisin

shpirtin tënd të tharë për dashuri?

 

Largoju  ferrit!

 

Përqeshi trotuaret,

semaforët,

dhe ndërto një kopsht

me djersën tënde.

Mbill një jetë e re.

Është gjithmonë e mundur.

Duhet!

 

Mos hiq dorë!



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora