E merkure, 24.04.2024, 05:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Ode për përditshmërinë

E premte, 12.04.2013, 06:41 PM


ODE PËR PËRDITSHMËRINË

 

Nga QAZIM SHEHU

 

POEZI

 

BETEJË

 

I afrohem dashurisë me njëmijë fjalë mëkatare,

Njëmijë mënyra për të gjetur detonimin,

Dashuria ,siç po duket, s`më do fare,

Dashuria do verbimin.

 

Keqkuptimi këmbëngulës për ta arritur,

Në piketa fillestare ku ajo nis,

Më thotë se dashuria është arratisur,

As në tokë, as në qiell, diku midis.

 

Tani çdo bëj me këto njëmijë fjalë,

Që erdhën të bindur si ushtarë pas meje,

Sërish do i gënjej, të dalë ku të dalë,

Për një fitore të mundshme beteje….

 

ODE

 

Ode për fjalën, ode për bukën,

Fjalën, që bëhet bukë e shndritshme,

Ode për shiun që ndjell gjumin,

Ode për ëndrrat e paarritshme.

Lavdi thur për përditshmërinë,

Falur tek zoti për jetë,

Askush më tepër se mbart lavdinë,

E një puthje të nxehtë.

Lavditë e tjera janë errësuar,

Ka humbur kuptimi i tyre kaherë,

Veç jeta e thjeshtë nuk është harruar,

Ode për jetën me vlerë…

 

GATIM

 

Kaq shumë u gatua ky qiell me ëndrra,

Kur ia vodhën hapësirat dhe caqet,

Në shtëpinë e tij jetuan brenda,

Mëritë, dashuritë, inatet.

 

Bukë ëndrrash u dha të gjithëve,

Me miell bore , ujë shiu,

Pastaj si një lot i stërmadh,

Mbi fytyrë njeriu ngriu….

 

GRUAJA E KEQE

 

Të duash ty është e pafalshme

Si të duash një ulkonjë,

Një mace gërvishtëse, një mace,

Që di vetëm të mjaullinjë.

 

Gjithë ndihma që të jep,

E thëna :barazi gjinore,

Për ty seç del tepër,

Moj mace mizore.

 

Që gërvisht çdo ditë,

Ndjesitë e ngrira të burrit,

Të duash ty është si të duash,

Akullin e Polit.

 

Të duash ty, moj ulkonjë,

Ç`fat na jep kjo jetë,

As iku prej teje dhe Tolstoi,

Më 1910…

 

KUR TY TË SHOH

 

Kur ty të shoh, kjo zemër ia bën : tak,

Shpejton një ritëm nga pak,

Pastaj ritmin e zakonshëm merr,

Si çdo ngjyrë e vjedhur në terr.

 

Ai shpejtim ritmi më vonë,

Për çfarë prishi do pendohet,

Se ti në zemra të tjera shkon,

E zemra me veten vështirë të pajtohet….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora