E shtune, 20.04.2024, 04:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Në fytyrën e një gjethi (4)

E enjte, 11.04.2013, 07:33 PM


Sabit Rrustemi

 

11 MARS, 1981

Në redaksinë e gazetës "Bota e re"
atë mbrëmje
ktheva prej mensës

Ishte revista poetike në TVSH
në nëntëmbëdhjetë e tridhjetë

Vinte vetëm zëri
po jo dhe pamja e Piro Malavecit
tek recitonte mendueshëm mbi male

Valët e asaj drite
sa shqyenin Bjeshkët e Nemuna
në qindra prita repetitorësh binin

E burgjeve të errëta të mosparjes
përfundonin

Një guralec
fërfëlloi në dritare
e një dridhje e këndshme zemrës sime

Mos erdhi ajo 
në këmbë brofa

Kur dola jashtë
një vrull i paparë rinie 
marshonte drejt qendrës

 

Një pjatë si bisht dallëndysheje
stinën e pritur paralajmëroi

 

(11 mars, 2012)

 

 

NË KUMNOVË PËR NJË BUKË FURRE

Udha e Mretit është lidhur nyje
te Ujët e Kuq

Nuk kalohet matanë
për pa ia mbuluar nuses sytë
gjaku na ka nxënë

Kush i bëri dhe kodrat me vajë
prej lotsh as sot nuk praj

S’është punë legjende
sa inati
kush i pari ta hapë atë udhë

E mbetëm
ti në atë anë
e unë në këtë anë

Ti në atë shteg
e unë në këtë shteg

Malet sa i presim e i djegim
kodrat na rrinë në mes

E buka digjet në furrë
e uji derdhet në Bardharë
e dy vëllezër
me dy atllarë
ngelën pa mullarë
ujë pa pi e bukë pa ngrënë

Hajde tash
leje atin në shtëpi
se me hingëllimë po na trand
nisu në këmbë 

Për një bukë furrë në Kumnovë
e një kile duhan në Alizarë

Çarshisë mos e lësho shokën
as fjalët
se bëhen belatë

në dash për ditë për të më parë
se natës
nuk ia dua fytyrën më

(11 mars, 2012)

 

 

FLIJIM PRANVERE

Prej diellit ishin verbuar sysh
e nata pa e parë u erdhi sipër
me një perde të zezë i mbuloi


Fjetur në shteg dy gjarpërinj
kanë mundur të ëndërrojnë
pranverën cili i pari
ka për ta kafshuar

Çepurit mbi shtëpi
papritur m’u rrëqeth trupi

Një dru mali aleat m’u bë
s’di se si mbi kokë iu ra
për midisi i ka ndarë

Gjarpri i madh pullali
me kokë poshtë
varur në një shkozë mbeti

Ai më i vogli se ku treti
mbështjellë plagësh 
humbi krejt

Tokës etur për një pikë shi
pranvera hyn me një flijim të ri

(21 mars, 2012)

 

 

NATËS PLLE

Të lodhur endjesh hallesh
dëshirash të paarrira
biem symbyllas mbi ty
si mbi syprinë detërash


thellësisë sate të errët
me vela të ëndërrta lundrojmë
atë qetësi të humbur 
për ta gjetur diku

Ngadalësojnë hapat
numërime yjesh 
emra të rrallë planetësh
të pashqiptuar mbesin

Se ti dhe pulset e zemrës
pahetueshëm na i rrallon
e gjakut nëpër dej
i thua pa zë
mos nxito

Nuk trazohesh aq
nga jona peshë
mishëra eshtra e shikime
shtratit tënd të errët i urton

Në pikën më të thellë
të prehjes sonë
t’i zgjohesh qëllon

Si të çmendurat valë
godet përpin

Ankthesh na pushton
zemrash na ngrin
derisa gdhin

Atëherë
vetëm atëherë ti fytyrën zdrit
të nesërmen lind

Në tonin planet
askush si ti
s'lind përditë

 

(25 mars, 2012)

 

 

NË ATË KULLË
(Për kullën e Avdyl Hoxhës në Junik që u kthye në bibliotekë)

Urtakët e fjalëve 
u kthyen në Fjalë të Urta

Thyen korniza gurësh 
muresh
nëpër faqebardhat e lëmuara 
si faqe nusesh të reja mbinë 
e fruta lëshuan

Mbështjellë kopertinash
siç mbështjell lëkura njeriun 
ashtu radhë radhë pa fjalë 
u palosën e vend zunë 
në krye oxhaku

Kryevepra kohësh në atë kullë
flasin pa zë 

Muret shpërthehen me të urtë 
një botë burrërisht 
mes supesh mbajnë

Dhe kullën që rilind 
për çdo shekull

Se Fjalët e Urta 
u kthyen te të vetët

(25 mars, 2012)

 

 

MALLI I SHPIRTIT

Libraritë janë stërmbushur
dhe skutash me pluhur

Vargjeve s'u ka mbetur vend
as pasdyerve nëpër gozhda

Në toplistën e shitjeve
prijnë aferat

vjelljet 
jashtëqitjet

Nëse ke të tilla
shitësi nuk thotë jo
vetëm fërkon duart

Dhe i zdrit
eh si i zdrit sytë

Për libra poezish
s'ka fjalë
as treg

Ka të drejtë shitësi
po unë s'e kuptoj

Malli i shpirtit në pluhur s'hidhet

 

(26 mars, 2012)

 

 

SKAJ PYLLTHIT ME PISHA

(Homazh për malësorin, Ilmi Pidiqi, i cili një ditë më parë shkoi në amshim)

Një malësor i Grykës, mbrëmë
mori ngjyrën e dheut që aq shumë e deshi

Skaj pyllthit me pisha
duke thithur aromë jete
lëshoi trupin


Aty ku kish larë me djersë
çdo grimcë dheu
çdo fije bari

Aty ku kish hedhur dhe hapin së pari
pa i bishtnuar as dhe për një çast
atij vendi prej nga nxori bukën

Pa e lëshuar as dhe një "oh"
pos atij buzagazi
që u fsheh mes syve të tij
....
Një malësor i Grykës, mbrëmë
u mbështoll me heshtjen
aty skaj rrugës

I etur për pak fjalë

Tjerat i kish me shumicë
o po mori me vapë
o po mori me ngricë

E vodhi papritur mortja
dhe unë s'e pashë

I zënë në faj
portretin e tij kërkoj
nëpër copëra fjalësh 
mbetur gjithandej

Sa në odë rreth sofrës
sa nën hije pemësh
sa nën drurë të gdhendur arrash

Te udha që bëmë
te lumi që s'e zumë
...
Eh, malësori im
i etur shkove për një fjalë

si shenjti yt

Të etur na le
për atë që të vloi në gji
e s'na e the

E bëjmë malësorçe, tash
të kthehemi edhe njëherë prej fillimit
ta zëmë atë që lamë mangët

Se gjithçka po duket si ëndërr

 

(27 mars, 2012)

 

 

KTHEHEN TEK UNË

 

Kthehen tek unë
ato që më kishin braktisur

Strukur disqeve rrisqeve
rrathëve eterikë që s'shihen
net të ankthta kaluan
çmos bluan

Një rikonfigurim shkrimesh
pastrim virusesh

e memoriesh
rastësisht i hodhi
shportash

 

I kisha të dashura
copëra shpirti i kisha
pa to i zbrazur i tëri isha

Ju afrohem
ju përulem
falje pa pra ju kërkoj

Ato ende me vajin në buzë
nuk më qasen lehtë

Ç'tagër i radhës më pret
ai mëkat rasti shpirtin ma vret
edhe tash që s'jam vetë


Para sysh do t'i mbaj
thellë në timin gji
se jam e tyrja shtëpi

 

(29 mars, 2012)

 

 

NATA E PARA TREMBËDHJETË VITEVE NË LLOFCË

Llofca mbeti nën hijen e diellit
me dyzet e sa shtëpi
e një saç plumbash
përmbi krye


E hapur zemrash
për tetëqind e sa të dëbuar
me kobra rrethuar

E sheh si i bie nata sipër
si e çel mëngjesi
nuk e di

Bacë Mehmeti
(i lumi ai për veti)
fjalëqetë e buzagaz
(se ku e gjente)
një sy gjumë na e dëshiron
vetëm një sy

Tjetrin zgjuar mban

Sikur na thotë
shtiremi se flemë

Nëpër kllapi
një zog i zi
këndon mbi çati


Me fat zbardhtë dita e re
ata zogj nëpër kaltërsi

Na sjellshin liri

Luten pazëshëm buzët tona
me sy e shpresë qielli

Top of Form


(31 mars, 2012)

 

REKUIEM PËR TË VËRTETËN

Kot të nxjerr sheshit

Tregjeve të botës
të rrudhet hapësira

Dhe milimetrin e fundit
ta zë rrena

Ti ëndërron ditë më të mira

Kur as si ujë 
s’të pinë për shëndet

Qysh me t’u bë zot

Për shpatullat tona
rënd rëndon dhe tash

Sa nuk e di as vetë

Pika që s’i ra kësaj toke
nuk të gëlltit as më i thelli det

 

Përveç heshtjes 

(1 prill, 2012)

 

 

TRE PRILL, NJËMIJENËNTËQINDENËNTËDHJETENËNTË

Askush s'pyet në fjetët hiç
ç'ëndrra patë 
a cila ditë është sot

Veç a jeni mirë

Të tjerat bluhen e ruhen
në memorien e secilit


Për ditën tjetër

Me emër të zotit do ta presim
lëkundet vendit
Mehmet Llofca

Mes gishtash dredh cigaren e radhës
të parën e sos deri në shpuzë

Po ju kah i keni sytë
pa një pa dy na pyet
tek lidhim këpucët

Do të dalim pak
për të parë çka ka nëpër Karadak

Balli zë i rrudhet nga pak

 

...
E di unë ç'i bluan rradakja, tash
thotë Shabi Shoqi
tek kalojmë përpjetëzën
kurrizit të maleve

Te Guri i Magjerës 
dy fjalë i ndërrojmë me Xhelë Katërqindtin
e te Guri e lëmë

Pa fjalë Ilincën kalojmë
kur marrim në të djathtë

Te shkolla e re
një kolonë të dëbuarish
na lë pa frymë

Flokë e vetulla ende me brymë
e këmbët kah sytë

lutjet tona as i dëgjojnë

Ngricat e natës shkrihen mbi ne
si lot pikojnë
e na shpojnë
m'u në zemër

Po ç'ditë është sot
që ta shënojmë

Harrojmë
......

(3 prill, 2012)



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora