Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Një studiues i lidhur me vendlindjen

| E enjte, 11.04.2013, 07:51 PM |


NJË STUDIUES I LIDHUR SHPIRTËRISHT ME VENDLINDJEN

NGA PËLLUMB GORICA

Është një shprehje e popullit se po nuk të deshi vendlindja, nuk të do askush. Sa më shumë ta vlerësosh e të punosh për vendlindjen tënde, aq më shumë lartësohesh dhe ndriçohesh në rrugën e lavdisë. Kështu ndodh edhe me Petrit Bashën, sulovarin pasionant, autorin e shumë librave për vendlindjen, për historinë, traditat, thesaret e kësaj treve me motivin sublim për të evokuar vlerat. Lidhjen e tij me vendlindjen autori e koncepton si një përkushtim ndaj saj, si shkrirje në të, për ta shtrydhur deri në maksimum çdo bazë e arritje, prirje e gjurmim, çdo lindje e perfeksionim dhe duke ndikuar reciprokisht në jetën e komunitetit dhe komuniteti në jetën e tij. Këtë forcë e dashuri për vendlindjen ai e ka ndjerë qysh kur ishte 14 vjeç e ishte larg saj, siç shkruan dhe vetë: “E në ato çaste lutesha të kisha qoftë edhe një gur nga Tunja e ta mbaja në gji për të shuar mallin”.

Petriti siç e thamë edhe më lart, është autor i disa librave për trevën e Gramshit, por ne do të donim të ndaleshim shkurt në dy librat e tij të fundit :”Historiku i zhvillimit të arsimit në Tunjë e rreth saj” dhe “Tunja pranë kalasë” të cilat i bashkon si një buqetë e freskët dhe e këndshme lulesh, motivi i qartë se Tunja ka një traditë historike arsimore, etnografike, folklorike, gjuhësore të pasur e cila do të mbajë kurdoherë të ndezur patriotizmin e do t’u shërbejë brezave për ta përsosur e fisnikëruar jetën e tyre. Kur them se studimi për Arsimin dhe Tunjën në përgjithësi është një gërmim e mbledhje faktesh, një shtrydhje e gjithë historisë, së kaluarës dhe të tashmes, kam parasysh se autori futet në labirinthet e arkeologjisë dhe etnografisë, shfleton dosje me probleme të arsimit dhe të shëndetsisë, ndalet e përjeton emocionueshëm një valle të shtruar, apo shpërthen një melodi fyejsh, njom buzët në një legjendë rrënqethëse, takon një personalitet e zbërthen një toponim dhe me kujdes e thjeshtësi, laton faktin historik e ilustron me argumenta e ngren në mendjen e çdo lexuesi një muze të gjallë që vetëm kumbon traditë e vërtetësi.

Studimi për arsimin e Tunjës është një pasqyrë e arritjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë, që jo vetëm e deshën gjuhën dhe dijen, por edhe bënë gjithçka si krenari për brezat e sotëm e për ata që do vijnë. Autori ka grumbulluar fakte të shumta e ngjan si një arkivë e gjallë duke sjellë në kujtesën e secilit lexues emra mësuesish e nxënësish, drejtorë shkollash e edukatorë, bën bilance investimesh e thur lavde arritjesh, duke ngritur kështu në këtë studim një përmendore të admirueshme me hapësira të gjëra kohore, që nga dita kur u hap shkolla e parë shqipe në Tunjë më 1921 me mësuesin e saj të parë, Vahid Kormaku, vazhdon me hapjen e arsimit 7-vjeçar në vitin 1951 dhe të mesëm bujqësor në këtë zonë në vitin 1985. Njihesh me përpjekjet e fshatrave të Sulovës së Sipërme për të mësuar fshehurazi gjuhën e bukur shqipe, krenohesh me përpjekjet pasionante të mësuesëve dhe të nxënësve për të thithur sa më shumë dije e kulturë në vite, konstaton se sa shumë është bërë për arsimin dhe kulturën edhe në këto fshatra të largëta dhe sa shumë investime e kontribute vazhdojnë të bëhen dhe të vjen shumë mirë e ndjehesh i sigurt për vazhdimësinë e tyre, kur shikon se sa bukur e saktësisht i ka dokumentuar studiuesi Petrit Basha në këtë libër të thjeshtë, por me vlera të mëdha për brezat. Si diçka freskuese dhe ledhatuese që fëshfërin midis faqeve të librit është pasqyrimi i shumë fotove të drejtuesve të shkollave dhe kolektivave pedagogjike, korrespondencave dhe jetshkrimi i disa mësuesve, gjë që u ngjall nostalgjinë, jo vetëm atyre që i kanë përjetuar këto vite lufte e përpjekjesh për dijen dhe shkencën, por edhe ndez krenarinë tek të gjithë fshatarët e zonës, të cilët patën të tillë njerëz arsimdashës mes tyre dhe bënë të tilla sakrifica të vyera për përhapjen e diturisë.

Libri “Tunja pranë kalasë”, është jo thjeshtë një studim, jo thjeshtë një histori, por një enciklopedi e plotë e Tunjës, ku gëreshetohen në mënyrë të plotkuptimshme, tradita historike me faktet jetësore, etnografia me toponiminë e pasurinë gjuhësore, dhe mënyra se të gjitha këto banori i Tunjës, ka ditur t’i vëjë efektshëm në funksion të jetës së tij. Brenda faqeve të këtij libri lëvrijnë shekuj dhe epoka, duke filluar nga lashtësia ilire e deri tek zbulimet e sotme me vlera të rralla arkeologjike e muzeale; nga pozita gjeografike e flora e faune e kësaj treve të lashtë e deri tek zhvillimet e sotme infrastrukturore të komunës; nga legjendat e gojëdhënat që mbajnë art e histori, e deri tek folklori e veshjet plot kolorit të zonës së Tunjës; nga shprehjet popullore, poezia e proza gojore e njerëzve të këtyre anëve e deri tek zakonet e rituale të zakonshme të Sulovës; nga besa e mikëpritja, gjer tek zakonet në dasma e vdekje, në lindje e gëzime, në dolli e aheng; nga traditat në lashtësi e deri tek toponimet e zhvillimet e sotme të cilat pulsojnë veçori .

E veçanta tek  studiuesi Petrit Basha është, se ai studion dhe nuk sajon gërmon me pasion në fakte e ngjarje, bën zbulime të fenomeneve gjuhësore e ndodhive jetësore, por nuk bën trillime artistike, ai pasqyron faktin historik apo jetësor, zakonin e ritualin në gëzime e hidhërime, ashtu siç ka ndodhur apo është, e as nuk hamendëson e ilustron. Mbyll faqen e fundit të librit dhe të duket sikur studiuesi i pasionuar Basha të ka marrë për dore, të ka shëtitur në historinë dhe traditat e Tunjës, në të sotmen dhe të djeshmen e saj dhe të thotë: “Ja, kjo është Tunja, me njerëzit dhe fiset e saj, me monumentet kulturore dhe biomonumentet, me të mirat dhe të këqijat e saj, shiheni, njiheni, përjetojeni dhe më mirëkuptoni sido që të jetë, se e kam pasqyruar me fjalët e zemrës.”

Kur i lexon gojëdhënat e historitë e fiseve, ritet familjare si në dasma e në vdekje, në trajtimin e fëmijës apo të lehonës, të besës e mikpritjes, edhe pse disa të duken sikur i ke lexuar e dëgjuar, ato i specifikon e i bën origjinale, përdorimi i të folmes së Sulovës, veshja me një gjuhë të thjeshtë e elokuencë të këdshme komunikimi që u bën autori, me atë kolorit popullor e stil rrëfyes fshatarak, që karakterizon Tunjën apo zona të veçanta të Gramshit. Po marrim vetëm një shembull. Riti i dordolecit, ndonëse është i njohur dhe i dëgjuar, tingëllon i veçantë dhe vibrues në këtë libër, sepse specifika e trajtimit, përdorimi në të folmen krahinore, e bën atë si ta dëgjosh për herë të parë e të jetë origjinale.

Dordolec o dordoli

Idhu përpjetë e na bjer shi

Të na boet misri me kalli

Atë shi e ka pernija

Çfar të bonjë unë i shkreti

Unë lus mo bjer rameti .

Një vend të rëndësishëm në studimin “Tunja pranë kalasë” zë mikpritja dhe pema gjenealogjike e fiseve të këtij vendbanimi me histori. Autori ka bërë një punë të kujdesshme, duke gjurmuar në bisedat e përditshme duke u ndalur tek njerëz me mosha të ndryshme dhe duke regjistruar gjithçka me vërtetësi dhe këtë e tregon fakti se në çdo fundbisede ai shënon identitetin e çdo personi që ka biseduar, apo personin e vendin nga është dëgjuar rrëfenja. Po kështu edhe në hartimin e pemës gjenealogjike të çdo fisi, autori nuk rendit thjeshtë breznitë në fise, por shpjegon edhe etimologjinë dhe prejardhjen e fisit, duke e bërë çdo zbërthim më argumentues e gjurmëlënës.

Tek dy librat që cituam më lart të bën përshtypje fakti, se autori ka një burim të gjerë referencash, gjë që tregon se jo vetëm ka gërmuar në biseda me njerëz të gjallë por ka shfletuar edhe shumë material në arkiva dhe muze, duke sintetizuar histori e tradita në faqet e një monografie të tillë modeste. Është kjo punë plot pasion dhe e vullnetshme e Petrit Bashës, që na bën të shprehim atë që vumë si titull të këtij shkrimi e ai meriton plotsisht, studiues i pasionuar, i lidhur shpirtërisht me vendlindjen.