E marte, 23.04.2024, 11:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Zbulohen portretet e djalit dhe nipit të Skënderbeut

E enjte, 11.04.2013, 07:49 PM


Nga Ylli Polovina

Një muaj më parë Prof. Xhankarlo Valone (Giancarlo Vallone) më dërgoi këtë mesazh: "Dua të të jap një lajm: një miku im i mirë gjeti në një muze vizatime të shekullit të tetëmbëdhjetë, të bëra mbi bazën e pikturave antike, për fat të keq të humbura, të cilat ruajnë pamjet e dy dukëve të Galatinës të familjes Kastrioti Skënderbeu, fytyrat e të cilëve deri tani nuk njiheshin. Bëhet fjalë për Gjon Kastriot Skënderbeun, djali i heroit, dhe ai i Ferrante Kastriot Skënderbeut, i biri i Gjonit dhe nipi i Gjergjit".

Profesor Valone është një studiues shumë i përkorë me faktet historike. Duke qenë vetë me një kulturë juridike të thellë, ai i ka ato të shenjta. Pa dyshim që gjithçka qe saktësisht dhe në mënyrë të sigurt ashtu siç bënte të ditur ai. Kështu, e para gjë që të shkonte ndërmend ishte nevoja për ta botuar dhe bërë të njohur para të gjithë shqiptarëve. Ishte një zbulim i madh në fushën e studimeve për Skënderbeun e sidomos për vazhdimësinë e jetës së familjes së tij në emigrim politik në Itali menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar. Për të birin e vetëm, Gjonin, i cili në fillim të majit 1448, bashkë me të ëmën dhe shumë të veja princash të rënë si luftëtarë, kapërceu detin dhe shkoi në Mbretërinë e Napolit, ku mbreti Alfons i kishte dhënë dy qyteza prona, nuk kishte asnjë imazh të pamjes së tij. Duka Gjon, martuar me një bijë nga familje mbretërore serbe e njëkohësisht me prejardhje perandorake bizantine, ka qenë protagonist i njohur në jetën e Mbretërisë së Napolit e sidomos në mbrojtjen e saj dhe të trojeve të krishtera italiane nga ushtria osmano-myslimane e kohës. Ai duhej patjetër ta kishte një portret të pikturuar. Ja, më në fund u gjet.

Ishte po kaq e panatyrshme, madje edhe më tepër, mungesa e pamjes së Dukës Ferrante, birit trashëgimtar të Gjonit. Ky qe shumë më tepër i zëshëm se i ati, fort më i pushtetshëm se ai. Një portret për të në kohën e tij ka qenë pak. Megjithatë më në fund u gjet njëri prej tyre.

Miku i Prof. Valones, studiuesi i ri Luixhi Galante (Luigi Galante), i ka bërë të ditur edhe një vizatim të pamjes së Gjergj Kastriotit, me siguri skicuar prej një portreti të pikturuar të tij, të cilin e duhet ta ketë pasur familja, të transportuar me anijen e ikjes drejt Italisë ose, më pak e besueshmja, e bërë këtu. Edhe ky është një zbulim i madh, edhe pse imazhi i vërtetë, në moshën 62-vjeçare, një vit para vdekjes, ruhet në zemër të Romës, në mbiportikun e hyrjes së një pallati antik me emrin e tij, në një rrugicë pranë Presidencës Italiane që mban po atë emër dhe në krye të një sheshi që po ashtu quhet Skënderbeu.

Por përveç Romës me këtë kompleks dhe me sheshin "Albania" me në qendër një përmendore të Gjergj Kastriotit mbi kalë, Vjenës ku ruhen armët e tij fitimtare, Venecies ku po shkëlqen me punë kërkuese dhe mjaft rezultative albanologia Luçia Nadin, është Pulia vendi, hapësira dhe vatra e katërt ku ruhen visare të jetës dhe veprës së Skënderbeut, si edhe të pasardhësve të tij, përfshirë familjet kryesore fisnike shqiptare, që kryen rezistencën legjendare kundër pushtimit osman.

Pikërisht këtu, në këtë rezervë të madhe dokumentare, për fat, jeton, studion e zbulon, Profesori i Universitetit të Salentos, autor i mjaft librave për Mesjetën italiane, mes tyre edhe i "Aspekte juridike dhe sociale në periudhën e qeverisjes aragoneze. Kastriotët në Tokën e Otrantos", të prezantuar vite më parë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë.

Një muaj kohë, që nga lajmi i parë i tij, kaloi sepse Valone duhej të nxirrte leje zyrtare nga muzeu për t'i publikuar të katra portretet. Pastaj lypej edhe ca kohë që shkrimi i tij në italisht të përkthehej nga i talentuari shqipërues dhe pedagog në katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Salentos, Genci, i biri i dijetarit Emil Lafe. Por të gjitha kaluan pa u ndjerë, siç përherë ndodh në prag të një gëzimi.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora