E enjte, 25.04.2024, 02:16 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Shkupi: Historikisht të skajshëm?

E premte, 09.05.2008, 05:27 PM


HISTORIKISHT TË SKAJSHËM?

Nga Skënder Shkupi

Një fakt historik m’u kujtua “pa dashje” duke ndjekur debatet televizive për shqiptarët dhe bëmat e tyre ca qindra vjet më parë.

Pas një qëndrese heroike të skajshme të periudhës së Skënderbeut, shqiptarët që mbetën pa emigruar nga vendi, në krye të katërqind viteve të robërisë osmane, u transformuan aq shumë sa dhanë një “shfaqje” historike të paprecedent në Ballkan. Gjatë revolucionit grek të viteve 20-të të shekullit të 19-të, në betejën e famshme të Mesolongjit, “grekët” që mbroheshin ishin shqiptarët tanë të Sulit e të Himarës, ndërsa “turqit” që sulmonin ishin gjithashtu shqiptarë të rekrutuar nga porta e lartë për të shtypur rebelimin grek. Luftonin shqiptarë me shqiptarë nën dy flamurë të huaj.

Gjatë regjimit komunist ndodhi një spastrim rrënjësor i elitës së vendit, për motive ideologjike. Investimi më i madh ndër vite i shqiptarëve gjatë periudhës pas pavarësisë, shkollimi i disa qindra të rinjve në universitetet më të njohura të Evropës dhe të Amerikës, u shumëzua me zero, sepse ashtu na e diktonin tutorët tanë sllavë. U asgjësua, me ndërgjegje, truri i kombit duke i krijuar shtetit shqiptar vështirësi të papërfytyrueshme në zhvillimin e tij historik. Madje ndalimi me dekret shtetëror i të gjitha feve ishte një vendim i pashembullt në historinë moderne në shkallë botërore. As Stalini i tmerrshëm nuk arriti deri aty. Ne e bëmë dhe, për më tepër, u ndjemë “krenarë” për atë që bëmë.

Në kapitullin e fundit të historisë sonë, në të ashtuquajturin “tranzicion” drejt ekonomisë së tregut, motivin e fitimit me çdo kusht e me çdo mjet dhe në intervale kohe rekord, e kemi kthyer në slogan udhërrëfyes të të gjithë veprimtarisë sonë ekonomike. Kemi të bëjmë me deformime të mëdha të demokracisë dhe të ekonomisë së lirë. Me sa duket, kemi të bëjmë përsëri me një qëndrim të skajshëm historik, të demonstruar në mënyrë të re e në rrethanë të reja.

Rasti e solli të njihem me një fshatar, ish-fermer, nga zona e Pirgut, ndërmjet Korçës dhe Pogradecit. Them ish-fshatar sepse zotëria ishte bërë tiranas, i detyruar të braktisë tokën e tij në fshat e të vijë me gjithë familje në kryeqytet, me shpresë se do t’i mbijetojë varfërisë dhe shtrëngesës së madhe ekonomike.

Në zonën e Pirgut ka ekzistuar, në të kaluarën, një nga kooperativat më të mëdha të vendit. Ajo bashkonte 18 copë fshatra, dhe kultivonte grurin, pataten, qepën, panxharin, mollët, duhanin etj. Aktualisht fshatarët e zonës janë përqendruar më shumë në tregtimin e patates, qepës dhe mollëve. Mirëpo fitimi i mundshëm që sigurojnë ata nga një tregtim i tillë është qesharak. Aq skandaloze është gjendja, sa ata nuk kanë rrugë tjetër, përballë makutërisë së shfrenuar të tregtarëve, veçse emigrimin, brenda ose jashtë vendit.

Siç dihet, ne pataten e blemë në treg me 80 lekë kilogramin, ndërsa mollët me 150 lekë. Oferta që u paraqitet prodhuesve të Pirgut nga agjentët që tregtojnë prodhimet e tyre është e pabesueshme: pataten ua kërkojnë me 20 lekë, kurse mollët me 30 deri 40 lekë kilogramin. Në cilin vend të botës mund të përfytyrohet një situatë e tillë ku në një largësi prej vetëm disa dhjetëra kilometra, nga blerësi te shitësi, të lëvizë çmimi i mallit katër deri pesëfish?

Kjo gjendje nuk ka si quhet ndryshe veçse një varfëri “e programuar”. Në regjimin të ashtuquajtur “antipopullor” të Zogut kishte një normë fitimi të legalizuar për tregtarët – jo më shumë se 17%. Sigurisht, shteti nuk u caktonte çmimet prodhuesve, por sistemi i taksimit ishte i tillë që mënjanonte fitimet mbi këtë prag. Pra qeveritë kanë në dorë politika fiskale nëpërmjet të cilave menaxhohet situata në treg. Lënia e lirë e superfitimeve të tregtarëve prish ekuilibrat ekonomikë, pasi pasurimi i shpejtë i një grushti njerëzish në kurriz të miliona të tjerëve që venë drejt shkatërrimit ekonomik është mina me sahat që hedh në erë demokracinë dhe sistemin e ekonomisë së tregut të lirë.

Cilat janë kërkesat minimale të fshatarëve të Pirgut? Ata duan, të paktën, t’ua marrin mollët me 50 lekë kilogramin dhe pataten me 30 lekë. Në vitet 1999-2000 në zonë u ndërtua një magazinë për grumbullimin e prodhimit. Dikush e privatizoi, por ndërtesa ka mbetur jashtë funksionit. Është një ndërtesë e braktisur.

Pra mungon deri një organizim elementar për mbledhjen dhe transportimin e prodhimit. Me sa duket edhe fshatarët e zonës (Pirgu, vetëm, ka rreth 700 familje) nuk janë në gjendje të organizohen, të paguajnë njërin ose disa prej bashkëfshatarëve të tyre që të krijojnë një rrjet grumbullimi, transporti dhe shitjeje të prodhimeve të tyre në qytete duke shmangur spekulantët dhe matrapazët e çfarëdo lloji. Është e papranueshme që qumështi të merret me 15 – 20 lekë litri nga baxhot dhe të tregtohet në Korçë apo në Tiranë me 100 lekë litri. Ndërkohë që u ka ndodhur fermerëve të zonës të prodhojnë duhan të një cilësie mjaft të mirë, madje të porositur nga agjentë tregtarë të lidhur me firma greke, që t’u marrin shumë më pak nga ç’kanë kërkuar fillimisht duke ua lënë prodhimin në derë fshatarëve. Janë historira pa fund që rrëfejnë me hidhërim banorët e zonës për skajshmërinë e veprimeve të biznesmenëve shqiptarë e të huaj të cilët po zbatojnë një ekonomi tregu të shekullit të 18-të në Shqipëri.

Nga sa përmendëm më sipër rikthehemi te pyetja e titullit të këtij shkrimi: a jemi të skajshëm ne shqiptarët dhe a do të mbetemi vallë të tillë edhe në të ardhmen?

Për pjesën e parë, larg çdo dyshimi, ne jemi të tillë. Ndërkohë që, për të ardhmen, janë të gjitha mundësitë që gjendja të ndryshojë. Tashmë janë me dhjetëra mijëra shqiptarët e shkolluar e cilësorë brenda dhe jashtë vendit. Ekziston një përvojë e re dhe relativisht e pasur e konkrete e gabimeve dhe shtrembërimeve skandaloze të ligjeve të ekonomisë moderne të tregut, një njohje e mirë e mekanizmit të funksionimit të asaj ekonomie në vendet e huaja, një moshë e re mesatare inkurajuese e specialistëve të rinj të painfektuar nga mentaliteti i dikurshëm komunist në ekonomi që përbëjnë një garanci shpresëdhënëse që shqiptari i nesërm t’i largohet pozicionit qesharak të të qenit “i skajshëm” në të gjitha periudhat historike e të kthimit në një qytetar normal europian të shekullit 21.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora