E premte, 29.03.2024, 05:48 AM (GMT)

Kulturë

Lulzim Logu: Intervistë me fotografin Shkëlzen Rexhaj

E merkure, 10.04.2013, 06:12 PM


PERSONALITET  I ARTIT TË FOTOGRAFISË SHQIPTARE

-Intervistë me fotografin gjakovar SHKELZEN REXHAJ –

Nga LULZIM LOGU

-… fotoja e fundit është fotoja me titull ”Harmoni kulturore” me te cilën u shpërbleva ne Konkursin InstaKosova, organizua në kuadër të diplomacisë digjitale te MPJ, përkrahur nga projekti i përbashkët me Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Këshillin Britanik, ku morën pjesë mbi 8 000 fotografi, fotoja ime u zgjodh në mesin e 5 fotove  më të  bukura, foto të  cilat  do të  botohen në albumin me 100 foto me të  bukura, album i cili do ta prezantoj Kosovën në të  gjitha shtetet e botës-

E kam njohur vite më parë në Gjakovë, në mjediset e Pallatit të Kulturës, në edicionin e rradhës së Mitingut të Poezisë, një ndër më të vjetrit dhe më të njohurit takime poetike në Ballkan, pikëtakim I rëndësishëm I krijuesve të shumë fushave, pra edhe I fotografisë.

Ndërsa isha njohur dhe tashmë ishim bërë miq me Ali Podrimjen, Din Mehmetin,  Halil Haxhosaj, Muharrem Kurtin, Tahir Bezhanin e plot të tjerë, vazhdimisht më impresiononte figura e fotografit gjakovar Shkelzen Rexha.

Sidomos portreti i tij karakteristik ngulmues në fiksimin e momenteve dhe detajeve artistike, por edhe prezenca e tij joshëse për të gjithë, e cila përtej pamjes fizike, rrezatonte respekt për autoritetin e padiskutueshëm që ky njeri kishte fituar në publik përmes magjisë së fotografisë si një vazhdues i denjë i Gjon Millit, Marubit dhe bashkëkohës i Fadil Berishës.

Ndërkohë kisha shfletuar dhe shijuar dhjetra albume të tij me motive artistike, pejsazhe natyrore nga e gjithë bota shqiptare, etnografike dhe sete promovuese të turizmit nga perlat e gjeografisë shqiptare si dhe panorama të pashlyeshme nga organizimet e Mis Shqipëria, Mis Kosova, Mis Globe, por dhe këndvështrime origjinale fotografike të vendeve dhe ngjarjeve historike, pjesë e pandashme e krenarisë tonë kombëtare.

Padyshim një përsonalitet i fotografisë si art, një format modern i krijuesit modest, i cili i beson punës dhe djersës së vet, i falet natyrshëm asaj dhe kësisoj i vendosur në panteonin e nderit shijon bukurinë e ditëve të tij të merituara por edhe të mundimshme të krijimit.

Fjalëpak dhe punëtor i pandalshëm, qytetar i respektuar i Gjakovës si vendlindje dhe vendbanim, por tashmë edhe i krejt viseve shqiptare që i përvijon pandalur në aparatin e tij, por edhe qytetar i botës së kulturës, ky është Shkelzen Rexhaj, emri më njohur aktualisht i fotografisë shqiptare, portretin e të cilit ka kohë që kam kërkuar ta njoh dhe ta ndaj me lexuesin përmes një interviste që ai pranoi ta japë me kënaqësi.

PASAPORTA ARTISTIKE:

Emri / Mbiemri: Shkëlzen (Adem) Rexha

Universiteti i Prishtinës, Akademia e Arteve

1978-1982  Prishtinë (Dizajn / Fotografi)

Universiteti i  Prishtinës,  Masteri: Akademia e Arteve

2007-2009  Prishtinë (Dizajn / Fotografi)

Nga viti 2006  dhe aktualisht firma private

“EXE” Photo & Design Studio

Nga viti 2007 Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Edukimit, Dega në Gjakovë

Ligjërues i lëndës së fotografisë, Dega Teknologji - Informatikë

Arritjet Profesionale: 1983 - 1993    “Jatex” Fashion Designer & Photograph

1993 - 2006    “Revista Miss” Designer & Photograph

Trajnimet:

“Planifikimi Stratgjik”  MDA & MAR   Shtator 2005, Ohër

“Marketingu dhe plani i Marketingu” Swisscontact  Dhjetor 2006, Gjakovë

“Training in Fscilation Techniques” CIVET, Maj 2007, Gjakovë

“Krijimi  i ideve të reja dhe zgjidhja e problemeve” Maj 2008, Ohë

INTERVISTA:

L. Logu: Pasioni i fotografisë, një pasion i madh i jetës tende, kur lindi ai tek ti, cilat ishin shkëndiat e para që paralajmëruan prirjen fatlume?

Sh. Rexha:  Ishte momenti kur babai im i ndjerë ma kishte blerë si dhuratë një foto-kamerë te thjeshte për atë kohe , por për mua ishte sikur te ishte i “teknikes se fundit” .

L.         Logu: Natyra dhe njeriu, dy plane mbizotëruese të artit dhe produktit tënd, në fakt cila prinë në krijimtarinë tuaj?

Sh. Rexha:  Po themi njeriu, pasi edhe qenia njerëzore e drejtuar nga një mendje që punon në drejtim të përmirësimit të jetës dhe ku bën pjesë edhe vetë natyra, bëhet shije edhe pushim në çdo çast të jetës...!

L.         Logu: Fotot tuaja janë konsideruar nga kritika si “ segmente të verteta njerëzore” Ç’farë e bën foton tuaj kaq prekëse, tunduese dhe kaq pranë njeriut?

Sh. Rexha:  Puna e palodhur ka qenë kënaqësia më e madhe që kam parë që nga fillimet e para të marrjes me fotografinë...!

Dhe duke pasur një dashuri që vjen për natyrë ngadalë-ngadalë, kam pasur mundësinë të njoh njerëz edhe vende që nuk do t'i kisha parë pa përkushtimin e gjallë dhe pa cilësinë e pritjes së mirë nga njerëzit kudo që unë kam shkuar...!

Tek shkrepjet nuk ka gjë që nuk më ka bërë përshtypje, të cilën nuk kam pasur mundësinë për të mos e pasur si pasurim në jetën time. Natyra ka qenë një frymëzim, që plotësonte atë gjë që shihja në dhëniet dhe marrjet me njerëz të ndryshëm...! Nga fëmija edhe deri tek njeriu më me moshë të thyer kam pasur mundësinë të nxjerr në pamjet e mia...!

L. Logu: Malësia e Gjakovës, Gjakova dhe Valbona janë sot tre dimensione të qarta dhe famoze të krijimtarisë tënde, çfarë i bashkon realisht ato në këtë krijimtari dhe si shpjegohet adhurimi dhe cilësia e lartë që e shoqëron atë?

Sh. Rexha: Ato janë një bukuri që rrallë hasen në ndonjë cep të botës.

Në syrin tim prej fotografi ato i bashkon dashuria për vendlindjen - Gjakovën; nxitja profesioniste prej fotografi dhe bukuria e peizazheve dhe e natyrës së paparë të Valbonës dhe trevës së Malësisë së Gjakovës.

L.Logu: Fama, sidomos në moshën tuaj a ndjehet si ngarkesë e rëndë, përgjegjshmëri apo një lehtësi e mundshme kah suksesi i mëtejshëm dhe si komoditet?

Sh. Rexha:  Besoj se vjen porsi një lehtësi, për arsye se ka kohë që puna për mua është bërë një veprim pa të cilin nuk e shoh veten. Por edhe kënaqësia e njohjes së natyrave të ndryshme të njerëzve ka bërë që nëse me një punë do të gjeja e ndjeja lodhje, do të vinte një punë më pas që do të sillte pushimin e kënaqësinë.

Përgjegjshmëria po ashtu, tani do të vinte si rrjedhim i përvojës së gjatë dhe nuk mund të flitet që nuk ka qenë pjesë e punës në vazhdim edhe porsi saktësi po ashtu, përkundrazi nuk do të kisha këtë kënaqësi që kam, nëse nuk do të ishin këto cilësi në jetën time, në fillim si pëlqime dhe tani si cilësi të vyera të cilat unë vetë do t'ia njihja punës.

L.Logu: Si e keni perjetuar 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur dhe 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si njeri dhe artist?

Sh. Rexha:  Po. Për sa i përket njëqind vjetorit të Pavarësisë u munduam të jemi në fillim në Vlorë, ku edhe nisi rruga për të festuar njëqind vitet që përjetuam si Shqipëri e pavarur.

Më pas rrugëtimi ynë do të vazhdonte në drejtim të Tiranës, ku edhe përse në mbrëmje po binte shi, mesa mundësi na jepte koha u munduam të bëjmë prekjen kombëtare, duke takuar edhe miqtë tanë në Shqipëri, për t'u ndjerë pjesë e natyrshme e të qënit vëllezër, por dhe e festimit të përbashkët.

Pjesë e lidhjes që gjithmonë e kemi pasur në shpirt e zemër dhe tash mund ta perjetonim në perqafime, ne ritmet e valleve, këngëve dhe fotot dinjitoze në sheshet shqiptare ku ruhen gjurmët krenare të historisë.

Isha me mikun tim Fehmi Xharavina dhe Shpëtim Bozha, kur përcollëm edhe shfaqjen tek sheshi Nënë Tereza, ku erdhi edhe këngëtarja me famë botërore Rita Ora...!

Ndërsa pesë vjetori do të na çonte në Prekaz tek familja e madhe e Adem Jasharit, po ashtu në nder të bashkimit ishim edhe me Adnan Boshnjakun një njeri me zemërgjerësi, po ashtu miku ynë i pandashëm Shpëtim Bozha, shkrimtari Blerim Valla...!

Prishtina dhe Prizreni do të vinin në pamjet që jepnin me valëvitjen e flamujve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkrah flamurit të Kosovës dhe flamurit shqiptar kuq e zi...!

L. Logu: Familja dhe suporti i saj janë përmasë reale e një artisti të realizuar. Sa ka ndikuar ky raport në jetën dhe krijimtarinë tuaj?

Sh. Rexha: Është e vërtetë kjo. Po të mos ishte familja ime dhe hapësira që anëtaret e mi të familjes më dhurojnë për të realizuar dhe për ta kryer me sukses profesionin tim, nuk e di cili do te ishte edhe suksesi i punës time. Falënderoj me ketë rast bashkëshorten time, tri vajzat dhe djalin tim që ma kanë mundësuar ketë “parajse”.

Një nga ngrohtësitë që duhet parë që nga fillimet është ngrohtësia që njeriu gjen në familje, ndihmesa, përkujdesja, dhe po ashtu puna si lehtësim nga pjesëtarët e familjes...!

Kur njeriu e fillon një ditë me ngrohtësi të mirë, dita deri në përfundim vazhdon të japë shkëlqimin në rritje...!

Dhe kjo gjë vjen duke nderuar familjen për përkushtimin e saj në çdo drejtim, duke më bërë të mos më mungojë as edhe një gjë, përkundrazi duke kujtuar shprehjen: “Bashkimi bën fuqinë”, mbetem porsi njeri që kjo fjalë mban drejtimin tek unë me familjen time...!

L. Logu: Cila është dita perfekte e Shkelzen Rexhajt?

Sh. Rexha: Një ditë e bukur me qiell të pastër, kur kam mundësi të bej foto të bukura. Një ditë kur më jepet mundësia te fotografoj fytyra njerëzish vetëm të lumtura dhe të gëzuara e jo çaste pikëllimi, vuajtjeje. Dita ime është gati 24 orë me foto-aparat në duar. Ndjehem i lumtur për ketë.

L. Logu: Fotografia si mishërim i bukurisë fizike dhe e dashurisë shpirtërore, si ke mundur ti alternosh kaq bukur këto përjetime?

Sh. Rexha: Shumë e lehtë kjo. Pa dashuri - bukuri shpirtërore, pra atë te brendshme, nuk ka as bukuri të jashtme, pra atë fizike. Ky është ligj i natyrës, dhe ky ligj më përcjell gjatë gjithë jetës sime dhe gjatë gjithë punës time si fotograf. Me pas, të gjitha i kryen vet foto-aparati i cili si duket e ndjek vet shpirtin tim të brendshëm për të bukurën dhe për të madhërishmen, si vlera këto të padiskutueshme të artit.

L. Logu:  Çfarë përfaqëson Gjakova për Shkelzen Rexhajn?

Sh. Rexha: Është çdo gjë e imja. Shpirti dhe frymëzimi im. Pikënisja ime për çdo gjë që kam arritur ne profesionin tim. Gjakova vërtetë kërkon shumë nga artisti, por Gjakova ka shume çka per t’i dhëne çdo njeriu e me ketë edhe çdo artisti. Gjakova për artistin kosovar është sikur Parisi për mbarë botën e artit dhe kulturës.

L.         Logu: Per fund, cila ka qënë fotoja juaj e parë dhe ajo më e fundit?

Sh. Rexha: Foton e parë e kam realizuar në bankat e shkollës së mesme Normale (shkollë për mësues) në moshën 15 vjeçare, me shokët dhe shoqet e shkollës. Kurse fotoja e fundit është fotoja me titull ”Harmoni kulturore” me te cilën u shpërbleva ne Konkursin InstaKosova, organizua në kuadër të diplomacisë digjitale te MPJ, përkrahur nga projekti i përbashkët me Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Këshillin Britanik, ku morën pjesë mbi 8 000 fotografi, fotoja ime u zgjodh në mesin e 5 fotove  më të  bukura, foto të  cilat  do të  botohen në albumin me 100 foto me të  bukura, album i cili do ta prezantoj Kosovën në të  gjitha shtetet e botës.

L. Logu : Ju faleminderit!

Sh. Rexha: Ju falënderoj juve për nderin qe ma dhatë që të jem pjesë e bashkëbisedimit tuaj interesant dhe të gazetës tuaj tashmë të njohur.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora