E enjte, 28.03.2024, 07:59 PM (GMT)

Mendime

Libri, kërcënohen Blushi dhe Çani

E premte, 09.05.2008, 06:13 PM


Arian Çani
Kërcënohet gazetari Arian Çani dhe autori i librit “Të jetosh në ishull”, Ben Blushi.

Nga Fatos Mahmutaj

Shkak është bërë promovimi i librit të ish-gazetarit e politikanit Ben Blushi në emisionin e gazetarit Arian Çani "Zonë e Lirë". Kërcënimi është bërë nëpërmjet një letre, nga përmbajtja dhe formulimi i të cilës, dërguesi pretendon se quhet Alli Alldir, dhe pohon se mund të jetë një ndjekës ekstremist i besimit mysliman. Adresa e marrësit është televizioni "Vizion Plus", ndërsa dërguesi pretendon se e ka dërguar nga Italia, konkretisht adresa është: "Alli Alldir, 18/6 Savona, Itali", por në zarf ka vetëm vula të filialit të kryeqytetit të Postës Shqiptare. Nëpërmjet vulave, mësohet se letra ka kaluar në postën e kryeqytetit më datë 6 maj, ndërsa i është dorëzuar gazetarit Çani, drejtues i emisionit "Zonë e Lirë" ditën e djeshme. Mesazhi kërcënues i shkruar në një fletë formati A4 përmblidhet në pak rreshta. Teksti është shkruar me gabime drejtshkrimore dhe në pamje të parë dallohet qartë se fjalët, kryesisht ato me prejardhje arabe, janë shkruar shqip, ashtu siç shqiptohen. Kjo të çon në dyshimin se gabimet drejtshkrimore të letërshkruesit nuk mund t'i përkasin një besimtari praktikan të fesë, qoftë edhe fillestar. Në fillim të letrës është shënuar adresa e marrësit, e cila është vijëzuar. "Tv Vizion Plus, Zonë e Lirë, Arian Çanit, Tiranë". Më pas vijon teksti hyrës: "Çani: Para pak ditësh keni promovuar një libër ku thuhet të jetosh në ishull. Në libër flitet kundër Allahut... dhe etj. Prandaj me të marrë këtë letër të thërrasësh libërshkruesin dhe t'i komunikosh se në emër të Allahut është i dënuar fizikisht. Por edhe ata që e ndihmojnë. Ata... Qofshin këta myslimanë apo të tjerë". Ajo që të bie në sy në këto fjalë është fakti se shkruesi i letrës ka përdorur shkronja shtypi, të vogla për fjalët e zakonshme, ndërsa ka shkruar me kapitale të gjitha ato që mbartin mesazh. Përdorimi i gërmave të tilla kapitale bën edhe më të vështirë identifikimin e shkruesit nëpërmjet ekspertizës grafike, nëse letra do të bëhet ndonjëherë objekt hetimi. Menjëherë pas kësaj, në letër është shënuar një vijë horizontale dhe poshtë së cilës me shkronja kapitale i kërkohet gazetarit Çani të përgënjeshtrojë publikisht promovimin e librit të Blushit. "Për të fituar lekë Çani, nuk fyhet Allahu. Prandaj përgënjeshtro para popullit çfarë ke bërë". Poshtë saj, në qendër të fletës është shkruar me shkronja kapitale dhe me shkrim më të madh mesazhi kërcënues. "Letra është e keqe, por edhe vdekja ashtu është. Allahu qoftë me ne dhe urdhri i tij do zbatohet. Në emër të Allahut". Me këtë shprehje të fundit, siç duket, kërcënuesi përpiqet të bëjë sa më serioz mesazhin e tij për gazetarin Arian Çani. Ndërsa poshtë, në anën e majtë, e shkruar pjerrët me germa kapitale, Çanit i jepet si alternativë përgënjeshtrimi tre të xhuma rresht, në këmbim të faljes. "Tre ditë të Xhuma (të premte) rresht ta përgënjeshtrosh në Tv, 'Zonë e Lirë', për tu fal ti Çani", përfundon letra kërcënuese. Në zarf, në faqen ku shënohet adresa e marrësit, letërshkruesi ka shënuar me të njëjtin stilo-bojë që ka shkruar edhe mesazhin kërcënues: "Televizionit shqiptar, Vizion-Plus, Zonë e Lirë, Arian Çani, Tiranë, Albania". Gazetari Çani pohoi dje se kishte dijeni për këtë letër, e cila ka mbërritur në adresë të tij. Gazeta "Panorama" arriti të sigurojë këtë letër, e cila po bëhet publike ditën e sotme. Libri i Ben Blushit "Të jetosh në ishull", që doli në qarkullim pak javë më parë, ka ngjallur mjaft debate publike, të paktën nga Komuniteti Mysliman, si organi përfaqësues i myslimanëve shqiptarë reagoi ashpër në mbrojtje të fesë islame dhe figurave kombëtare si Skënderbeu dhe Ali Pashë Tepelena. Sipas krerëve të myslimanëve shqiptarë, ky libër nuk përcjell mesazhin e bashkëjetesës së ndjekësve të feve të ndryshme në Shqipëri, por përçarje. Vetë autori në momentin që e hodhi në treg librin, pohoi se priste që ky të ngjallte debate. Madje, të njëjtën gjë pohuan edhe analistë dhe kritikë të ndryshëm. Drejtuesi i emisionit "Zonë e Lirë", gazetari Arian Çani, pak ditë pas daljes së librit në treg në një artikull të botuar në gazetën "Panorama", shprehu për së pari vlerësimet e tij për librin e Ben Blushit. Ky libër ka ngjallur debate dhe analiza të gjera edhe në organet e tjera të shtypit, por edhe mes komuniteteve të ndryshme fetare.

Kërcënimi: Allahu qoftë me ne dhe urdhri i tij do zbatohet

TIRANE - Më poshtë po botojmë të plotë tekstin e letrës kërcënuese ndaj gazetarit Arian Çani. Në fakt, letra përmban gabime drejtshkrimore dhe ka vende ku fjalitë humbin lidhjen logjike si pasojë e të shkruarit gabim. Ndërsa ka edhe fjali ku mendimi mbetet përgjysmë, por nënkuptohet që bëhet fjalë për një kërcënim, pasi vazhdohet me tri pika, (reticencë).
"Tv Vizion Plus, Zonë e Lirë, Arian Çanit.
Çani: Para pak ditësh keni promovuar një libër ku thuhet të jetosh në ishull.
Në libër flitet kundra Allahut... dhe etj.
Prandaj me të marrë këtë letër të thërrasësh libërshkruesin dhe t'i komunikosh se në emër të Allahut është i dënuar fizikisht. Por edhe ata që e ndihmojnë. Ata...
Qofshin këta myslimanë apo të tjerë.
Për të fituar lekë Çani nuk fyhet Allahu. Prandaj përgënjeshtro para popullit çfarë ke bërë.
Letra është e keqe, por edhe vdekja ashtu është.
Allahu qoftë me ne dhe urdhri i tij do zbatohet.
Në emër të Allahut.
Tre ditë të Xhuma rresht ta përgënjeshtrosh në Tv "Zonë e lirë", për tu fal ti Çani".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora