E shtune, 20.04.2024, 03:03 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pjeter Logoreci: Nuk ka shqiptar më idealist e patriot se Imzot Nikollë Kaçorri

E premte, 29.05.2020, 09:01 PM


Nuk ka shqiptar më idealist e patriot se Imzot Nikollë Kaçorri

Nga Pjeter Logoreci

Këto ditë po shihja me andje në një emision televiziv,  zhvillimin e ceremonisë  solemne për  riatdhesimin e rivarrimin e eshtrave të ushtarakut student, patriotit Shahin Toci, sargu i të cilit u prit në aeroportin e Rinasit me 26 mars 2011, me shumë nderime, ashtu sic e meritonte ky djalë trim që i qëndroj besnik deri në flijim flamurit tonë kombëtare.

I pushtuar nga emocionet e pamjeve nga ceromonia, ku shihje dhjetra njerëz që valvitnin ndër duar flamurë kombëtarë, dalloje në qëndrim nderimi, ministra e personalitete të shtetit të veshur me uniforma shumëngjyrëshe në homazh të këtij trimi liridashës, po  mendoja se pothuajse para një muaji (me 9 shkurt 2011) zbrita nga avioni i linjës Wien-Rinas po me të njëjtin qëllim, për të riatdhesuar pas 94 vjetesh eshtrat e DOM NIKOLL KACORRIT -  ARKITEKTIT TE PAMVARSISE E TE SHTETIT SHQIPTARE që gëzojmë sot, por me një ndryshim të madh, se atë ditë “te zeze për ndjenjën kombëtare”, sargun me eshtrat e titanit nuk e priste asnjë personalitet, minister, gjeneral, zv/minister apo drejtor drejtorie.... bile as edhe një klerik i lartë. Sytë mu mbushen me lot dhe tërë qenien time ma pushtoj një ndjenjë keqardhje dhe turpi.

Me ditë të tëra isha munduar të lajmeroj për ardhjen e eshtrave të Imzot Kacorrit, personat përgjegjës të shtetit, që nga instiutcionet më të larta, ministritë, kuvendin, deputetët e Durrësit, hierarkinë e lartë kishtare të dioqezës së Tiranë –Durrësit, me telefon e po ashtu me postë elektronike. Asnjë reagim.  Situata e krijuar më solli ndër mend që veprimi im nuk i sillte kujt ndonjë përfitim ekonomik (për të cilin do te ishin prezent të gjithë ato persona që përmenda më sipër), por ishte vetëm një veprim moral e patriotik për të cilin më ishin përgjegjur njerëzit e thjeshtë të ardhur në grupe nga Durrësi e Lura.

Cfarë paradoksi. Një burrë i madh, etalon i patriotizmit, lirisë dhe atdhedashurisë, prift katolik i cili kishte deklaruar me gojën e tij...” ...për mua së pari atdheu mandej kisha...”, nuk u vlersua, ose u la në harresë me dashje, ashtu sikurse u la në harresë për 94 vjet në dhe të huaj. Perse duhej që aktiviteti i tij të shihej vetëm nën petkun e priftit katolik, që të pasojë me një sjellje të tillë? Apo kaq e madhe ishte propaganda komuniste kundër këtij atdhetari sa që njërzit vazhdonin ta shihnin si “klerik reaksionar”....???

Familjarë të Imzot Kacorrit dhe qytetarë durrsake pranë sargut të tij në Rinas

Dëshëroj të sjell me poshtë për lexuesit një dokument origjinal të gjetur në arkivën e ministrisë së jashtme në Vjenë, ku cdo njeri edhe ato me skeptiket mund të shohin e të binden për punën e madhe që Imzot Nikollë Kacorri bëri në dobi të atdheut të robëruar nga hordhitë aziatike osmane. Dokumenti mban datën 12 nandor 1912 dhe është një letër e shkruar dhe formuluar nga Imzot Kacorri, e cila i drejtohet Perandorit Franz Josef  të parë në Vjenë, për ta vënë në dijeni që; shqiptarët nuk e durojnë më roberinë. Ato duan tashmë pamvarsinë, të drejtën e shkollave, kulturës, traditave e  gjuhës së tyre. Ato kërkojnë nëpermes kësaj letre, mbështetjen e perandorisë më të madhe të kohës për të mos lejuar coptëzimin e Shqipërisë nga vendet fqinje në Ballkan.

Madhnisë të Tii

Franz Josefit I

Përandorit e Mbretit të Austro – Magjarisë në Vienë

Shum të vështira e të rrezikshëme jan këto dit per ne Shqyptarët e per nanën t´on Shqypninë qi të kater shtetet e Ballkanve po rrâin me e perpië a me e coptue. Na me sâ fuqië kena mundohena edhe Përendisë i lutena qi Mbretnia jon të muisi këta anmiq e të na prui prej sish. Por per fat të keq gjasat nuk po na duken fort të mira, e po shohim se shum vende të kater vilajeteve të Shqypnisë, Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë gjinden nden kambë të hueja.

Per këtë shkak po marrim lejen m´u sjelle kah Madhnia Jote si Përandorit të nji Përandorisë të madhe, qi asht ma e afermia e jon e ka piesë në Ballkan me Bosnie – Herzegovinë, e me Ju lutun qi në çeshtjet të Ballkanve të merret para syshë edhe Shqypnia në mënyrë qi kufit e sajë mos të bërkiten e mos të shtyhen prej kerkui e qi Shqypnia kështu e pâ bërkame e e pâ vogluëme të ketë nji Automië të plotë nden Mbretninë Otomane.

Por në kioftë se per fat të zië qillon, qi kio Mbretnië nuk ka me muit ma mbas luftesë të sotshme me sundue në kurrfar mënyre Shqypninë, na nga thelbi i zembrës i lutena Madhnisë s´ate qi Shqypnia prej kater vilajetesh permendun sipri me tre milion e sâ Shqyptarë të bahet nji Mbretnië në vehte sikurse të tjerat shtete të Ballkanve, në daç perse Shqyptarët jan nji kambë ma i vjetri ner këta, me nji gjuhe e me zakone fare të veçanta, e gjaku i tyne nuk mundet me paitue kurrsesi me çdo gjak të kombëve qi jan rreth e rrotull; në daç perse nuk do t´ishte e drejtë humbja as voglimi i nji kombi Shqyptarë, i cilli nuk âsht aspak ma i poshtem se kombët e tjera  të Ballkanve si per numer, ashtu per mendë, si per vjeften morale, me të cillën, sado qi per nji kohe shekuish shum të gjatë kje rrahun në çdo krah e në çdo mënyrë prej shum e shum tallazeshë politike qindroi në kombësië të vet e në zakone të veta, por si nji shkambë i fort në mjedis detit; e kjarishtë e diftoin edhe theroritë e mëdhaja qi Shqyptarëtë hoçën per rain, gjytetërimin, e perparimin e Kombit të vet në këtë kohe të mrame të Tyrqëvet të Rie: në daç edhe perse na duket se nji Mbretnië Shqyptare mban peshën jo vetem të Ballkanve, por edhe të gjith shteteve t´Europës, e sidomos në muit m´u bâa, mbas dishirit t´on, nji mbretnië e pa anë (neutre), sikurse Belgji e Svizzera.

Prej gjith këtyne shkaqeve e arsynave na e pështesim të tanë shpresën t´one në ma të madhen mirsine e Madhnisë Tande per të cillën na e gjith kombi Shqyptarë ka per të Jau ditun per nderë per gjithmonë.

Me shpresë të madhe qi të lutunat t´ona kam me e bërkâ zembrën e Madhnueshme të Madhnisë Tande kemi nderjen ma të madhen me vuë këtu duërt t´ona e m´u permendun.

Shqypnië, 12 Nanduër 1912

Te Detyrushmit Sherbëtorë te Madhnisë s´ate

Firmat

Nikoll Kaçorri Prift

Mustafa Asim Kruja

Reaçep Mitrovica

Fuad Toptani

Abdi Toptani

Murad Toptani

Salih Gjuka Ipek

Bedri Pejani

Letër e formuluar dhe e shkruar nga Imzot Kacorri drejtuar Perandorit Franz Josef në Vjenë (faqe e parë)

Letra është e shkruar në tri faqe. Ajo është e firmosur nga drejtuesit kryesorë të komitetit të pergjithëshëm kryengritës së Shqipërisë së mesme: Nikoll Kacorri, Fuad Toptani, Murad Toptani, Abdi Toptani, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Salih Gjuka, Bedri Pejani, Mustafa Kruja.

Faqja e tretë e letrës me firmat e drejtuesve të komitetit të përgjithshëm të Shqipërisë së mesme

Letra i është dorëzuar Konsullit Austriak në Durrës Rudnay, i cili së bashku me letren, dërgon ny ministrinë e jashtme ny Vjenë, personalisht për ministrin e jashtem Leopold Grafen Berchtold me shenimin “ shumë konfidenciale”, një përshkrim për gjëndjen e vështiry dhe shpërthyese, të krijuar në zonën e Shqipërisë së mesme. Në shënimin e tij Rudnay shkruan: mbasi unë pashë qëndrimin e palekundur të popullit, i cili pretendon të bëhet një kongres për shkëputjen e vendit nga perandoria dhe kërkon përjashtimin e të deleguarve të huaj nga Mutesarifit në kongres, po ashtu dhe pasi dëgjova pretendimet  e orthodoseve të cilët kërkojnë një pushtues të huaj që të mos sundohen më nga shumica musulmane, vendosa me inisiativen time të marr përsipër, me kerkesat më të pranueshme për ne, këte letër që solëen të deleguarit.

Letra e konsullit Rudnay për ministrinë e jashtme në Vjenë

Në një bisedë që pata me famullitarin e Durrësit Don Nikoll Kacorrin dhe Murad Bey Toptanin i theksova atyre që Monarkia mbron interesat e  Shqipërisë pa e pushtuar atë, e dëshëron që shqiptarët në këto kohë të vështira të bashkohen me njeri tjetrin. Gjatë bisedës i tregova atyre edhe motivet kryesore të mbështetjes tonë. Gjatë ditës kam marrë nga Don Kacorri,  në mirëbesim, letrën me kërkesa për Madhërinë e tij, ku sipas këshillës sime u hoqën disa pika të pakuptimta. Murad Topatani, të cilit i detyrohesha ti ktheja një vizitë më konfidoi më vonë që delegatët trembën se kongresi do të dështojë, e kanë vëndosur menjëherë ti dergojnë madhërisë së tij këtë kërkesë. Sapo i hodha një sy letrës, pashë që të gjithë delegatët kishin pranuar, ato cfarë kishim diskutuar me Don Kacorrin. Aty  kërkohet autonomi e vendit, por nën sundimin turk, e po qe se kjo është e pa mundur, atëherë të kërkohet  Pamvarësi dhe Neutralitet. Uny jam munduar që letra të stilizohej në mëndyrë që të kishte hapsira për ndryshimet e mundëshme (për të perjashtuar ndikimin e fuqive të tjera), pa cenuar angazhimin tonë. Pas dorëzimit të kësaj letre, kam bërë marveshje, që unë nuk do të përdori ndikimin tim në Kongres dhe nuk do të marr përsipër asnjë  ndërhyrje aty. Gjithashtu kam konfirmuar që për sa kohë të zgjasë Kongresi dhe ndikimi  turk në vend, do pranoj të bisedoj apo veproj vetëm në mënyrë konfidenciale.Nga delegatët të cilët kanë nënshkruar këtë dokument, vetëm Mithat Frashëri ka nënshkruar menjëherë, por edhe të tjerët nuk kanë vonuar ta nënshkruajnë. Së fundi dëshëroj të ju bëj të ditur shkelqësisë tuaj, që zotërijtë presin të marrin nga ju një pergjigje të pranueshme. Si gjithmonë me lejen tuaj, arrita të ndikoj sadopak pozitivisht në Kongres. Edhe një herë dëshëroj të Ju bëj të ditur se kam vendosur, nqs Kongresi i Shqiptarve do të pengohet, të kërkoj nga Elita e shqipëtarve një dokument, i cili nuk do na sjellë detyrime anës tonë, që do të mund ta perdorim në situata të vështira që mund të krijohen.

Kuptohet qartë se interesat tona kombëtare, ato të Dom Nikollës përputheshin me ato të Austro-Hungarisë, e cila kerkonte që influenca  e saj të shtrihej në tërë Ballkanin. Kjo ishte arsyja që konsulli Rudnay mbante kontakte të ngushta me atdhetarët shqiptare, të cilët morën përsipër misionin që të njoftojnë fuqitë e medha se populli shqiptar do ti merrte armët në dorë për ti dale zot territoreve të veta. Dera e Dom Nikolle Kacorrit ishte kurdoherë e hapur për atdhetarët. Aty bëheshin mbledhjet e komitetit e ndermerrëshin vendime të rëndësishme për lëvizjen popullore.

Dëshëroj të mbyllë shkrimin tim me fjalët e Mustafa Krujës: Shqipëria për Dom Nikollë Kacorrin, Atdheu, lirija e saj ishte ideali i tij.... Dom Nikolle Kacorri ishte shqiptar me plot gojen...e deri më sot, s´më ka rënë të këndoj gjikund ndonjë rresht që ta përmendi sado për keq emrin e tij, megjithëse ka qënë përkrah Ismail Qemalit në Vlorë, edhe nënkryetar i denjë i së parës qeveri shqiptare, i zgjedhur prej atij kuvendi kombëtar, që shpalli pamvarsinë  e atdheut, dhe që mundi të krahasohet për rëndësinë e tij historike, vetëm me Kuvendin e Lezhës.... gati pesë shekuj më pare.

Zemra Shqiptare, 08.04.2013



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora