E enjte, 25.04.2024, 05:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha feston 75-vjetorin

E premte, 09.05.2008, 06:43 PM


Nexhmije Pagarusha
Ka mbushur 75 vjeç dje, këngëtarja mit e Kosovës por edhe e Shqipërisë, Nexhmije Pagarusha. Janë të rrallë ata shqiptarë që nuk e kanë dëgjuar të paktën njëherë zërin dhe emrin e saj. Të shumta janë mediat që e kanë quajtur emblema e këngës shqipe, këngëtarja më e famshme e të gjitha kohërave, bilbili i Kosovës, apo edhe ndonjë epitet tjetër dhe të shumtë janë ata këngëtarë shqiptarë që e kanë gjetur frymëzimin tek zëri i saj i paharrueshëm. Edhe pse, para më shumë se 20 vjetësh, u tërhoq nga skena, për shkak të problemeve me pejzat e zërit, regjistrimet në televizion dhe ato në radio edhe sot dëgjohen me shumë ëndje. Ajo është një ndër personalitetet legjendë që ka nxjerrë vendi i shqiptarëve. Jetoi dhe po jeton ende në kohën e shumë yjeve, por zëri dhe emri i saj do të jetë nga ata yje që ndriçojnë mbi të gjithë. Karrierën e përfundoi në mënyrë të denjë edhe pse do kish dashur që të bënte edhe një koncert të fundit, koncert të lamtumirës. Por përveç medieve dhe gazetarëve kanë qënë edhe Njohësit e zërit të saj, të cilët e kanë përshkruar si një zë melodik, fleksibël, timbër i vecantë... “Dallonte nga të tjerët jo vetëm me zërin por edhe me talentin për aktrim”, është shprehur dikush tjetër. Megjithë këtë famë dhe emër të paharrueshëm, këngëtarja, ka me qindra regjistrime por asnjë CD. Madje edhe një CD pirate që qarkullon e bën shumë nervoze, me përzgjedhjen e bërë, pasi është bërë pa lejen e saj. Fenomeni Nexhmije Pagarusha ka mrekulluar, ka mahnitur, gjenerata e gjenerata, si ato amatore ashtu edhe ato profesionale. Timbri i vecantë i zërit të saj, e bën atë të papërsëritshme. Është një dhunti që ja ka falur Zoti, një dhuratë ndryshe nga të tjerat, që i bën të gjithë njerëzit të mrekullohen duke e dëgjuar duke e vlerësuar si të pazakonshëm. Madje këngëtarja shprehet e çuditshme pasi askush nuk kërkoi nga ajo t’ia mësojë teknikat dhe paraqitjen artistike. Të gjithë e admironin, por askush nuk kërkoi nga ajo të dijë se si ka punuar, si ka arritur. Nexhmija u shndërrua në një ikonë të ndjeshmërisë absolute. Ishte dhe do të mbetet, jo vetëm për publikun dhe rininë e asaj kohe por për të gjithë, sfidë dhe qëllim. Ajo çka e bën më të veçantë, është interpretimi i saj unik, pasi ajo nuk imitoi askënd, ajo ishte vetvetja, arriti të krijojë individualitetin e saj dhe te shndërrohet në ikonë me aftësitë që kishte dhe dhuratën që i kishte dërguar Zoti. Edhe 100 vjet bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora