E marte, 19.03.2024, 05:56 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Ardita Statovci, emri ynë afirmativ

E diele, 07.04.2013, 04:59 PM


Ardita Statovci, emri ynë afirmativ

“...Kur ajo pastaj për Bis e bëri të rrëshqiste si margaritar një pjesë bravuroze nga GyörgyKurtag, ishte e qartë: emri Statovci duhet të mbahet mend..” ... “tingëllimë telash” eksplozive, të fuqishme e të kthjelltë të një kualiteti super-elitar...” (Kronenzeitung)”...  Së fundi Ardita ftohet për koncertin e parë në Shqipëri.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Qe në fëmijëri e ndau fatin e atdheut të robëruar duke përjetuar arrestimin e babait para syve të saj nga xhandarmëria pushtuese serbe. Këto episode të përditshme në robëri Arditën nuk e përulen në rrugën e saj artistike. Talenti i saj u shpërblye në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare kur në Vjenë e fiton bursën për talent të veçant. Shkollimi i saj vazhdon në vendlindjen e Mozartit, Salzburg të Austrisë duke marr gradën akademike,Magjistër (Mag. art.) dhe më vonë shkollimin e mëtejmë te dedikuar bashkepunimin me mjeshtërit të veçantë e vazhdon në shtetin Indiana(SHBA) me legjendën botërore z.Menahem Pressler; e po ashtu edhe Akademine Pianistike  “Incentri col Maestro” në Imola të Italisë. Luajti me orkestra internacionale të njohura si: Orkestra Mozart e Bolognes; Deutsche Kammerakademie Neuss nën dirigjimin e Lavard Skou Larsenit, në Konzerthaus të Dortmundit, ku kishte mbi 1500 spektator; pastaj me JSO të Bern-it (CH); HaydnOrchester (Bolzano) Wiener Sinfonietta sidhe orkestra tjera duke koncertuar në shume shtete te ndryshme te Europës, SHBA-se, Azise.

Përkushtimin e saj dhe talentin në ekzekutimin në piano e vërtetojnë një varg çmimesh të fituara. Disa nga ato janë: Bursiste e Gesellschaft für Musiktheater- Vjenë dhe Ministrisë Federale të Arsimit, Artit e Kulturës dhe Shkencës së Austrisë,  “Internationale Mozarteum Stiftung” nga  Salzburgu (A), Piano Academy Birmingham në Angli, Rotary Club Salzburg, Fohnstiftung- Vjenë, Yehudi Menuhin Live Music Now, Internationaler Rotaract Wettbewerb  nga Spanja, Ibla International Competition nga  Italia.

Ka CD (Live incizim) me veprat nga  Brahms, Beethoven dhe  Dutilleux sidhe eshte Young Steinway Artist. Në vitin 2011 Ardita Statovci merr pjesë me solo koncertin e  Ravel-it ne G, si zëvendësuese e Marta Argerich në ekzekutimet me Orkestrën Mozart - Chamber dhe Mahler nën drejtimin e Claudio Abbado në Ferrara.

Shtypi europian Arditën e paraqet si ...servimin virtuoz dhe me ndjesi të Sonatës së Moxartit KV 567...”  “...Kur ajo pastaj për Bis e bëri të rrëshqiste si margaritar një pjesë bravuroze nga GyörgyKurtag, ishte e qartë: emri Statovci duhet të mbahet mend..” “...Ardita Statovci, një pianiste që shkëlqen- (Dortmund-2010)..." “tingëllimë telash” eksplozive, të fuqishme e të kthjelltë të një kualiteti super-elitar...” (Kronenzeitung)”...

U takuam pas koncertit të saj në pallatin e njohur Auesperg të Vjenës me rastin e 17 Shkurtit- Ditës së Pavarësisë së Kosovës i organizuar nga Ambasadori i Kosovës në Austri, Dr.Sabri Kiqmari. Mori pjesë në koncert edhe tenori i njohur nga Shqipëria, z.Agim Hushi, të cilët interpretuan në një nivel ...super-elitar para trupit diplomatik të shumë shteteve të akredituar në Austri. Me Arditën zhvilluam një bisedë të shkurtër për shtyp.

Specializimi i juaj në Imola, vazhdon apo e keni mbaruar?

Ardita Statovci: Si muzikant, të mësuarit nuk përfundon asnjëherë. Përveç anës së sigurisë teknike në interpretim, përpunimi e perfeksionimi i tingullit, respektivisht paletës tingullore është një proces që nuk ka mbarim. Sikur edhe piktori, i cili asnjëherë nuk mund të thotë që ka përfunduar së hulumtuari të gjitha nuancat dhe kombinimet e ngjyrave. Edhe tingulli i pianos ka ngjyrë, për më tepër ka një mori të tërë ngjyrash, nuancash, nën nuancash, që duke u kombinuar edhe më karakteret, situatat, vetitë etj. shprehin emocion. Ndër të tjera, emocioni në muzikë është çelësi i një interpretimi të suksesshëm, gjithmonë duke u bazuar në atë se çfarë kërkon epoka përkatëse muzikore. Andaj edhe unë jam gjithmonë në kërkim të zhvillimit të pandalshëm profesional. Për këtë jam shumë e lumtur që kam bashkëpunime të vazhdueshme jo vetëm në Imola por edhe në vendet tjera, me pianist e dirigjent që me vitet e punën e palodhshme kanë krijuar karriera të mrekullueshme. Gjithmonë ndjehem me fat, që sa herë të kem nevojë për ndonjë këshillë për ndonjë vepër muzikore, ose qoftë për të më dëgjuar, ata janë të gatshëm të gjejnë kohën për mua. Këto bashkëpunime i konsideroj shumë të vlefshme dhe inspiruese.

Si e shpjegoni angazhimin tuaj deri tani në planin artistik në raport me publikun?

Ardita Statovci: Artisti është gjithmonë ai që duhet udhëhequr publikun, pra artisti është ai që duhet të jetë sa më i bindshëm në interpretimin e tij për ta bindur publikun. Që të arrij të sjell mesazhin e veprës, kompozitorit, të periudhës kohore kur është krijuar vepra, emocionin etj deri tek audienca. E gjithë kjo duke i dhënë emocionet personale, pra duke përfshirë personalitetin e tij, mendjen e tij dhe shpirtin e tij në muzikë. Në secilën paraqitje para audiencës unë mundohem ta bej këtë.

Plani i juaj momental, cili është?

Ardita Statovci: Këtë javë kam koncert në Itali, kurse në prill do jem në Tiranë e pastaj në Salzburg dhe në një qytet tjetër në Austri.

Si ndiheni dhe si e shpjegoni ftesën për koncerte në Shqipëri?

Ardita Statovci: Më bëhet qejfi që tani do të kem mundësinë të jap koncert edhe në Shqipëri. Përkundër faktit që deri tani kam dhënë koncerte  në shumë vende të Evropës, Amerikës dhe Azisë, ftesa nga Tirana tani është e para për mua dhe natyrisht që më gëzon. Koncerti do të mbahet më 19 prill në Tiranë dhe unë jam e ftuar për te luajtur si soliste në piano me Orkestren Simfonike te Radiotelevizionit të Shqipërisë. Krahas koncertit, gjatë qëndrimit tim në Shqipëri do të mbajë edhe një Masterklase në Universitetin e Arteve.

Cili është plani i juaj në vazhdimësinë artistike, keni ndonjë ofertë apo planifikoni ndonjë turne në vende të ndryshme. Ju ishit në Amerikë, ku keni dëshirë tjetër të luani?

Ardita Statovci: Kam disa koncerte të planifikuara, jo vetëm për sivjet por edhe për vitin 2014 e me tutje. Sivjet ka disa  koncerte dhe  oferta  të veçanta, ndër të tjera do luaj në nëntor në një turne në Austri i cili organizohet nga institucioni me i madh organizativ i koncerteve  e kjo do të thotë një nder i veçantë të jesh i ftuar për të përformuar.

“Vendlindja navigator” e keni thënë, ku tani vendlindja, ka mbetur navigator në artin dhe veprimtarinë tuaj?

Ardita Statovci: Unë jam pjesë e vendlindjes, pra ky “navigimi” është gjithmonë dhe gjatë gjithë kohës brenda meje- pra motori shtytës. Përveç faktit që kudo që jap koncerte i reprezentoj shqiptarët, ju nuk mund ta merrni  me mend se sa shumë kohë shtesë unë kaloj duke folur e shpjeguar me fjalë për shqiptaret, vendlindjen time, jo vetëm për pozitën gjeografike, por edhe për historinë, gjuhën, kulturën, doket, zakonet e shumë çka tjetër, të them të drejtën gati  çdo ditë

Ndonjë përshtypje e veçantë nga koncertet tuaja?

Ardita Statovci: Momentalisht, tani jam në pritje për koncertin në Tiranë, jam shumë kureshtare të takoj njerëzit atje, muzikantët  e Shqipërisë dhe uroj që të kemi një bashkëpunim sa me të frytshëm.

Të falënderoj paraprakisht. Është kënaqësi për mua të shkruaj për aktivitetin tuaj.

Ardita Statovci: Edhe unë, ju falënderoj përzemërsisht dhe ju uroj gjithë të mirat.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora